Largohet nga Pallati i Rinisë në Prishtinë instalacioni i Alketa Xhafës (FOTO)

Instalacioni i artistes Alketa Xhafa, i cili ishte vendosur në hapësirat poshtë pallatit të rinisë, e i cili ishte një ndër instilacionet më të veçanta që është parë në Kosovë, është larguar nga vendi ku ishte, shkruan KultPlus.

Këtë gjë, e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, kritiku i artit Ilir Muharremi, i cili postimin e tij e ka shoqëruar më fotografinë e instilacionit të artistes shqiptare e cila lë gjurmë me punën e saj të veçantë.

“Ky instalacion i artistes Alketa Xhafa eshte hequr nga hapesira poshte pallatit te rinise. Arsyeja e heqjes eshte se Termokosi ka punuar ne kete ambient. Pasi eshte rregulluar hapesira nuk eshte kthyer instalacioni. Mendoj se duhet te kthehet ngaqe eshte krejt ndryshe me ato skulptura cfare jemi mesuar ti shohim ne kryeqytet”, ka shkruar Ilir Muharremi./ KultPlus.com

Zanzi Band sonte performojnë në Rockuzinë

Sonte në Rockuzinë do të performojë bendi i njohur nga Prishtina Zanzi Band, shkruan KultPlus.

Zanzi Band u formua në vitin 2000, dhe njihet si një nga bendet me më së shumti performanca nëpër kafenetë e Kosovës. Lidhja e ngushtë dhe afërsia që ky bend ka krijuar me publikun arriti deri në një pikë ku vet publiku e emëroi bendin me këtë emër.

Anëtarët e bendit janë: Emir Plava që njëkohësisht është edhe bass gitarist edhe vokalist, Leonard Canhasi gitarist dhe Teoman Ukqa baterist. Që të tre kanë një përvojë të gjatë në skenën e rock muzikës në Kosovë dhe deri më tani kanë realizuar shumë këngë dhe albume me grupe të ndryshme.

Zanzi Band ju mirëpret sonte për ti kënduar hitet e tyre sëbashku. Performanca e tyre fillon nga ora 21:00 në Rockuzinë. / KultPlus.com

Muzeu Etnologjik në Prishtinë, në pritje të restaurimit

Të enjten janë bërë fiks dy muaj prej se njëri prej objekteve të Muzeut Etnologjik në kompleksin “Emin Gjik”, është zbrazur. Të gjitha eksponatet janë paketuar në përdhesen e objektit krahas tij. Një gjë e tillë është bërë për ta liruar hapësirën për restaurim e konservim.

Krahas kësaj, në ditën e fundit të gushtit Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu i Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum për realizimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e dy objekteve të kompleksit që përdorën nga Muzeu Etnologjik. Përderisa ka dy muaj që vizitorët nuk kanë qasje në njërin objekt, restaurimi e konservimi nuk ka nisur ende, megjithëse buxheti është ndarë qysh në fund të vitit të kaluar dhe projekti është gati, po ashtu, qysh prej vitit 2016. Këtë javë është pastruar hapësira përreth objektit, por ende nuk dihet saktë se kur do të nisë puna restauruese e konservuese.

“Nëse mund të sigurohen skelet, nesër e pasnesër ato do të vendosen. Në krejt Prishtinën flitet se si nuk ka punë, por nuk kemi gjetur skele. Përndryshe nuk ka ndonjë pengesë”, ka thënë drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj. / KultPlus.com

“Prishtina International Theater Festival” sjellë gjashtë shfaqje nga vendi dhe rajoni

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili është themeluar në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017, ka shpalosur programin për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Në skenën e këtij teatri, do të shfaqin punën e tyre artistike trupa teatrore të vendeve e të rajonit.
Festivali fillon më datë 16 tetor dhe zgjatë deri më datë 21 tetor.

Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.

“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, Darka e Thërrimeve – Maqedoni, Armiku i Popullit – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com

http://teatriaab.com/pitf/programi

Sot inaugurohet shkolla franceze EFIP, në Prishtinë

Sot më 28 shtator me fillim nga ora 17:30, do të bëhet inaugurimi i shkollës franceze EFIP në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Nëpërmjet projektit të saj, Shkolla Franceze ndërkombëtare e Prishtinës, do të propozojë rrugëtim drejt ekselencës, në mënyrë që nxënësit e saj t’i bëjnë ballë sfidave të botës sonë të globalizuar. Ajo do t’i japë kështu një vend të rëndësishëm rrugëtimit kulturor, shkencor, qytetar dhe gjuhësor të çdo nxënësi, duke i ofruar kështu që në kopsht një mësimdhënie të pasur dhe të hapur ndaj Evropës dhe botës”, thuhet në njoftim.

SCOLAE MUNDI, punon së bashku me agjencionin publik (AEFE ) në forcimin dhe zhvillimin e rrjetit të shkollave franceze jashtë vendit. Pas shkollave në Sarajevë, Odesa, Shkup dhe Tiranë, sot SCOLAE MUNDI së bashku me agjencionin publik (AEFE ), e bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë, bëjnë inaugurimin e shkollës së pestë në Prishtinë, rruga Arben Xheladini./ KultPlus.com

Balerini i famshëm Angelin Preljocaj, nga Franca vjen në Prishtinë

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, do të organizojë një mbrëmje të jashtëzakonshme të shfaqjes së baletit nga balerini Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Të dy pjesët “Un Trait d’Union & Création 2017” do të shfaqen të shtunën më 7 tetor në orën 20:00, shkruan KultPlus.

Angelin Preljocaj, koreograf francez me prejardhje shqiptare, është sot një nga artistët më të shquar të vallëzimit bashkëkohor ndërkombëtar. Baleti i tij do të performojë në Prishtinë si pjesë e një turneu ekskluziv në Shqipëri dhe në Kosovë për prezantimin e premierës botërore të shfaqjes së tij të re “Création 2017”, e prezantuar në Francë me 21 shtator 2017.

Angelin Prejlocaj ka lindur në Francë në vitin 1957, nga prindër shqiptarë. Ai filloi studimet në vallëzim klasik para se të vazhdoj me vallëzimin bashkëkohor. Themeloi kompaninë e tij në dhjetor 1984. Që nga ajo kohë ka bërë koreografinë e 50 shfaqjeve, nga solo deri në format e mëdha.

Krijimet e tij janë rimarr në repertorin e shumë kompanive, nga të cilat gjithashtu merr porosi, si për shembull nga La Scala e Milanit, nga Baleti i New York City dhe nga Baleti i Operës Kombëtare në Paris. Sot Baleti Prejlocaj përbëhet nga 24 valltarë dhe lokalizohet në Pavillon Noir në Aix-en-Provence prej tetorit 2006, një vend i dedikuar tërësisht për vallëzim, me Angelin Prejlocaj për drejtor artistik.

“Me mbështetjen e Teatroskopit në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskopi është program i iniciuar nga Instituti Francez, ministria e Kulturës dhe ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme”

Një konferencë për medie do të mbahet të premten më 6 tetor në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./ KultPlus.com

Lola Sylaj e Dardan Zhegrova sonte me ekspozitë në Stacion

Qendra për Art Bashkëkohor-Stacion, sonte hap ekspozitën personale ‘Rosehip’ (Trëndafili i egër) nga artistët Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë hapet sonte më 27 shtator me fillim nga ora 20:00 në Klubin e Boksit në kryeqytet ndërsa do të qëndroj e hapur deri më 21 tetor.

Rosehip kontsruktohet mbi hulumtimin artistik me vendndodhje në New York, bazuar në film, performancë dhe muzikë. Ky projekt rikrijon skena filmash të njohur që kanë pasur identitet vizual të madh të cilin e kanë transmetuar përmes kinemasë.
Duke qenë fizikisht prezent në një vend të përjetuar së pari virtualisht dhe duke ndjerë që “magjia” e kinematografisë tashmë është larguar, artistët sjellin pyetjen se çfarë na servohet për perceptim por dhe në të njëjtën kohë sjell nevojën tonë për të arrirë dhe mishëruar këtë magji nëpërmjet Rosehip.

Ne jemi ajo çka shohim në televizion dhe në mediet e popullarizuara. Pa marrë parasysh ku jetojmë, identiteti ynë ndikohet shumë më shumë nga filmat, muzika dhe media sesa ambienti që na rrethon.

Stereotipet e konstruktuara nga reportazhet mediale mund të shihen si modele për të tu ndjekur dhe në të njëjtën kohë të funksionojnë si memorial që është neglizhuar nga vetëdija kolektive. Ajo që ne përjetojmë virtuailsht mund të mos jetë e vërtetë por formëson idetë dhe gjykimet tona mbi normat dhe shoqërinë.

Trëndafili i egër je ti, Trëndafili i egër jam unë, Trëndafili i egër jemi ne, Trëndafili i egër janë ata, Trëndafili i egër është ai dhe ajo, Trëndafili i egër është një qen, Trëndafili i egër është një shishe, Trëndafili i egër është një tavolinë.

Pas zbarkimit në lokacionin e hulumtimit magjia humbi, artistët ishin duke e kërkuar magjinë dhe vazhdonin ta shihnim larg. Trëndafili i egër është një lule e egër e rritur pa diell, pa kujdes, rritet në hije, gjithkund.

E gjitha është vetëm një tortë!

Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova punojnë si duo por edhe në mënyrë të pavarur me artistë të tjerë.

Lola Sylaj është pjesë e HAVEIT, një kolektiv i 4 grave artiste arti i të cilave rebelohet me furi kundër fuqisë, nacionalizmit, diskriminit ndaj LGBT-ve dhe shtypjes së grave që dominon në shoqërinë e Kosovës. Ato poashtu punojnë për të ilustruar përpjekjen e tyre me vështirësitë e përditshme me të cilat konfrontohen shumica e qytetarëve sot. Performancat e tyre artistike shpesh vihen në skenë nëpër hapësirat publike.

Puna e Dardan Zhegrovës luan me rrjedhjen në mes gjuhës dhe përkthimit të saj në një reprezentim vizual. Në veprat e tij emocioni përdoret si medium artistik që potencialisht mund të veprojë si qëllim për të vënë në pyetje supozimet tona mbi intimitetin dhe të shprehurit. I njohur më së shumëti për videot e realizuara, artisti mund të shikohet si poet në një kohë ku përafrimi fizik po zëvendësohet nga disponueshmëria e kudogjendur përmes mjeteve moderne të komunikimit.
Dardan Zhegrova përfaqësohet nga LambdaLambdaLambda.

‘Rosehip’ me Lola Sylajn dhe Dardan Zhegrovën është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe pjesë përbërëse e çmimit “Artistët e së nesërmes”.

Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova janë fituesit e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2016./ KultPlus.com

KultPlus dhuron 6 bileta për premierën e filmit “Mother” në Cineplexx

Trilleri psikologjik nga Darren Aronofsky është pa dyshim filmi më i diskutueshëm prej “A Clockwork Orange” nga Stanley Kubrick. Me aktorë të mrekullueshëm si Jennifer Laërence, Javier Bardem (secili fitues i çmimit kryesor të Oscars), Michelle Pfeiffer dhe Domnhall Glesson, filmin “Mother!”, mund ta shihni si premierë me 28 shtator në Cineplexx.

Për këtë premierë, Cineplexx dhuron 6 bileta për lexuesit e KultPlus. Të gjithë ju që dëshironi të merrni një biletë falas për të shikuar filmin “Mother”, këtë mund ta bëni me vetëm tri veprime. Like faqen e KultPlus.com si dhe Like dhe Share shkrimin. Loja fillon nga tani dhe zgjatë deri nesër, datë 27 shtator në ora 21:00. Fituesit do të zgjedhën në mënyrë automatike.

Cineplexx, edhe për këtë film, ka organizuar ngjarjen “Premier Night”, ku të gjithë të pranishmit do të shoqërohen me pije falas.

Nga trailer-i i postuar në faqe të Cineplexx Events, duket se ky film pa dyshim do të jetë një ndër filmat më artistik të sezonës së vjeshtës në Cineplexx. / KultPlus.com

Shtyhet për një ditë festivali i Kafes dhe Çajit

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali do të nis të enjten me 28 shtator dhe do të zgjatë deri më 29 shtator.

Njoftimi i plotë:

Shtyhet për 1 ditë COFFEE AND TEA FESTIVAL – Edicioni 3

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Festivali do të mbahet me 28 (e Enjte) dhe 29 shtator (e Premte) 2017 .

Hapja zyrtare do të bëhet të Enjten me dt.28.09.2017 duke filluar nga ora 10:00 deri 23:00 dhe do zgjasë për 2 ditë rresht .

Në festival do të ekspozohen loje të ndryshme të kafes dhe çajit, do të përformojnë DJ të njohur vendor, do të ketë maskota me karaktere të ndryshme të cilat do të përkujdesen për argëtimin e vizitorëve, ku nuk do të mungojnë edhe dhuratat e shumta për të cilat do të përkujdesen pjesëmarrësit e festivalit./ KultPlus.com

Hapet audicioni për pranimin e fëmijëve në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Prishtinë, hap konkurs për fëmijët e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës, të cilët janë të interesuar për tu bërë pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Audicioni është i hapur në këto drejtime: Kor, Sport, Ansambël Folklorik dhe Klubi i Ambasadorëve të Rinj.

Pjesëmarrësit në audicion do të testohen për aftësitë e tyre në:

– Kor (Këndim dhe Ritëm)
– Sport (Ping pong, Badminton)
– Ansambël Folklorik (Vallëzim folklorik, Ritëm…)
– Klubi i Ambasadorëve të Rinj (Suksesi i shkëlqyeshëm, njohja e një gjuhë të huaj, njohuri të përgjithshme…)

Mosha e nxënësve duhet të jetë nga 7 – 16 vjeç, kurse në Klubin e Ambasadorëve të Rinj 12-16 vjeç. Data për audicion është më 2 tetor 2017 nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 14:00 deri në 16:00. Audicioni mbahet te Qendra Kulturore e Fëmijëve-Pallati i Rinisë dhe Sporteve kati i II, Prishtinë./ KultPlus.com

Videot e gjykimeve në Tribunalin e Hagës, nga sot shfaqen të hapura për publikun në Prishtinë (VIDEO)

Në Komunën e Prishtinës, sot u hap qendra e Dokumentimit, në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare dhe me financimin e Ambasadës Zvicerane, përcjellë KultPlus.

Kjo Qendër, e vendosur në Bibliotekën e Qytetit i ka të gjitha dokumentet dhe videot nga pesë gjykimet në Tribunalin e Hagës.

Kjo është mundësi për qytetaret, nxënësit, e studentët të mësojnë mbi të kaluarën me fakte të vërtetuara nga Gjykatat.

“Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe duhet të ndërtojmë të ardhme të bazuar në bashkëpunim, por vështirë se kjo mund të bëhet pa kuptuar në mënyrë të drejtë të kaluarën”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në Facebook.

Qendra e Dokumentimit në Prishtinë, konsiderohet një projekt shumë i nevojshëm për Kosovën për të dokumentuar historinë e re të Kosovës, sidomos ngjarjet mbi luftën, viktimat dhe agresorët. E rëndësishme është se të gjitha ato dokumente po ndahen me publikun. / KultPlus.com

Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” pasurohet me 900 tituj të rinj

Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” ditët në vijim pasurohet me një fond prej 900 titujve të rinj profesional shkencor, përcjellë KultPlus.

Me këtë furnizim, fondi i titujve shkencor nga Arkitektura, Biologjia, Bujqësia, Ekonomia, Fizika, Gjeografia – Gjeologjia, Informatika, Juridiku, Kimia, Matematika, Mjekësia, Ndërtimtaria dhe Shkencat Teknike do të jetë pikë kthese për bibliotekën e qytetit dhe degët e saj në vazhdimësi tash e tutje krahas pasurimit të fondit nga letërsia dhe publicistika, të pasurojë edhe fondin shkencor e profesional.

Për një gjë të tillë ka njoftuar drejtori i Drejtorisë për Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja.

“Sigurisht, lajmin kryesor e përbëjnë titujt e rinj, por meqenëse fondet janë publike, e kemi obligim të sqarojmë që: Titujt e rinj të librave buxhetit tonë i kushtojnë 50 mijë euro, Procedura e zhvilluar për furnizim me libra gjithmonë është sfidë për autoritetet publike sepse zhvillimi i aktivitetit të prokurimi për libra zakonisht është kompleks dhe vështirë i realizueshëm. Me këtë aktivitet kemi nxjerrë një model të jashtëzakonshëm të konkursit publik për furnizim me tituj, i cili përveç që përkujdeset që titujt të plotësojnë kriteret për veprimtarinë botuese, të plotësojnë kriteret për tituj shkencor, respekton 100 përqind edhe Ligjin për Prokurim Publik, të cilin ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, ka shkruar Vllahinja. / KultPlus.com

Miradije Ramiqi prezantohet me ekspozitë personale në Berat

Artistja nga Prishtina Miradije Ramiqi, do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë Edward Lear në Berat, shkruan KultPlus.

Ekspozita hapet më datë 22 shtator në ora 18:00 në ambientet e Galerisë Edward Lear Beratcelet.

Miradije Ramiqi, lindi në Pozheran të Vitisë, ndërsa ka studiuar në Akademinë e arteve (dega e pikturës), në Prishtinë. Ramiqi ka qenë pjesë e shumë ekspozitave kolektive. Ajo gjithashtu është fituese e shumë çmimeve për pikturë. / KultPlus.com

Newborn-i i gabuar

Shkruan: Ilir Muharremi

E dashurojmë të gjithë lirinë, atmosferën mbi tokën që e kemi tejet të freskët, të pafajshme që u përpiqen t’ja ngjisin fajin.

I arsyeshëm është monumenti Newborn-i, poshtë pallatit të rinisë. skulpturë e krijuar me rastin e pavarësisë së Kosovës e udhëhequr nga Fisnik Ismajli. Ky monument çdo vit ndërron pamjen, por jo formën. U shpalos në ditën e pavarësisë së Kosovës. dhe iu mundësua pjesëmarrësve festues, që në skulpturë të nënshkruajnë. Skulptura u vendos në qendër të Prishtinës vetëm për ditën e pavarësisë për të shënuar lindjen (born) e Republikës së Kosovës, për të “marrë nënshkrimet” dhe pastaj të zhvendoset në lokacion të përhershëm.

Ky monument nuk e zbukuron botën, është i rrethuar me hi, çdo ditë nxihet, vlon në zanatin e baltës, është në gropë, i shtypur, por i ngritur si lindje dhe ata që e duan lirinë.

Kjo britmë është e preferuara e të gjithëve, por unë jam i zhgënjyer me mos përshtatjen e hapësirës adekuate për Newborn-in.

Arti ka për qëllim të bëhet i zhurmshëm. Monumenti për asnjë vit nuk trazoj, nuk rrotulloj zhurmën, çdo ditë bëhet më i heshtur.

Në vendin ku rri, po shndërrohet në mumie, statuja po shembet në baltë.

Jo të rrëzohet, por të zhvendoset se më idiotë janë ata që po i përmbysin kështu veprat e mëdha nën kafshim arkitektonik përreth sesa ata që hedhin kripë në det.

Ky monument po përçmohet i mungon shtrirja ideale, sepse skulptura e madhe e ka këtë ligj, rilind në një jetë të re , bëhet bukuri e gjallë. Kështu e rrethuar duket si shëmti.

Newborn tenton të ketë tipare hyjnore sepse u inaugurua në momentin e duhur, por tashmë përmbyset në vuajtje, është tërhequr në vete: vërtet do të na falënderoj nëse një ditë ja gjejmë një hapësirë. Newborn loton dhe loton…..

Ju këshilloj: vendoseni ja lartë, ja vetëm, kështu do ja kthejmë një jetë të re, çdo virtyt do kthehet te ne.

Qytetet e mëdha botërore identifikohen me art konkretisht me ndonjë skulpturë unike dhe ato zënë vend në hapësirat publike, sheshe, qendra, ose parqe, por gjithmonë në vete ruajnë koncepte, ide dhe mesazhe të fuqishme.

Pyetja kryesore është se skulptura apo monumenti i madh sa mund të ekzistojë në hapësirë e cila është e ngulfatur me ndërtesa afër njëra-tjetrës, konkretisht raporti i arkitekturës me skulpturën. Kjo dramë çdo ditë ma copëton zemrën, por nuk besoj në atë se do e rehatojnë. Ne asnjëherë nuk ditëm t’i rehatojmë veprat e mëdha. Po kërkoj vetëm të ndriçoj një copë shpirt nga vepra, këta injorantë nxjerrin vetëm mish nga kjo. Fisnik Ismajli ja është budalla ja i paditur në art sepse ngatërroj hapësirën me skulpturën. Çdo ditë ajo ndjen ftohtësinë dhe po bëhet e pakënaqshme. A është ky qëllimi? Ta anashkalojmë këtë monument? Po, sepse injoranti është edhe i paditur. Kjo krenari e heshtur nuk i shkon stomakut të artistit të mirëfilltë zotëri. Skulptura ndjehet shumë e vogël, në heshtja i ndizet poshtërsia. Një ditë do të vdesë kjo skulpturë.

Nëse skulptura është shumë e madhe dhe rri afër objekteve edhe më të mëdha, nuk le shumë për të dëshiruar, shëmtohet në vete.

Newborn çdo ditë minimizohet nga arkitektura përreth. Kjo i bie sikur një njeri mbi peshë të veshë rroba të vogla.

Në vend që arkitektura në raport me skulpturën të jenë superstrukturë, ato ngurtësohen, shëmtohen dhe gjymtohen.

Çfarë përmban Newborn-i? Vijë, ngjyrë, formë, vëllim dhe masë. Hapësirë-kohë të gabuar.

Vlera e skulpturës së sotme ka karakter arkitektonik, e kjo ka qesharak, gjithmonë në vendin ku është.

Jo më kot skulptori Roden nuk i vendos skulpturat e tij në hapësira të hapura. E as Hanri Murr. Në vend që Newborn-i ta thjeshtëzon paraqitjen, thelbin ta figurativizon, pa ndonjë shtesë ose ekzagjerim, ai shëmtohet vetvetiu.

Kërkoj që ky monument të bëhet modë ose lëvizje skulpturale e kohës, e jo vetjake ose anashkaluar siç po ndodh me të. Vërtetë nuk e meriton një vepër nëse i analizohet kuptimi dhe mesazhi. Skulptura figurativisht ngjallet në arkitekturë, por edhe arkitektura në skulptura.

Në këtë rast Newborn-i po shtyhet me limitet e arkitekturës dhe bashkëpunimi është qesharak, tallës dhe ofendues.

Çfarë disipline përbëjnë Arkitektura dhe Skulptura? Hapësinore, komunikim shumë paralel, herë edhe tejkalues.

Kufiri i tyre tashmë është shkrirë, mbas syrit të njeriut dhe rahatisë mendore e cila proteston vazhdueshëm nëse nuk harmonizohen të dyja.

Nuk do të thotë se jemi në një kohë ku gjithçka pranohet. Jemi në një kohë që kërkojmë qetësinë më absolute ndaj zhurmave dhe mbivendosjeve ekstreme.

Çdo ditë tmerrona, nga tmerri dua të bërtasë siç nuk kisha bërtitur kurrë. Skulpturat e kërkojnë hapësirën e duhur.

Newborn është ende në burg kërkon lirinë, lirojeni në hapësirë.

Dallgët e ndërtesave çdo ditë vërsulen rreth këtij monumenti, po rritën e po rritën.

Hijet nuk mund ta skicojnë përdhe formën e Newborn-it.

Skulptura dhe arkitektura përballen frontalisht, vështirë e shohin ndarjen njëra nga tjetra.

Duket si e topitur, e ngrirë e ngurtë si shtylla kolone.

Skulptura nuk e ka korrektësinë, ambienti vuan nga harmonia, i mungon funksionaliteti.

Asgjë nuk është ne perfeksion siç duhet te ishte.

Duket si gërmadhë herë verdhacake herë gri, gjithmonë duke shpresuar.

Newborn ekspozohet para çdo batakçiu dhe pyet se kush do ta lëndoj?

‘55 shades of gay’ së shpejti në Tiranë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘55 shades of gay’, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj. Kjo shfaqje e cila u mirëprit nga audienca e Prishtinës, tashmë pritet të udhëtoj nëpër teatrot e tjera të rajonit.

Destinacioni i parë i shfaqjes jashtë Kosovës do të jetë ai në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus. 18 tetori është data e rezervuar për të mirëpritur një ekip të mrekullueshëm të aktorëve që e jetësuan këtë shfaqje e që janë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi dhe Alketa Sylaj.

‘55 shades of gay’, është projekt i Qendrës Multimedia nga Prishtina e cila konsiderohet si njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore. Shfaqja sjellë në skenë një një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet nga Sebastian Ellrich, muzika nga Irena Popovic dhe koreografia është realizuar nga Florian Bilbao./ KultPlus.com

Erion Veliaj folësi i radhës në TEDxPrishtina

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, do të jetë folësi i radhës të TEDxPrishtina. Për prezantimin e Veliajt, është rezervuar data 7 tetor, shkruan KultPlus.

Erion Veliaj u zgjodh si kryebashkiaku i 42-të i Tiranës në qershor të 2015-ës. Udhëheqja e tij e Tiranës është theksuar nga fokusi në krijimin e një qyteti miqësor për fëmijët, pasi beson se fëmijët janë më të shpejtit në përqafimin e ideve të reja, andaj dhe janë aleatët më të mirë që mund të ketë në përpjekjen për të ndërtuar një qytet më të gjelbër, më njerëzor dhe më të qëndrueshëm, me komunitete më të forta dhe cilësi më të mirë të jetës.

Para qeverisjes së tij, Veliaj shërbeu si deputet dhe ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga viti 2013 deri në vitin 2015. Në atë kohë, ai paraqiti reforma me ndikim në pensionet, pagesat e mirëqenies, mundësitë e punësimit dhe arsimimin profesional. Për herë të parë, Veliaj ka strukturuar degët e Partisë Socialiste në vendet ku diaspora shqiptare banon dhe ka kontribuar me sukses në organizimin e procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2013. Para se të bashkohej me radhët e Partisë Socialiste në vitin 2011, Veliaj kishte një përvojë të gjatë si udhëheqës dhe themelues i lëvizjes “MJAFT”, një organizatë qytetare e cila fitoi popullaritet të madh për metodat shumë efikase dhe novatore të protestës paqësore.

Veliaj është Magjistër në Integrimin Europian nga Universiteti i Sussex, në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa ka kryer Fakultetin në Shkencat Politike nga Universiteti Shtetëror i Grand Valley, Michigan. / KultPlus.com

Rinovohet Parku i Qytetit në Prishtinë

Njëra nga katër parqet e qytetit e cila është në shërbim të qytetarëve dhe e cila vazhdimisht vizitohet nga qytetarët do të rinovohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Në kuadër të punimeve të renovimit në hapësirën e lojërave filluan punët për rregullimin e ambientit dhe këndit të lodrave.

“Në takimet e realizuara gjatë këtij viti në mes të Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s janë shqyrtuar kërkesat primare në përmirësimin e infrastrukturës sociale, shëndetësi, arsim dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të cilat mund të realizohen bashkërisht. Në kuadër të kërkesave, duke i theksuar hapësirat e gjelbra në Prishtinë, ju është dhënë përparësi punëve të cilat mund të realizohen nëpër parqe të qytetit dhe kanë filluar punimet në parkun e qytetit të Prishtinës me qëllim të përmirësimit të kushteve për fëmijë”, thuhet në komunikatën për media të TIKA-s.

Parku në qendër të Prishtinës me lodra të papërdorshme qe një kohë të gjatë dhe me pamje jo të mirë do të rinovohet me mbështetje të TIKA-s. Me anë të punimeve të cilat do të realizohen me rinovimin e lodrave dhe rregullimin e ambientit, sipas kësaj Agjencie, parku do ta fitojë një pamje të re gjithashtu në këndin e lodrave do të ekzistojnë edhe hapësira për fëmijë me nevoja të veçanta.

“Parku, i cili do t’i mundësojë fëmijëve me nevoja të veçanta të kalojnë kohë edhe me fëmijët e tjerë, do të jetë i pari i këtij lloji në Prishtinë”, ka theksuar TIKA në këtë njoftim.

Punimet e filluara nga TIKA planifikohen të përfundojnë brenda dy muajve dhe menjëherë pas përfundimit, do të bëhet edhe hapja e tij./ KultPlus.com

Nisë Festivali tradicional ‘Ylberi i Prishtinës’ (VIDEO)

Festivali ndërkombëtar i fëmijëve “Ylberi i Prishtinës”, i cili këtë vit organizohet për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, ka nisë sot në Sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Në këtë nismë, fillimisht kanë defiluar mbi 500 fëmijë nën tingujt e muzikës me veshjet tradicionale kombëtare duke prezantuar vlerat kulturore përmes valleve të ndryshme të qyteteve dhe shteteve që përfaqësojnë.

Defileu i ansambleve i cili nisi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më tutje përgjatë bulevardit “Nëna Terezë” deri tek Sheshi “Skënderbeu”, tashmë ka përfunduar. Ku tutje edhe u bë hapja e festivalit në Sheshin “Zahir Pajaziti”(tek amfiteatri).

Këtë vit do ketë shumë risi me qëllim që ky manifestim të lë mbresa të veçanta tek qytetarët e posaçërisht tek fëmijët. Përpos ansambleve vendore, pjesëmarrës do të jenë edhe ansamblet nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe Turqia.

Pak para hapjes, krzetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është lidhur live nga vendi i ngjarjes ku edhe fton të gjithë të bëhen pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme për fëmijët.
Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë më 10 shtator, nga ora 18:00 – 21:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Festivali organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Dy burra të dashuruar dhe një qytet histerik vijnë në shfaqjen “55 shades of gay” në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Arbër Selmani
Fotografitë: Jetmir Idrizi

Tashaniku është një shoqëri e ngarkuar me burrëri. Mashkulli martohet me gruan, plusi me minusin, minusi me plusin, dhe një popullatë e tërë është edukuar në këtë frymë. Edhe makina e shkrimit të Hikmetes beson se është homofobe, madje edhe ka fuqinë e fjalës pos asaj të shtypjes prej gishtave të Hikmetes.

Tashaniku është sinonimi i “bashkimi bën fuqinë”. Pasi qyteti ka mposhtur kolerën dhe disa sëmundje tjera, do ti duhet të merret me martesën e dy burrave. E tmerrshme. E papritur për administratën e Komunës, për Kryetarin, Kryeministrin, për drurin budalla të qytetit që ka parë çuda e çuda por s`ka rastisur të dëgjojë se dy burra kërkojnë martesë. 18 dokumente kërkohen. Certifikata e lindjes, certifikata që as Adriano e as Merlini nuk janë nën hetime, certifikata e nënës së italianit në pink, certifikata, certifikata, certifikata. Qyteti nuk po bindet që dy burra duhet martuar.

Seksi mes tyre, i hatashëm. Vetë Merlini e tregon sa i shkathët në shtrat është Adriano. Merlini, një gay pak hippie dhe i ngurtë, Adriano një gay italian karizmatik dhe dukshëm me epshe eksplozive.
55 hije erdhën mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. U bë luftë për tu martuar dy burra, e nuk u shpalos vetëm hija e tregimit të Merlinit – djalit që nuk e pati jetën e lehtë duke qenë mashkull që pëlqen meshkujt, e jo mashkull që pëlqen femrat.

Teksti i Jeton Nezirajt nën regjinë e Blerta Nezirajt solli pesë aktorë në gati dy orë shfaqje. Të qeshësh në mizorinë e një pjese të qytetarëve në Kosovë, a të qash se gjithçka është ndoshta komedi për ata që jeta i ka ulur në karrige të leverdisshme. Alketa Sylaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Tristan Halilaj – të përcjellë nga Luan Durmishi, përthekuan histerinë e çdo situate.
E çdo situatë provon ta ndalë këtë martesë. Nuk njihet Tashaniku si qytet i bythqirëve. Ky do të ishte fundi.

Aktorja Shengyl Ismaili thotë se e ka marrë me përgjegjësi të madhe rolin.
“Ndoshta më shumë se në çdo shfaqje tjetër, këtu gjithçka e kam marrë me më shumë përgjegjësi, pasi e di se sa problem është diskriminimi i komunitetit LGBT. Jam mundur që do çdo fjalë të jetë e saktë, e qartë për publikun. Unë jam krenare që jam pjesë e shfaqjes dhe qëndroj pas asaj që është thënë sonte” tregon Ismaili për KultPlus.

‘Kaçaniku’ i burrave dhe punëtorët homofobë për të drejtat e njeriut
Salla e madhe e Teatrit Kombëtar të Kosovës ndoshta asnjëherë nuk ka parë komunitetit LGBT më shumë se mbrëmë. Ata të cilët u trajtuan në shfaqje, ata për të cilët Kosova ka hartuar ligje e i ka futur në Kushtetutë dhe në ndërkohë për vite me radhë nuk u mundëson asgjë pos ca politikanëve që me fytyrë të turpit e paditurisë bëhen kinse po i përkrahin, ishin aty, në ulëset e kuqe, të gatshëm për ta parë veten në pasqyrë, diku në një prej hijeve.

Policia e Kosovës po e ruante objektin e Teatrit gjatë gjithë kohës, në rast se dikush do të donte ta shprehte më vullgarshëm mospajtimin se dy burra brenda veç duan të martohen. Veç martesë.
Në ndihmë del Bashkimi Evropian, pasi Tashaniku trulloset prej idesë së fabrikës së kondomave nga Don Bosco, ngjyra ngjyra këta prezervativë. BE-ja e ka kusht për përparim që të martohen dy burra në qytetin ku mendësia e burrit është buka e cdo sofre. Komisionerja vjen, edhe kjo një e çmendur e llojit të saj. Një kontroll rutinore nga një grua që jo shumë kohë më parë ka dhënë donacion marramendës për hapjen e një fabrike buzëkuqësh.

Regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, ka veçuar lojën e sidomos aktores Shengyl Ismaili. Sipas saj, shfaqja e sjellë një prej incidenteve më të rënda në shkeljen e të drejtave të njeriut.

“E dimë se bëhet fjalë për Kaçanikun patriarkal e konservativ, aty ku është dorëzuar kërkesa e parë zyrtarë për martesë nga dy njerëz të gjinisë së njëjtë. Mua shfaqja më krijoi ndjenja të përziera. Kam qenë njeriu që ka qeshur më së paku gjatë shfaqjes, sepse për mua kjo ishte një tragjedi e jo tragjikomedi. Madje më dhemb fakti që njerëzit kanë qeshur gjatë shfaqjes” tregon Zana Hoxha Krasniqi.
Sipas saj, megjithatë, shfaqja shpalosë një të vërtetë ironike, që mizogjinia e homofobia është e pranishme dhe e fshehur edhe në petkun e punëtorëve të të drejtave të njeriut në Kosovë, shpesh edhe tek shoqëria civile.

Ngarkim, shkarkim, intelektualë të vonuar dhe martesë
Shfaqja “55 shades of gay – pranvera ballkanike e revolucionit seksual” vjen edhe sonte, me 9 shtator, me fillim prej orës 20:00 në TKK, në reprizën e saj të parë. Aktorët do të jenë aty, histeria do të jetë aty, dhe momenti për ta kuptuar se kush jeton në zonën e rahatisë dhe kush ka problem të puthet në këtë qytet sinqerisht të tmerrshëm.
Për sociologen Linda Gusia, shfaqja ishte e mundimshme, e ngarkuar, dhe me plot stereotipa raciste, homofobe e seksiste.

“Ishte një teprizëm i racizmit dhe homofobisë. Asgjë nuk më sfidoi realisht. Mua mu duk si një mënyrë për ta shoku audiencën dhe kësisoj ma dha një shije të provincializmit. Mua nuk më erdhi fort me keshë me shfaqjen, e cila definitivisht do të duhej me qenë më shumë e kontekstualizume” tregon Linda për KultPlus.

Jonida Maliqi, Agron Tufa, Adem Demaci, Kim Mehmeti, të gjithë angazhohen që qyteti të mos e lejojë martesën. Intelektualët hijerëndë kanë folur, jo dy burra bashkë në shtrat, kurrën e kurrës.
“Për mua ky ishte momenti më i mirë i shfaqjes, kur u thirrën emrat e atyre që haptazi dikur dolën të jenë homofobë. Në aspektin e seksualitetit, mu duk një trajtim infantil i seksualitetit që nuk i bëri mirë komunitetit LGBT. Nuk ishte komedi e sinqertë” tregon Linda Gusia.

Blert Morina nga CEL – Qendra për Barazi dhe Liri, thotë se shfaqja ishte e guximshme.
“Kjo shfaqje ishte e guximshme dhe mesazhet ishin të tilla. Shfaqja paraqiti paragjykimet me të cilat në baza ditore përballet komunitetin LGBT në Kosovë. Arti e ka edhe sarkazmin si armë të fortë dhe kuptohet që ajo do të përdoret në një shfaqje si kjo” tregon Blerti nga një prej organizatave që në Kosovë angazhohet për të drejtat e komunitetit LGBT.

Por kjo nuk është e tëra. Në formën e një mjuziklli, krijohen këngë për çdo situatë. Shefja e Hikmetes – Kryetarja (Kryetari!) ka një zë melodioz i cili tingëllon si Radio Kosova e Lirë në kohë lufte. Në një moment edhe kënga “Rise like a Phoenix” e Conchita Wurst, fitueses me mjekër në Eurovizion para disa vitesh, i përshtatet situatës së qytetit të cilit edhe Hana e Dielli i kanë ndërruar formë, edhe shtrati i lumit i ka dalë tejpërtej, me lajmin se dy burra po preken jo më pak njerëzisht se të tjerët.
Dhe prej ironisë, më se paku skena të dy burrave gay, ka vetë shfaqja. Një puthje, një marrëdhënie seksuale, dhe disa prekje.

Një shfaqje më shumë për politikat rreth komunitetit LGBT, sesa për vetë komunitetin
Regjisorja Blerta Neziraj tregon pas shfaqjes se ajo nuk flet direkt për komunitetin sa flet për politikat që bëhen rreth komunitetit. Gjithçka shtrëngohet e vështirësohet vetëm që dyshja të dorëzohet. Bomba-hedhësi i qytetit dështon në disa raste t`ua marrë jetën turpit të qytetit, dy gejave.

“Kësaj here kam trajtuar komunitetin LGBT, bashkë me Qendrën Multimedia ku punoj që gjashtë vite, në këtë aspektin e teatrit politik që po synojmë gjithmonë ta sjellim. Publiku e priti mirë shfaqjen, dhe për këtë fakt jam shumë e emocionuar. Do të doja që mos t`bëhet zakon edhe prania e Policisë në këto shfaqje sepse kjo disi e pengon edhe publikun dhe e bën të ndihen jo rehat. Shfaqja shpresojmë që do të udhëtojë edhe në qytete tjera dhe shpresoj që njerëzit do ta pranojnë si një prodhim artistik. Ky lloj teatri, teatri politik, ka rol emancipues për shoqërinë” tregon regjisorja Blerta Neziraj, në emocionet e shfaqjes e cila me goxha “ashpërsi” trajton jetën e një komuniteti fort të diskriminuar në Kosovë.

A do të martohet çifti? Çka do të ndodhë më pas ? A është EU-ja (European Union) një shprehje tjetër për “eu, eu” në shqiptarçe? “55 shades of gay – me ekipin e artistëve nga Kosova, Serbia, Franca dhe Gjermania do të rrugëtojë me ju në përditshmërinë e meshkujve që duan meshkuj por si për qejf, një qytet nuk dëshiron që kjo të ndodhë. / KultPlus.com

‘Ylberi i Prishtinës’ nisë sot me defilimin e 500 fëmijëve me veshje kombëtare

Festivali ndërkombëtar i fëmijëve “Ylberi i Prishtinës 2017”, i cili këtë vit organizohet për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, nisë sot në Sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Për dy ditë me radhë, më 9 dhe 10 shtator, do të defilojnë mbi 500 fëmijë nën tingujt e muzikës me veshjet tradicionale kombëtare duke prezantuar vlerat kulturore përmes valleve të ndryshme të qyteteve dhe shteteve që përfaqësojnë.

Defileu i ansambleve fillon në ora 16:30 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më tutje përgjatë bulevardit “Nëna Terezë” deri tek Sheshi “Skënderbeu”.

Pas defileut, të gjithë fëmijët pjesëmarrës do të jenë pjesë e ceremonisë së hapjes së festivalit në Sheshin “Zahir Pajaziti”(tek amfiteatri) duke filluar nga ora 18:00 – 21:00.

Këtë vit do ketë shumë risi me qëllim që ky manifestim të lë mbresa të veçanta tek qytetarët e posaçërisht tek fëmijët. Përpos ansambleve vendore, pjesëmarrës do të jenë edhe ansamblet nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe Turqia.

Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë më 10 shtator, nga ora 18:00 – 21:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Festivali organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Mbishkrime me sprej në objektin e Ministrisë së Kulturës

Persona të panjohur kanë bërë mbishkrime me sprej në murin e objektit të Ministrisë së Kulturës që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë rast ende nuk ka të arrestuar, përderisa policia po merret me rastin.

Njoftimi i plotë i policisë:

Ndërsa në sheshin “Nëna Terezë”, Prishtinë, më 04.09.2017 në orën 23:52, ankuesi mashkull, shqiptar i Kosovës, ka raportuar se disa persona të panjohur, me sprej kanë bërë një mbishkrim në murin e objektit të Ministrisë së Kulturës. Rasti është duke u hetuar./ KultPlus.com

Cineplexx sjellë eventin special “Horror Night”

Kinemaja austriake Cineplexx ka paralajmëruar organizimin e eventit special “Horror Night – IT” më 7 shtator, përcjellë KultPlus.

Me 7 shtator, Cineplexx do të jetë një destinacion i shkëlqyer për të gjithë fansat e filmave horror. Këtë të enjte, prej orës 20:00 do të jetë premiera e filmit IT, film i bazuar nga storja e Stephen King me kllaunin e famshëm “Pennywise”.

Për ta bërë këtë event edhe më të veçantë, Cineplexx së bashku me TEB Bank kanë prezantuar ofertën 1+1, ku të gjithë ata që paguajnë biletë me kartelë të TEB (debit dhe credit), fitojnë edhe një tjetër biletë falas.

Për të ju përshtatur natyrës së filmit, Cineplexx për “Horror Night” do të sjellë një atmosferë horrori me dekorime të frikshme. Filmi do të shfaqet në së paku 7 termine gjatë ditës, si dhe do të ketë aktivitete të shumta dhe pije falas për të gjithë të pranishmit.

Ngjarja e filmit zhvillohet në Derry, Maine, në verën e vitit 1989. Një grup i fëmijëve të njohur si “The Losers Club” luftojnë kundër një entiteti të pavdekshëm, që ndryshon formën e tij dhe është përgjegjës për zhdukjen e shumë fëmijëve në qytetin e tyre. Gjatë procesit, ata detyrohen të përballen me djajtë e tyre personalë.

Interesimi për këtë event është shumë i madh. Deri tani, kemi mësuar se janë shitur mbi 300 bileta për premierë. Biletat mund t’i blini çdo ditë pas orës 15:30 në Cineplexx. / KultPlus.com

Oraret e filmit mund t’i gjeni këtu: http://www.cineplexx-ks.eu/movie/IT/

“Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë”, ekspozita që promovon vlerat kulturore

Ekspozita “Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë” do të prezantohet në Prishtinë, duke i shtrirë aktivitetet për tri ditë radhazi, përcjellë KultPlus.

Në ditën e parë programi artistik do të fillojë me valle tradicionale të interpretuara nga AEK “Katarina Josipi” nga Zymi. Ndërsa në ditën e dytë dhe të tretë ekspozita do të jetë e hapur për publikun.

Qëllimi i këtij manifestimi – ekspozite është promovimi i trashëgimisë dhe vlerave kulturore shqiptare.
Ekspozita hapet në datë 3 shtator dhe qëndron deri më datë 5 shtator në Sheshin “Zahir Pajaziti”. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti një delegacion të Finlandës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar sot një delegacion të Finlandës, të kryesuar nga Pekka Metso, ambasador për proceset e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës (MFA), të shoqëruar nga Ambasadorja finlandeze në Kosovë, Anne Huhtamaki, përcjellë KultPlus.

Ndërmjet ministres Dumoshi dhe delegacionit finlandez u bisedua për bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e kulturës.

Ne këtë takim, ambasadorja finlandeze e uroi ministren për detyrën e re dhe premtoi ndihmë në përmbushjen e agjendës së promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Republikës së Kosovës.
Ndërsa ambasadori Pekka Metso e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e mirë në shtetformim, sidomos tani në vigjilje të festimit të 10-vjetorit të pavarësisë, përfshirë integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare./ KultPlus.com