Përmbyllet PriVocal Fest, ‘PRO ARS’ sjellë vepra unike nga muzika e vjetër maqedone

Vjollca Duraku
Foto: Rrahman Osmani

Me koncertin “12 Months” të Korit PRO ARS Choir, i cili u udhëhoq nga dirigjenti Sasho Tatarchevski, u shënua mbrëmja përmbyllëse e edicionit të shtatë të Prishtina Internatonal Vocal Festival, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare mbrëmë në përmbyllje të PriVocal Fest mblodhi adhurues të muzikës vokale, për t’u dhënë program me muzikë tradicionale maqedone. Kombinimi i ritmeve tradicionale me një formë moderne interpretimi ishte elementi kryesor i mbrëmjes, e cila erdh me një përzgjedhje tejet të veçantë veprash.

Kënga e parë interpretuese që u dha nga 18 pjesëtarët e Korit PRO ARS ishte “Liljano Mome”. Ishte një harmoni zërash që emetoheshin në sallë duke përcjellë një muzikë, kulturë dhe traditë të re te publiku i PriVocal Fest. Ndërsa “Kiten Nakiten” ishte një interpretim me tinguj interesantë, ritmikë që krijonin gjallëri brenda hapësirës.

Interpretimi në gjuhën maqedone, megjithëse nuk kuptohej për nga gjuha, arrinte qëllimin e tij përmes zërave dhe jehonave të profesionistëve të cilët kishin zënë gjithë hapësirën e skenës. Pikat tjera interpretuese qenë: “Zoshto mi se srdish libe”, “Koce Berberot”, “Po Drum Odam Majche”, “Potrchano”, “Ni Prela Gora, Ni Tkala”, “Dervishko Mome”, “Kinisa Da Oda”, “Cvetinite Ochi”, “Da Vaj Me Mila Mamo”, “Kalajdzhisko”.

Pas koncertit, dirigjenti Sasho Tatarchevski ka thënë se përgatitja e një programi të tillë ka qenë mjaftë sfidues, pasi kishin të bënin me vepra nga folklori maqedon.

“Është quajtur “12 Months” sepse janë 12 këngë dhe të gjitha janë të bazuara në këngët ekzistuese popullore maqedonase.  Disa janë shumë të vjetra, nga traditat e vjetra, disa janë më të reja. Këtë e ka bërë një kompozitor shumë i famshëm maqedonas, Zhivolin Glishikj, në bashkëpunim me PRO ARS Choir. Ai e dinte që do të ishte shumë e vështirë për të kënduar këto pjesë sepse ato janë instrumentale në mënyrën e të menduarit, por ne thjesht donim të bënim diçka që nuk e kishim bërë më parë. Kështu që ne e pranuam këtë sfidë. U desh pak më shumë kohë të përgatiteshim se sa në programet tjera. Në fund është shumë kënaqësi t’i japësh jetë këtij lloj zhanri që nuk është shumë i zakonshëm për rajonin tonë”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.

Ndërsa pjesëtarja e Korit PRO ARS, Elena Vasola, tha se me këto këngë të vjetra në PriVocal Fest është prezantuar Maqedonia.

“Ishte shumë kënaqësi të përgatisnim një program të tillë. Në fillim ishim pak të frikësuar sepse janë pjesë origjinale. Por ja dolëm mirë. Hera e dytë e performancës  ishte edhe më mirë dhe sot mendoj se ishte versioni më i mirë që ne kemi performuar ndonjëherë. Shpresojmë që në të ardhmen do të jemi gjithnjë e më të mirë, sepse e dini që me praktikë vjen madhështia që kemi”, ka thënë Vasola.

Ndërsa drejtori i PriVocal Fest, Hajrullah Syla, tha se programi mbrëmjes kishte kërkesa të mëdha artistike, i cili përfundoi me sukses falë nivelit të lartë profesional të PRO ARS Choir.

“Programi i natës së sotme ishte një program me kërkesa të mëdha, e i cili u realizua në një mënyrë mjaftë të mirë nga kori, për të cilën gjë e përgëzoj korin PRO ARS dhe dirigjentin Sasho Tatarchevski, i cili e ka bërë një punë shumë të mirë me ta. Këtë kor e njoh personalisht sepse në të kauarën kam pasur rastin të punoj pjesëtarët e tij në Shkup. Janë në një nivel mjaftë të lartë profesional dhe kjo është dëshmuar edhe sonte në performancën e tyre”, ka thënë drejtori i festivalit Hajrullah Syla.

Më tej, drejtori Syla tha se mbarëvajtja e festivalit ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar, përveç aspektit prezencës së audiencës në ditët e fundjavës.

“Edicioni i shtatë i PriVocal Fest u përmbyll me mjaft sukses, pavarësisht që nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm me aspektin e ditëve të javës. Kjo ka ndikuar pak te dy koncertet e fundit, që ishin gjatë fundjavës në aspektin e prezencës së publikut, pra nuk ka rezultuar ashtu siç e kam pritur. Megjithatë të gjithë ata që kanë qenë besoj që e kanë shijuar shumë”, ka përfunduar drejtori Syla.

Edicioni i shtatë i Prishtina International Vocal Festival u mbajt nga data 14 deri më 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

“Young Generation”: zërat e të rinjve të talentuar dhe premtues përmbyllin natën e tretë të “PriVocalFest” 

Era Berisha 

Nata e tretë e festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e të rinjve si: sopranoja Aurela Murtezaj, mezosopranoja Blenda Kelmendi, sopranoja Despina Krango, sopranoja Edina Pllana, sopranoja Elita Hoxha, sopranoja Egzona Hoxha, baritoni Harris Bajraktari, sopranoja Martina Lekaj, sopranoja Syarta Mehmeti dhe sopranoja Teuta Morina, të udhëhequr nga trajneri i zërit Raúl Giménez, derisa për të për përçuar edhe më shumë emocione tek publiku, u përkujdes pianisti Melos Buza, shkruan KultPlus. 

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që përcillnin nga afër edhe natën e tretë të festivalit “PriVocalFest”. Me padurim po prisnin daljen në skenë të artistëve të rinj, që të ardhmen duket se e kanë të shtruar bukur. Me perde të zeza, e reflektorë në ngjyrë portokalli, që i ngjajnë edhe logos së vetë festivalit, ishte mbushur këndshëm hapësira para syve të audiencës. 

Koncerti i cili filloi fiks në orën 19:13, portretizoi një program të veçantë, për zërat e veçantë të artistëve në skenë. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. Ishin të njëpasnjëshme veprat që u interpretuan, mirëpo secila pati diçka unike më vete, njashtu si vetë interpretuesit.  

Në këtë natë u interpretuan vepra të zgjedhura nga punëtoria e mbajtur për disa ditë me radhë nën instruksionet e Giménez, i cili me punën dhe këshillat e tij ka “fuqizuar” këta të rinj që të eksplorojnë teknika të reja dhe thellësi emocionale në interpretimet e tyre. 

Ndërkohë, loja aktoreske e këtyre artistëve ishte diçka që i shkonte shumë programit të përzgjedhur. Herë duke qeshë, herë duke lëvizë në skenë majtas e djathtas, herë në dyshe, e herë solo, u interpretuan veprat serioze, për një orë të plotë. Veshjet e tyre elegante i shtonin hijeshi zërit të tyre buçues, që jehonte brenda katër mureve, me ç’rast jepnin emocione të pafundme. 

Kjo u dëshmua edhe nga duartrokitjet e publikut, që pati rastin ta përjetojë një koncert më ndryshe, mbushur me ndjenja të larmishme. Ajo që mbizotëronte ishte krenaria në sytë e të afërmve të tyre, që shihnin fëmijët e tyre në skenë, tashmë nisur drejt një rruge që nuk ka kthim, por një fund dukshëm të suksesshëm. 

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, trajneri i zërit me prejardhje spanjolle, Raúl Giménez për KultPlus është shprehur tejet i kënaqur me performancën e artistëve të rinj. 

“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë me këta djem e vajza këtu, me këta të rinj të talentuar dhe dua ta falënderoj festivalin për ftesën. Ka qenë një javë intensive, dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që i kam ndihmuar këta të rinj dhe dëshiroj që ata gjithmonë të këndojnë kështu bukur si në këtë festival. E di që është hera e parë që si maestro po e bëj këtë kurs dhe dua shumë që festivali ta vazhdojë misionin tutje, me këta të rinj të talentuar.” 

Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se maestro Giménez, është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri. 

“Përzgjedhjen e programit e ka bërë maestro Giménez, pasi që ka filluar punën me të rinjtë, të cilët kanë propozuar veprat e tyre për t’i punuar me maestron. Gjatë punës, ai ka bërë përzgjedhjen e programit. Për të rinjtë është hapur një thirrje ku janë ftuar që të aplikojnë dhe me pas janë përzgjedhur nga komisioni profesional për të qenë pjesë e këtij masterklasi me maestro Giménez, i cili është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri, i cili punon pothuajse në të gjitha studiot operistike më të njohura në botë dhe ishte mjaft e rëndësishme që ta sjellim edhe në Kosovë. Bashkëpunimi më të ishte mjaft i mirë dhe tejet i lehtë, kishim mirëkuptim nga të dy anët dhe çdo gjë ishte mjaft mirë e realizuar. Shpresojmë që do të vazhdojmë edhe në edicionet e radhës që të sjellim emra të mëdhenj të këndimit, që të rinjtë tanë të punojnë me ta dhe të kenë eksperienca të tilla.” 

Koncerti i radhës në “PriVocalFest”, ‘There is someone on earth’ me mezosopranon Albane Carrère, shoqëruar në piano nga Andi Duraku dhe violonçelistja Donjeta Cërmjani, mbahet më 19 tetor nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja sjellë ‘Jehona të Përjetshme’ në hapje të edicionit të shtatë të PriVocal Fest

Vjollca Duraku
Foto: Adi Beqiri

Mbrëmë, sopranoja e njohur Adelina Paloja solli koncertin e saj recital “Eternal Echoes” në hapje të edicionit të shtatë të Prishtina International Vocal Festival, nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula- Kasapolli dhe Kuartetit Harkor “AMATI”.

Rreth orës 19:00, koncerti grumbulloi familjarë të solistes Paloja, miq, dhe artdashës në përgjithësi në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, të cilët pak para koncertit me kënaqësi shfletonin programin i cili përmbante 12 vepra të kombinuara me kompozitorë shqiptarë dhe botërorë.

Dritat u fikën, dhe për njëfarë kohe në sallë dominonte ngjyra vjollcë. Kjo ngjyrë përshtatej bukur me mbrëmjen “Jehona të Përjetshme” të artistes Adelina Paloja, pasi në botën e ngjyrave vjollca simbolizon shpirtëroren, mendimin e thellë, lluksin, prestigjin dhe elitën.

Kurse shkëlqimi i vërtetë skenës iu dha qysh me paraqitjen e parë të solistjes Adelina Paloja, nga shpirti i saj rrezatues, që shpesh herë paraqet një dashuri të madhe, të pastër me frekuenca engjëllore. Këtë aurë të saj e kompletonte fustani i argjendtë, i mbështjellë me një pelerinë vezulluese.

Koncerti filloi me interpretimin e veprave nga repertori rus, me atë të Sergei Rachmanioff- Polybila ya na pechal svoyu op. 8,no.4 Zdes Khorosho op. 21, no.7 për të vazhduar më pas me Antonín Dvořák- Měsíčku na nebi hlumbokem (Rusalka’A Aria from opera ‘Rusalka’). Interpretimi i këtyre veprave paraqiste kapacitetin artistik të artistes Paloja, dhe vokalin e saj që herë pas here shpërthente në kristale tingujsh.

Kurse, vepra e kompozitorit Léo Delibes Les filles de cadix The maids of cadiz- poésie d’ Alfred de Musset tërhoqi vëmendjen nga një vibrim i bukur i notave muzikore, që përcillej nga lëvizje skenike prej një profesionisteje. Ky koncert nuk do të kishte këtë peshë artistike po qe se do të mungonin perlat e kompozitorëve shqiptarë si Nikolla Zoraqi-Mall’ dashurie, Halit Kasapolli-Bash zemani (arr Hajrullah Syla), Avni Mula-Shqipëri o vendi im (arr.Genc Tukiqi), Agimet shqiptare, Feim Ibrahimi- Rrjedh në këngë e ligjërime (arr. Genc Tukiqi).

Ishte vepra e Johannes Brahms- 16 Waltez op.39, no.3,4 e cila u interpretua vetëm nga pianistja Lirika Pula Kasapolli, e cila sillte në pah përgatitjen e pianistes, që i dha koncertit finesë dhe virtuozitet. Kurse vepra e Astor Piazzolla- S.V.P Tango nga harmonia grupore e Kuartetit Harkor “Amati” i dha koncertit një shije të veçantë.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e parë të PriVocalFest, i cili këtë vit vjen me një mision të veçantë, duke e përdorur fuqnë e artit në mbështetje të ndërgjegjësimit për Koncerin e gjirit, ishin nga kompozitorët: Giacomo Puccini- Chi il bel sogno di doretta (Magda’s aria from opera ‘La Rondine)’, Francesco Cilea- Ecco: Respiro Appena…Io son l’lumile ancella (Adriana’s Aria from opera Adriana Lecouvreur dhe Augustin Lára-Granada.

Pas përfundimit të këtij koncerti me 12 vepra sfiduese nga kompozitorë vendorë e botëror, në një prononcim për KultPlus sopranoja Adelina Paloja tha se ndihej e plotësuar.

“Jam e përmbushur. Jam një muziktare e cila përherë kërkon më tepër nga vetvetja, jam kërkuese dhe nuk kënaqem lehtë. Kur e kam përpiluar këtë koncert recital kam përzgjedhur këto vepra solistike, që në repertorin për soprano secila prej tyre njihen që janë më të vështirat. Në mesin e tyre janë pesë apo gjashtë gjuhë me të cilat kam interpretuar, rrjedhimisht janë edhe pesë apo gjashtë kultura të ndryshme. Janë histori të ndryshme, ku secila të ngërthen në vete, me të cilat ti duhet të mishërohesh”, ka thënë sopranoja Paloja.

Më tej, sopranoja Paloja ka thënë se duartrokitjet e publikut të cilat i mori në këtë mbrëmje do t’i shërbejnë si motiv për të dhënë edhe më shumë nga kapaciteti i saj artistik edhe në të ardhmen.

“Ka qenë një punë jo e lehtë, pa modesti. Por jam shumë e lumtur që mendoj se ja dola mbarë, të cilën gjë e konfirmuan ndoshta edhe duartroktitjet e publikut tim. Të them të drejtën më kishte marrë malli që të kthehem me një koncert recital, andaj mora shumë nga kjo dashuri dhe mendoj që do të jetë motivi, refreni i cili do të më mbajë përgjatë muajve të ardhshëm, në përgatitjet e mija për të tjera angazhime”, ka thënë artistja Paloja.

Kurse, pianistja Lirika Pula Kasapolli ka thënë se bashkëprezantimi me sopranon Adelina Paloja për të paraqet gjithmonë kënaqësi.

“Është hera e dytë që ne realizojmë një recital bashkë. Hera e parë ka qenë para katër vitesh gjate pandemisë, kur koncerti është realizuar në formë të mbyllur. Kështu që sot për herën e dytë bashkëprezantimi ishte akoma më i thjeshtë. Është gjithmonë shumë kënaqësi të punosh  me muzikantë që janë të formuar, me ide dhe forma muzikore gjithmonë shumë të qarta sa i përketë frazimeve, këndimit dhe shumë të përgatitur. Kështu që është gjithmonë kënaqësi për mua”, ka thënë pianistja Pula- Kasapolli.

Ndërkaq, drejtori i Festivalit Pishtina Internationa Vocal Festival, Hajrullah Syla tha se ndihej i lumtur që programi të cilin e kishte përzgjedhur së bashku me sopranon Paloja u pëlqye nga puliku dhe se gjithçka shkoi mbarë.   

“Programi i natës së sotme ishte mjaft mirë i realizuar. Përmes duartrokitjeve u pa që publiku ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë po shpresoj që edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç edhe e kemi përgatitur” ka thënë drejtori artistik duke  bërë të ditur se të gjitha koncertet pasuese janë të veçanta në llojin e vet.

“Këtë vit për herë të parë po mbahet masterclass-i për këngëtarët e rinj, me studentë kryesisht që janë nga Fakulteti i Arteve, të cilët kanë rastin që të punojnë me maestro Raul Gimenez, një vocal koach shumë i rëndësishëm. Po besoj që janë duke u kënaqur shumë sepse po e shoh gjatë masterclassit që janë duke e shijuar shumë. Zakonisht kemi pasur garën për kompozitor dhe këtë vit kemi vendosur që të kemi masterclass. Në vitet në vijim do të kemi një vit garën për kompozitor dhe në vitin tjetër masterclassin me profersorë të ndryshëm të cilët do të arrijmë t’i sjellim këtu”, ka përfunduar drejtori Syla.

Ndërsa, prezantueset e festivalit Dea Xhemaili dhe Lirdina Kukaj kanë njoftuar se këtë edicion PriVocal Fest ka vendosur të përdor zërat, muzikën, dhe fuqinë e artit në mbështetje për të rritur ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.

“PRIVOCALFEST tash e shtatë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative. PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik”.

“PriVocalFest” në edicionin e shtatë përmbanë pesë mbrëmje artistike dhe zhillohet në datat 14- 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti i radhës do të prezantojë një mbrëmje shumë të veçantë, “Opera Night”, më 16 tetor, në ora 19:00./ KultPlus.com  

“PriVocalFest” mbrëmë hoqi perden mes solistëve dhe publikut, u konsiderua një eksperiencë e mrekullueshme

Vjollca Duraku
Fotografitë: Adi Beqiri

I mbajtur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, koncerti i katërt me radhë i “PriVocalFest”, sikur hoqi perden mes solistëve të mbrëmjes Ismet Vejselit (tenor) e Dea Xhemailit (mezsoprano) dhe publikut, duke u bërë një në energjinë e emetuar si shkak i skenës së vogël dhe pranisë shumë të afërt me publikun, shkruan KultPlus.

Në formë harkore, në shkallët e Bibliotekës, e që ngjanin me një mozaik, ishin vendosur karriget të cilat brenda pak minutave u mbushën plotë. Të radhitura rreth dhe shumë afër skenës vendi ngjasonte në një amfiteatër, që mundësonte që ngjarja të përjetohej më ndryshe sikur ndodh zakonisht, kur distanca mes interpretuesve dhe publikut është më e madhe.

Me duartrokitje publiku e mirëpriti tenorin Ismet Vejseli dhe pianistin Shkëlzen Baftiari në skenë, të cilët hapjen e koncertit e shënuar me një përulje para publikut i cili gjendej në të tre anët e tyre.

Nën tingujt e pianos filloi interpretimi i veprës “Flow my tears”, e kompozitorit John Dowland. Ishte kontakti me sy drejtuar publikut në skenë i cili gjendej shumë afër tenorit Ismet Vejselit, që bënte edhe publikun të ishte pjesë e performancës duke qenë përthithës të drejtpërdrejtë të tingujve të pianos dhe tonit jo shumë të lartë të solistit në skenë.

“Caro mio ben” e Giuseppe Giordani, ishte pika e dytë performuese, e cila filloi pas duartrokitjeve të publikut për pjesën e parë. Kjo pikë, në fillim karakterizohej me tinguj konstantë, të cilët me kohën sa vinin e bëheshin më të lartë, për të shënuar rënie përsëri. Ky cikël i ngritjeve dhe uljeve të zërit vazhdoi disa herë deri në mbarim të kësaj pike interpretuese.

“Lasciar D’Amarti” e Francesko Gasparni, qe pika tjetër e radhës, i cili i dha një pozicionim anash të tenorit, që në përgjithësi mbante një qëndrim serioz, e i cili shtohej edhe më, me një nxjerrje të herëpashershme të lartë të tingujve. Në këto çaste solisti dominonte skenën.

Një pamje më harmonike mori skena kur iu bashkua edhe mezosopranoja Dea Xhemaili, e cila së bashku me tenorin Ismet Vejseli interpretuan veprën “Pur ti miro” të Claudio Monteverdi. Kjo pikë, herë dhuronte tinguj të përbashkët të artistëve në skenë, e herë tinguj të përsëritur duke e plotësuar njëri-tjetrin.

E përqendruar në tingujt dhe interpretimin e veprës “Ah! Mio Cor” të George Frideric Handel, mezosopranoja Xhemaili nxirrte tinguj konstant, e herë të lartë, të cilët interpretoheshin më me shumë emocion. Tingujt e lehtë të pianos ishin ata që e shënuan fundin e kësaj performance, për t’i lënë radhë pjesës së dytë të koncertit, së cilës i parapriu një ndryshim i skenografisë.

Disa minuta më vonë, në skenë, të veshur në të zeza, dolën edhe violinistët Rron Bakalli e Alba Zeqiri, me violë Vesa Doli, me violonçelo Arian Zherka, dhe me piano përsëri Shkëlzen Baftiari, të cilët interpretuan gjashtë pika të kompozitorit  George Frideric Handel,  së bashku me tenorin Ismet Vejseli.

“Semplicetto! A donna credi?”, “Ombra mai fu”, “Every valley shall be exalted”,  “Dell’ Iberi al soglio invitto”, “Gentle airs, melodious strains” dhe “Tuo Druo e mio rivale” ishin veprat e kompozitorit George Frideric Handel, që tenori Ismet Vejseli dhe muzicientët i prezantuan para publikut në sallë.

Një buzëqeshje në fytyrë, lëvizje e dorës së djathë nën tinguj më të hareshëm ishin elemente të pikës së parë interpretuese në pjesën e dytë të koncertit, kulminacioni i të cilit arrihej kur tenori peshën e tij të trupi e mbante vetëm në gishtërinj të këmbëve.

Dirigjimi i muzicientëve, tinguj të lartë që pasoheshin me ngritje të vetullave për disa sekonda, tinguj strikt e dramatik, dhe një lëvizje në një linjë horizontale e tenorit për t’i vënë në qendër të vëmendjes edhe muzicientët të cilët gjendeshin në sallë qenë elemente të interpretimit të pikave pasuese, të cilat publiku i vërente lehtësisht, nga afërsia që pati me skenën.

Krejt në fund të koncertit, siç ndodh zakonisht në ngjarje të tilla, një përulje para publikut u dhurua nga solistët dhe muzicientët njëherazi.

Në një prononcim për KultPlus, mezosopranoja Dea Xhemaili të veçantë e ka quajtur koncertin dhe bashkëpunimin me tenorin Ismet Vejseli.

“Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë, pasi që ky është bashkëpunimi im i parë me tenorin Ismet Vejseli. Ishte një ndjenjë e pa përshkruar. Programin e kemi caktuar para dy muajsh. Meqë Ismeti nuk jeton në Kosovë,  provat i kemi realizuar veçmas, por pasi veç jemi edhe profesionistë nuk ka qenë edhe shumë vështirë për t’u koordinuar.  Vetëm dy deri në tri prova të përbashkëta i kemi realizuar pasi ka ardhur tenori në Kosovë”, ka thënë mezosopranoja Dea Xemaili.

Ndërsa të rëndësishëm e ka cilësuar festivalin “PriVocalFest”, tenori Ismet Vejseli duke u ndier i lumtur që iu dha mundësia për të qenë pjesë e tij.

“Është gjithmonë kënaqësi kur paraqitem para publikut të Prishtinës, e sidomos me qenë pjesë e një festivali që tash ka filluar edhe me edicionin e gjashtë dhe ka filluar të jetë shumë i rëndësishëm edhe në ngjarjet dhe në jetën kulturore në Prishtinë, kështu që është shumë kënaqësi dhe ndjehem shumë mirë gjithmonë”, ka thënë Vejseli.

Kurse violinistja Alba Zeqiri, shprehu dëshirë për të qenë pjesë e festivalit edhe në vitet e ardhshme, pasi edicioni i gjashtë i “PriVocalFest” për të ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme.

“Jam shumë e kënaqur që isha pjesë e “PriVocalFest”. Ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua të njoftohem me muzicientë të rinj dhe të bëjmë muzikë së bashku. Ne kemi kaluar shumë mirë edhe përgjatë provave, jo vetëm sot në koncert. Besoj se koncerti i sotëm ka qenë një përvojë shumë e mirë për të gjithë ne. Kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe shpresoj se edhe viteve të ardhshme do të përsëritet e njëjta, me shpresë që do të ketë edhe më shumë koncerte me muzicientë të rinj”, tha Zeqiri duke e bërë të ditur faktin se nuk e kanë ndier aspak lodhjen përgjatë provave.

“Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë. Kemi pasur prova çdo ditë por nuk është se e kemi vërejtur lodhjen, për shkak se kanë qenë prova shumë interesante. Kemi bërë muzikë, jemi kënaqur duke bashkëpunuar, jemi marrë vesh për gjëra të ndryshme dhe procesi i provave ka shkuar shumë shpejt, aq sa nuk e kemi vërejtur kohën që ka shkuar. Shpresojmë që ta bëjmë të njëjtën edhe viteve të ardhshme”, përfundoi Zeqiri..

Koncerti i radhës i festivali “PriVocal Fest” do të mbahet sonte, me 11 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku solistë do të jenë: Adelina Paloja, Hajrullah Syla, Ismet Vejseli dhe Elona Sadiku./KultPlus.com