Kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë para hapjes zyrtare të Manifesta 14 Prishtina, e cila do të hapë dyert për publikun me 22 Korrik 2022.
102 pjesëmarrësit e këtij edicioni, 38 përqind e të cilëve janë nga Kosova, do të paraqesin veprat e tyre në plot 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë.
Duke filluar nga ish-hapësira industriale e Fabrikës së Tullave; Hotelit Grand, Qendra për Praktikë Rrëfyese në ish-Biblotekën “Hivzi Sulejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet, të cilat kanë një qëllim: rikthimin e hapësirës publike në plan afatgjatë.
Nga Ministria e Kulturës kanë prezantuar sot ndërhyrjet artistike që do të mbahen në hapësira të ndryshme të Prishtinës,
“Në më pak se 10 ditë para hapjes së Manifesta 14 Prishtina, ju prezantojmë me ndërhyrjet artistike që do të mbahen në hapësira të ndryshme të Prishtinës. Zbuloni më shumë mbi atë që do të ndodhë dhe na ndiqni ndërsa shpalosim programin eventeve të ditëve të hapjes, së shpejti”, thuhet nga MKRS. / KultPlus.com
Më 21 korrik në sheshin e Prishtinës, këngëtarët Merita Halili dhe Raif Hyseni do të mbajnë një koncert për adhuruesit e muzikës së tyre.
Këtë çifti e kanë bërë të ditur për shikuesit e RTV21.
Koncerti pritet të fillojë në orën 20:00 dhe për të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër bileta nuk do të ketë, pasi koncerti do të jetë dhuratë për qytetarët./KultPlus.com
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, ku dita ditës po shpalosen edhe emrat që do të jenë pjesë e festivalit, shkruan KultPlus.
Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur se ky edicion po vjen më shumë befasi dhe yjet nuk do të mungojnë.
Sot është zbuluar një tjetër yll që do të jetë pjesë e festivalit. Bëhet fjalë për Erza Muqollin, zërin që të rrëqeth mishin sa herë që e dëgjon.
Erza Muqolli është këngëtare e re nga Kosova që ka treguar talent të jashtëzakonshëm që në moshë të vogël. Filloi të studionte Piano dhe Këndim në Shkollën e Muzikës së Sarralbe që në moshën 7 vjeçare. Karriera e saj artistike nisi kur ajo mori vendin e 3-të në sezonin e 9-të të France’s Got Talent. Ajo ka qenë anëtare e një grupi muzikor fëmijësh të quajtur Kids United, si pjesë e fushatës së UNICEF-it në Francë. Ata kanë publikuar shumë singles dhe albume të cilët janë vlerësuar gjerësisht. Publikimet e saj solo, ndër të tjerë përfshijnë single-in e titulluar “Je chanterai” dhe albumin e saj titulluar Erza Muqolli.
Kujtojmë që festivali RLIOF do të mbahet mes datave 21-31 korrik me qëllim që rreth vetes të ketë edhe mërgimtarët. / KultPlus.com
Edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare, që do të frymëzojnë lëvizje dhe veprimin.
Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.
Festivali ofron një gamë të gjerë mundësish për bizneset, familjet, njerëzit e të gjitha moshave por edhe iniciativat jo-fitimprurëse që kanë të bëjnë me ushqimin që të ndajnë produktet, shërbimet dhe programet e tyre.
Festivali mbahet nga data 22 deri me 31 Korrik 2022 në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë. / KultPlus.com
Deri më tani nga takimi në Samitin BE-Balkani Perëndimor nuk ka asgjë konkrete për sa i përket liberalizimit të vizave dhe sipas zhvillimeve, shpresat kanë filluar t’i lëshojnë qytetarët, shkruan KultPlus.
Për këtë mosveprim nga ana e BE-së, sot në Prishtinë do të protestohet.
“Marshojmë për Liri të Lëvizjes” është thirrja që po ju drejtohet qytetarëve që t’i bashkohen këtij mardhi sot nga ora 12:00. Takimi do të bëhet te sheshi “Zahir Pajaziti”.
“Nese keni kohe e mundesi ejani sot ne 12:00 ne shesh – Marshojmë per Liri te Levizjes #FreeVisa. Takimi te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti”, ka shkruar Shpend Lila në facebook.
Ndërsa sot në Bruksel potencialisht mund të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka mbetur në regjim vizash për të udhëtuar në një nga vendet e BE-së. / KultPlus.com
‘Fête de la Musiqu’, njohur gjithashtu edhe si Dita Botërore e Muzikës, është një festë vjetore muzikore që zhvillohet më 21 qershor, përcjell KultPlus.
Në Ditën e Muzikës, qytetarëve dhe banorëve u kërkohet të luajnë muzikë jashtë në lagjet e tyre ose në hapësira publike dhe parqe. Organizohen gjithashtu edhe koncerte falas, ku muzikantët luajnë për qejf.
Me muzikë t’mirë e dashni, Dita Botërore e Muzikës do të festohet edhe në kryeqytet.
Sot, në amfiteatrin tek sheshi “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 15:00, kjo ditë shënohet me një koncert i cili ka mbledhë rreth vetës artistë të njohur të skenës sonë.
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.
Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur sot se ky edicion po vjen më shumë befasi.
Festivali në këtë edicion po zgjerohet më tej, ku përveç muzikës së bukur shqipe, kësaj radhe i është dhënë hapësirë e veçantë edhe punëtorive.
“Të dashtun miq e adhurues të artit muzikor, me kënaqësi të madhe ju njoftoj që këtë vit festivali RLIOF vjen me edicionin e tij të dytë me shumë befasi, duke filluar nga muzika e bukur shqipe, për të vazhduar me atë që ne konsiderojmë shumë të rëndësishme për edukimin mbi këndimin e brezave të rinj e në karrierë. Toka jonë ka shumë talent ndaj edhe i kemi dhënë hapësirë të veçantë Workshop-eve ( Punëtorive)”, ka shkruar tenori Lahaj i cili tutje ka njoftuar se festivali në mbrëmjet e tij do ketë artistët më të dalluar shqiptar, të cilët do të shoqërohen nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare.
Festivali do të mbahet mes datave 21-31 korrik me qëllim që rreth vetes të ketë edhe mërgimtarët.
“Qëllimisht kemi zgjedhur periudhën 21-31 Korrik 2022, atëherë kur e gjithë mërgata është në mesin tonë, sepse ne pa ata jemi gjysmak”, thotë Lahaj. / KultPlus.com
Festivali Multikulturor “Të festojmë së bashku”, vjen këtë të premte dhe do të zgjasë dy ditë, më 17 dhe 18 qershor, me ç’rast do të mbahen aktivitete të ndryshme në Parkun e Qytetit.
Festivali Multikulturor është një ngjarje e tradicionale e organizuar nga organizata joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, dhe qëllimi kryesor i të cilit është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rinj e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5 mijë pjesëmarrës, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptianë, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.
Festivali Multikulturor do të organizohet për herë të katërt dhe synon të bëhet eventi më i madh në rajon. Qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë pjesëmarrjen e shumë akterëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, artistëve, politikëbërësve kryesorë me ndikim dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, akademikëve, studentëve dhe palëve të tjera relevante të interesuara të cilët do të ndihmojnë në promovimin e suksesshëm të komuniteteve të margjinalizuara etnike në Kosovë dhe më e rëndësishmja, ngjarja do të vendosë në qendër të vëmendjes dëshmitë autentike nga romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët të cilët kanë prejardhje të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Qëllimi kryesor i Festivalit Multikulturor është thyerja e ciklit të përjashtimit të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, përmes promovimit të identitetit të tyre, fuqisë së tyre dhe vullnetit të fortë për të qenë të barabartë, si gjithë të tjerët. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët janë pasuri e këtij vendi dhe kanë çka t’i ofrojnë kësaj shoqërie.
Dy ditët e Festivalit do të organizohen në Parkun e Qytetit si në vijim:
·Paradë plot ngjyra, si një nga pikat kryesore të ditës së dytë. Disa grupe të komuniteteve do të shfaqin me krenari trashëgiminë e tyre kulturore përmes veshjeve të tyre tradicionale;
·Tregu i shitësve artizanalë që shesin dhe promovojnë një gamë të gjerë të veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova;
·Prezantimi i kuzhinës tradicionale;
·Shfaqje kulturore 3-5 akte në ditë;
·Tenda për të rinj dhe fëmijë për një mjedis miqësor ku familjet mund të përjetojnë art dhe muzikë nga kultura të ndryshme përmes shfaqjeve, aktiviteteve praktike, të krijuara posaçërisht për fëmijët dhe familjarët.
Festivali do të zgjasë dy ditë dhe do të jetë i hapur nga ora 11:00 deri në ora 19:00. / KultPlus.com
Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, detyrohet që të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.
Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.
Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.
Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.
Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.
Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve./ Insajderi / KultPlus.com
Një lis i rrëzuar në lagjen Pejton të Prishtinës ka lënë të vdekur një 30-vjeçar.
Policia njofton se nga rrëzimi i tij është lënduar edhe një grua e së njëjtës moshë, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor./ KultPlus.com
Me datë 21,22 maj në vikendin e radhës në kuadër të mobilitetit në unazën e brendshme do fillojë street party. Hapësira rrugore e gjatë 1,2 km në Bulevardin ‘Xhorxh Bush’ përball Katedrales e deri tek fillimi i sheshit ‘Zahir Pajaziti’, do shfrytëzohet ekskluzivisht për komunitet dhe nevojat e lëvizjes së lirë.
Pjesa qendrore e qytetit pranë katedrales ,,Nena Terezë,, – Rruga ,,Xhorxh Bush’’ do të shndërrohet në një hapësirë ku përmes rekreacionit ,muzikës e artit do të demonstrojë prezencën në pjesën kryesore të qytetit dhe mundësinë për shfrytëzim më të madh të hapësirave të përbashkëta.
Festivali, i cili duhet tash çdo vit të mbahet në qytet, është një skenë e së ardhmes e lëvizshmërisë urbane.
Është një rrugë për shërbimet komunale të qytetit që të eksperimentojë me zgjidhje kreative ekomobile për të krijuar qytete më të jetueshme. Gjithashtu u jep banorëve mundësinë të përjetojnë se si udhëtimi përmes opsioneve të transportit të integruar, përfshirës shoqëror dhe të shëndetshëm mund të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre.
Kjo masterklasë do të jetë falas për shtetasit e vendeve të Ballkanit (jo anëtarë të BE-së), ndërsa për studentët ndërkombëtarë tarifa do të jetë 100 euro, ku përfshihet ushqimi dhe akomodimi.
Masterklasa do të mbahet në Universitetin e Prishtinës, 12-22 korrik 2022.
Kino Armata, në vazhdën e ngjarjeve kulturore, këtë muaj do të sjellë para publikut kosovar disa prej punëve më të rëndësishme të autorëve italian.
Filmat e Michelangelo Antonioni, Pier Paolo Pasolini, Federico Fellini, Bernardo Bertolucci, Roberto Rossellini, etj. do të kenë shfaqje të rregullta gjatë serisë programore ‘101’ në Kino ARMATA. Në kuptim si akademik ashtu edhe joformal, 101 përcakton faktet bazike të lidhura me një fushë ose çështje të caktuar. Gjatë 101, ARMATA shndërrohet në fushë mësimi për fillestarë dhe entuziastë, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës sonë.
Programi i filmave që do të transmetohen është ky:
E martë, 24 maj, 19:30h UCCELLACCI E UCCELLINI (1966), 91 min. E mërkurë, 25 maj, 19:00h ACCATTONE (1961), 117 min. E enjte, 26 maj, 19:00h MAMMA ROMA (1962), 110 min. E premte, 27 maj, 19:00h EDIPO RE (1967), 104 min.
Biografia e Pier Paolo Pasolini, puna e të cilit do të prezantohet para publikut, në kino Armatë:
Pier Paolo Pasolini (1922 – 1975) ishte një regjisor, poet, shkrimtar dhe intelektual italian, i cili u dallua edhe si aktor, gazetar, romancier, dramaturg dhe figurë politike.
Një personalitet që konsiderohej problematik në Itali për shkak të sinqeritetit të tij, trashëgëmia e Pasolinit mbetet kontroversiale. Ai kritikoi ashpër vlerat sipërfaqësore borgjeze dhe ardhjen në dukje të “totalitarizmit të konsumerizmit” në Itali, duke vënë përballë polemikat socio-politike me problematika seksuale që ishin tabu. Si protagonist i shquar i skenës kulturore romake të periudhës së pasluftës, Pasolini ishte një figurë kryesore në letërsinë dhe artet kinematografike evropiane. Vrasja e tij e pazbardhur në Ostia në nëntor të 1975 gjatë një mosmarrëveshje me një prostitutë të ri, ngjalli reagim të fortë në Itali dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë pjesë e një debati të ashpër.
Varfëria që ai kishte përjetuar në Romë gjatë viteve të 1950 i siguroi material kreativ për dy romanet e tij të parë, Ragazzi di vita (1955; The Ragazzi) dhe Una vita violenta (1959; Një jetë e dhunshme). Këto përshkrime brutalisht realiste të varfërisë dhe mjerimit të jetës së lagjeve të varfëra në Romë ishin të ngjashme në karakter me filmin e tij të parë, Accattone (1961), dhe të tre veprat trajtonin jetën e hajdutëve, prostitutave dhe banorëve të tjerë të botës së krimit romak.
Filmi më i njohur i Pasolinit, Il Vangelo secondo Matteo (1964; Ungjilli sipas Shën Mateut), është një ritregim i ashpër, në stilin dokumentar të jetës dhe martirizimit të Jezu Krishtit. Alegoria komike Uccellacci e Uccellini (1966; The Hawks and the Sparrows) u pasua nga dy filma që përpiqeshin të rikrijonin mitet e lashta nga një këndvështrim bashkëkohor, Oedipus Rex (1967) dhe Medea (1969). Përdorimi i erotizmit, dhunës dhe shthurjes nga Pasolini si mjete për spekulimet e tij politike dhe fetare në filma të tillë si Teorema (1968; “Teorema”) dhe Porcile (1969; “Pigsty”) e solli atë në konflikt me elementet konservatore të Kishës Katolike Romake. Më pas ai filloi të mirret me erotizëm mesjetar në Il Decamerone (1971) dhe The Canterbury Tales (1972). Përveç filmave të tij, Pasolini botoi vëllime të shumta me poezi dhe disa vepra kritike letrare.
Të gjithë filmat do të shfaqën në gjuhën origjinale me titra shqip./ KultPlus.com
Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me raportimin për një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për lajmi.net se informacionet e para flasin për një kanosje të dyshimtë e cila ka ardhur përmes postës elektronike.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë”, tha ajo.
Po ashtu është thënë se në një perimetër të caktuar janë evakuuar nxënësit dhe personeli i shkollës.
“Ndërkohë janë angazhuar edhe njësitet përkatëse për trajtimin/verifikimin e informatës”.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur një raportim tjetër për alarm për bombë tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës.
Ky alarm doli të ketë qenë i rrejshëm.
Alarme të ngjashme, ku është raportuar për vendosje të bombave ka patur edhe më herët në vend, shumë prej tyre ishin në kuadër të stacionit të autobusëve në Prishtinë. / KultPlus.com
Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip, organizuar nga Qendra Multimedia, nis këtë fundjavë në Teatrin ODA në Prishtinë nën temën “Shkrimtari është i pranishëm?!”, përcjellë KultPlus.
Ky edicion do të nis me promovimin e librit “I verbri” nga autori slloven Mitja Čander, përkthyer në shqip nga Nikollë Berishaj dhe botuar nga Qendra Multimedia. Promovimi i këtij libri do të ndodh më 12 maj nga ora 18:00 në Teatrin ODA në Prishtinë dhe është pjesë e një para-programi të festivalit. Promovimi do të përcillet me hapjen zyrtare të festivalit polip të premtën më 13 maj nga ora 19:30 në Teatrin ODA, ku përpos fjalimeve hapëse do të ketë edhe lexime letrare me autorët: Şebnem İşigüzel nga Turqia, Eqrem Basha nga Kosova, Ivana Bodrožić nga Kroacia, Carsten Jensen nga Danimarka, Jovica Ivanovski nga Maqedonia e Veriut, Joël Vernet nga Franca dhe Mitja Čander nga Sllovenia. Mbrëmja e parë do të përmbyllet me një performancë muzikore nga Edona Reshitaj dhe bendi i saj.
Më tutje festivali do të vazhdojë të shtunën me diskutime që fillojnë nga ora 11:00 me diskutimin “Jeta vs. Letërsia / Kush i tregon rrëfimet dhe kush i ndan ato?”, në ora 15:00 me diskutimin me temë “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe përkthyesit tani?” ndërsa dita e dytë përmbyllet poashtu me lexime letrare nga shkrimtarë vendorë e ndërkombëtarë.
Në ditën e fundit, Qendra Multimedia në kuadër të programit të festivalit polip ka paraparë diskutimin “Narrativat historike dhe kujtesa kolektive si origjinë e luftërave etnike, ose si mjet për shërim dhe pajtim të shoqërive të pasluftës? Si ndikojnë shkrimtarët në rezultat?” i cili fillon nga ora 16:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, për të vazhduar me lexime letrare që nisin nga ora 20:00 në po të njëjtin vend. Ky edicion i polip-it do të përmbyllet me një performancë muzikore nga këngëtarja Linda Rukaj.
Tema e sivjetme e festivalit polip është shprehje e të paktën tri gjendjeve në të cilat shkrimtarët mund ta kenë gjetur veten përgjatë vitit që lamë pas, sidomos nga shkurti i këtij viti për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë edicion ngrisim pyetje dhe tentojmë të gjejmë përgjigje për atë se çka mund të bjënë shkrimtarët në një situatë si kjo në të cilën gjendet bota sot me luftën, pandeminë e krizën e refugjatëve. Tema e sivjetme sendërtohet mbi frymëzimin nga performanca e artistes Marina Abramovic e quajtur “Artisti ësthë i pranishëm”, përmes të cilës artistja Abramovic cila theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige përgjatë tre muajve dhe duke shikuar sy-më-sy 1675 vizitorë të performancës së saj.
Të gjitha ngjarjet që organizohen në kuadër të festivalit polip do të ndodhin në Teatrin ODA në Prishtinë dhe hyrja është falas! Më shumë detaje për programin e sivjetëm të festivalit, mund të gjeni KËTU. /KultPlus.com
Qendra Multimedia sjellë në Teatrin Oda në Prishtinë, premierën e re të shfaqjes “Burrnesha”, regjinë e së cilës e ka bërë Erson Zymberi. E shkruar nga Jeton Neziraj, në shfaqje luajnë aktorët: Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi.
Rreth shfaqjes
Burrneshat janë gra shqiptare që vendosin të jetojnë si burra. Mbas një vendimi të pakthyeshëm, ato heqin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra, duke përfituar kështu disa nga privilegjet që në ato anë i gëzojnë vetëm meshkujt. Perspektiva perëndimore e hulumtimit të fenomenit të burrneshave të përbetuara shqiptare ka qenë kryesisht ekzotike, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”. Ka pasur poashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë. Një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, ekspozim i cili nuk u ka sjellë ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie skajshmërish patriarkale. Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik.
Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sose,-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.
“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi cështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqnore.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 10 maj, nga ora 20:00.
Reprizat e radhës janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, po në teatrin Oda në Prishtinë. Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bekim Korça, muzikën Trimor Dhomi, koreografinë Gjergj Prevazi, kostumet Yllka Brada, menaxhere e produksionit është Aurela Kadriu, dritat I ka realizuar Mursel Bekteshi, mbështetja teknike vjen nga Pajtim Krasniqi e Bujar Bekteshi, video nga Ilir Gjocaj, kurse assistente kostumografe është Flaka Rrustemi.
Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Ëinkelëiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur./ KultPlus.com
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka bërë të ditur se Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë ka marrë vendim që duke filluar nga 12 janari, të zgjatet orari i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare VII në lagjen Emshir.
Sipas kësaj qendre, vaksinimi nga e hëna deri të premten do të bëhet nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ndërsa gjatë vikendit nga ora 07:00 deri në orën 15:00.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM
Të nderuar qytetarê,
Duke ju falenderuar për përpjekjet tuaja për ruajtjen e imunitetit dhe rritjen e kërkesave për vaksinim me vaksinën kundër Covid-19, me qëllim që pritjet e juaja të jenë sa më të shkurta dhe shërbimet më cilësore, Kujdesi Parësor Shëndetësor- Drejtoria e Shëndetësisë-Komuna e Prishtines në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në MSH kemi vendosur që duke filluar nga dita e mërkurë me dt. 12.01.2022 të zgjasim orarin e vaksinimit në QMF Vll nê Kalabri-Emshir si vijon:
Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është mbajtur mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha.
Atë e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në emër të ministrisë mori pjesë në komemoracion dhe para të pranishmëve ndër të tjera tha “Burbuqja ka qenë një prej luftëtarëve të mëdha për të drejtat e përbashkëta dhe vlerave të shoqërisë tonë. Kontribuuese e denjë në zhvillimin e institucioneve tona të kulturës, një prej shtytësve të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit dhe pedagogjisë së profilit teatror”, ndërsa shtoi “Komuniteti artistik kosovar, ka humbur një njeri të shkëlqyer dhe të papërsëritshëm. Ajo do të kujtohet dhe të përmendet përherë”.
Për nder të saj folën edhe bashkëpunëtorët dhe kolegët, regjisoret Zana Hoxha, Arbëresha Grabovci-Nixha, dhe Bardha Kelmendi, të cilat treguan për përvojat, profesionalizmin, energjinë dhe dashurinë e Burbuqe Berishës për krijimtarinë, regjinë dhe filmin. Ilir Tafa nga AAB, kujtoi afërsinë dhe pozitivetin që e karakterizonte regjisoren e ndjerë. Ndërsa, motra e të ndjerës Trëndelina Berisha, falënderoi të gjithë ata që u kujdesën dhe bashkëpunuan me regjisoren.
Burbuqe Berisha, vdiq më 27 tetor 2021, në moshën 51 vjeçare. Ajo kishte një karrierë të bujshme dhe la pas vetes trashëgimi të madhe të krijimtarisë artistike me filma të zhanreve të ndryshëm, dokumentarë të shkurtër e artistik dhe shumë shfaqje teatrale, që u realizuan nën regjinë e saj. / KultPlus.com
Pas pesë ditësh intensive me punëtori e koncerte që u transmetuan online, Gara e Kompozitorëve Ballkanikë në Prishtinë, të premten mbrëma, ka shpallur fituesit e edicionit të dytë.
“Rrëqebullin e Argjendtë” e ka marrë kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia për veprën e tij “Mixórdia IV”. Ai do të marrë shpërblimin prej 500 eurosh si dhe një vepër të re të komisionuar për “DAM Fest 2023”.
Për ”Rrëqebullin e Argjendtë” ka vendosur juria në përbërje të kompozitorit holandez, Klaas de Vries (kryetar i jurisë), flautistes amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitorit iranian, Ashkan Behzadi, i cili jeton e vepron në Kanada. Çmimi tjetër i Garës së Kompozitorëve Ballkanikë ka mbetur në Kosovë. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH – They are here”, ka marrë “Çmimin e publikut” i cili është përcaktuar nga votat online dhe i cili përfshin edhe vepër të komisionuar për programin e “BCCP 2023”.
Për edicionin e sivjetmë të kësaj Gare, ishin përzgjedhur gjashtë finalistë. “Duam t’i falënderojmë të gjithë aplikuesit veçmas, gjashtë finalistët e edicionit të dytë: Deniz Aslanin (Turqi), Arda Bayramin (Turqi), Bardh Dubovcin (Kosovë), David Mastikosan (Bosnjë-Herzegovinë), Petra Strahovnikun (Sloveni) dhe Tomislav Oliverin “Kroaci)”, shkruhet në një njoftim të organizatorëve të Garës. Po aty, është falënderuar edhe flautistja e ansamblit “Oerknal” Susanne Peters për interpretimet mbresëlënëse të gjashtë veprave të finalistëve.
Në fakt, me interpretimin e saj, transmetuar në një koncert digjital të hënën e kësaj jave në “Paper Gallery”, qe hapur edicioni i sivjetmë i “Ballkan Composer Competition in Prishtina”.
Organizatorët po ashtu kanë thënë se janë befasuar me numrin e votuesve përgjatë javës, e të cilët kanë vendosur për “Çmimin e publikut”.
Edhe sivjet, BCCP erdhi si rezultat i bashkëpunimit të “DAM Fest” (Kosovë) dhe kolektivit muzikor “Oerknal” (Holandë). Fillimisht, edicioni i sivjetmë planifikohej të ishte në format hibrid, por masat e reja të shtetit për të parandaluar shpërndarjen e koronavirust në fillim të muajit bënë që ngjarja të mbahet vetëm online. Përveç garës, BCCP-ja ka sjellë edhe programin artistik me të cilin erdhën online katër koncerte, radio-performancë me DJ set dhe “DAMcademy” që është shkollë për muzikën e re.
Sivjet gara bienale ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Gara është zgjeruar edhe gjeografikisht. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia. / KultPlus.com
Stacion – Qendra e Artit Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë prezantimin nga Isuf Berisha pjesë e Programit Publik të Shkollës Verore si Shkolla 2021.
E Premte, 13 Gusht 2021, 20:00 – Prezantim nga Isuf Berisha (KB) Isuf Berisha: Identiteti dhe Tjetri/Të Tjerët.
Duke marrë marrëdhëniet me Tjetrin/Të Tjerët si një moment përcaktues të identitetit, autori i këtij prezantimi merr parasysh formimin dhe/ose proceset e transformimit dhe mekanizmat e identiteteve shoqërore. Autori prezanton konceptet situata identiteti dhe funksioni i identitetit në mënyrë që të shpjegojë më tej procesin e transformimit të identiteteve shoqërore.
Situata e identitetit të entitetit shoqëror përcaktohet nga marrëdhëniet e tij me të tjerët, në të cilat ose përmes të cilave formohen ose transformohen identitete të caktuara. Subjektet ose entitetet shoqërore hyjnë në marrëdhënie me Tjetrin/Të Tjerët në mënyrë që të arrijnë qëllime të caktuara. Të gjitha njësitë shoqërore para çdo marrëdhënieje të parashikuar me Tjetrin/Të Tjerët dhe/ose gjatë asaj marrëdhënie kryejnë një riorganizim të përhershëm racional, ekonomik të të gjitha burimeve të tyre simbolike ose momenteve të identifikimit për të arritur rezultatet më të mira në qëllimet e tyre të parashikuara në këto marrëdhënie. Rezultati optimal i këtij vetë-organizimi racional, ekonomik të njësisë shoqërore është vetë-identifikimi i tij me qëllim të arritjes së qëllimeve të tij të parashikuara në marrëdhëniet me Tjetrin/Të Tjerët. Në vend të koncepteve binomikë të përdorur gjerësisht për identitetin “e vërtetë” dhe “të rreme”, që në fakt nuk e artikulojnë dhe mësojnë në mënyrë adekuate këtë çështje, autori përdor termin identitet performues, i cili është në një lidhje konstante dinamike të përkufizimit reciprok me – të ashtuquajturën identitet “intim” ose “real”.
Biografia
Isuf Berisha është filozof dhe sociolog. Ai ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës (Kosovë), ndërsa studimet MA dhe PhD në Universitetin e Zagrebit (Kroaci). Ai punoi për shumë vite në pozicione të ndryshme mësimore pothuajse në të gjitha nivelet e arsimit. Ai dha mësim filozofi, logjikë, mendim kritik, studime kulturore, sociologji, sociologji ekonomike, metoda kërkimore dhe shkrime akademike.
Për shumë vite ai ishte i angazhuar në fushën e medias në role të ndryshme (gazetar/shkrimtar, zhvillim i mediave, rregullim dhe mësimdhënie mediatike). Ai gjithashtu ishte i përfshirë në fushën e shoqërisë civile; ai punoi si koordinator/menaxher programi për Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe gjithashtu shërbeu si anëtar bordi i grupeve të ndryshme të instituteve kërkimore dhe instituteve kërkimore. Ai ishte kryetar i Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës dhe gjithashtu shërbeu si anëtar i komitetit redaktues për revista shkencore, profesionale dhe kulturore. Ai është autor dhe bashkëautor i disa botimeve dhe dhjetëra artikujve dhe eseve. Libri i tij i fundit Sjećanje, povijest, identitet (Kujtesa, Historia, Identiteti) u botua në fillim të këtij viti nga Shoqata Filozofike Kroate në Zagreb (Kroaci). / KultPlus.com
(Në kujtim të monumentit më të madh kulturor shqiptar, që u vra mizorisht më 2002).
Në kafenenë “Te Rrema”, për vite të tëra, kishin pirë kafenë e mëngjesit. U pëlqente të uleshin në tavolinën skaj dritares, nga, si në pëllëmbë të dorës, shihej pjesa më e madhe e qytetit që shtrihej kundruall Kodrës së Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, që ngrinte krye sa më lart për të treguar hijeshinë dhe elegancën e vet në atë fushgropë, tash i lënë shkretë dhe i përdhosur me lloj-lloj reklamash, mbizotëronte gjithë atë fushëpamje, së cilës i kishte humbur harmonia.
Dhe, në atë kënd me soditje tepër pikëlluese, pirja e kafesë përherë shoqërohej me ndonjë bisedë rasti, nga ato që merreshin si çështje kote, siç ishte shpjegimi i ëndrrave, ankesat për gjumin e parehatshëm të natës, për t´u sjellë pastaj te ndonjë ndeshje futbolli që jepej në ekran ( të shumtën nga ato të ligës gjermane) dhe të ngjashme, ku mund të kishte vend për çmos, por jo edhe për gratë dhe politikën.
Që të mos flisnin rreth grave dhe politikës, që moti kishin rënë në ujdi, ngaqë prej vitesh bënin jetë vejanësh (njërit i kishte vdekur gruaja shumë herët, ndërsa tjetrit i kishte ikur me një kushëri, diku jashtë, dhe e kishte lënë me borxhe deri në fyt). Kjo vlente edhe për ato që i merrnin si përçapje të pavlefshme politike, sepse që të dy kishin qenë gazetarë shumëvjeçarë të rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, ku ishin rritur dhe e kishin pasur pjesë jete të pandashme, me të cilën krenoheshin, por që me mbylljen e saj, që e shihnin si një vrasje me paralajmërim, që i ishte bërë, jo vetëm nga moria e mediokërve, që për arsye të njohura silleshin vërdallë nëpër të dhe që prisnin t´u vinte çasti t´i hakmerreshin ( ata përherë ishin ndjerë inferiorë kundrejt elitës së saj profesionale, e cila me të drejtë kishte gëzuar edhe trajtimin e elitës shoqërore që në çaste vendimtare do t´u prijë proceseve të ndryshimeve historike, nëpër të cilat ishte kaluar) – por edhe ngaqë ajo në kohët kalimtare, që do të vinin më pas, ngjashëm do të shihet me smirë edhe nga ata, të cilët kishin dëshiruar që kalimtaren ta mbanin sa më gjatë, mundësisht përgjithmonë, sepse vetëm ashtu rrinin në atë syprinë të sipërfaqshme, në ç’mënyrë edhe përfitonin. Dhe, ishte e natyrshme që një gazetë e vlefshme, me autoritet dhe traditë, do t´u pengonte të krijonin ato opinione të rreme, siç i kishin krijuar, pa ngurruar edhe të vetëshpalleshin ata që nuk ishin, të vetëdekoroheshin dhe të përhapnin broçkulla të panumërta, që zotëronin skenën politike dhe kishte rrezik që, në saje të gazetave, të cilat me parashtesa e prapashtesa të shtypit të lirë dhe atij gjithëkombëtar, që mbinin si kërpudhat pas shiut, të kthehej e gjitha në një farsë tragjikomike të mashtrimit me anën e imitimit të idealeve të nëpërkëmbura, të cilat jo vetëm që nuk ishin përmbushur, siç thuhej me mburrje vend e pa vend, por ato edhe më tutje mbeteshin të hapura e, madje, për ta edhe të shpërfillura…
Por, të pije kafe në një kafene përherë të mbushur me të tillë që qejfin e kafesë përherë e mëlmonin me thashethemet rreth grave dhe me përçapje politike nga më të pabesueshmet, ku secili dinte më shumë se tjetri dhe ishte në gjendje t´u jepte aty për aty përgjigje që të gjitha çështjeve, qofshin edhe të atilla që u duhej edhe një jetë e tërë studimesh, ishte pak e vështirë. Këtë e dinin fare mirë që të dy gazetarët e dikurshëm të “Rilindjes”, të cilët ishin të vetëdijshëm se duke përjashtuar nga bisedat e tyre gratë dhe politikën, nuk bënin asgjë tjetër veçse ikjen e kohës dëshironin ta fshihnin disi me ato që më së shumti u mungonin, e kjo paraqiste një sjellje të panatyrshme, po që ata nuk dëshironin ta ndryshonin, pikërisht pse ashtu shfaqnin një mospajtim të brendshëm ndaj humbjeve të pakthyeshme, që njëherësh paraqiste një kundërshti ndaj atyre që në të vërtetë ndodhnin dhe me të cilat ata, jo vetëm që nuk pajtoheshin, por, për më tepër, as nuk dëshironin të kishin të bënin. E gjithë kjo i sillte në një gjendje që shumica e të tjerëve t´i shikonin ndryshe: si të çekuilibruar nga dëshpërimi, e madje edhe të krisur fare, por që askush nuk ua vinte veshin, ngaqë merreshin si fatkëqij që nuk kishin qenë në gjendje, ose nuk kishin ditur t´u përshtateshin rrethanave të reja ( krejt njësoj), fatin e zi të të cilëve, si për gjithçka tjetër, e merrte përsipër koha, e cila një ditë do t’i vilte nga kjo botë për të mos qenë më dhe për t’i vendosur në labirintet e harresës…
Dhe, dita që ata nuk do të ishin më, sado tragjike, do të vinte sikur të ishte e paralajmëruar, meqë edhe njëri edhe tjetri do të gjenin vdekjen në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë, mu në të hyrë të kafenesë “Te Rrema”, ku ata për vite të tëra, në të njëjtën tavolinë, që kapte shikimin kundruall Bregut të Diellit, ku Pallati i dikurshëm i “Rilindjes”, i lënë shkretë, edhe më tutje mbizotëronte gjithë atë pjesë që i kishte humbur harmonia, pinin kafenë e mëngjesit dhe bënin ato bisedat e rëndomta, nga përjashtoheshin gratë dhe politika, por që vdekja e të parit kishte ndodhur nga përplasja e drejtpërdrejtë e një makine, që asnjëherë nuk ishte shpjeguar si duhej, pse kishte dalë nga ana e djathë në të majtë (kur nuk kishte pasur ndonjë makinë tjetër që t´i vinte nga ana tjetër, si dhe hamendje të ngjashme) me ç´rast ai ishte qëlluar për vdekje, ndërkohë që tjetri, po ashtu kishte vdekur thuajse nga po ai aksident, nga pasojat e vërtitjes së makinës në shtyllën elektrike, me ç´rast ajo ishte shkëputur dhe e kishte qëlluar për vdekje.
Fatkeqësia e tyre, që gjatë gjithë viteve të fundit i kishte bashkuar kafja e mëngjesit në kafenenë “Te Rrema”, ditën kritike, kur nuk do t´ia dilnin të pinin kafenë e pritur, ngaqë ishte shfaqja e asaj makine që thuajse pa shkak kishte kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe me shpejtësi të madhe ishte përplasur aty ku para kafenesë kthesa e rrugës merrte një kah të ashpër, dukej sikur të kishte qenë një kurdisje tragjike e fatit, që as ata, po qe se do të pyeteshin, nuk do ta kundërshtonin, sepse nuk mund të merrnin me mend ndonjë fund tjetër përveçse të përbashkët, sy botës dhe të rrufeshëm, që i kursente prej mundimeve të sëmundjeve dhe veçmas prej pleqërisë, e cila u kishte trokitur në derë, por që në ato rrethana të jetës pa dinjitet, pushtetin e saj nuk e donin. Këtë madje do ta bëjë të ditur edhe pronari i kafenesë, i cili ishte ndër të paktët që kishte pasur mirëkuptim po edhe nderim për mysafirët e përhershëm, jo vetëm pse dikur kishte qenë lexues i tyre dhe ua kishte vlerësuar shkrimet, por edhe pse ata ishin të vetmit që kafenë nuk e pinin për qejf dhe të përcjellë me gjithfarë thashethemesh, siç ndodhte me shumicën e myshterinjve, por e pinin për ta ngushëlluar njëri-tjetrin në pritje të asaj që do t´i gjente dhe e dinin se ishte e pashmangshme, me çka mund të nxirrej përfundimi se ishin pajtuar vullnetarisht…. Këtë mendim madje pronari i kafenesë ua kishte thënë edhe hetuesve, kur kishin kërkuar prej tij të dinin se mos myshterinjtë kishin shfaqur shenja të ndonjë prirjeje vetëvrasëse, me çka atij sikur i kishte lindur dyshimi se dikush dëshironte t´i linte fajtorë në vend se të hulumtonte gjithë të vërtetën e tragjedisë, që kishte ndodhur sy botës.
“Nuk ka qenë vetëvrasje, por vrasje”, kishte thënë ai.
Dhe, për ta forcuar këtë bindje kishte treguar diçka nga biseda e fundit, të cilën e kishin bërë ata një ditë më parë, derisa pinin kafe dhe që e kishte kapur kur ai që do të qëllohej i pari nga vetura dhe do të mbetej në vend i vdekur, kishte folur për një ëndërr, që nuk ishte i sigurt në ishte ëndërr e mirëfilltë apo ankth ( kjo as që kishte rëndësi), por që në atë ëndërr apo ankth ishte shfaqur një veturë e kuqe e një marke gjermane (e njëjtë me atë që të nesërmen do ta qëllonte) dhe madje ia kishte mbajtur mend edhe numrin e targës ( ishte targë e njëjtë me atë të veturës që e kishte qëlluar), ndërkohë që ai tjetri e kishte shënuar me gisht në telvenë e kafesë, por që kishte thënë se vetura e ëndrrës apo ankthit, e cila do të shfaqet të nesërmen, për habi, drejtohej pa njeri…
Biseda e tyre e mëtejme, që ua kishte përshkruar hetuesve, kishte qenë kjo:
“Epo, këto i kanë ëndrrat. Sepse, po të mos u mungonte diçka, atëherë nuk do të merreshin për të tilla, por si realitete…”
“Kam përshtypjen se nuk ishte ëndërr, meqë çdo gjë ishte në përputhje me realitetin”.
“Po të ishte ashtu, atëherë sot nuk do të ishe këtu. Nuk do të pije kafe”.
“Kush e di. Mund të jetë kjo kafeja e fundit?…Pse jo…”
“Mund të jetë, siç kanë qenë që të gjitha deri më tani dhe këtu nuk ka asgjë të papritur”.
“E, pra, paralajmërimi është paralajmërim…”
“Duhet të kuptohet drejt…”
“Duhet, posi…”
“Duhet…”
“Sepse, nuk vjen kot…”
“Por, ç´e do që atij nuk mund t´i iket…”
“Këtu duhet parë çështjen e të pashmangshmes…”
“Ah, le të vijë sa më parë…”
“Le të vijë…”
“Le të vijë…”
“Ne po e presim…”
“Po pra. Po e presim…”
Në fund, pronari i kafenesë i kishte deklaruar policisë se kishte përcjellë ndarjen e tyre të heshtur me një parandjenjë frike, siç kishte parë dhe përcjellë edhe atë që kishte ndodhur të nesërmen para syve të tij dhe nuk kishte qenë në gjendje t´u besonte, pse ndodhjen e asaj ngjarjeje pikë për pikë e kishte dëgjuar një ditë më parë prej tyre. Dhe, kjo kishte bërë që në mendje t´i ngatërrohej fare ngjarja me paralajmërimin, sa të mos jetë në gjendje të shpjegonte, kur, në të vërtetë, kishte ndodhur e njëmendta? Një ditë më parë?…Atë ditë?… Apo, qëmoti?…
(Nga libri me tregime “Jeta lakuriqe”, Prishtinë 2009) / KultPlus.com
Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj po e bën ëndrrën realitet duke organizuar në Kosovë festivalin “Rame Lahaj International Opera Festival.
Ky festival shënon sivjet edicionin e parë dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Lahaj përmes një postimi në Facebook jep detaje për këtë festival duke thënë se lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse në mes të skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Festivali Ndërkombëtar “Rame Lahaj International Opera Festival “, lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse mes skenës Kosovare dhe asaj ndërkombëtare.
Duke patur parasysh që Kosova dhe rajoni ka talentë të mrekullueshëm, ishte e domozdoshmeri një iniciativë e tillë e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Komunes së Prishtinë, Ministrisë së Kultures dhe Filharmonise së Kosoves. Në 2019, të gjithë të përmendurit themeluan koncertin “Rame Lahaj & Friends “ me idenë per tu zhvilluar me tutje në një Festival dhe Fondacion në fokus të artistëve të rinj, të artit dhe të kulturës në përgjithësi por mbi të gjitha për të promovuar Kosovën dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare .
Rrugetimi i Z.Lahaj eshte krejt i pazakontë. Pas studimeve, ai nis krejt rastesisht eksperimentimin mbi muzikën në moshën 21 vjecare, për tu bërë më pas një nga tenorët më të spikatur për timbrikën e tij vokale dhe një nga këngëtarët më prominent në gjeneratën e tij.
Rame Lahaj është artisti i parë në Kosovën e para dhe të pas luftës, i cili ka performuar në skenat më të rëndësishme të arenës ndërkomëtare në botën e Operës, përkrah emrave të mëdhenj si legjendari i Operes Placido Domingo, i cili e ka vlerësuar me Cmimin e Festivalit më prestigjoz e më të rëndsishemë operistik “Operalia “ në 2016.
Në dekadën e parë të karrierës së tij ndërkombëtare, Z. Lahaj ka interpretuar në teatrot më prestigjioze si: Royal Opera House Covent Garden, Semperoper Dresden, Paris National Opera, Gran Teatre del Liceu, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, Balshoi Theater Moscoë, Opera Australia, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Haus Fur Mozart – Salzburg, Arena di Verona, La Monnaie de Munt, Staatsoper Berlin, Staatsoper Hamburg, Polish National Opera, Hungarian State Opera, Oslo Opera House, Finnish National Opera, Teatro Massimo di Palermo, e të tjera.
Z. Lahaj është dekoruar me Medaljen e Presidentit të Republikës së Kosovës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, me motivin “Afrimi i Kosovës në Arenën Ndërkombëtare përmes Artit Operistik“. Ai është dekoruar edhe nga Kryeministri i Kosovës, me titullin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu“ dhe njëherit ështe shpallur “Ambasador Global i Kulturës së Kosovës në Botë“. / KultPlus.com