Rita erdhi në Prishtinë (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora tashmë ka shkelur në tokën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Ajo sapo ka ardhur në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. Ajo nuk deshi të dalë para medieve që të marrin ndonjë pamje ose të prononcohet, por që ajo erdhi dhe pas më pak se dy orësh, Rita do të paraqitet në një konferencë për medie.

Rita ka ardhur në Kosovë për të festuar së bashku me vendasit e saj dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në orën 15:00, Rita pritet të dal në një konferencë për media kurse nga ora 20:00 pritet të filloj koncerti, në të cilin ajo do të interpretoj./ KultPlus.com

Nesër në Prishtinë, mbahet “Ora e Gjergjit”

Nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, nesër më 15 janar, me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizohet ora e madhe letrare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Më titullin “Ora e Gjergjit” e iniciuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ftohen të gjithë krijuesit nga bota e emigracionit dhe të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësisë së veçantë.

Pra më 15 janar me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet “Ora e Gjergjit”, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut./ KultPlus.com

Kështu e sheh gazetarja zvicerane festimin e Krishtlindjes në Prishtinë

Gazetarja zvicerane, Aleksandra Hiltmann, e cila më 24 dhjetor është kthyer nga Prishtina, në një artikull për albinfo.ch shkruan mbi atmosferën e atjeshme festive në prag të Krishtlindjes. Ajo zbulon shkaqet përse në një vend me shumicë myslimane festohet me kaq entuziazëm një festë e krishterë.

Një vizitë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, tregon: Krishtlindja është festë e popullarizuar. Bredhat e Krishtlindjes dhe kurorat zbukurojnë rrugët dhe kafenetë. E çuditshmja në këtë rast është se shumica e popullsisë së Kosovës dhe Prishtinës është myslimane. Si funksionon kjo? Njerëz nga Prishtina dhe rrethina e saj na shpjegojnë përse Krishtlindja është kaq popullore në mesin e myslimanëve.

(Photo: Aleksandra Hiltmann)

Kur në Prishtinë errësohet, bulevardi “Nënë Tereza” shkëlqen nga dritat. Vargje të pamumërta dritash dhe yjesh vezullues e shndërojnë shëtitoren në një det të përbërë nga ngjyra e artë dhe ajo e kaltër. Në të dy skajet e bulevardit janë vendosur bredha impozantë të Krishtlindjes, ndërsa në ndonjërin nga sheshet qendrore takohen të rinj dhe të moshuar për të pirë verë të zier. Babadimrat përqafojnë kalimtarët për një fotografi, nga altoparlantët kumbojnë këngë amerikane për Krishtlindjen. Nga tavanet e kafeneve varen topthat dhe telat zbukurues festivë.

Pa frikë nga kontaktet

Thënë shkurt: Në Prishtinë, Krishtlindja është gjithandej. Në të njëjtën kohë, sipas Agejncisë Kosovare të Statistikave, më shumë se 90 për qind të banorëve të Prishtinës janë myslimanë, shprehet gazetarja zvicerane Aleksandra Hiltmann në artikullin e shkruar për albinfo.ch
“Kur ka diçka për të festuar, atëherë do të duhej të festonit secilën herë”, thotë një grua e moshës së mesme në një bar. Si fëmijë, ajo ka këmbëngulur që prindërit t`i blinin një bredh Krishtlindjeje dhe ta zbukuronin atë. “Ne këtu jemi pothuajse të gjithë myslimanë”, thotë ajo dhe shoqet e saj e miratojnë. Ato e konsiderojnë kohën e Krishtlindjes si një mundësi të mirë për t`u takuar me miq, për t`i admiruar dekorimet dhe në këtë e sipër, për të shijuar një pije. “Mund të pish gjithmonë një raki, qoftë për Bajram ose për Krishtlindje”.

Identiteti etnik para atij fetar

Një bisedë me një të ri duke pirë verë të zier, të ofron mundësi për njohuri më të thella rreth qasjes së shqiptarëve myslimanë ndaj Krishtlindjes. “Epo, ka edhe shqiptarë që janë të krishterë”, thotë ai. Për këtë arsye ai konsideron se të gjithë shqiptarët duhet të festojnë së bashku Krishtlindjen, pavarësisht nëse ata janë të krishterë ose myslimanë. Ky qëndrim e pasqyron atë që akademikët dhe analistët tashmë e kanë përshkruar në mënyrë të përsëritur: Në Kosovë, identitetet etnike përbëjnë elementin më të fortë të përkatësisë. Ato kanë përparësi në përballje me identitetin kosovar ose atë religjioz (edhe pse identitetet etnike dhe ato religjioze janë shpesh të lidhura mes vete). “Për mua nuk luan rol nëse je i krishter ose mysliman, për sa kohë që je shqiptar”, thotë i riu me një gotë vere të zier në dorë.

Krishtlindja serbe ortodokse, më pak popullore

Për pyetjen nëse në Prishtinë festohet edhe Krishtlidja serbe ortodokse, ai ka një përgjigjet të qartë: Jo. Ai e sqaron qëndrimin e tij me luftën e vitit 1999 dhe me zhvillimet para saj. Vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, për popullatën shqiptare kanë qenë të karakterizuara nga shtypja dhe diskriminimi. “Atëbotë nuk shtrohej pyetja nëse do të të rrihnin pa asnjë arsye, por vetëm ku dhe si do të të rrihnin”, tregon i riu.

Amerikanizimi i festave

Një burrë mysliman nga komuniteti rom thotë: “Krishtlindja serbe ortodokse në Prishtinë pothuajse injorohet”. Dy persona që banojnë në një komunë serbe e miratojnë përshtypjen e tij. Të dytë e shohin me skepticizëm këtë entuziazëm të shqiptarëve myslimanë për Krishtlindjen katolike. “Ata nuk e dijnë fare se çfarë në fakt po festojnë”, thotë gruaja, e cila do të identifikohet si “grua nga Ballkani”. Ajo konsideron se popullariteti i Krishtlindjes me siguri lidhet me faktin se kjo festë perceptohet si diçka amerikane dhe perëndimore. Kolegu i saj është dakord. Ai konsideron se mënyra si festohet Krishtlindja në Prishtinë, është shumë komerciale. Festa është ndikuar shumë nga kapitalizmi i stilit perëndimor ndërkohë që humbet fryma e vërtetë e Krishtlindjes. Por po kjo vlen edhe për festat e bashkësive tjera fetare, thotë burri i cili vetë është fëmijë i një martese të përzier: serbe-hungareze-kroate. Ai me familjen e tij feston gjithmonë Krishtlindjen Katolike, atë Ortodokse dhe Ditën e të Shenjtëve. Ndërsa për Bajram secilën herë viziton familjet rome.

Një refleks antikomunist?

Ky flirtim me interpretimet amerikane dhe të “oksidentalizuara” të Krishtlindjes mund të vihet në lidhje veç tjerash edhe me komunizmin e ish Jugosllavisë. Romi i besimit mysliman sqaron se në kohën e Titos ka qenë e ndaluar të festoheshin festat fetare. “Kështu, në vend të një bredhi të Krishtlindjes, njerëzit kanë dekoruar një bredh të Vitit të Ri”. Kjo praktikë ka qenë shumë popullore si te të krishterët ashtu dhe te myslimanët. Ai mendon se Bredhi i Vitit të ri ka qenë simbol për perëndimin jokomunist. Për disa, perëndimi dhe Amerika ishin sinonime për më tepër liri pra edhe për liri besimi, feje. Roli i rëndësishëm që SHBA ka luajtur në përfundimin e luftës së Kosovës, do ta ketë forcuar më tutje këtë perceptim.

Përfundimi: Shumë rrugë shpijnë te Krishtlindja

Bisedat lidhur me Krishtlindjen në Prishtinë tregojnë se qasja e myslimanëve ndaj festës së krishterë është komplekse, shumështresore. Nëse më parë ka qenë një qëndrim kundër komunizmit, sot ajo për shumëkë është para së gjithash, kënaqësi. Dhe, se cila festë ofron mundësinë për një gjë të tillë, është diçka e dorës së dytë. Nga ana tjetër persona tjerë përmes identitetit të tyre etnik ndihen të lidhur me festën e drejtimit tjetër religjioz (që e kanë shqiptarët) – kryesorja, është një festë që e festojnë shqiptarët. Ky qëndrim sërish pasqyron veç tjerash edhe elementin sekular të identitetit shqiptar dhe vihet në lidhje me të kaluarën e afërme, të dhembshme të Kosovës. Me këtë rast vije qartë në pah se ku janë llogoret në mes të komuniteteve të këtij vendi.

Megjithatë bisedat tregojnë: Religjioni mund të interpretohet në mënyrë fleksibile. Ai mund t`u përshtatet rrethanave dhe nevojave vendore. Në rastin e Krishtlindjes Katolike në Prishtinë kjo bëhet në mënyrë jashtëzakonisht të thjeshtë dhe kolegiale, qoftë nga shkaqe spirituale ose të tjera. Kryesorja është: dritat e Krishtlindjes, vera e vluar dhe shoqëria e mirë./ KultPlus.com

Stefan Çapaliku në promovimin e dy vëllimeve të tij në Prishtinë: Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë

Dramaturgu, regjisori dhe esteti i njohur shqiptar Stefan Çapaliku promovoi sot dy vëllime të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Autori përmes këtij libri rikthehet përmes prozës se gjatë me një roman autobiografik, ku subjekt të rrëfimit ka momentin e prishjes së institucioneve të kultit, në vitin 1967. Romani shtrihet në tri dekada të diktuarës, ndërsa prek rrëfimet në pjesën veriore të qytetit shumëdimensional të Shkodrës, ku autori paraqet personazhe reale. Vëllimi i dytë i këtij libri përmban rreth 29 tregime dhe është i ndarë në tri pjesë.

Frano Kulli, nga enti botues “Gjergj Fishta” tha se krijimtaria letrare e autorit Çapaliku, arrin të prek kulim pikërisht me këtë vepër, pasi që ky libër është mirëpritur në shume qytete të Shqipërisë, ndërsa tha se është i nderuar që këtë libër po e promovojnë para këtij auditorit.

“Krijimtaria e tij kulmon me botimin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, ky nuk është mendim as i imi as i entit tonë botues por është provuar me ecurinë qe ka pasur vëllimi i parë. Unë mund të ju them që në eksperiencën 20 vjeçare të entit tonë botues është libri më i mirëpritur për lexuesit shqiptar dhe përtej. Ne kemi pasur edhe botime të tjerë të suksesshëm, mirëpo ky libër është edhe njëra nga eksperiencat më të bukura të entit tonë botues”, u shpreh Kulli sot gjatë promovimit të librit.
Shkrimtari Ndue Ukaj lexoi një tekst të titulluar “Çmendia e Stefan Çapaliku”, ku në fillim të tekstit thekson se ky libër duhet të lexohet sepse është një vepër e bukur arti kundër çmendisë.

“Çapaliku ka shënuar suksese në secilën fushë dhe ka marrë çmime ndërkombëtare. Ky është një roman prekës qe flet për kujtesën komuniste, një roman autobiografik që është shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë estetike dhe intelektuale. Me personazhe reale, karakteret e tij nuk janë heronj, por të degdisur në mjerim. Ky roman në të njëjtën kohë hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore”, u shpreh shkrimtari Ukaj gjatë ceremonisë promovuese.

Po ashtu në këtë ceremoni për pjesën e parë të librit fjalën e mori edhe shkrimtari dhe profesori Ag Apolloni. Ai tha se përmes kësaj letre më të shkurtër ka paraqitur përshtypjet e tij për pjesën e parë të librit.

“Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë. Vazhdimësia gjen një logjikë kohore. Stefan Çapaliku, poet, tregimtar, studies, eseist e veçmas dramaturg së fundi ka ndërmarr një projekt të madh në prozë, që është realizuar në dy vëllime por mund të vazhdoj edhe në ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore kurse element konstant mbetet narrator i i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik”, ishin disa nga fjalët e Apollonit në këtë promovim.

Agron Shala foli për pjesën e dytë të romanit “ Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, derisa shtoi se autori në të dy vëllimet dëshmon se ka një kujtesë të shkëlqyer dhe paraqitet me një stil unik të shkrimit. Ai tha se për dallim nga pjesa e parë, autori në vëllimin e dytë sheh dhimbjen edhe në situatat më komike dhe se vëllimin e dytë e katarakterizon dhe ëndrra.

Vet autori Stefan Çapaliku, nuk foli shumë në këtë ceremoni vetëm se falënderoi të pranishmit, duke shtuar se ka lidhje shumë të forta me Prishtinën.

“Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë”, ishte një nga fjalitë të cilën ai e theksoi në fjalimin e tij.
“ Siç ka qenë televizioni i rëndësishëm në vëllimin e parë, nëse libri do të ketë vëllimin e katërt, unë do te merrem me rrjetet sociale për të treguar se sa lehtë është të çmendësh përmes këtij rrjeti. Mendoj se luajtja jonë e përditshme do të duhej me qenë “O Zot na ruaj mendjen e kresë””, tha autori në promovimin e tij në Prishtinë./ KultPlus.com

Prishtina sonte ndezë dritat e festave të fundvitit

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sonte me fillim nga ora 18:00 do të ndezën dritat për festat e fundvitit.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, është njoftuar se në orën 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti do ta bëjë ndezjen e dritave./ KultPlus.com

Sonte nis edicioni i dytë i “Kosova Brass Festival”

Sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, vjen edicioni i dytë i festivalit “Kosova Brass”, shkruan KultPlus.

Ky edicion mbledh rreth vetës emra të njohur botërorë dhe sjellë aktivitete të ndryshme.

Instrumentistët pjesëmarrës sivjet në “Kosova Brass” vijnë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika.

Në mesin e tyre është dhe trumpetisti me renome botërore, gjermani Otto Sauter i cili do të prezantohet para publikut tonë me Piccolo Trumpetë i shoqëruar nga kuarteti i harqeve i udhëhequr nga violinisti jonë Visar Kuçi.

Festivali edhe këtë vit, rëndësi të veçantë do t’i kushtoj studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend. Në kuadër të festivalit do të organizohen gjatë gjithë kohës sa zgjatë festivali, masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit.

Mbrëmja e parë e festivalit nis sonte më 30 nëntor me fillim në ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

“Jam burr!?” sonte në TKK

Qendra Multimedia & Katharina Maschenka Horn sonte më 27 nëntor do të prezantojnë shfaqjen “Jam burr’!?” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje trajton temën se si është të jesh burrë në Ballkan. Katharina Maschenka Horn dhe performuesit merren me realitetin dhe klishetë e të qenurit “burrë i vërtetë”, ose “tamam burrë”.

Një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat bëhen bashkë në skenë. Edhe pse kanë nacionalitetet të ndryshme, ata janë bërë bashkë për të shqyrtuar e diskutuar nëse është vërtetë e nevojshme për një burrë që ta ‘bindë’ veten për dhunë e agresivitet, apo burrat munden të shihen edhe si viktima të shoqërisë.

Performuesit e kësaj shfaqje janë Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.

Kjo shfaqje do të prezantohet për publikun më 27 Nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. Ndërsa do të jepet edhe për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. / KultPlus.com

Elona Çuliq, sjellë një mbrëmje letrare në Prishtinë

Qendra Multimedia do të organizoi një mbrëmje letrare me shkrimtaren shkodrane Elona Çuliq në kuadër të rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lum” , shkruan KultPlus.

Elona është duke qëndruar në Prishtinë gjatë muajit nëntor ndërsa në fund të këtij muaji do sjellë edhe mbrëmjen letrare për publikun e kryeqytetit. Elona Çuliq është një shkrimtare e re në moshë por me një stil të veçantë të poezisë.

Ajo është e lindur në Shkodër. Rrugëtimi i saj ka filluar si nxënëse në Shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova” për piano, duke vazhduar liceun për gjuhën frënge, për t’i përmbyllur me studime te thelluara më pas në Psikologji Organizative dhe Shkollore.

Ajo thotë se burimi i inspirimit të saj janë poezia, fotografimi, biçikleta, hapësira, njeriu, kafshët, pema, hana, rrënja, pra çdo gjë që përbën përditshmërinë e njeriut./ KultPlus.com

Një mbrëmje e xhazit në Prishtinë

Ambasada gjermane në Prishtinë do të organizoj një mbrëmje të xhazit ku do të performojnë “Casimir Jazz Trio” nga Gjermania së bashku me Ilir Bajrin and Albulena Jasharin, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje organizohet me mbështetjen e Jaha Group ndërsa do të mbahet me 24 Nëntor duke filluar nga ora 21:00 në Hamam Jazz Bar në Prishtinë./ KultPlus.com

Nesër nis Java e Filmit Izraelit në Prishtinë

Bashkësia Hebreje – Bet Israel Kosova në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit në Beograd, nesër më 16 nëntor hapin Javën e Filmit Izraelit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Mysafir special në natën e hapjes do të jetë Alona Fisher Kamm, ambasadore e Izraelit në Beograd.

Hapja e Javës së Filmit Izraelit fillon me shfaqjen e filmit dokumentarë “Ben Gurion” nga regjisori Izraelit Yariv Mozer.

Java e Filmit Izraelit në Prishtinë nis nesër më 16 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Kinemanë ABC ndërsa zgjat deri më 18 nëntor./ KultPlus.com

Figura shqiptare më e shquar në Uashington “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” u promovua në Prishtinë (FOTO)

Autori Agron Alibali sot ka promovuar librin e tij “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Ky libër është nderuar me çmim nga Federata Panshqiptare Vatra – The Hearth ndërsa është mirëpritur edhe përuruar më parë edhe në Bibliotekën e Kongresit në SHBA dhe në Bibliotekën Kombëtare në Shqipëri.

Libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës. Ky libër voluminoz i përberë nga hedh dritë të veçantë mbi veprimtarinë diplomatike dhe juridike të Konicës. Kjo vepër u cilësua si rezultat i një punë shumë të gjatë, në konsultim me arkivat e Shqipërisë, SHBA-së dhe në disa vende të tjera të Evropës.

Profesori dhe publicisti, Rrahman Paçarizi u shpreh se të flasësh për këtë vepër përveç së është nder dhe kënaqësi është edhe një përgjegjësi edhe një mision gati i pamundur për shkak të fakteve të reja që sjellë autori.

“Është vështirë të shkruash për këtë libër për shkak se është tepër voluminoz dhe kërkon mjeshtëri shkrimi për ta trajtuar në pak faqe dhe pak minuta, 640 faqe tekst, shumë fotografi domethënëse dhe treguesi të emrave dhe një parathënie substanciale si në abstrakt janë ilustrim i përgjithshëm I një punë gjigante dhe fasionante që ka bërë studiuesi Alibali duke gjurmuar në jetën dhe veprën e Faik Koncës”, ka thënë Paçarizi.

Ai po ashtu shtoi se ky libër krahas shumë të dhënave që sjellë përmban edhe disa aspekte të tjera të anës njerëzore të jetës së Faik Koncës.

“Faik Konica gjatë kohës sa udhëhoqi misionin e tij diplomatik në Shtetet e Bashkuara nuk përtonte të merret edhe me hallet e emigrantëve atje”, theksoi Paçarizi.

Kurse studiuesi shqiptaro-britanik, Bejtullah Destani, tha se autori me këtë libër ka bërë shumë për Faik Konicën dhe punën e tij si diplomat.

“Agroni ka bërë një libër të jashtëzakonshëm, nuk kam parë që një person të merret aq gjatë me një libër dhe ta bëjë në mënyrë aq pedante dhe sekrete, pa njoftuar asnjë person. Një prej punëve të jashtëzakonshme që ka bërë autori është se ka zbuluar dy gjëra të mëdha siç është zbulimi i një biblioteke të Konicës dhe arkivi i legatës së Uashingtonit”, tha Destani.

Kurse vet autori Agron Alibali pas falënderimit të Biblitokës Kombëtare të Kosovës dhe të pranishmit, ai para tyre shpalosi edhe shumë detaje të rëndësishme lidhur me librin dhe figurën e Konicës. Ai tregoi fotografi të Konicës i rrethuar nga biblioteka e tij e famshme në Uashington nga prilli i vitit 1993, për mënyrën se si ai përfaqësoi vendin e tij të vogël me elegancë dhe dinjitet në një kryeqytet të sofistikuar, për mënyrën se si ai fuqizoi marrëdhëniet SHBA- Shqipëri, duke theksuar se ai ka qenë negociues i 4 traktateve dy paleshe. Ai po ashtu tregoi edhe për punën e tij si ambasador kulturor i Shqipërisë në SHBA duke shtuar se Konica mund të konsiderohet si i dërguari i parë diplomatik i Kosovës në vitin 1911. Si një student i Harvardit dhe njohës i 12 gjuhës, ai u shpreh se Konica shquhej si një ndër figurat më të nderuara në Uashington, si mendjehollë dhe xixëllues. Ai nxjerri në pah kontributin e Konicës në dhënien e mendime të vyera në lëmin kushtetuese për shtetin e ri shqiptar./ KultPlus.com

Nesër festivali i këndimit “Prishtina Kids Fest”

Festivali Ndërkombëtar i këndimit ”Prishtina Kids Fest“ këtë vit shënon 8 vjetorin e tij.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se një javë më parë u mbajt audicioni i hapur për solistët nga Kosova të cilët do ta përfaqësojnë vendin në mbrëmjen finale të Festivalit të këndimit “Prishtina Kids Fest” edicioni i 8-të. Përpos solistëve nga Kosova do të garojnë solistët nga: Republika Çeke, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia.

Festivali Ndërkombëtar i këndimit ”Prishtina Kids Fest“ është festivali i parë i këtij lloji në Kosovë, të cilin e organizon Qendra Multikulturore Ndërkombëtare për Fëmijë dhe të Rinj, me drejtoreshë Drita Rudi.

Në mbrëmjen finale (të dielën) do të paraqiten para publikut gjithsej 14 konkurrent. Do të ndahen nga 3 shpërblime në dy kategori (KATEGORIA I – 6 deri ne 11 vjeç dhe kategoria II – 12 deri ne 16 vjeç) dhe natyrisht, çmimi më i madh i Festivalit, për vokalin më të mire të të dy kategorive “GRAND PRIX”. Fituese të çmimit “Grand Prix” në PKF viteve të kaluara ishin: Greata Azizi, Antoania Dora, Klesta Qehaja etj.

Këtë vit, për herë të pare Festivali Nderkombëtar i këndimit “Prishtina Kids Fest” do të ndanë “Çmimin e Publikut” të cilin çmim do ta vlerëson publiku në sallë, përmes votimeve për të preferuarin e tyre.

Fëmijët dhe të rinjtë që do të marrin pjesë janë: (KATEGORIA I) Anea Sylejmani, Ana Kodra, Eros Hysaj, Aglea Kaneva, Erza Hasolli, Rinea Vitija, Stina Shala.

(KATEGORIA II) Arselinda Sheqeri, Jovana Belevska, Elena Halilaj, Kada Elshani, Erika Shllaku, Elit Hoti, Rinesa Nura
Anëtarët e jurisë që përcollën rrugëtimin e solistëve që nga audicioni e deri në përfundim të mbrëmjes finale të PKF 2017, përbëhet nga: Adelina Paloja, soprano dhe anëtare e Filharmonise së Kosovës; Safet Berisha, kontratenori i pare shqiptar; Kaltrina Miftari, soprano dhe anëtare e Filharmonise së Kosovës. / KultPlus.com

Pamje nga Teatri ‘Dodona’ pas renovimit (FOTO)

Teatri ‘Dodona’ në kryeqytet ka marrë pamje të re, kjo falë renovimeve që janë bërë aty, shkruan KultPlus.

Ky renovim është bërë në: Portën hyrëse, biletoren dhe foajenë e rikonceptuar dhe rinovuar, skenë të re, krejtësisht moderne, sallë me disnivele dhe me ulëse të reja të standardizuara, revitalizim i nyjeve sanitare dhe sistemit të ventilimit dhe Izolimi i bodrumit, pjesës së liftit dhe kulmit.

Punimet në Teatër janë drejt përfundimit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, i ka vëzhguar nga afër punimet duke sjellë edhe disa pamje ekskluzive nga ndryshimet në teatër.

“Këto janë ambientet e Teatrit Dodona, pak ditë para përfundimit të punimeve. Segmente të punimeve të realizuara janë prezantuar në foto: ulëset në sallë, foajeja dhe hapësirat e toaleteve. Gjithë ky proces, do të rezultojë me hapësira shumë miqësore, me standarde teknike dhe të përshtatshme për vizitorët dhe për stafin e Dodonës”, është shprehur Vllahinja.

Teatri Dodona (më para i njohur si Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”) është themeluar me 12 nëntor 1986 me vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës. /KultPlus.com

Albana Ejupi solli akte dhe silueta aktesh duke portretizuar femrën, dashurinë dhe peripecitë e jetës

‘Shpalosje Aktesh dhe Sinteza Siluetash’ është titulluar ekspozita e parë personale e autores Albana Ejupi e cila erdhi mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Derisa minutat po afroheshin drejt hapjes zyrtare të ekspozitës, depërtimi tek pikturat e autores po bëhej gjithnjë e më i vështirë duke qenë se kjo ekspozitë mirëpriste plot mysafirë e artdashës.

Piktorja e re në moshë por me një pjekuri e guxim artistik mbuloi më shumë se gjysmën e mureve të kësaj galerie me pikturat që të rrëmbenin në një botë të sensualitetit femëror. E gjithë kjo erdhi përmes dhjetë punimeve në formate të mëdha e që trajtonte tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë njerëzore, po ashtu sjellë edhe dashurinë, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej temave tabu si arti seksual, duke e paraqitur femrën si bartëse e plleshmërisë dhe si bartëse e përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi.

Penesta Dika , kuratorja e kësaj ekspozite solli një zbërthim të veprave të autores duke thënë se me paraqitjen shtesë të pikturës së saj në një hapësirë pa figuracion, ajo vë një gurthemel për zhvillimin e një zhanri të artit në përgjithësi.

“Kjo ekspozitë sjellë në njërën anë aktet e vetmuara të femrave dhe në anën tjetër shohim silueta çiftesh. Akte femrash të vetmuara me pozitën që e marrin na bëjnë me dije se kanë kaluar në ndodhi të ndryshme në jetë, duan ta shfrytëzojnë pikërisht këtë moment të shtrirjes paksa për tu çlodhur nga mundimet apo peripecitë që ua ka sjellë jeta. Ato sikur kërkojnë të jenë të qeta, duan të jenë vetëm dhe ta ndjejnë trupin në hapësirë, duan ta përpunojnë të kaluarën që të mund të përpunojnë të ardhmen”, ishin fjalët e kuratores Dika.

Profesori dhe poeti francez Max Fullenbaum që kishte ardhur në kryeqytet posaçërisht për këtë ekspozitë e cilësoi punën e Albana Ejupit të mbushur me plot spirtualitet.

“E dashuroj punën e Albanes”, ishin shprehjet që përmblodhën përshtypjet e tij në hapjen e kësaj ekspozite.

Kuratorja e kësaj ekspozite Panesta Dika tha për KultPlus se kishte dashur që publikut t’i sjellë një anë të cilën nuk e ka parë më herët tek Albana.

“Duke qenë se publiku e njeh Albana Ejupin si një piktore portretesh pata dëshirë që kësaj herë ta tregojmë Albanën prej një ane krejt tjetër të saj dhe kur i pash aktet dhe siluetat mendova që kjo është mënyra e duhur që kësaj radhe të shprehim diçka tjetër në këtë hapësirë”, është shprehur Dika.
Ndërsa sipas piktorit Kamuran Goranci, veçantia e kësaj ekspozite ishte vet Albana me stilin e saj, e cila në këto vepra e ka shkrirë shpirtin dhe personalitetin e saj.

“Albana është studente e mirë dhe një talente, ajo është një piktore që i njeh shumë mirë ngjyrat dhe kompozicionin. Është një artiste shumë e guximshme dhe ta kesh një guxim kaq të madh qysh në fillim kjo do të thotë shumë për të si artiste dhe nëse vazhdon kështu kjo artiste që jo vetëm pretendon por edhe premton shumë për të ardhmen”, tha Goranci për KultPlus.

Ndërsa autorja e kësaj ekspozite, Albana Ejupi, tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë është rezultat i një punë rreth një viti e gjysme dhe është kurorëzim i studimeve të saj të masterit. Ajo tha se me vendosjen e femrës si figurë qendrore ka synuar provokimin e shoqërisë kosovare që gjërat normale të mos i tabuizojnë.

“Arsyeja kryesore që në veprat e mia femra ka luajtur rolin kryesor ka filluar prej këndvështrimit të gjendjes në Kosovë dhe shoqërisë kosovare, duke i parë femrat në një mënyrë “jonormale”. Trajtimi karakteristik që e kam sjellë në këtë ekspozitë është fakti që i lë disa vepra në gjysmë, që për të tjerët mund të duken në gjysmë por për mua jo sepse gjithmonë vendosi se çfarë të shpalos për publikun e çka jo”, tregoi Albana Ejupi për KultPlus.

Kjo ekspozitë do të vazhdoi të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

‘Prishtina Kids Fest’ zgjedhë finalistin më 29 tetor

“Prishtina Kids Fest”, që është edhe festivali i parë ndërkombëtar për fëmijë dhe që ka për qëllim zbulimin e vokalistëve më të mirë, shënon edicionin e tetë me radhë, shkruan KultPlus.

Audicioni është mbajtur dhe finalistët do të shkojnë në garë për çmimin Grand Prix, në mbrëmjen finale që do të mbahet më 29 tetor në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare duke filluar nga ora 18:00.

Vitin e kaluar fituese e këtij çmimi ishte Greta Azizi. /KultPlus.com

Bashkëpunimi shqiptaro-grek, solli frymën e romantizmit në KamerFest Kosova

Koncerti i katërt i titulluar ‘Cello, Shpirti i Romantizmit’ në ‘Kosova Kamerfest’ solli mbrëmë një bashkëpunim mes instrumentistit grek Militiades Cassaras në violoncello dhe shqiptarit Klevis Gjergji në piano, shkruan KultPlus.

I vendosur në mes të skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, çelisti grek Militiades Cassaras dëshmoi bagazhin e tij prej triumfuesit të shumë çmimeve si fitues i vendit të parë në garat shtetërore të çelos “ART”, në garat “Solistët e rinj” të Velos dhe Garat e solistëve të Rinj të Orkestrës Shtetërore të Athinës. Cassaras kordinonte lëvizjet e tingujve me lëvizjet e trupit e të fytyrës derisa gjente pozicionin më të përshtatshëm për të dhënë tinguj të cilat me ngadalësi shtereshin brenda sallës.

Të dy, të kordinuar mes një shikimi anësor sollën një harmoni muzikore të veprave nga autorë që kryesisht i përkisnin periudhës së romantizmit mirëpo që vijnë nga zona të ndryshme si veprat e Mendelssohnit e Schumannit nga Gjermania, Tchaikovskit nga Rusia Schubert Austri, e , Piattite nga Italia. Ata sollën tinguj herë më të lehtë e herë më të thumbueshëm, me meloditë e instrumenteve që rrallë braktisnin njëra-tjetrën.

Militiades Cassaras, i cili për natën e dytë shkeli këtë skenë të edicionit të dytë të festivalit tregon kënaqësinë që i ka sjellë interpretimi i veprave të sotme dhe ngrohtësia që mori nga publiku.

“Kemi zgjedhur stile të ndryshme të interpretuarit nga kompozitorë nga vende të ndryshme me përfaqësues kryesor të romantizmit. Unë dëshiroj të bëjë recitale të tilla duke kombinuar vepra të ndryshme në mënyrë që të sjellë kënaqësi dhe të ju përshtatem edhe atij publikut që nuk është shumë i mësuar me muzikën klasike”, tha Cassaras pë KultPlus.

Jo larg tij qëndronte në piano, shkodrani Klevis Gjergji. Ai mbrëmë erdhi për herë të dytë në këtë edicion, pasiqë herën e kaluar kishte përcjellur bason shqiptar Frano Luffin, ai edhe këtë bashkëpunim e cilësoi të mirëpritur nga publiku duke u shprehur i kënaqur që sonte erdhi me një duo me çelistin Cassars, të cilin e vlerësoi si një artist me intelekt të lart muzikor.

“Sot këngëtarët duhet të mendojnë sikur zëri është tingull i çelos dhe çelistët tingullin e çelos duhet ta konsiderojnë sikur zë i njeriut, andaj shumica e gjërave janë të njëjta mirëpo çdo artist ka mënyrat e veta të trajtimit, andaj duhet të përshtatesh në një festival të tillë ku koha është e shkurtër”, tregoj Gjergji.

Edhe kur dukej se artistët po përshëndetnin publikun me interpretimin e fundit, publiku nuk ishte i gatshëm për të dhënë duartrokitjen e fundit veprave të këtij bashkëpunimi. Por as kur këta instrumentist u përkulen për të tretën herë në shenjë mirënjohje pas përfundimit të veprës, e as kur u larguan për të dytën herë në prapaskenë nuk u ndalën duartrokitjet në kërkim të një vepre të fundit.

Nesër KamerFest Kosova nga ora 20:00 do të hap dyert e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë me interpretim të pianos nga Derek Han nga SHBA, Bertrand Giraud nga Franca, Klevis Gjergji nga Shqipëria, dhe Shkëlzen Baftjari nga Maqedonia.

Nata e pestë e këtij koncerti do të sjellë vepra të Mozartit, Schubertit, Ravelit, Rachmaninoff dhe Lavignac. / KultPlus.com

Alketa Xhafa Mripa sjellë në vëmendje fuqinë e votës

Në mbështetje të Ditës ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë 2017, artistja britanike e lindur në Kosovë, Alketa Xhafa, rikthehet në vendlindje me veprën artistike “VOTO!: për përfundimin e varfërisë!”

“Praktika ime e artit përqendrohet në identitetin, kujtesën dhe të vërtetën, duke prekur çështje të tilla si frika, përpjekjet dhe sidomos zërat e heshtur dhe të padëgjuar të botës që më rrethojnë,” tregon Xhafa. Ajo shpjegon se nëpërmjet krijimtarisë artistike, përpiqet të ngritë vetëdijen, të ndryshojë perceptimet, të fillojë dhe të ndërmerrë veprime kundrejt problemeve: “Arti është medium për shprehje dhe rezistencë njerëzore dhe në atë hapësirë krijuese ndonjëherë ekziston mundësia për të gjetur mënyra për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore.”

Xhafa ishte folëse në ceremoninë e mbrëmshme të ndarjes së Çmimeve të gazetarisë për varfëri 2017 nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Jam rritur në vitet 1990 në Prishtinë, nën regjim të egër. Ishte një kohë kur shqiptarëve në Kosovë vazhdimisht u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Ishte koha kur shqiptarët përjetuan diskriminim në punësim, arsim, shëndetësi, gjykime të drejta, përfaqësim politik dhe jetë publike. Varfëria, është një përvojë që familja ime dhe unë e kuptojmë shumë mirë. Duke qenë shqiptar të Kosovës as ne nuk u kursyem,” rrëfen Xhafa.

Ardhur në kohë zgjedhjes në Kosovë, instalacioni përcjellë mesazh mbi fuqinë e votës për ndryshime në shoqëri. Vepra përmban një përzgjedhje të fotografive bardhë e zi, realizuar nga artistët Arben Llapashtica, Hazir Reka dhe Xhemajl Sllovinja që shfaqin pamje të jetës së varfër në Kosovë, tregime të realiteteve njerëzore, të shënuara me mesazhin e fuqishëm: Voto! #Për përfundimin e varfërisë!.

“Kosova më në fund është e lirë dhe janë 10 vite që kur vendi ynë është bërë i pavarur. Megjithatë, çdo vit, kur vij në atdheun tim të bukur, ndjej trishtim kur shoh nivelin dhe shkatërrimin e varfërisë që ende prek kaq shumë familje. Shkaqet janë papunësia, mungesa e pagesës, korrupsioni dhe mungesa e vizionit në elitën sociale dhe politike. Varfëria është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, ndërsa unë nuk shoh që problemet tona më të mëdha po trajtohen nga udhëheqësit tanë. Lufta e varfërisë është shakaja më e madhe që mund të dëgjoni prej tyre,” thotë artistja, shkruan KultPlus.

Përderisa shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet një ndër më të lartat në rajon dhe në Evropë,Xhafa bën ftesë që shoqëria kosovare duhet t’a kthejë problemin e madh të varfërisë në një çështje thelbësore duke punuar pa pushim së bashku dhe duke mos u bindur së bashku: ‘’ Unë besoj se ne të gjithë mund të bëjmë ndryshime pozitiv – sidomos kur bëhet fjalë për çështje të mëdha si varfëria. Së bashku, mund të bëjmë ndryshime kuptimplote dhe të qëndrueshme dhe të lehtësojmë vuajtjet e vendit tonë të ri dhe të vogël. Luftimi i varfërisë nuk është çështje bamirësie, por është çështje e drejtësie.”

Instalacioni “VOTO!: për përfundimin e varfërisë!” është i dukshëm për publikun në ndërtesën Termokiss në Dardani, në Prishtinë, që nga e premtja, më 20 tetor, 2017. / KultPlus.com

Frano Lufi e Klevis Gjergji sollën Skënderbeun e Don Kishotin në Festivalin Kamerfest

Arbër Selmani

Një zë i fuqishëm burri po këndonte rreth gjysmë ore pa nisur koncerti. Ushtrimet e vokalit janë në kërkim të perfeksionit, që publiku ta marrë emocionin më pas në formën më të përkryer, shkruan KultPlus.

E kur koncerti nisë, i njëjti zë sjellë në shqip Antonio Caladara. “Ti pa mëshirë” e nisi mbrëmë koncertin e tretë të Festivalit të Muzikës Kamertale Kamerfest në kryeqytet, me Frano Luffin në bass dhe Klevis Gjergjin në piano. Dyshja, me përjashtim kur në skenë doli edhe Sihana Badivuku në përcjellje, për rreth 90-të minuta e mbajtën publikun në ethe duke e mbizotëruar skenën e vogël në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.

Dyshja nga Shkodra erdhën me një repertor që të gjuante emocionalisht nga Mozarti, te Shuberti, tek kënga popullore shqipe “Moj e Vogël”, e deri tek Prenk Jakova dhe një prej kohëve të Operës së njohur Skanderbeg.

Frano Lufi tregoi se në Kosovë ka interpretuar edhe para dhjetë vitesh dhe se kësaj radhe është kthyer në partiturat e fillimit të jetës së tij si këngëtar, për ti sjellë ato në Prishtinë.

“Kur u ftova për këtë festival, thashë me vete pse mos ta sjellë ushtrimin tim të parë të kantos në Shkodër, dhe më pas shkova në partiturat e mia të hershme të cilat janë përkthyer edhe në shqip. Sonte, pos këtij publiku të veçantë të cilin e falënderoj tej mase, duhet të falënderoj edhe përkthyesit e këtyre veprave, emrat e të cilëve shpesh nuk figurojnë në vepra. Meritat i takojnë Luigj Gurakuqit, Haki Bejlerit e përkthyesve të tjerë” tregon për KultPlus Lufi.

Programi muzikor i përgatitur këtë natë u shpjegua paraprakisht çdo performance nga vetë Frano Lufi. Lufi, i lindur në Shkodër, shpërngulet në Itali në vitin 1992, për të vazhduar me paraqitjet e tij në Romë, Verona, Napoli, Genova, Parma, për të arritur edhe deri në teatrin prestigjioz “La Scala” në Milano. Ai ka performuar në operat “Cenerentola”, “Falstaf”, “Lucia e Lamermurit”, “Don Giovanni”, “Aida”, “Boheme”, “Madama Butterfy” e role të tjera.

Krahas tij, jo më pak i saktë e i përjetuar erdhi Klevis Gjergji. Shkodrani i lindur në vitin 1987, në vitin 2013-të fillon studimet e doktoraturës në Piano pranë Universitetit të Arteve në Fakultetin e Muzikës në Beograd, nën drejtimin e Profesoreshës Nevena Popoviq, të cilat i përfundon në vitin 2016-të.

“Për mua ishte një program që kërkonte impenjim dhe përkushtim të madh, por është nderë dhe kënaqësi ta përcjellësh një emër si Frano Lufi” tregon Gjergji.

Nuk është hera e parë për të që vjen në Prishtinë, por thotë se gjithmonë ana pianistike drejt shoqërimit të një artisti tjetër kërkon bashkim në unison me këtë artist, shkruan KultPlus.

“Nga ana pianistike duhet të bëhesh një me artistin, pastaj çdonjëri e ka stilin e vet por kërkohet pak kohë deri ta gjesh mënyrën të përshtatesh mirë. Ishte eksperiencë e bukur të kthehesha në Prishtinë, pasi më parë kam pasur edhe koncert recital e kësaj radhe shoqërova një artist tjetër” tregon Gjergji.

KamerFest do të vazhdojë me koncertin tjetër me datë 23 tetor, me fillim prej orës 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me Militiades Cassaras në violoncello dhe Klevis Gjergjin në piano./ KultPlus.com

Sonte nis ‘Prishtina International Theater Festival’

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili është themeluar në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017, ka shpalosur programin për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Në skenën e këtij teatri, do të shfaqin punën e tyre artistike trupa teatrore të vendeve e të rajonit.

Festivali fillon sonte më datë 16 tetor dhe zgjatë deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.

“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, Darka e Thërrimeve – Maqedoni, Armiku i Popullit – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com

Artistët italianë dhe kosovarë bashkë në ‘Nën të njëjtin qiell’

‘Nën të njëjtin qiell’ është ekspozita ndërkombëtare e artistëve italian dhe atyre të Kosovës që organizohet nga Kosovo Art Academy me seli në Kosovë dhe Universitetit Laba me seli në Itali, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të marrin pjesë artistë ndërkombëtarë dhe vendor si: Roberto Dolzanelli, Filippo Centenari, Armida Gandini, Tommaso De Angelis, Dany Vescovi, Zeni Ballazhi, Rrezeart Galica, Dardan Luta, Afrim Spahiu, dhe Artan Balaj.

Artistët do të paraqiten me vepra të zhanreve dhe teknikave të ndryshme poashtu tema të lira gjithsecili. Me këtë rast inaugurohet edhe institucioni arsimor i artit Kosovo Art Academy.

Ekspozita hapet me 14 tetor, në orën 18:00, në Galerinë e Kosovo Art Academy, në katin e 3-të, ku me këtë rast promovohet edhe kjo hapësirë për të gjithë artistët e mirëfilltë që duan të ekspozojnë artin e tyre./ KultPlus.com

“Prishtina Fashion Nights 2017” vjen më 27 dhe 28 tetor

Eventi i modës ‘Prishtina Fashion Nights 2017’, organizuar nga B Models dhe IB Events, do të sjellë para jush Shtëpi të Modës e dizajnerë të shumtë të cilët do të prezantojnë kreacionet e tyre, shkruan KultPlus.

Ky event i cili kësaj radhe do të prezantojë koleksionet vjeshtë/ dimër, është afruar. “Prishtina Fashion Nights 2017” të mbahet më datë 27 dhe 28 tetor.

Më datë 27 tetor do të prezantohen: Shtëpia e modës Tabja, Shtëpia e modës Blini, Minna Fashion, SARAR, Matrons Dresses, JZJ by Zlatko Jovannovski, Minimax- Piazza Italia kids, Fashion Designer Diana- E. Ndërsa më datë 28 Tetor do të shfaqen: Walone Fashion Group, Atele e Modes Zana, Elmedina Rrahmani, Edita Nimanbegu, Florina Hoxha, Lazar Ilic, Akademia Evolucion dhe Pajtim Raci.

“Prishtina Fashion Nights 2017” do të mbahet në Golden Restaurant duke filluar nga ora 19:30. / KultPlus.com

Përfundon REDO, transformon Prishtinën në pikën kryesore të dizajnit në botë

Dita e diele shënon mbylljen e edicionit të 7-të të REDO. Gjatë 3 ditëve sa ishte konferenca, janë përfunduar me sukses shtatë ligjërata në Sallë të Kuqe, ish shtypshkronjën Rilindja dhe Bibliotekën Kombëtare, është realizuar ekspozita e kolektivit nga Prishtina “Angry Youth” në galerinë “Motrat” dhe lansimi i revistës nga Girls Like Us në galerinë LambdaLambdaLambda), shëtitja nëpër qytet me Bekim Ramkun nga KAF – Fondacioni i Kosovës për Arkitekturë, koncerti i Jabolex (Gjermani) në Klub M dhe koncerti i The Homesick (Holandë) dhe Pinkmetal (Kosovë) në teatrin Oda, përcjellë KultPlus.

“Ka shumë gjëra që e bëjnë REDO-në të veçantë, por po i përmendi vetëm dy: Ideja e lëvizjes nga një hapësirë në tjetrën dhe fakti që mund ti shoh dhe dëgjojë gjithë këta folës, që janë shtyllat kryesore të trendeve më të reja të dizajnit grafik, në një vend”, ka thënë një nga studentët pjesëmarrës në konferencë.

Ligjëruesit ishin: Zgjim Elshani (RKS), dizajner grafik i diplomuar në Gerrit Rietveld Academie, Amsterdam; Jonas Voegeli (CH), udhëheqës i departamentit te Arteve Vizuele në Universitetin e Arteve në Zyrih; Coline Sunier (BE) & Charles Mazé (FR) përfaqësues të Akademisë Franceze në Rome – Villa Medici në 2014–2015 si dhe anëtarë të “Atelier National de Recherche Typographique (ANRT)” në Nancy. Francë; Žiga Testen (AU/SLO) dizajner grafik i bazuar në Melburn; Girls Like Us (BE), magazinë e pavarur që bashkon komunitetin feminist nga fusha të ndryshme; Anna Haas (CH) është profesoreshë në Lucerne University of Applied Science and Arts (HSLU), në departamentin e Arteve Vizuele; dhe Metahaven (NL), disa prej bashkëpunëtorët e të cilëve janë WikiLeaks, Icelandic Modern Media Institute (IMMI), Independent Diplomat etj.

“Mendoj që REDO ka krijuar bazë të mirë dhe duhet të mendohet se si REDO, në të ardhmen, të bëhet shkollë e dizajnit”, ka thënë Olivier Lebrun, ligjërues në REDO 5 dhe përkrahës i vazhdueshëm i konferencës. Si ligjërues në shkollë dizajni në Lyon, Francë, ai dhe rreth 15 studentë të tij e vizitojnë REDO – që nga edicioni 5.

Edhe këtë vit, më shumë se 250 studentë nga shkolla të ndryshme dizajni nga e gjithë Evropa, erdhën në Prishtinë për të ndjekur këtë edicion. Numri i vizitorëve vazhdon të ketë rritje çdo vit dhe vitin tjetër pritet të ketë ende më shumë.

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Fondacioni “Unë e Du Kosovën”, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Ambasada e Francës në Prishtinë, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Swiss Arts Council Pro Helvetia. Partnerët e konferencës ishin LambdaLambdaLambda, Teatri Oda, Klubi M, Soma Book Station dhe Hamam Jazz Bar. Shtypi është mundësuar nga ViPrint.

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Vjen edicioni i pestë i ‘Flea Market’

Të premten me fillim nga ora 11:00, në Dit’ e Nat’, nis edicioni i 5-të i ‘Flea Market’, shkruan KultPlus.

Si edicionet e kaluara edhe këtë edicion ‘Flea Market’, do të mbahet përgjatë tri ditëve, të premten, të shtunën dhe të dielën ndërsa këtë herë sjellë inspirimin nga Franca. E poashtu përpos rrobave nga marka të ndryshme në ‘Flea Market’ do të ketë edhe muzikë, pije dhe ushqim.

“Parisi ka qenë në krye të listave tona kohët e fundit: si një vend për me e vizitu patjetër këtë vit, një vend për me e përjetu ‘dashninë në shikim të parë’, vend për me jetu forever & ever dhe definitivisht për me u inspiru për modë rregullisht.
Për shkak që kemi qenë super të inspirume me stilin francez kohëve të fundit, përmes Flea Market tonë të 5-të po dojmë me i nda këto ndejnja edhe me juve. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që krejtë teshat tona kanë me qenë nga dizajnerë të njohur francez, ose që janë ble në Francë. Mirëpo, ju tregojmë sekretin se si me e arritë atë qëndrim francez qe shpesh interpretohet si i natyrshëm & chic”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

‘Flea Market’ nis të premten më 13 tetor nga ora 11:00 e deri në 18:00, ndërkaq të shtunën dhe të dielën hapet në orën 10:00 dhe mbyllet në orën 19:00./ KultPlus.com

Festivali ‘KamerFest’ shpalos programin për këtë edicion

Kosova KamerFest, sonte nisë edicionin e 18-të të tij, shkruan KultPlus. Ky festival i cili përgjatë këtyre edicioneve ka sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike, në një konferencë të mbajtur sot ka shpalosur edhe programin e këtij edicioni.

Këtë vit festivali nisë me një koncert që i paraprinë hapjes së festivalit. Pre-KamerFest koncert do të mbahet sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës së re të UP-ës me fillim nga ora 20:00. Ky koncert sjellë sopranon Silvia di Falco dhe pianisten Diana Nocchiero. Në program do të ketë arie botërore siç janë “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Arie të tjera nga ky kompozitor do të jenë edhe ato nga operat e mirënjohura si “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”.

Ndërsa hapja zyrtare e Festivalit “Kosova KamerFest” që do të shënohet me koncertin e dytë me radhë, do të bëhet më datë 18 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në ora 20:00. Festivali do të vazhdoj tutje me koncertet e radhës, listën e të cilëve po ju sjellim më poshtë.

Festivali i Muzikës Kamertale ‘Kosova KamerFest’ do të zgjasë deri më 9 nëntor. / KultPlus.com