Ka vdekur në moshën 65-vjeçare ish-futbollisti i Prishtinës, Shefqet Sinani, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës që i ka shprehur familjes ngushëllime.
Sinani ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet e 80-ta.
Ish-mbrojtësi i majtë ishte pjesë e klubit nga kryeqyteti për dhjetë vjet, 1977-1987. Kishte mbyllur karrierën në moshën 31-vjeçare me më shumë se 300 ndeshje të zhvilluara.
“Shefqet Sinani gjithmonë do të kujtohet me pietet dhe do t’i përkulemi karrierës së tij madhështore, e cila pa dyshim do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollist të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të FFK-së.
Sinani ka qenë i angazhuar edhe në FFK si koordinator në një projekt të gjeneratës U-15. / KultPlus.com
Shtetndërtimi i Kosovës, i mbështetur mbi formulën e barazisë në federatën e atëhershme jugosllave, që praktikisht do të thoshte çlirim nga zgjedha serbe, fillon me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, për t’u kurorëzuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor. Këto demonstrata, ku për herë të parë doli në pah kërkesa për Republikën e Kosovës, ua hapën rrugën ndryshimeve të mëdha që u pasqyruan me themelimin e Universitetit të Kosovës në Prishtinë në vitin 1970 si dhe institucioneve të tjera kombëtare, prej nga u ngrit brezi i një inteligjencie arsimore, kulturore dhe politike që mori përsipër proceset e mëtutjeshme të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës në federatën jugosllave, që do të sanksionohen me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.
Organizatorët e këtyre demonstratave do të mbesin në histori si pjesë e një mekanizmi, që vuri në lëvizje ndryshimet historike, që vazhduan në vitin 1981, në vitin 1989, 1997, 1999 për t’u kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. / KultPlus.com
Një protestë masive ishte paralajmëruar për ditën e sotme për të kundërshtuar masat e Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19.
Një organizatë e ashtëquajtur si “Zëri i Popullit” bënte thirrje për dalje masive në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat e reja që pritet të hyjnë sot pasdite në fuqi.
Por, nga protesta masive e cila përcillej me foto të protestave politike, në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës u shfaq vetëm një qytetar dhe dhjetëra gazetarë.
Dështimi i protestës të sotme vjen si shkak që gastronomët janë distancuar nga kjo protestë. / KultPlus.com
Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë ka njoftuar sot se nga data 9 nëntor e deri më datë 13 nëntor do të qëndrojë e mbyllur, përcjellë KultPlus.
Objekti i bibliotekës do të qëndrojë i mbyllur për shkak të punimeve që do të bëhen në objekt (renovimi i dyshemesë).
Ky vendim për mbyllje të objektit ka ardhur në bashkëveprim me drejtorinë e kulturës së komunës së Prishtinës, drejtorinë e bibliotekës, menaxherëve të projektit dhe operatorit punues. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se edhe përgjatë muajit nëntor do të ofrojnë shërbime falas për mamografinë Qendrat Klinike Familjare të kryeqytetit.
“Gjatë muajit tetor kemi ofruar shërbime falas të mamografisë për të gjitha gratë e Komunës së Prishtinës. E këtë shërbim po e vazhdojmë edhe gjatë muajit nëntor”, thuhet në postimin e Komunës.
“Eja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për kontrolla rutinore dhe informim sa më mirë për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj”.
Ndryshe, muaji tetor njihet si muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Sot në ora 20:00 në teatrin ODA në Prishtinë, shfaqja “Balava”, prodhuar nga Heartefact Fund në Beograd hapë edicionin e tretë të Kosovo Theater Showcase, përcjellë KultPlus.
Për pesë ditë me radhë, në kuadër të Kosovo Theater Showcase do të organizohen shfaqje të prodhuara nga teatrot lokale dhe ato të rajonit [Qendra Multimedia, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt, Teatri “Metropol” në Tiranë, Integra në Prishtinë si dhe Heartefact Fund në Beograd].
Përgjatë pesë ditëve do të organizohen edhe ngjarje të tjera me qëllim rrjetëzimin e profesionistëve vendorë të teatrit me mysafirët e Showcase-it të cilët janë punëtorë ndërkombëtarë teatrorë (regjisorë, përzgjedhës festivalesh, aktorë etj.) Poashtu, do të organizohen dy panele diskutimi:
Njëri më 28 tetor duke filluar nga ora 11:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, mes aktoreve të njohura serbe Mirjana Karanovic dhe Jasna Duricic. Tjetri më 30 tetor duke filluar nga ora 10:00 në Teatrin ODA, ku do të flitet për gjendjen e teatrove para, gjatë dhe pas pandemisë si dhe do të prezantohet raporti i hulumtimit në lidhje me gjendjen e teatrove lokale në Kosovë. Në këtë diskutim do të na bashkohen Vlora Dumoshi, Ministre e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Florent Mehmeti, drejtor ekzekutiv në Teatrin ODA dhe Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Diskutimi do të moderohet nga Shaban Maxharraj, gazetar për kulturë dhe autor i hulumtimit. / KultPlus.com
Janë tri sheshe kryesore në Prishtinë, minibiblitekat e të cilave po rivitalizohen dhe tani do të quhen minibiblioteka “Musine Kokalari”, minibiblioteka “Ali Podrimja” dhe minibiblioteka “Sartri & Simone”.
Gjithçka filloi në fundvitin 2019. Kryeqyteti i Kosovës brenda 3 muajve u bë me 12 lokacione të reja të librit. Në sheshet, parqet dhe lagjet kryesore u hapën minibibliotekat përmes së cilave u mundësohej qytetarëve leximi i librave përgjatë qëndrimit në hapësira publike dhe shkëmbimi i librave nën moton “sill një libër – merr një tjetër”.
Ndonëse në fillim, hapja e minibibliotekave u vlerësua nga qytetarët, megjithatë bibliotekat e vogla konstant u vandalizuan, u vodhën dhe u shkatërruan duke u nxjerrë kështu pothuajse të gjitha jashtë funksionit të tyre.
Kështu, shkatërrimi i tyre nxiti organizatat dhe institucionet partnere që, përveç rifunksionalizimit të organizoheshin edhe për prurje të reja në minibiblitoeka, duke i bërë këto të fundit edhe më domethënëse.
Së fundmi, organizata ETEA ka njoftuar se partneritetit të organizatave dhe institucioneve që mundësuan hapjen e 12 minibiblitoekave, i është bashkuar edhe “Mural Fest”, me ç’rast tanimë ka filluar rivitalizimi i 3 minibibliotekave të shesheve kryesore në Prishtinë.
Minibiblioteka në Sheshin “Ibrahim Rugova” tani mban portretin dhe emrin e shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Portretin dhe emrin e Ali Podrimës e mban minibiblioteka në Sheshin “Adem Jashari”. Ndërsa, Simone de Beauvoir dhe Jean Paul Sartre janë portretizuar në minibibliotekën e vendosur në parkun “Heroinat”.
Derisa puna po vazhdon në rivitalizimin e plotë të objekteve, organizata ETEA njofton se së shpejti do të bëhet edhe rimbushja me libra dhe kështu minibibliotekat do t’i rikthehen lexuesve, përderisa nuk përjashtojnë rrezikun se të njëjtat prap do të jenë cak i vandalëve me ç’rast bëhet thirrje ndaj organeve gjegjëse që të jenë më të kujdesshme në raport me pronën dhe të mirën e përbashkët qytetare.
Minibibliotekat janë mundësuar nga bashkëpunimi mes organizatës ETEA, Kuvendit Rinor të Prishtinës, Librarisë Dukagjini, Forumit për Iniciativa Qytetare, Komuna e Prishtinës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe së fundmi këtij partneriteti i është bashkuar edhe Mural Fest. / KultPlus.com
Një grua shtatzënë nga Prishtina është sulmuar mëngjesin e sotëm nga qentë endacakë, derisa po kthehej nga çerdhja e fëmijëve në shtëpi. Ajo ka deklaruar se qentë i kanë shkaktuar plagë në bark dhe në pjesën e këmbëve
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
29-vjeçarja Besnike Beqiraj e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënësisë ka deklaruar se është sulmuar nga rreth 10 qenë. Ajo ka thënë se është rrëzuar si pasojë e sulmit të qenve dhe nuk ka mundur të ikë.
“Në ora 08:00 të mëngjesit, duke u kthy prej çerdhes së fëmijëve, duke u kthyer në shtëpi, është një pjesë ku rrijnë vazhdimisht qentë. Aty afër një shtëpie të pabanueshme më kanë sulmuar thuajse 10 qenë. Më kanë sulmua shumë tepër, më kanë rrezua, nuk kam mundur me ikë, kur ka dashur të më humbë vetëdija s’kam mundur të bëj asgjë, jam shtatzënë, në muajin e 6-të, s’ka pasur kalimtarë nuk më ka dëgjuar askush”, ka deklaruar Beqiraj.
Ajo ka deklaruar se ka shumë plagë të cilat po i shkaktojnë dhimbje të mëdha.
“Kam shumë dhimbtë, kam shumë plagë, jam shumë e lënduar, plagët i kam prej pjesës së barkut e poshtë. Këta të komunës as nuk vinë me e pa, aty rrinë goxha shumë qenë dhe fëmijët rrinë andej. Kam pak qetësim të dhimbjeve sepse jam duke marrë terapi, por i kam dhimbjet shumë të forta, pjesën e këmbëve e kam krejtësisht të kafshuar”, ka thënë ajo për gazetën Objektiv, transmeton KultPlus.
Doktoresha Krenare Makolli ka deklaruar se pacientja është sulmuar kryesisht në pjesën e këmbëve.
“Pacienten e kemi pranuar sot në mëngjes, sigurisht për shkak të gjendjes së saj pasi është shtatzënë është një gjendje më e jashtëzakonshme se rastet tjera. Kafshimet e qenve janë bërë problem i madh, zonja ka qenë e shqetësuar, është konsultuar gjinekologu, janë pastruar plagët, për momentin është stabile por e shqetësuar po. Ka plagë në ekstremitete, kafshimet e qenve mund të bëjnë plagë jo të qarta. për momentin i jepet ndihma e parë e pastaj shkojmë me procedurat tjera që do t’i ndjekë në javët e ardhshme”, ka thënë Makolli.
Ndërkohë, edhe një banor i lagjes ka deklaruar se e ka dëgjuar gruan duke bërtitur, në momentin kur është sulmuar nga qentë.
“Kam qenë duke e renovuar shtëpinë, e kam dëgju poterën e qenve, për nja 30-40 qenë, ka bërtitë një grua, nuk e kam pa por e kam dëgju. S’është hera e parë që ndodh kjo, e kemi lajmëruar policinë dhe komunën por nuk vijnë”, ka thënë ai. / KultPlus.com
Zëri i mrekullueshëm i Linda Rukaj dhe tingujt që do të dalin nga kontrabasi, kitara, piano dhe kalimba do të shfaqen para publikut sonte në koncertin e Dam Festival, në KinoArmata duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.
Në mesin e shumë artistëve të cilët janë duke i falur çaste të paharrueshme dëgjuesve në edicionin e 15-të të Festivalit Dam është edhe këngëtarja, kompozitorja dhe multi-instrumentistja Linda Rukaj.
Nga kontrabasistja e parë femër e jazz-it në Shqipëri, publiku prishtinas do të ketë rastin të dëgjoj repertorin e larmishëm, duke pasur ndërthurje të muzikës jazz, pop, folk dhe këngë franceze.
Rrugëtimin e saj muzikor Rukaj e ka nisur në moshën 6 vjeçare, për t’u bërë një artiste që ka shkelur skenat muzikore të Parisit dhe më gjerë duke përfshirë “Balkan Trafic”, “Les printemps sonores”, “Festival des Balkans”, “Jazz Club Etoile”, “La Seine Musicale”, “Zénith d’Orléans”, TEDx Tirana, Festivali Kombëtar i Radio Televizionit Shqiptar./KultPlus.com
Rinës, vajzës 16-vjeçare me nevoja të veçanta, gjatë pandemisë nuk i është lejuar mbajtja e mësimit online në shkollën e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë.
Me gjithë insistimin e nënës së Rinës, zonjës Fetije Jashari, për t’u kyçur vajza e saj në mësim, në mënyrë që mos ta humbë vitin shkollor, asaj i është mundësuar vetëm disa herë mbajtja e mësimit me nxënësit e tjerë.
“Fëmija im është me nevoja të veçanta dhe nuk mund ta ndryshoj. Kam insistuar shumë dhe u kam shkruar gjithë arsimtarëve në grup, por përgjigjja e tyre ka qenë ‘edhe po të mos ishte kyçur në mësim online, nuk ka pasur ndonjë rëndësi për të’. Unë u thashë që do ta humbte vitin”, thotë Jashari.
“Është vështirë të jetosh me një fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë, por shpresoj që do të jem unë ajo që do të mund të ndryshoj diçka, në çfarëdo mënyre qoftë”, shton ajo.
Blerim Gërvalla, zëvendësdrejtor në shkollën e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informata të sakta nëse fëmijët janë penguar të kyçen online në mësim në kohë pandemie, por që siç tha ai se ka mundësi që nuk i kanë lejuar për arsye se ndonjë fëmijë ka penguar procesin mësimor.
“Gjithçka varet nga shkalla e dëmtimit të fëmijës. Te ne në shkollë e kemi një me shkallë më të lartë të dëmtimit dhe ai ka plan individual. Këtë vit i kemi shtatë fëmijë me nevoja të veçanta. Por, pse nuk janë kyçur online, nuk e di”, tha ai.
Leonora Shabani-Bajraktari, aktiviste për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, njëherësh bashkëthemeluese e organizatës Down Sindrom Kosova, tha për Radion Evropa e Lirë se fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë kanë qenë dhe janë grup i margjinalizuar.
Kjo sipas saj u pa edhe gjatë pandemisë, ku ankesat e shumta të prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta kanë pasur të bëjnë me moslejimin që këta fëmijë të kyçen në mësimin online.
“Rasti i Rinës ka qenë një prej fëmijëve që nuk i kanë lejuar të mbajnë mësim online. Me rifillimin e mësimit në objekt, ajo ka hezituar të shkojë në shkollë, pikërisht për shkak se ka dalë nga rrjedhat mësimore, për faktin se një kohë të gjatë nuk është kyçur në mësim. Por, mësimdhënësit nuk e kanë parë të arsyeshme që ajo të marrë pjesë në mësim”, tha Bajraktari.
Vullnetarë në shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta
Ndryshe, shkollat e Kosovës nuk kanë mësimdhënës mbështetës për fëmijët me nevoja të veçanta që ua siguron sistemi arsimor. Nëse individualisht ndonjë fëmijë ka pasur asistentë, prindërit e tyre është dashur që me mjetet e veta të paguajnë deri në 150 euro në muaj, në mënyrë që fëmijën e tyre ta asistojë edhe një mësues shtesë.
Në Kuvendin e Kosovës, kohë më parë, shumica e deputetëve nuk e patën përkrahur një amendament për fëmijët me nevoja të veçanta, ku kërkohej që ata të kenë në shkolla asistentë shtesë, psikologë e pedagogë në çerdhe.
Ndonëse me ligj, shteti i njeh ata si të barabartë me fëmijët tjerë, vetë shteti, sipas organizatave për të drejtat e fëmijëve, nuk ka ndarë ndonjë buxhet për nevojat e asistencës.
Leonora Shabani-Bajraktari thotë se duke u thirrur në Ligjin për vullnetarizëm, ka shfrytëzuar mundësinë që të mbledhë studentë të Fakultetit të Edukimit, Psikologjisë, Logopedisë si dhe të Punës Sociale, që t’i ndihmojnë fëmijët me nevoja të veçanta, duke i asistuar në klasë dhe njëkohësisht ata të përfitojnë nga praktika e tyre profesionale. Këtë iniciativë është duke e ushtruar që nga viti shkollor 2017-2018.
“Nuk kemi ende mësimdhënës mbështetës e as asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta të punësuar nga Ministria e Arsimit në shkolla. Andaj unë tash e tre vjet kam angazhuar 250 vullnetarë që kanë asistuar nga gjashtë muaj për fëmijët me nevoja të veçanta. Aktualisht janë 40 vullnetarë asistentë, që punojnë në klasa së bashku me mësimdhënës”, tregon Bajraktari.
“Këto vajza, e që gjitha kanë rastis të jenë vajza, kanë nevojë për praktikë profesionale, derisa fëmijët kanë edhe më shumë nevojë që të kenë afër vetes një të rritur, e që pa diskutim edhe prindërve u është lehtësuar, meqë më parë kanë paguar me mjetet e tyre vetanake asistentë për fëmijë”, shton ajo.
Njëra nga vullnetaret, Nesa Baruti, studente e vitit të dytë në degën e Psikologjisë, po e asiston një fëmijë me nevoja të veçanta në Gjakovë, ku edhe jeton. Ajo thotë se familja e fëmijës është shumë falënderues për faktin se një barrë të cilën e kanë pasur, pra pagesa për asistenten me mjete vetanake, iu është hequr si barrë.
“Unë po punoj vullnetare në shkollën fillore ‘Mustafa Bakija’ në Gjakovë, me një fëmijë me nevoja të veçanta, hiperaktivitet e ngecje mendore. Fillimisht jam njoftuar me fëmijën dhe gjithë familjen. Kanë qenë shumë të mirë. Fëmija që unë e ndihmoj, me kalimin e kohës është mësuar dhe tash është shumë i dëgjueshëm, falë mbështetjes. Fillimisht e kam mësuar që të mbajë shënime, e që është një sukses për të”, tha ajo.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, janë gjithsej 42 mijë fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë, ku vetëm pesë mijë prej tyre janë të kyçur në procesin mësimor./ radioevropaelire/ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës do të bëjë lansimin e brendit dhe platformës informuese të kryeqytetit, prezantimi i së cilës do të ndodh nesër në KinoArmata, shkruan KultPlus.
Kombinimi brend-platformë do të bashkoj përvojat, kujtimet dhe fotografitë, duke përfshirë kulturën, arkitekturën, kuzhinën, mikpritjen dhe shumë gjëra të tjera rreth qytetit pa lum.
“Ne kemi vendosur të krijojmë platformën zyrtare të brendit turistik dhe informues të Prishtinës; një platformë ku banorët e pasionuar do të ndajnë historinë e tyre, pamjet piktoreske dhe dashurinë e tyre të ndërsjellë për Prishtinën”, thuhet në njoftimin e KinoArmatës.
Prezantimi i brendit dhe platformës do të bëhen nesër në KinoArmata duke filluar nga ora 11:00, nën respektimin e masave anti-covid./KultPlus.com
Para një numri të madh adhuruesish të kinemasë dhe aventurës malore është hapur sonte festivali i Filmave Malorë BANFF. BANFF Kosovo është festival i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, që erdhi në Prishtinë nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada për të shfaqur një përzgjedhje filmash që kanë për qëllim të promovojnë sportet malore, aventurën në natyrë dhe avanturistët më të mëdhenjë të natyrës në botë.
“Donim ta sjellnim adrenalinën e majave më të larta në qendër të qytetit. Përmes syve të regjisorëve më të mirë të filmit do të ndajmë me ju histori frymëzuese nga pikat më të larta dhe më sfiduese të Tokës duke shpresuar t’u motivojmë të eksploroni dhe t’i përjetoni më shpesh mrekullitë e planetit tonë” – është shprehur në fjalën e tij të hapjes, drejtori i festivalit Besnik Shala.
“Vijmë në Prishtinë të mbështetur nga një komunitet fantastik i aventurës në natyrë, kurse ndjehemi tejet të lumtur që ky entuziazëm është treguar edhe në nivel institucional, dhe kjo është treguar nga mbështetja që kemi marrë dhe nga prezenca juaj sonte’ – ka thënë ai, duke e përshendetur prezencën e Kryeministrit Hoti, Ambasadorit Rhode të Gjermanisë si dhe reprezentuesve tjerë institucional që ishin në hapje të BANFF.
RED Programme që u shfaq sonte me 7 Tetor, hapi festivalin me një përmbajtje filmash ku trajtohet çiklizmi malor, vrapimi, surfi, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.
Të 16 filmat që shfaqen në Prishtinë me 7 dhe 8 tetor janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Kanadanë, Amerikën, vende te ndryshme Skandinave, Letoninë, Afrikën e Jugut, Francën, Austrinë dhe vende tjera nga mbarë bota.
BANFF Mountain Film Festival organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë cdo vit që nga viti 1976. Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgaditet për tu shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. Prishtina është për herë të parë nikoqire e këtij festivali në rajon.
Kjo është një ngjarje e kulturës, artit, sportit dhe aventurës, që organizohet nga Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet Ambasada Kanadeze në Kroaci, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Red Bull Kosova./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës se bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, nesër shënon ditën botërore të ecjes me qëllim që ti inkurajoj njerëzit që të zgjedhin mënyra aktive të lëvizjes ose të kombinojnë ecjen, vrapimin dhe çiklizmin, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e Komunës së Prishtinës është bërë e ditur se të dielën nga ora 10:00 e deri në orën 16:00 do të organizohet ecje në Parkun e Gërmisë.
Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:
Ditën Botërore të Ecjes TAFISA këtë fundjavë po e shënojmë në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) me një fushatë që ka për qëllim inkurajimin e njerëzve që të zgjedhin mënyra aktive të lëvizjes ose të kombinojnë ecjen, vrapimin dhe çiklizmin.
Të dielen, me 4 tetor prej orës 10:00 deri në orën 16:00 do të organizojmë ecje në Parkun e Gërmisë. Vendtakimi është hyrja e Parkut, para pishinës.
Alternativat e ndryshme të lëvizjes active duke minimizuar përdorimin e automjeteve sjellin përfitime të mëdha shëndetësore, mjedisore e ekonomike.
Të ecim, të çiklojmë e të vrapojmë bashkë! Për shëndetin tonë dhe të mjedisit ku jetojmë!/ KultPlus.com
Pas një kohe të gjatë pa teatër, regjisori Kushtrim Mehmeti, aktorët dhe instrumentistët sollën mbrëmë teatrin në Parkun e Qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Bazuar në veprën “Komedia hyjnore” të Dante Aligerit, Mehmeti solli para publikut shfaqjen “Ferri”.
Të pranishmit e cilësuan shfaqjen si një shëtitje në “”ferr”: Dje në mbrëmje hymë dhe dolëm nga “Ferri” i regjisorit Kushtrim Mehmeti u shprehen të pranishmit.
Regjisori ka falënderuar të gjithë ata që punuar për tre muaj që “Ferri” të realizohej. Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Skenderajt, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com
Ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e të mbush sallën plot, por situata e shkaktuar nga Covid-19 mbylli teatrin e kështu la pezull programin e planifikuar. Por në muajin qershor, shfaqja “Zgjimi i Pranverës” erdhi si premierë e mbyllur në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.
Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë bëri që shfaqja të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Ndërsa publiku i gjerë nuk pati fatin ta shohë.
Por, kësaj pritje i erdhi fundi. Teatri Kombëtar i Kosovës hapë dyert për publikun pas një pauze disa mujore me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës” e cila vjen në bashkëpunim me Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet.
Më 5 tetor, në ora 20:00, shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” nga autori Frank Wedekind e me regji dhe adaptim të regjisores Zana Hoxha do të ja kthej gjallërinë teatrit edhe pse numri i ulëseve është i kufizuar.
Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.
Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.
Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.
Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.
Kujtojmë që para pak ditësh shfaqja “Zgjimi i Pranverës” u vlerësua si “Shfaqja më e mirë”, duke u shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.
Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës./ KultPlus.com
Për nder të shënimit të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, rrugëtimin nëpër qytetet e Kosovës e ka përfunduar në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
Muzeu lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’ në mëngjesin e ditës së sotme ka zbarkuar në qytetin e Prishtinës historinë e tij, ku përmes fotografive dhe dëshmive tjera arkivore shpalosë momentet më të rëndësishme që nga koha kur është shpallur kryeqytet.
Aktiviteti për shënimin e këtij përvjetori fillimisht nisi me hapjen solemne të muzeut në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ dhe nën tingujt e bendit frymor të filarmonisë së Kosovës. Në ceremoninë e hapjes drejtoresha ekzekutive e UBSHR-së, Andriola Kambo tha se unioni i bashkive shqiptare ka për qëllim integrimin e vendeve me njëri tjetrin, në mënyrë që rrugëtimin drejt familjes së madhe të Bashkimit Evropian ta bëjnë së bashku.
“ Në fakt unioni i bashkive shqiptare në rajon si qëllim ka integrimin me njëri tjetrin që ne të vazhdojmë drejt BE te familja e madhe ku ne aspirojmë të jemi pjesë, me shekuj. Sot kemi sjellë një copëz të Tiranës, kemi sjellë sheshin Skënderbe. Sheshi simbol i shqiptarëve që çdo gurë i sheshit Skënderbe ka një histori, histori që në fakt ka thelb dhe për të ju rikthyer historisë tonë kombëtare ne gjithmonë jemi të kujdesshëm në rrugëtimin drejt së ardhmes, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e së shkuarës”, u shpreh Kambo.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë se qëllimi i këtij muzeu është promovimi i turizmit dhe kulturës në vendet shqipfolëse. Ai ka theksuar se nisma që ka filluar këtë vit nga Bashkia e Tiranës duhet të shndërrohet në aktivitet tradicional të përvitshëm.
Kurse nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani gjatë fjalimi të saj në hapjen e këtij muzeu në qytetin e Prishtinës tha se në pamundësi për të organizuar atë çka kishin planifikuar muaj më parë në Tiranë, vendosën që të historinë e Tiranës ta sjellin në qytetet shqiptare. Sipas saj bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të mungoj asnjëherë.
“Pikërisht që jemi dy qendra të këtij rajoni është më e përgjegjësi më e madhe që i përfshinë të gjithë të tjerët. Gjithë synimi i shoqatës është pikërisht kjo, ti mbledhim të gjithë pranë dhe të bashkëpunojmë për të mirën e gjithsecilit. Shpesh herë mendojmë gjëra që nuk i ndryshojmë dot, çështjen e pandemisë nuk e ndryshojmë dot, tërmetin në Tiranë nuk e ndryshojmë dot, mbase ndonjëherë edhe politikën nuk e ndryshojmë dot. Por bashkëpunimi me njëri tjetrin, bashkëpunimi me qytetarët dhe me njëri tjetrin, dashurinë që kemi për vendet tona reciproke dhe për vendet që nuk i kemi zbuluar akoma, për një shëtitje diku në mal apo për një ngjitje në bjeshkë. Ca destinacione që duam apo s’duam kemi filluar ti zbulojmë pikërisht atëherë kur na ndodhin gjëra që nuk i prisnim.”, ka deklaruar Anuela Ristani.
Rrugëtimi i Muzeut Lëvizës ‘Tirana vjen tek ti’, në Kosovë ka filluar me 16 shtator në qytetin e Prizrenit kurse rrugëtimin e tij në trojet shqiptare do të shënoj fundin në qytetin e Preshevës, nesër me 20 shtator.
Kurse gjatë ditës së sotme organizatorët e Muzeut Lëvizës së bashku me Komunën e Prishtinës do të vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës, Kopshtin me Bazë në Komunitet “Cicërimat” dhe do të përfundojmë vizitat e tyre në Parkun Gërmia të kryeqytetit./ KultPlus.com
Në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe pandemive janë të qarta kompetencat dhe mandatet ligjore, duke përfshirë edhe ndëshkimet për personat që nuk i përfillin masat e nxjerra.
Një ndër to është gjoba në rast se nuk e mbani maskën.
Një video që ka publikuar Periskopi shfaq disa policë të Kosovës teksa ushtrojnë dhunë fizike ndaj një burri ku sipas informatave jo zyrtare, bëhet fjalë për mos mbajtjen e maskës.
Në video shihet se burri rrahet në prani të fëmijëve dhe të një gruaje.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur për hapjen e konkurseve gjatë muajit shtator.
Sipas Ahmetit, Prishtinës do ti shtohet Salla Koncertale, Salla e re Sportive, Shkolla e Muzikës dhe së shpejti edhe Spitali i Kryeqytetit e të cilat janë në pritje të arkitektëve e studiove projektuese.
KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e Ahmetit:
Të nderuar arkitektë dhe studio projektuese, ju njoftojmë se gjatë muajit shtator Komuna e Prishtinës do të organizojë këto konkurse ndërkombëtare arkitektonike.
1. Salla Koncertale e Komunës së Prishtinës – adaptim duke ruajtur identitetin e ndërtesës. 2. Salla e re e Sporteve me dorë (kapacitet 3000 – 5000 ulëse) 3. Shkolla e Muzikës. Adaptimi dhe renovimi i pjesës së Pallatit të Rinisë ku do të jetë shkolla e Muzikës Po ashtu së shpejti pritet edhe konkursi për spitalin e kryeqytetit! #prishtina / KultPlus.com
Sot do të mbahet protestë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe apo të ashtuquajturës “Xhamia e Erdoganit” në Prishtinë.
Protesta e cila pritet të nis në ora 11:00, është paralajmëruar në Facebook nga Binak Gashi, ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së.
Protesta do të mbahet në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia, në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.
Gashi ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”.
“Fillimi i punimeve për këtë xhami ka ndodhur me 16 korrik si koincidencë e përvjetorit të puçit ushtarak në Turqi, tregon atak direkt kundër Pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj të heshtura”, ka thënë Gashi. / KultPlus.com
E menduar si galeria më e vogël në Evropë, “Paper Gallery” e vendosur në objektin e selisë së vjetër të Radio Prishtinës, vjen si një mundësi e re për ekspozimin e veprave të artistëve, shkruan KultPlus.
Ndonëse një hapësirë e vogël, ajo është konceptuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ofruar kështu publikut një qasje shumë të mirë. Drejtori i galerisë, Gazmend Ejupi, është kujdesur që ta shfrytëzojë hapësirën në atë formë që vizitorët ta përjetojnë veprën e artit.
Me qëllimin kryesorë që të promovojë sa më shumë artin vizual, “Paper Gallery” vjen me një plan tre vjeçar ku tashmë janë planifikuar të gjithë artistët që do të ekspozojnë gjatë kësaj periudhe kohore.
Koordinatorja e galerisë, njëherit artistja Rina Statovci, ka treguar për KultPlus se çka e veçon këtë galeri nga të tjerat.
“Ajo çka na veçon neve nga galeritë tjera është se ekspozitat që ne i hapim zgjasin 3 muaj. Arsyeja pse e kemi marrë këtë vendim është për shkak që publiku të ketë një periudhë kohore më të gjatë për ta vizituar ekspozitën. Deri më tash gjithçka ka funksionuar shumë mirë”, ka treguar Statovci.
Hapësira e galerisë është një projekt i bazuar në atë mënyrë ku artisti e sheh fillimisht hapësirën dhe reagon në koordinim me të që të ketë mundësi ta shfaq punën e tij në mënyrën më të përshtatshme.
Ndërsa për vitin tjetër, është menduar një tjetër formë.
“Për vitin tjetër kemi marrë kuratorë të cilët e kanë parë hapësirën dhe i kanë zgjedhur artistët që përshtaten për hapësirën tonë”, tregon Rina.
E hapur në muajin shkurt, “Peaper Gallery” ka hapur deri më tash 2 ekspozita. Ekspozita e parë ka qenë nga artisti Gazmend Ejupi. E titulluar “Dead Dogs Walking”, ekspozita që për kuratore ka pasur Penesta Dika, është hapur më 19 shkurt dhe ka shpalosur një seri të pikturave të artistit. Ky projekt ka qenë i përkrahur nga “Help Kosovo”.
Ndërsa muaji korrik, ka mirëpritur ekspozitën e Fatmir Mustafa Karllo (Mosquito Vapor Trails) që për kurator kishte Artrit Bytyçin dhe shfaq disa instalacione të artistit. Kjo ekspozitë vazhdon të jetë e hapur deri më 3 shtator, por për shkak të situatës ë krijuar nga Covid-19, galeria për momentin qëndron e mbyllur.
Si ekspozita të para, publiku i ka mirëprit dhe interesimi i njerëzve ka qenë shumë i madh.
Statovci është shprehur se vizitorët e kanë pëlqyer shumë galerinë e sidomos mënyrën e ekspozimit të veprave.
“Edhe pse është galeria më e vogël në Ballkan, mënyra e ekspozimit është interesante, sepse i përdorim edhe disa hapësira të objektit si pjesë ekspozuese për veprat e artistëve.”
Situata që është krijuar nga Covid-19 i ka detyruar udhëheqësit që të marrim një tjetër vendim që puna e artistëve të jetë sa më afër publikut dhe galeria t’i përmbahet programit të saj.
“Jemi duke punuar për lansimin e platformës online ku njerëzit do të mund t’i shohin punët e artistëve. Gjithashtu jemi duke punuar për të sjellë ‘Online Talks’ me artistë ku mund të flasin më shumë rreth artit”, thotë Rina.
“Paper Gallery” këtë jave do të realizojmë një fotosesion me disa artiste që janë bërë pjesë e një artikulli nga Vice i-D, një nga revistat më të mëdha në botë. Artikulli i titulluar “Meet the Young Creatives of Kosovo” është një artikull në formatin pyetje dhe përgjigje i cili përqendrohet rreth gjashtë njerëzve të rijnë të cilët punojnë dhe krijojnë në Kosovë.
“Ne si galeri po mundohemi të ju bëjmë promovim artistëve të rijnë dhe të ju ofrojmë një platformë ku mund të publikojnë artin e tyre.”
Gjithashtu nëse situata e krijuar nga Covid-19 nuk ndryshon, atëherë të gjitha ekspozitat e planifikuara që të hapen në Galeri, do të hapen online në platformën e cila pritet të lansohet shumë shpejtë.
Kordinatorja e galerisë ka treguar për KultPlus se ekspozita e radhës që pritet të hapet është “Root Rot” nga Burim Berishës e që për uratore ka Nora Weller dhe pas saj është radha për ekspozimin e veprave të Artan Hajrullahut.
Në ekspozitat e planifikuara nga “Peper Gallery” janë përfshirë artistë vendorë, ndërkombëtarë, artistë të rijnë dhe të treguar tashmë.
Ndryshe nga galeritë tjera, galeria më e re në qytetin e Prishtinës nuk do të bëjë hapje zyrtare të ekspozitave. Duke dashur t’i ikin mënyrës së zakonshme që e praktikojnë të gjitha galeritë, “Paper” thjeshtë do të njoftojë përmes rrjeteve sociale për hapjen e ekspozitave dhe më pas publiku është i lirë të shkojë për vizitë çdo ditë të javës, nga e hëna deri të premten. / KultPlus.com
Qytetarët që udhëtojnë me autobusë të “Trafikut Urban” në Prishtinë, nuk lejohen të futen brenda pa pasur të vendosur maskën. E për këtë, Komuna e Prishtinës ka gjetur zgjidhje. Nëpër pritoret e autobusëve në kryeqytet janë vendosur maska dhe dezinfektues për qytetarët.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Dren Kukaj, përmes një postimi në Facebook.
Kukaj ka shkruar se 15 pritore të autobusëve janë furnizuar me dezinfektues dhe maska.
“Prej sot 15 pritore dhe pika të ndryshme do të jenë të pajisura me maska dhe dezinfektues”, ka shkruar Kukaj.
Bartja e maskës, dezinfektimi apo pastrimi i duarve dhe distanca fizike, janë masat kryesore që institucionet po apelojnë te qytetarët t’i respektojnë./KultPlus.com
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall ka reaguar për numrin e madh të rasteve me kornavirus në Kosovë dhe pakujdesinë e qytetarëve.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo ka thënë se askujt nuk po i intereson për këtë situatë.
“Dje kalova nëpër Prishtinë, dhe dukej vërtet qytet festiv. Numrat me coronavirus janë duke u rritur shpejt dhe dukej sikur askujt nuk i interesonte. Kini kujdes, ju lutem, nëse jo për vete, për prindërit, gjyshërit, të afërmit e sëmurë etj. Faleminderit dhe respekt për ata që janë në vijën e parë,” është shprehur Stjernvall.
Ndryshe, ditë më parë të pakujdesshëm qytetarët e Kosovës i ka quajtur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Ndryshe, Numri i personave të infektuar në Kosovë ka kaluar mbi 3 mijë, kurse mbi 600 raste aktive janë vetëm në Prishtinë.
Ndërsa deri sot janë shënuar 75 viktima. / KultPlus.com
Arkitekti Ernest Ferizi i është drejtuar me një letër të hapur Naim Tërnavës, në lidhje me ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të Ferizit.
‘NDIKIMI TURK NË NDËRTIMIN E XHAMISË QENDRORE NË PRISHTINË
Letër e hapur z. Naim Tërnava
Gjatë një vizite në Kosovë më 2013 Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pati thënë: “Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi”.
Një gjë është shumë e sigurt z. Tërnava, që z.Erdogan nuk mund ta dojë Kosovën sa e donë Turqinë, po aq sa mund ta dojë një njerkë fëmijën më shumë se nëna që e ka lind.
Përkundrazi, z. Erdogan nga mosinteresimi perëndimor për shtetet e varfëra ballkanike, ka bërë që Turqia, e cila e sundoi Kosovën për rreth 500 vjet, ta zgjeroj edhe më shumë ndikimin e saj fetar dhe kulturor në vendin tonë dhe që Prishtinën dhe Kosovën ta konsideroj përsëri si pjesë të oborrit turk.
Prandaj edhe Xhamia e re në Prishtinë, si dhuratë 40 milionëshe nga Turqia për shtetin më të varfër ballkanik, që tash e disa vite nuk ka filluar së ndërtuari, ndonëse gurthemeli është vënë më 2012, me arkitekturën e saj otomane përkundër konkursit ndërkombëtar arkitektonik, nëse mbetet si e tillë mund të konsiderohet, simbol i ndikimit mbizotërues të Turqisë.
Lokacioni afër Postës së Madhe në kryeqytet ku është paraparë ndërtimi i objektit të Xhamisë së Madhe, është jo logjik dhe është dashur qysh atëherë të ri mendohet, pasi qe ky lokacion tani edhe pa ndërtimin e një objekti të tillë me karakter monumental dhe vizitëshmërie të lartë, në çdo aspekt është i mbingarkuar.
Krahas zgjidhjes arkitekturore, padyshim edhe zgjidhja e duhur e një lokacioni me më shumë hapësirë për besimtarët, atëbotë do duhej të ishte kriteri kryesor për projektimin dhe ndërtimin e Xhamisë.
Xhamia qendrore do të bëhet dhe duhet të bëhet, prandaj ju z. Tërnava, si Myfti i Kosovës dhe përfaqësuesi më i lartë i besimit islamik, unë si arkitekt dhe të gjithë qytetaret e Prishtinës kemi një përgjegjësi jetike lidhur me ndërtimin e objektit të Xhamisë së Madhe, sidomos për gjeneratat që do vijnë pas nesh. Prej neve varet, nëse në të ardhmen atyre do ju lëmë si trashëgimi: një “monument” identifikues të Prishtinës apo një ndërtesë tipike otomane.
Nëse asnjë nga projektet bashkohore të konkursit, të bërë atëbotë enkas për Xhaminë, nuk ju kanë pëlqyer juve ose investitorit, së paku provoni për hir të trashëgimisë kulturore dhe fetare të bëni modifikimet e duhura arkitektonike, duke e ditur që edhe modifikimi i arkitekturës së propozuar otomane është përsëri një modifikim jo adekuat për mjedisin tonë shqipfolës dhe shekullin e ri.
Si qytetar i Prishtinës, besimtar dhe profesionist e ndjeva vetën të obliguar ndaj fëmijëve të mijë dhe pasardhësve të vendit, të ju shpreh mendimin lidhur me ndërtimin e objektit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Të jeni të bindur që pasardhësve tanë, do ju lëmë trashëgimi, një objekt tipik otoman.
Nëse ky ishte që nga fillimi edhe qëllimi, atëherë në rregull.’ / KultPlus.com
Jo rrallë herë nëpër rrjetet sociale qarkullojnë fotografi dhe video që shfaqin dashurinë e fëmijëve për kafshët.
Kësaj radhe një fotografi e tillë është shkrepur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Është qytetari Liri Blaka ai i cili e ka shpërndarë fotografinë, ku shihen dy fëmijë duke e mbuluar qenin me një copë kartoni për ta mbrojtur nga shiu, ani pse për vete qëndronin në shi. / KultPlus.com