Artistët shqiptarë organizojnë mbrëmje koncertale bamirësie në Teatrin Oda

“Në gjirin tim kam hapur varr, Që t´i jap shpresë – edhe t´ja marr”, me këto vargje të Lasgush Poradecit, artistët shqiptarë kanë bërë ftesë për të gjithë adhuruesit e muzikës e poezisë, të marrin pjesë në mbrëmjen koncertale të bamirësisë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja koncertale e datës 18 dhjetor, do të mbledhë në Teatrin Oda, artdashës të muzikës dhe poezisë për një mbrëmje të veçantë, jo vetëm për nga muzika e interpretuar, përjetimet personale të artistëve, poezitë por edhe për nga qëllimi i aktivitetit të organizuar.

Koncerti i përvitshëm “Udhëtim dimëror” – Jazz dhe Poezi; me muzikantë e aktorë, vendas e të huaj, këtë herë realizohet për të kontribuar drejtpërdrejtë në ndihmë të vëllezërve, motrave dhe familjet e prekura nga tërmetet e fundit në Shqipëri.

Artistët që do të marrin pjesë në këtë mbrëmje janë: Ilir Bajri, Eda Zari, Elina Duni, Visar Kuçi, Armend Xhaferi, Fatlume Bunjaku, Tavitjan Brothers, Gent Rushi dhe Shpat Deda.

Të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë, direkt për familjet e dëmtuara nga tërmeti, atyre me pasoja traumatike, me një bilanc të frikshëm humbjesh gjithëpërfshirëse.

Iniciatorë dhe organizatorë janë artistët dhe Teatri ODA.

Hyrja është 12 Euro. Të gjithë mund të kontribuojnë sipas mundësive në Teatrin ODA, në kutinë e vendosur për këtë qëllim natën e koncertit, e cila do ketë pranë një Formular të Protokolluar, mbajtur me emrat e secilit nga pjesëmarrësit. / KultPlus.com

Kosova bëhet me shtëpi botuese muzikore, sot promovohet botimi i parë

Kompozitori, Liburn Jupolli, ka bërë të ditur se në Kosovë është hapur shtëpia botuese muzikore “Magmus”.

“Kjo është një shtëpi botuese e re për botim të muzikës partiturave, veprave muzikore, studimeve muzikore ku ka nota”.

“Magmus vjen si një lloj ëndrre dhe dëshirë, po ashtu edhe nevojë e skenës muzikore në Kosovë për të dokumentuar muzikën klasike në Kosovë, sidomos atë te kompozitorëve”.

Jupolli tha se vepra e parë që ata kanë botuar është “MOVING LANDSCAPES” nga kompozitori dhe profesori Drinor Zymberi.

“Ky kompozim është njëri nga më të mirët në tre vitet e fundit, po ashtu ka luajtur edhe një rol të madh brenda kulturës muzikore. Kjo është vepër që Kosovës i ka sjell një njohje shumë të lartë”.

“Gjithashtu, për botim kam edhe kompozime të tjera të kompozitorëve të ndryshëm. Po ashtu do të fillojmë edhe me arkivimin e veprave të kompozitorëve”, tha Jupolli në Klan Kosova.

Sot gjithashtu do të promovohet nga ora 18:00 vepra e parë e botuar “MOVING LANDSCAPES”. / KultPlus.com

“Bukuria e betonit” në Prishtinë, inspirim për fotografin Etienne Rémond

 

Fotografi Etienne Rémond do të sjellë fotografi të Prishtinës në ekspozitën e tij, të quajtur “Concrete Beauty”, shkruan KultPlus.

Etienne Rémond është marrë me fotografi për afër 6 vjet, por asnjëherë nuk ka qenë aq i inspiruar sa në Prishtinë ku ai tani jeton prej një viti. Edhe pse, për shumë njerëz, pamjet e errëta të luftës mund të jenë gjëja e parë që ju bie në mend kur flasim për Kosovën, ju duhen vetëm disa ditë këtu për të kuptuar që këto pamje i përkasin të kaluarës.

I befasuar nga gjallëria e Prishtinës, ai shpejt e kuptoi se ajo që e befasoi me të vërtetë ishte se sa i fortë ishte kontrasti me kornizën e saj brutale të betonit.

Kjo është ajo që ai është përpjekur ta kapë duke e lënë veten të humbiste nëpër qytet dhe ta bënte atë pjesë të vetes: jetën dhe energjinë që përmban brenda kufijve të mbyllur, një rini të gjallë që ekziston në mes të këtyre ndërtesave të tmerrshme e të shkatërruara jugosllave, hoteleve dhe ndërtesave krejt të reja dhe baletit të pandërprerë të vinçave që i shoqërojnë.

Ekspozita do të hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00 në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 19 dhjetor. / KultPlus.com

Grevë globale për ndryshimet klimatike, raundi i dytë për Prishtinën

Në Prishtinë më 6 dhjetor fillon raundi i dytë për grevën globale për ndryshimet klimatike, përcjellë KultPlus.

Greva Globale e Klimës, është një protestë në të gjithë botën kundër mosveprimit të qeverisë për ndryshimin e klimës.

Në Kosovë më 20 shtator ishte raundi i parë, ku shumë qytetarë marshuan deri tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të ngritur zërin. Të premten e ardhshme, më 6 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’i parashtrojnë kërkesat e tyre përsëri.

Dimri po vjen, e për qytetarët e Kosovës do të jetë më e vështirë të marrin frymë. Kosova A dhe Kosova B janë në fuqi të plotë, duke prodhuar energjinë elektrike që e mbipërdorim. Tani është momenti për të vepruar dhe për t’ua bërë të ditur institucioneve, se brezi i ri nuk do të pranojë këtë. Kjo është e ardhmja jonë.

Termocentralet e qymyrit nuk janë problemet e vetme që ka Kosova. Ujin, që e përdorim për pije është i pakët, por prapë ne zgjedhim ta humbim. Kjo si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve. Ministria ka marrë të gjitha dokumentet e duhura për t’u siguruar që hidrocentralet do të ndërtohen. Sidoqoftë, ata janë të paqartë për lëshimin e tyre, dhe ne nuk besojmë se të gjitha dokumentet janë marrë në mënyrën e duhur.

Në këtë datë bota do të dalë kundër ndryshimeve klimatike, dhe ne gjithashtu, për herë të dytë në Prishtinë. Protestuesit do të mblidhen së pari në Termokiss (11:00), për të vazhduar te sheshi Skënderbeu, do të marshojmë për tek Grandi dhe pika e fundit do të jetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Urban (14:00). Kjo bëhet për arsye që shqetësimi kryesor i qytetarëve të dëgjohet, që është: Ta bëjmë mjedisin prioritet kryesor!

Pas marshit, aktivistët do të shkojnë tek stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe tek parku i qytetit për të ndërmarrë veprim. Do të mbjellin pemë, si mënyra më efektive e veprimit mitigues. Të gjitha mjetet e nevojshme dhe fidanët për t’u mbjellë janë të siguruara.

“Të gjithë ju, që jeni kundër ndotjes të së ardhmes tuaj, duhet të bashkoheni në këtë marsh. Vendimmarrësit duhet të vetëdijesohen, që qytetarët nuk pajtohen me atë çka ata po vendosin për ta”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Schimmelpfennig në Prishtinë: Drama nuk duhet të ketë kohë, duhet të ketë një pikë të fortë ku të gjithë e dimë se për çfarë po flasim

Qendrim Badalli

“Ne jemi shumë të lumtur që e kemi Rolandin këtu në Qendrën Multimedia”, tha dramaturgu i njohur kosovar, Jeton Neziraj, gjatë prezantimit të dramaturgut të famshëm gjerman, Roland Schimmelpfennig, i cili ishte dje mysafir në Qendrën Multimedia në një diskutim rreth një orësh për jetën e tij profesionale, shkruan KultPlus.com

Diskutimi nuk ishte i zakonshëm, në fakt, ishte një diskutim dramaturgësh pa protokoll, ndryshe nga diskutimet që jemi të mësuar të shohim. Kur Schimmelpfennig kishte të nxehtë në sallë ai hoqi bluzën në komoditet dhe krejtësisht i lirë. Për një gjerman e për një artist nuk duhej të mungonte në tavolinë ndonjë birrë, ashtu siç nuk mungonte.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i dha energji edhe më shumë ambientit shumë mirë të organizuar, kur gjatë hapjes çliroi gjithçka kur tha se ky organizim ishte financuar “kesh” nga Instituti Goethe, përmendje e mënyrës së financimit sa për ta shprehur frymën jokonvencionale që përshkroi gjithë debatin.

Dramaturgu Roland Schimmelpfennig, në fillim ka folur rreth nisjes së karrierës së tij e cila nuk ka qenë krejtësisht e zakonshme, në fakt është përcjellë edhe me disa kushtëzime objektive.

“Në fillim kam dashur të merrem me teatër, që kur kam qenë shumë i ri si adoleshent kam pasur miq që janë marrë me teatër, teatër për amator. Ka qenë një ide e mirë në fillim por mua më është dukur e pamundur që të jetoj nga teatri, nuk kam besuar që mund të bëjë diçka të tillë, në kuptim të parave. Kur e kam kryer shkollën kam shkuar në Stamboll, sepse në mes të shkollës dhe shërbimit civil e cila ka qenë alternativa e shërbimit ushtarak, kemi mundur të zgjedhim njërën. Në Stamboll jam takuar me miq turk  që i pata njohur më parë në Gjermani. Dhe ata më thanë që kemi një punë për ty, ata më thanë që ti mund të jesh lektor i gjuhës gjermane në një gazetë atje.

Pastaj u ktheva në Gjermani dhe më treguan se po kërkoheshin studentë të regjisë dhe mendova se kjo është një gjë e mirë për mua. Kur jam kthyer si gazetar nga Turqia jam prezantuar në gazetat në Gjermani por ata nuk më ofruan punë, i kam pasur 20 vite kur më sugjeruan që më duhet të studioj diçka dhe kam filluar me regjinë sepse nga profesioni që kisha ishte e afërt me shkrimin e dramave”.

Ai tutje ka vazhduar duke treguar për dramën e tij të parë teksa është shprehur i rezervuar për ta vlerësuar njërën si më të mirë, qoftë për shkak se kjo do të nënvlerësonte cilësinë e të tjerave qoftë sepse suksesi i dramave është relativ në hapësira të ndryshme.

“Drama e parë që është botuar, sa për ta qartësuar, nuk do të thotë shumë nëse pranohesh nga një botues, ka qenë një dramë “Fish by fish”, pra kjo ka qenë drama e parë e imja që mund ta konsideroj si të suksesshme, dhe tani kur e lexoj prapë them se kjo është shkruar nga një student shumë i ri dhe shumë nervoz. Gjithsejtë i kam shkruar 55 drama, do të ishte shumë e padrejtë nga 54 dramave tjera nëse e zgjidhi një më të mirën. Si të suksesshme mund ti përmendi edhe “Dragoi Artë”, “Push and Push”, por kjo është relative, për shembull disa drama të suksesshme që i konsideroj, nuk kanë qenë të suksesshme edhe në Gjermani.”

Schimmelpfennig, është pyetur edhe për atë se ku dhe kur e sheh më të përshtatshme të shkruaj, teksa përgjigja e tij, si përgjigje e një dramaturgu me shumë eksperiencë, nuk befason.

“Tash shkruaj në shtrat sepse është më ngrohtë. Kryesisht tentoj të zgjohem në ora 9 apo në 10 në mëngjes dhe pastaj duhet të shkruaj deri në orën 2 ose 3 gjatë ditës. Punoj edhe natën por pi shumë dhe pastaj më duhet shumë të lekturojë”.

Dramaturgu i njohur gjerman ka folur shkurt edhe për kohëzgjatjen që atij i duhet për ta realizuar një projekt të tij.

“Nëse kam një ide të mirë, teknikisht më duhen tre muaj. Por derisa ta gjej idenë ose deri sa të gjej qasjen për idenë mundet me më marrë deri në një vit.”

Tutje, Schimmelpfennig ka folur edhe për çështjen e migrimit për të cilën ka thënë se nuk është temë ekskluzive në Gjermani por në gjithë Evropën Perëndimore.

“Çështja e migrimit është shumë prezente në shoqërinë gjermane. Sidomos në Evropën Perëndimore të gjithë duan të shkojnë, të lëvizin, me gjithë këta nacionalistë që po lindin është interesante të shkruash për ta, pra për migrimin. Kemi një histori të gjatë të migrimit duke filluar pas të 50-tave në Gjermani, kemi valën e parë të imigrantëve duke filluar në të 50-tat që ka filluar me punëtor spanjoll, këto familje janë në vendin tonë që 60-të vite këtu dhe ne nuk mund të flasim për ta si imigrant, ata kanë fëmijë që kanë lindur këtu.”

Duke diskutuar për relevancën kohore që duhet apo nuk duhet ta ketë një dramë, Schimmelpfennig, ka thënë se drama mund të mos ketë kohë por duhet ta ketë një pikë bazë, nga ku të gjithë janë të vetëdijshëm për atë se çfarë po jepet.

“Drama nuk duhet të ketë kohë, duhet të ketë një pikë të fortë ku të gjithë e dimë se për çfarë po flasim, nuk ka të bëjë me shoqërinë ku do të jepet shfaqja. Në anën tjetër natyrisht që nuk është e rëndësishme që shfaqja të jepet në disa vende jo vetëm në Gjermani por për shembull edhe në Francë, në Bolivi ose Taivan.”

Edhe fryma postmoderne që e reflekton një shfaqje teatrale ka qenë pjesë e diskutimit të djeshëm. Schimmelpfennig, pasi bëri një dallim teknik në organizimin e teatrove në Gjermani, shpjegoi edhe karakteristikat kryesore të valës postmoderne.

“Duhet ta bësh dallimin mes një teatri lokal në një qytet të vogël dhe mes atij të qytetit të madh. Në Gjermani e kemi një sistem ku secili qytet financon teatrot dhe kemi teatrin kombëtar që është i financuar nga shteti. Kështu që në qytetet mesatare mund të gjesh diçka për fëmijë, diçka klasike, diçka komedi. Por kjo është vala postmoderniste, postramumatike, me tekste të gjata, me monologje, nuk ka karaktere më, nuk ka role më, nuk ka tregime, ka shumë muzikë, ka shumë britma, dhe kjo është bërë shumë e famshme, sepse të bën të ndihesh sikur je duke marrë pjesë në një leksion filozofie”.

Pas mbylljes së diskutimit në Qendrën Multimedia është vazhduar tutje më një koktej rasti. Edhe sonte do të ketë vazhdim të aktiviteteve tjera në këtë qendër. /KultPlus.com











Sonte në Prishtinë nis java e filmit të Maqedonisë

Me shfaqjen e filmit “Gëzuar viti 49”, në regji të Stole Popovit me Meto Jovanovskin në rolin kryesor, sonte në Kino ABC, në orën 20.00, fillon “Java e Filmit të Maqedonisë” në Prishtinë.

Ky manifestim është organizuar nga “Kosovafilmi”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Kinotekën e Maqedonisë.

Shikuesve të kryeqytetit do t’u prezantohet aktori i njohur Meto Jovanovski, që interpreton rolin kryesor në filmin e mbrëmjes, drejtori i Kinotekës së Maqedonisë, Vladimir Angelov dhe drejtori i Vardar filmit, Naser Curri.

Ndërkaq, në programin e paradites, “Kosovafilmi” në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Programi i Regjisë së filmit, do të organizojnë debat me mysafirët Meto Jovanovski, profesor në Fakultetin Arteve në Shkup, (interpreton rolin kryesor në filmin “Gëzuar Vitin i Ri 49”) , me drejtorin e Kinotekës Vladimir Angelov dhe me drejtorin e Kosovafilmit, Gani Mehmetaj.

Debati do të zhvillohet në sallën e projeksionit, në objektin e Departamentit të Regjisë së Filmit, nga ora 12:00. / KultPlus.com

Nesër në Prishtinë, debat për Teatrin Kombëtar të Tiranës

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nga Tirana, do të mbaj një diskutim të hapur me komunitetin teatror, publikun dhe mediat e Kosovës.

Në diskutim do të marrin pjesë: Edmond Budina, Gent Gaba, Neritan Licaj, Adriana Tolka dhe Juli Emiri.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të prezantoj nesër para komunitetit teatror të Kosovës qëndrimet, sfidat dhe përpjekjet për ruajtjen nga shembja të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Debati pro dhe kundër shembjes së ndërtesës aktuale të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe ndërtimit ose jo në të njëjtin vend të një teatri të ri, është duke vazhduar qe gati dy vite në Shqipëri. Planit të Qeverisë Rama për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri në të njëjtin vend, i u është kundërvënë një numër i madh artistësh e intelektualësh. Ata synojnë ruajtjen e objektit aktual dhe ruajtjen e pronës rreth këtij objekti, duke u thirrur në vlerat arkitektonike, mbamendjen kolektive dhe në nevojën për ruajtjen e hapësirave publike.

Diskutimi mbahet nesër nga ora 12:00 dhe është i hapur për publikun dhe mediat. / KultPlus.com

Tifozit anglez i humbi kuleta në rrugët e Prishtinës, zbulon çka ndodhi me të


Një tifoz anglez ka treguar se si e kishte humbur kuletën e tij në Prishtinë, gjatë ditëve që ishte në vizitë për ndeshjen midis kombëtares së Kosovës dhe asaj të Anglisë në futboll.

Kosova – Anglia u zhvillua këtë të diel në ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të fazës së grupeve në kualifikimet për Euro 2020, shkruan Insporti.

Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova u mposht 4:0 në shtëpi nga Anglia por që kjo humbje nuk kishte rëndësi, pasi që Kosova e kishte të pamundur kualifikimin e drejtpërdrejt nga faza e grupeve.

Rezultati ishte i parëndësishëm, sepse ishte atmosfera para, gjatë dhe pas ndeshjes ajo që dominoi dhe pushtoi mediat britanike dhe ato botërore.

Mikpritja për tifozët anglezë ishte aq e ngrohtë, sa që ata kanë qenë të mahnitur gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Në rrjetin social ‘Twitter’, qindra tifozë patën fjalët më të mira për Kosovën dhe popullin kosovar. Ata ishin befasuar nga mirëpritja dhe trajtimi, ndërkaq kanë treguar se dëshirojnë që sërish ta vizitojnë Kosovën, pasi që ndjejnë se njerëzit janë shumë të dashur dhe mikpritës.

Madje, një tifoz ka treguar se si një pronar i hotelit i kishte liruar nga pagesa dhe i kishte blerë disa birra tifozit anglez. Ndërsa, një tifoz tjetër anglez ka treguar se si e ka humbur kuletën në një nga rrugët kryesore të Prishtinës, e më pas ajo iu kthye nga një kosovar dhe asgjë nuk i ishte marrë.

“Më ka rënë kuleta në rrugën kryesore të Prishtinës. Ky djaloshi hyri në lokal, ma ktheu kuletën dhe nuk ishte marrë asgjë nga aty. Kosova me të vërtetë është vend i madh”, ka shkruar në ‘Twitter’, fansi Simon Bruce.

Ai tregoi se ka pasur shumë të konsiderueshme parash, dhe dokumente të rëndësishme.

“Seriozisht, në kuletë kam pasur 500 funte dhe kartelat bankare dhe asgjë s’ishte marrë. Njerëzit në Kosovë janë më të mirët”, ka shkruar tutje ai.

Bruce, ashtu si shumë tifozë të tjerë të Anglisë, ka postuar foto të ndryshme nga qëndrimi i tij në Prishtinë, për ndeshjen që u zhvillua në ‘Fadil Vokrri’. /KultPlus.com

https://twitter.com/scooterboy48/status/1196557484279947266
https://twitter.com/scooterboy48/status/1196058132201512960

E Premte apo e Hënë? Të dyja së bashku – MË SHUMË!

Ky është muaji kur kompanitë angazhohen më shumë në promovimin e ofertave të tyre këtë vit dhe nuk është e vështirë të kuptojmë pse. Në vitin 2018 konsumatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan 707.5 miliardë dollarë gjatë festave të fundvitit në gjithë sezonin dimërore. Të gjitha kompanitë këtë vit janë tashmë të zënë duke u përgatitur për ofertat e Black Friday!

Mirëpo, ne duam t’ju kujtojmë – pas Black Friday, vjen CYBER MONDAY! Cyber Monday është njëjtë sikurse Black Friday mirëpo vetëm se blerjet bëhen përmes internetit.

Source: Clearhaus

Black Friday nuk është më diçka e re, pasi që çdo vit thyhet Rekordi i shitjeve! Si çdo vit gjithashtu edhe në vitin 2018, rekordi ishte thyer përsëri

• Mesatarja e vlerave të porosive online në Evropë është rritur nga 71,30 € në 97,50 €. (Bazuar në ‘Studimi i Clearhaus’ që ka analizuar 8000 dyqane online në 33 shtete Evropiane).

• Veshja, këpucët dhe pajisjet shtëpiake janë produktet më të shitura për Black Friday, të ndjekura nga librat dhe elektronika.

Çfarë mund të bleni për Black Friday 2019 sipas rekomandimeve nga Gorenje Department Store?

• Pajisje shtëpiake (Teknike të bardhë) nga GORENJE

• Veshmbathje nga OVS dhe CCC

• Aksesorë të ndryshëm nga MINISO

• Mobilje shtëpiake nga POLAND MOBILJE

Source: Offers.com

Mos e lësho as të Hënën, shfrytëzoje rastin!

Nuk është vetëm Black Friday! Cyber Monday në internet ka filluar të marr vëmendje të madhe dhe së bashku me dyqanet fizike kombinojnë një fundjavë të tërë në të ashtuquajturën Black Weekend.

TË GJITHA OFERTAT E GORENJE DEPARTMENT STORE PËR CYBER MONDAY MUND TI GJENI NË WWW.75-MALL.COM !!!

Dyqanet më të mëdha janë duke ofruar zbritje speciale gjatë gjithë muajit por shumica e tyre përqendrohen në këto pak ditë duke përgatitur SUPER OFERTAT më të mira të vitit.

• 20% rritje çdo vit për Cyber Monday, me më shumë se 2.2 miliard dollarë të shpenzuara përmes telefonave të mençur.

• Konsumatorët e rinj preferojnë më tepër blerjen online gjatë Cyber Monday sesa Black Friday për arsye të kursimit të kohës dhe pritjeve të gjata në rend!

• Në 2018, Cyber Monday ishte dita më e mirë për blerje me 16 milion transaksione.

• Në 2019 më datë 11.11.2019 (Single’s day); gjigandi Alibaba theu rekordin e ri me 38 miliardë dollar brenda 24 orëve!

(Shkrim i sponsorizuar nga Gorenje)

Në Prishtinë hapet qendra e qëndrimit ditor për fëmijë në situatë rruge

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Organizatën Terre des hommes – Kosovo (Tdh), hapi Qendrën e qëndrimit ditor për fëmijë në situatë rruge.

Kjo qendër është bazuar në modelin e shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge, shërbimet për fëmijë që kanë nevojë për mbrojtje si dhe shërbimet e specializuara për fëmijët – viktima të abuzimit seksual, të zhvilluar enkas për Kosovë nga Tdh.

“Qendra përmes ofrimit të shërbimeve të integruara, do të kontribuojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve duke zvogëluar kohën që ata kalojnë në rrugë, drejtpërdrejtë duke minimizuar kështu rreziqet e mundshme që u kanosen atyre mu për shkak të qëndrimit të gjatë në rrugë”.

“Qendra ditore do të ofrojë një ambient të ngrohtë ku këta fëmijë do të ndihen të sigurt, do të kenë mundësinë të integrohen, përderisa në shërbime gjithashtu përfshihen shujtat ushqimore, lojërat edukative, socializimi e aktivitetet arsimore, si dhe këshillimi profesional”. Klan Kosova / KultPlus.com

Në Prishtinë të enjten nis Showcase Teatror i Kosovës

Këtë të enjte në Prishtinë nis edicioni i dytë i Showcase-it Teatror të Kosovës.

I organizuar nga Qendra Multimedia, kjo ngjarje këtë vit fuqizohet me bashkëpunimin e Qendrës Multimedia me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit të Gjilanit dhe teatrin “Adriana” në Ferizaj, shfaqjet e të cilave do të inskenohen gjatë Showcase-it teatror.

Ky edicion do të sjellë në Kosovë edhe rreth 40 mysafirë ndërkombëtarë: selektorë festivalesh ndërkombëtare, kritikë, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë e dashamirë të teatrit.

Në kuadër të Showcase do të performohen 8 shfaqje teatrore në produksion të Qendrës Multimedia, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe teatrit “Adriana” në Ferizaj.

Përveç shfaqjeve, në këtë ngjarje do të organizohen edhe dy panele diskutimi dhe sesione promovuese të produksionit teatror të Kosovës me qëllim të rrjetëzimit të artistëve.

Një risi e madhe këtë edicion është ardhje e aktorit të njohur francez me origjinë shqiptare, Rexhep Mitrovicës, i cili gjatë Showcase-it do të lexojë e diskutojë mbi “Inkuizitorin e madh” së bashkë me aktorin po ashtu të njohur Arben Bajraktarin. Kjo ngjarje në Prishtinë vjen si bashkëpunim me kompaninë teatrore Liria në Paris, ndërsa është kuruar nga Simon Pitaqaj. / KultPlus.com

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, nga data 29 tetor shfaqet edhe Prishtinë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me regjisor Kushtrim Bekteshin do të shfaqet në ekranin e madh të Cineplexx, shkruan KultPlus.

Jeta e qetë e një fshati të harruar ndryshon me mbërritjen e tre prostitutave. Kjo komedi interesante nis të shfaqet nga 29 tetori në qytetin e Prishtinës në Cineplexx.

Për këtë ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Edhe një film i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës vjen në Cineplexx nga data 29 Tetor! Me regji të Kushtrim Bekteshi dhe me një kastë aktorësh të mrekullueshëm nga të gjitha trevat shqiptare është kjo komedi që ja vlen me u pa”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe dizajner i zërit Darko Spasovski.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë. / KultPlus.com

Rreth 50 referues nga e gjithë bota në konferencën “Studimet albanistike në Itali”

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot dhe nesër organizon konferencën shkencore ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, në të cilën marrin pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA, Franca, Bullgaria, Greqia etj.

Këshilli organizues, të cilit i prin akademik Rexhep Ismajli, ka ftuar emra të njohur të këtyre studimeve dhe ka hartuar një program të pasur të konferencës, e cila do të zhvillohet në dy ditë, në gjashtë seanca. Konferenca ka filluar sot nga ora 9:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Në vazhdimësi të dy konferencave të rëndësishme shkencore, studimet albanistike në Amerikë që u mbajt në vitin 2015 dhe studimet për shqipen në vendet ku flitet gjermanisht e realizuar gjatë 2017-ës, të organizuara nga ASHAK pothuaj me distancë të njëjtë kohore, qe planifikuar edhe konferenca shkencore për studimet albanistike në Itali, me shumë interes jo vetëm për praninë e arbëreshëve, për kulturën, letërsinë dhe studimet albanologjike dhe albanistike, por edhe për rezultatet e shumë studiuesve italianë të gjuhës shqipe në radhë të parë, por edhe të letërsisë, antropologjisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë përgatitur kuadro, pedagogë e studiues dhe që kanë realizuar projekte të rëndësishme studimi.

“Rezultatet që u arritën në dy konferencat e përmendura më lart, interesimi i madh i atyre që morën pjesë dhe rëndësia e  kontributeve që u sollën, na shtojnë bindjen se edhe ky aktivitet, jo më pak i rëndësishëm se dy të parët, do të sjellë kontribute nga fusha të ndryshme të studimeve albanologjike dhe albanistike dhe do të finalizohet me botimin e materialeve, referateve, kumtesave dhe diskutimeve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve të Konferencës”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut. / KultPlus.com

Rrjeti i Grave të Kosovës nesër organizon protestë në solidaritet me kurdët

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, e shtune, nga ora 13:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës organizon protestën #RiseUp4Rojava, protestë kjo e cila po mbahet në disa qendra botërore.

Organizatorët ju ftojnë të bashkoheni edhe ju në këtë protestë, që kështu së bashku të shfaqni solidaritet kundër gjenocidit ndaj popullit kurd dhe të përkrahni revolucionin e Kurdistanit.

“Dëno fashizmin turk” është një fushatë dhe platformë ndërkombëtare që filloi në pranverën e vitit 2019.

“Ne jemi organizata dhe nisma të ndryshme nga shumë vende. Me këtë fushatë ne po ndërtojmë përvojat tona të përbashkëta të solidaritetit ndërkombëtar me revolucionin në Perëndim, Sirinë Veri-Lindore dhe lëvizjen çlirimtare kurde.

Me fushatën dhe platformën, ne dëshirojmë ta zgjasim këtë solidaritet dhe t’i bashkojmë organizatat, fushatat dhe nismat e ndryshme ekzistuese.

Diversiteti ynë është forca jonë. Traditat dhe praktikat tona politike mund të jenë të ndryshme, por ne jemi të bashkuar në mbrojtjen e revolucionit në Kurdistan dhe arritjet e tij. Përmes veprimeve të ndryshme në shumë vende të botës, ne do të luftojmë për qëllimet tona. Është koha që të ngrihemi kundër fashizmit dhe imperializmit.
Botërisht.

Me thirrjen tonë ne kemi sqaruar se për çfarë qëndrojmë dhe luftojmë. Bashkohuni me ne!”, thuhet në njoftim.

Më shumë për nismën: https://riseup4rojava.org/about-us/. / KultPlus.com

REDO Design fillon sonte, mbi 300 profesionistë të dizajnit grafik vijnë në Prishtinë

Sot fillon edicioni i 9-të i REDO, ngjarjes vjetore ndërkombëtare që mbledhë në Prishtinë dizajnerë nga e gjithë bota për një “shëtitje” mbi temën e dizajnit grafik. Sonte, nga ora 20:00-22:00 do të ketë prezantim nga Alush Gashi dhe Julie Peeters, përcjellë KultPlus.

Po të njëjtën ditë, nga ora 19:00, hapet ekspozita TEST PRESS nga Henk Groenendijk, ku paraqet një përmbledhje të punimeve/posterëve të studentëve të Rietveld Akademie, në Holandë, gjatë një periudhe më shumë se 20 vjeçare. Programi i natës vazhdon në Kino Armata nga ora 22:00-23:00, me performancë nga TETRIS.

Nga sot deri të dielën, do të ketë prezantime, librari lëvizëse, ekspozitë, performancë muzikore. Vlen të përmendet se të shtunën, nga ora 23:00, në Sallën e Kuqe, në bashkëpunim me SERVIS, do të performojë KRIS BAHA. Performanca muzikore do të vazhdojë me LOLINA (Inga Copeland), Leo Lumezi, Genc Elezaj.

Prishtina tani është në listën e qendrave të rëndësishme të diskutimit të dizajnit grafik në skenën botërore. Gjatë REDO, mbi 300 profesionistë nga shkollat dhe institucionet më me influencë në dizajn grafik nga e mbarë bota, e vizitojnë dhe përjetojnë Prishtinën për 3 ditë.

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Culture for Change – Programi i Zyrës së BE në Prishtinë, që implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, Fondacioni “Unë e Du Kosovën”, IPKO Foundation, Swiss Arts Council Pro Helvetia. Partnerët: Kino Armata, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Kosovo Architecture Foundation (KAF).

REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

REDO mbahet nga data 11-13 tetor. Për programin e plotë: www.redoprishtina.com / KultPlus.com

U mbajt Parada e Krenarisë, LGBTI: Pas gjithë këtyre sfidave ne qëndrojmë në këmbë dhe krenar, për këtë na rreh zemra

Xhemile Hysenaj

‘Dashuria është ndjenjë, jo orientim”, ishte kjo njëra ndër thëniet që spikatej mbi kokat e aktivistëve të LGBTI-së, që sot po marshonin për dashurinë e lirinë, shkruan KultPlus.

”Për kon t’rreh zemra”, ishte motoja kryesore e kësaj paradë, që këtë vit organizohet për të tretën herë në Kosovë.

Marshi filloi tek sheshi ”Skënderbeu”, ku aty të mbledhur ishin personat e këtij komuniteti dhe jo vetëm. Artistë, aktivistë të komunitetit dhe qytetarë të thjeshtë, me pjesëmarrjen e tyre në paradë shfaqnin përkrahjen drejt këtij komuniteti. Të gjithë të pranishmit me padurim prisnin të fillonin marshin e tyre, që do të vazhdonte deri te sheshi ”Zahir Pajziti”, ku aty edhe zyrtarisht do të shpallnin të hapur paradën.

Marshonin me këngë, vallëzim, brohoritje e fishekzjarre. Shfaqnin dashuri dhe emocione të mbështjella me një energji pozitive të pashoq.

Lend Mustafa, njëri ndër përfaqësuesit e këtij komuniteti, për KultPlus u shpreh se ndjehej shumë krenar që për të tretën herë në Kosovë po mbahet Parada e Krenarisë.

 “Jemi shumë krenarë me atë që kemi arritur deri sot, për arsye se këtë herë do të ketë shumë më shumë njerëz, kemi pasur përkrahje më të madhe dhe njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen rreth kësaj çështjeje duke bërë kështu që edhe komuniteti LGBTI të ndihet më mirë. Ky edhe ka qenë qëllimi ynë, të fuqizohet komuniteti”, shtoi ai.

Ndërkaq, e pranishme ishte edhe Uta Ibrahimi, e cila deklaroi se merr pjesë në Paradën e Krenarisë çdoherë kur është brenda vendit. ”Mendoj që të drejtat e komunitetit LGBTI, janë të drejta elementare të njerëzve. Sot për dallim prej dy paradave të viteve të kaluara, ka më shumë njerëz, është një energji e mirë, vërehet që edhe njerëzit kanë filluar të ndihen më të lirë me atë që ndjenjë dhe atë që dëshirojnë të bëjnë”, deklaroi Uta për KultPlus.

Artistja Fitore Berisha, krijimtaria e së cilës zë vend  në pikturë, teatër e vallëzim, u shpreh jashtëzakonisht e lumtur që ishte pjesë e paradës.

”Jam shumë e lumtur që sot jam këtu, unë e përkrahi këtë komunitet dhe si artiste jam pjesë e tij. Zemra mal më është bërë sot, përderisa po e shoh që është organizuar kaq mirë, njerëzit janë të lumtur dhe poashtu një harmoni shumë e mirë po mbizotëron”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ashtu si edhe paradat e viteve të kaluara, i pranishëm ishte edhe një burrë në moshë të shtyrë që tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, ai ishte pjesë e paradës nga fillimi i marshit e deri në fund të tij.

Me muzikë e brohoritje, marshi arriti te sheshi ”Zahir Pajaziti”, ku Lend Mustafa me një fjalim emocional që kishte qëllim motivues, përçonte emocione të mëdha tek komuniteti.

”Sot është një ditë, kur ne pas shumë kohësh që jemi mësuar të fshihemi, po dalim me shumë krenari për herën e tretë. Ka qenë një vit me shumë sfida për ne, por ia kemi dal. Sot jemi mbledhur edhe një herë për të treguar që pas gjithë këtyre sfidave, ne qëndrojmë në këmbë dhe krenar, sepse, për këtë na rreh zemra.”

”Na rreh zemra për juve që iu dëbuan familjet e juaja, për juve që çdo ditë përballeni me presion në shtëpitë e juaja, aty ku do të duhej të jeni më të sigurt. Na rreh zemra për transgjinorët që deri vonë ju mohua edhe identiteti. Na rreh zemra për gratë lezbike, biseksuale e transgjinore që për çdo ditë përballen me sistemin patriarkal në këtë vend. Na rreh zemra për personat LGBT që janë romë, ashkali e egjiptian por na jemi mbrapa tyre dhe bashkë kemi me ia dalë. Na rreh zemra për të gjithë juve që të paktën njëherë në jetë keni menduar që do të ishte më mirë të mos iu rrehte zemra. Sot jemi këtu të tregojmë se ne jemi bashkë dhe krenar për njëri tjetrin. Kemi me pasë dashni, kemi me qenë të lirë e zemra do të na rreh për njëri tjetrin.”

Me këtë fjalim, zyrtarisht u hap Parada e sivjetme e Krenarisë. Duke i lënë pjesëtarët e këtij komuniteti të vazhdonin me këngë, vallëzim e shumë dashuri. /KultPlus.com

Veprat e Schubert dhe Mendelssohn, sollën emocione dhe profesionalizëm mbrëmë në KamerFest

Qendrim Badalli

Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare ishte destinacioni i radhës i KamerFestit 2019, aty ku trupa e përbërë nga Derek Han, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi dhe Arben Ahmeti, dhuruan një paraqitje shumë të mirë para një publiku relativisht të madh që kishte ardhur në sallë, shkruan KultPlus.

Veprat e Franz Schubert si dhe të Felix Mendelssohn, qenë ushqimi për gjigandët në skenë të cilët me plotë emocione dhe profesionalitet të vlerësuar më pas nga kritikë të kësaj fushe, mbajtën vëmendjen e publikut.

Pianisti, Derek Han, tha se në këtë përvjetor të Kamerfestit është shumë i lumtur t’i shoh gjithë këto ndryshime që kanë ndodhur në Kosovë që nga viti 1999.

“Kësaj radhe eksperienca ime është shume speciale sepse është 20 vjetori i Kamerfestit dhe unë isha para 20 viteve këtu dhe tashmë unë po shoh shumë ndryshime të mëdha në vend dhe është një ndjenjë e mrekullueshme të shohësh sa shumë ndryshime janë bërë”.

Ai ishte i kënaqur edhe me shkollën e muzikës, për të cilën tha se po avanconte shumë çdo vit e më shumë.

“Me masterklasat që unë i mbajë është me të vërtetë interesante. Çdo herë që unë vij këtu niveli është lartë e më lartë dhe të shohësh sa shumë punë është bërë në shkollat e muzikës dhe përgjithësisht në sferën e kulturës është me të vërtetë e mrekullueshme”.

Për atmosferën në Prishtinë folëm shkurt, atij po i vinte mirë që kishte pjesëmarrje masive në zgjedhje.

“Ishte shumë mirë që të shoh sa shumë njerëz po participonin në procesin zgjedhor, kishte një atmosferë shumë të mirë”.

Blerim Grubi, i cili luajti në viole, tha se është i kënaqur për rezultatet e arritura nga kjo trup.

“Për këto ditë sa kemi punuar bashkë, jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur, ne kemi pasur këto ditë Festivalin Kamerfest edhe në Shkup dhe Shqipëri, ne duhet të mendojmë që në këto tre shtete t’i kemi koncertet e njëjta”.

Ai, tutje tregoi sesi pavarësisht se po e përsërit kërkesën për një infrastrukturë më të mirë kulturore, zëri i tij ka mbetur i padëgjuar tash e njëzet vite.

“Qysh në vitin e parë në 1999, kur e kemi themeluar Kamerfest bashkë më Sihanën, prej atëherë e deri më sot gjithmonë po e përmendim një sallë më të mirë, një infrastrukturë që na mungon edhe si publik edhe neve si instrumentist”.

Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, duke vlerësuar mbrëmjen tha se ishte mundësi unike që të dëgjohen dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje të vetme.

“Më vjen keq që Kamerfesti ka qëlluar pikërisht në kohë të zgjedhjeve dhe nuk ka pasur shumë jehon. Mendoj se publiku e ka humbur një mbrëmje shumë të bukur sepse është shumë e rrallë t’i dëgjosh dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje”.

Sihana Badivuku, organizatorja e Kamerfestit, tha se është nder të punohet me pianistin Derek Han.

“Është nder i veçantë të punohet me një pianist koncertal siç është Derek Han, i cili ka një eksperiencë rreth 30 vjeçare, dhe këto vepra ai i ka të njohura mirë”.

Duke folur për zgjerimin e Kamerfestit edhe në Shqipëri e Maqedoninë Veriore, Badivuku, ka thënë se ky zgjerim që ngjason me një bashkim kombëtar në nivel kulture, nuk po ngjanë sot, por ka ngjarë para njëzet viteve.

“Ne e kemi bërë bashkimin e trojeve shqiptare para njëzet vjetëve, në kulturë dhe në muzikë”.

Festivali Kamerfest do të vazhdojë edhe netëve në vijmë, tashmë i zgjeruar edhe në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri, duke krijuar një rrjetëzim kulturor shqiptar por njëkohësisht duke e ruajtur edhe elementin e hapjes meqë pjesë e këtij edicioni kanë qenë dhe janë emra eminent të fushës së artit dhe muzikës në nivele ndërkombëtare. / KultPlus.com




“The King’s Singer”, nga Anglia në Prishtinë për të sjell një mbrëmje fantastike për publikun

Qendrim Badalli

Ora shënonte 20:10 kur po mbusheshin edhe karriget e fundit në sallën e Katedrales në Prishtinë. Siç e do zakoni, u kërkua që të ndaleshin telefonat. Qetësia duhej të ruhej. Aty do të performonin gjashtë anëtarë të “The King’s Singer” nga Anglia, të cili kishin ardhur në Kosovë në kuadër të Festivalit “Privocal Fest 2019”, shkruan KultPlus.com

Dritat u fikën e qetësia po mbizotëronte. “Mirëmbrëma, është shumë mirë të jesh në Prishtinë”, tha jo me pak vështirësi njëri nga gjashtë anëtarët e këtij grupi. Meqë aq dinte shqip, pjesën tjetër e vazhdoi në gjuhën angleze për të treguar shkurt rreth tyre dhe rreth raportuarit që kishin përgatitur.

Për rreth gati dy orë, ata dhanë një paraqitje që u vlerësua lartë nga të pranishmit aty. Duartrokitjet ishin të shpeshta e të gjata, teksa edhe batutat e tyre nuk ishin aq të rralla.  “The story of Harmony”, “Poor Roger”, “Then and Now”, ishin disa nga pjesët që ata i paraqitën me kujdes e plotë emocione para publikut në sallë.


Hajrullah Syla, organizatori i këtij festivali, e ka quajtur fantastike mbrëmjen e djeshme. Ai tha se ky formacion ka sjell emocione unike në sallë.

“Thjesht ishte një natë fantastike. Ky ansambël, që nuk e kemi zbuluar ne por që njihet në të gjithë botën, me të vërtetë sollën emocione të veçanta dhe kjo u pa edhe nga mikpritja e publikut”.

Tutje, ai ka thënë se për këtë përbërje është harxhuar 80% e buxhetit, teksa shpreson se në edicionet e radhës të ketë rritje të mbështetjes financiare për ta.

“Është mund shumë i madh dhe kushtet e sponsorizuesit janë të paktë. Shpresojmë që me kohë do të kemi një mbështetje më të madhe nga sponsorët si dhe nga Ministria e Kulturës e Komuna e Prishtinës. Për këtë ansambël janë shpenzuar pothuajse 80% e buxhetit tonë.”

Tenori, Luan Durmishi,  e ka vlerësuar lartë performancën e tyre, duke thënë se ata ishin “për të marrë mësimi”.

“Ky është një formacion jashtëzakonisht i famshëm në botë. Ajo çfarë më bëri përshtypje, është se ata janë të çliruar totalisht nga mendësia provincial, këta çdo muzikë të bukur e fusin në repertoarin e tyre, kështu që ne së pari duhet të marrim mësim nga kjo”.

Ai ka thënë se ata ishin jashtëzakonisht profesional, teksa mendja i kishte mbetur tek çlirimi trupor që ata kishin gjatë performancës.

“Nëse flasim nga ana profesionale, unë dua të hyj pak në atantomin dhe antropologjinë e turpit. Ata ishin totalisht të çliruar nga presionet e strukturës kompozicionale, ishin jashtëzakonisht profesional”.

Jonathan Howard, njëri nga anëtarët e grupit, teksa tha se ishte një natë e mrekullueshme, ai shtoi se repertoari ishte zgjedhur me kujdes dhe për të gjithë publikun.

“Reporteri ishte zgjedhur me muzikë nga e gjithë bota, donim që kjo mbrëmje të ishte për të gjithë”.

Nesër do të vazhdojë edhe mbrëmja e tretë dhe e fundit e këtij festivali ndërkombëtar që solli në Kosovë emra eminent të muzikës klasike. / KultPlus.com

Edicioni i pestë i “Coffee and Tea Festival” po vjen

Në këto ditët të para të vjeshtës, sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbushet me aromën e kafes dhe çajit.

Në datat 30 shtator, 1 dhe 2 tetor, nga ora 10:00 deri në ora 20:30 Festivali i Kafes dhe Çajit rihap dyert për të mirëpritur adhuruesit e kafes dhe çajit.

Brendet e reja që e dominojnë tregun vendor dhe ndërkombëtar të kafesë dhe çajit, do të ekspozohen në ambient të hapur nga rreth 15 kompani pjesëmarrëse.

Prezentë do të jenë afër 25 lloje të ndryshme të kafes dhe çajit – nga top brendet botërore si: Prince Caffe, Llavazza, Antica Tostatura Triestina, Pavin Caffe, Ama Caffee, Barcaffee, Galliano, Mokate, Michelad’oro, pastaj çajërat si Emona Brand, Albred, Lloyds, Podravka, Millford, Naturavita etj.

Përveç shërbimit me kafe dhe çaj, dhuratave për vizitorë, performimit të maskotave, risi do të jetë muzika live nga ora 11:00 – 13:30 si dhe performimi i baristave të kafes të cilët do të përkujdesen për dekorimin e kafeve me dizajne kreative. / KultPlus.com

Artistja nga Gjermania vjen me ekspozitë në Prishtinë

 “Realitete të Zgjeruara” e artistes nga Gjermania Monika Kropshofer, është ekspozita e radhës që do të zërë vend në Galerinë Qahili, shkruan KultPlus.

Arti i Monika Kropshofer është arti i dialogut – fotografia dhe piktura, saktësia dhe shpërbërja, gërshetohen në kompozimet e saj.

Arkitektura dhe elementët e saj – fasadat, dritaret, shkallët por edhe gjërat e laike janë objekti dhe fusha estetike e eksperimentimit të Monika Kropshofer. Me këtë artistja shtron pyetje themelore rreth sipërfaqes dhe hapësirës.

Monika Kropshofer është artiste nga Gjermania. Ajo përfundoi studimet e saj në Histori të Artit në Universitetin e Bon.

Ekspozita hapet më datë 30 shtator në ora 19:00 dhe do të jetë e hapur deri më 12 tetor 2019. / KultPlus.com

Kërkohet mbrojtje për ndërtesën e RTP-së

Përveç ndërtesës së ish-Gërmisë, e cila ngjalli polemika të shumta nëse do të duhej të mbrohej ose jo, një tjetër objekt ka kthyer sërish vëmendjen e shoqërisë duke ngjallur debat.

Fjala është për ndërtesën e RTP-së, e cila po kërkohet të mbrohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.

Në lidhje me këtë objekt ka reguar aktivisti dhe projektuesi Yll Rugova, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe si e tillë duhet të mbrohet.

Më poshtë mund ta gjeni statusin e plotë të Yll Rugovës.

“Kjo është ndërtesa e RTP-së, ku përveç tjerash ka performuar orkestra simfonike dhe kori i saj. Kjo ndërtesë duhet të mbrohet!

“Sot pranova pamjet ku tregohet se një pjesë e fasadës së poshtme të kësaj ndërtese, është duke u shkatërruar dhe tjetërsuar. Ky veprim duhet të ndalet nga inspeksionet shtetërore, kurse vetë ndërtesa gjithsesi duhet të inicohet për mbrojtje si trashëgimi kulturore. Në fakt, edhe pa qenë në mbrojtje, ndryshimi i pamjes së ndërtesave ligjërisht i nënshkrohet lejeve përkatëse.

Orkestra simfonike e RTP-së së bashku me korin, janë institucionet pararendëse të Filharmonisë së Kosovës, që së bashku me shkollën e muzikës në Prizren e Prishtinë kanë vënë themelet e muzikës klasike në Kosovë. Janë këto institucione që e krijojnë historinë më shumë se 70 vjeçare të muzikës klasike në Kosovë.

Përndryshe, kjo ndërtesë e RTP-së është ndërtuar në kohën kur shqiptarët kanë vënë themelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, duke ndërtuar ndërtesat e rëndësishme publike si Biblioteka Kombëtare, Instituti i Albanologjisë, Universiteti i Prishtinës (kampus i projektuar nga Bashkim Fehmiu, vëllau i aktorit të madh Bekim Fehmiut), Pallati i Rinisë, Radio Prishtina me aneksin, Pallati i shtypit Rilindja, etj.

Na duhet një politikë gjithëpërfshirëse e cila mbron trashëgiminë tonë kombëtare, në gjithë periudhat e saj. Duke filluar edhe nga ndërtesat e institucioneve të përmendura më lartë.

Stop shkatërimit”. / KultPlus.com

Përurohen pesë njësi të këndeve “Te Pema”

Projekti “TE Pema” është një projekt që u vlerësua shumë i rëndësishëm për Prishtinën dhe qytetarët e vet, si inovacion për pastrimin e ajrit, shkruan KultPlus.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ICK – Inovation Centre Kosovo sot përuruan pesë njësi shtesë të këndeve “Te Pema” në sheshin Zahir Pajaziti.

‘Te Pema’ është pjesë e inkubatorit të Inovation Centre Kosova i cili ka për qëllim vetëdijesimin dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. / KultPlus.com

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare këtë vit me mbi 100 pjesëmarrës

Bujar Meholli

Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqipe pritet të nis së shpejti. Tashmë është gjithçka gati për fillimin e tij. Edhe në këtë edicion, shumë studentë e studiues nga mbarë rajoni do t’i trajtojnë problemet e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Më 19 gusht me fillim nga ora 11:00, do të bëhet hapja zyrtare e Seminarit XXXVIII. Ky vit do të jetë interesant për faktin se janë bërë 45 vjet që kur është themeluar Seminari në Fakultetin e Filologjisë. Gjatë këtyre vjetëve ka pasur gjithsej 37 sesione, disa prej tyre të mbajtura edhe në Tiranë.

Përmbi 100 pjesëmarrës pritet të jenë në këtë edicion jubile, i cili shpërfaq edhe vazhdimësinë e këtij Seminari ndër vite.

Për këtë numër të madh të pjesëmarrësve nga mbarë bota, janë të entuziazmuar edhe organizatorët. Drejtori i Seminarit Shkumbin Munishi, thotë se ndjehet i lumtur që edicioni i ri është gati të fillojë.

“Do të ketë mjaft pjesëmarrës dhe ne jemi të lumtur. Presim studiues nga shumë vende të botës si nga Polonia, Gjermania, e me radhë. Do të organizojmë edhe kurset e gjuhës e aktivitete tjera. Janë rreth 80 studiues që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore”, thotë Munishi.

Në programin bazë të Seminarit do të ketë edhe kurse intensive të mësimit të shqipes si dhe ligjërata për letërsinë, kulturën shqipe si dhe referime, tryeza, e ligjërata të përgjithshme.

Seminari, padyshim që është një nga ngjarjet kryesore kulturore në vend. Tashmë me traditë disadekadëshe, Seminari luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës kulturore në vend si dhe krijon imazh pozitiv edhe në arenën ndërkombëtare me studiuesit nga mbarë bota që i sjellë në Prishtinë.

Pjesëmarrësit në edicionin e 38-të të Seminarit, do të zbarkojnë në Prishtinë më 18 gusht. /KultPlus.com

“Daily Mail” shkruan për performancën e Miley Cyrus në Prishtinë


Ajo njihet për shfaqjet e saj energjike. Dhe Miley Cyrus , nuk zhgënjeu publikun kur ajo u ngjit në skenë në Festivalin Sunny Hill në Prishtinë, në Kosovë të premten, shkruan DailyMail.

E veshur në një ansambël krejt të zi, këngëtarja vazhdoi të publikojë në Instagramin e saj fotografi nga nata e mbrëmshme.

Miley nuk mund të rezistonte duke treguar stomakun e saj të tonifikueshëm, gjersa kishte kombinuar veshjen e saj me një varg gjerdanësh me zinxhirë.

Ish-ylli “Hannah Montana” e kompletoi pamjen e saj me një palë pantallona të zeza lëkure.

Protagonistja serialit për fëmijë dukej tejet tërheqëse me flokët e saj në stilin kaçurrela të butë.

Miley dukej në elementin e saj ndërsa performoi për fansat e saj në skenë duke bërë lëvizje të shumta, përfundon shkrimin mediumi anglez duke iu referuar performancës së saj në skenë. /KultPlus.com