Presidentja Osmani në takimin me senatorin amerikan Jack Reed: ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorin Jack Reed, kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e Kongresit Amerikan ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.

Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura./KultPlus.com

Kurti mirëpriti familjarët e shkrimtarit të ndjerë, Moikom Zeqo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mirëpritur familjarët e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur shqiptar të ndjerë, Moikom Zeqo.

“Me bashkëshorten Lida Miraj dhe djalin Epidamn Zeqo, evokuan kujtime për të ndjerin Zeqo, që iu dha lamtumira e fundit në qershor të vitit 2020”, ka thënë Kurti.

Zonja Miraj dhe Epidamni, që të dy autorë edhe vet, i dhuruan kryeministrit librat autorial të tyre bashkë me një libër të Moikom Zeqo, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri Kurti falënderoi familjarët për vizitën dhe tha se kujtimi për Moikomin do të jetojë gjithmonë përmes librave, veprave, fjalëve dhe këshillave të tij.

Shkrimtari Moikom Zeqo, përveçse autor i suksesshëm, ishte edhe ministër i Kulturës, deputet i Kuvendit dhe Drejtor i Muzeut Kombëtar të Historisë në Tiranë. Vitin tjetër ai do të festonte 75-vjetorin e lindjes./klankosova/KultPlus.com