Artistë vendorë e ndërkombëtarë shënojnë edicionin e tretë të ‘Prizren Fest’

Me yje ndërkombëtar si Marie Christine Barrault nga Franca, Pippo Delbono nga Italia, Fatemeh Motamed-Arya nga Irani, fituese e shumë cmimeve e shumë shumë artistë të njohur në botën teatrore po shënohet edicioni i III i festivalit PRIZREN FEST.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur – Prizren Fest edhe mbrëmë solli një laramani shfaqjesh duke filluar nga shfaqjet për fëmijë, ku po vazhdon TEATROSKnga Maqedonia e Veriut, me statujat e gjalla në sheshet e qytetit të Prizrenit e po i argëton qytetarët e në vecanti fëmijët.

Shfaqja e dytë për fëmijë ishte MBRETI BRETK nga Sllovenia, një histori për një princeshë që humbi topin e saj të artë dhe një bretk që e gjen topin në pellg dhe ia kthen atë Princeshës. Por në këmbim të topit të artë, Bretku kërkon dashurinë e Princeshës. Historia trajton kërkesën gjithmonë të pranishme për kompromis dhe mesazhi i saj u kushtohet të gjitha princeshave të reja.

Në PRIZREN FEST shfaqja FËMIJA nga Irani solli historinë e përjetimeve të njerëzve të pambrojtur emigrantë, të vuajtur nga lufta dhe varfëria, një problem me të cilin bota ka qenë duke luftuar që prej kohësh. Kjo temë u paraqit përmes paraqitjes së grave dhe fëmijëve të vuajtur nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët strehohen në Amerikë dhe Evropë. Një shfaqje . që synon të përcjellë mesazhin e paqes dhe barazisë së të gjithë njerëzve në tokë. 

Shfaqja LULE SAJZA nga Shqipëria është një teatër dokumentar i cili na solli historitë e të vërtetat e përjetimeve të kampit të Tepelenës. Një shfaqje që flet për dhimbjet e vërteta shqiptare. Faktet tronditëse dhe historitë e dhimbshme, rrënqethëse, në kufi me të pabesueshmen hedhin dritë mbi të shkuarën tonë të errët dhe na ftojnë që përmes vuajtjeve të së shkuarës të njohim më mirë veten, tjetrin dhe të ardhmen tonë. Emocionet u rritën edhe më shumë kur në fund të shfaqjes doli edhe vet Simon Mirakaj i cili kishte përjetuar vet tmerrin e kampit të Tepelenës, solli përjetimet personalem emocione reale të buruara nga shpirti./KultPlus.com

Screenshot

“Adn” dhe “Audienca” shfaqjet që u prezantuan në “Prizren Fest”

Mbrëmë Teatri Shqiptar i Shkupit në “Prizren Fest” u prezantua me shfaqjen “Adn”. Shfaqje e cila përpos lojës e mrekullueshme të artistëve nga Shkupi, njëkohësisht përmbante porosi universale për rrezikun e vazhdueshëm në shoqëritë e rrethuara me kërcënime ekzistenciale. Shfaqja tjetër në “Prizren Fest” ishte nga Teatri “Bekim Fehmiu”, “Audienca” nga Václav Havel që trajton temat e autoritarizmit, burokracisë dhe cenzurës kundrejt dinjitetit njerëzor dhe rezisencës qytetare në shoqëritë totalitare. E këtë më së miri e sollën tek publiku aktorët me interpretimin e tyre brilant.

Ndryshe, Prizren Fest është në edicionin e tretë dhe përgjatë këtij edicioni ka shumë prurje teatrale, duke përfshirë edhe shfaqjet në ambient të hapur, të cilat po ngjallin reagim te kalimtarët e rastit./ KultPlus.com

“Prizren Fest” anëtare e European Festivals Association


Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prizren Fest” zyrtarisht është bërë anëtare e European Festivals Association (EFA), shkruan KultPlus.

“Jemi të emocionuar dhe krenarë për këtë mundësi të mrekullueshme e cila do të jetë një mbështetje e madhe në përpjekjet tona artistike” ka thënë Shkëlzen Veseli, drejtor i këtij festivali.

Ndërkohë me anëtarësimin e këtij festivali në European Festivals Association janë anëtarësuar edhe 14 festivale të tjera nga shtete të ndryshme të Evropës./ KultPlus.com

‘PrizrenFest’ bën bashkë teatrot e Kosovës, Tiranës dhe Shkupit, miratohet një dokument me listë të rekomandimeve

Në kuadër të edicionit të dytë të Festivalit të Teatrit, Prizrenfest, është mbajtur konferenca teatrore e organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombetar Tiranë dhe Teatri Shqiptar Shkup në bashkëpunim me PrizrenFest.

Konferencën e moderuan Kushtrim Sheremeti, drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës; Altin Basha – drejtor i Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Adem Karaga – drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, me temë diskutimi: “Bashkëpunimi ndërmjet teatrove shqiptare – sfidat, mundësite dhe përparësitë”. Në këtë konferencë një ditore, morën pjesë artistë dhe përfaqësues të institucioneve teatrore shqiptare nga të tre vendet.

Ndër të tjera u shpalosën edhe detaje të Marrëveshjes për bashkëpunim teatror të nënshkruar rishtazi nga Ministrat e Kulturës, Hajrullah Çeku dhe Elva Margariti.

Ne fund të konferencës u miratua dhe një dokument me një listë të rekomandimeve që do të quhen, “Rekomandimet e Prizrenit” i cili do t’i dorëzohet ministrave të kulturës të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./KultPlus.com

Magji teatrore në Prizren Fest, katër shfaqje për një natë për publikun prizrenas

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, në natën e dytë të edicionit të tij, që ishte mbrëmë, brenda natës ofroj për shikuesin prizrenas katër shfaqje, gjë që nuk ishte aspak problem që secila nga to të ketë audiencën e saj.

E para ishte shfaqja “Çelësi Magjik”, e cila solli vërtetë një magji teatrore për më të vegjlit tanë.

Nata e dytë vazhdoj me shfaqjen “Aurora” nga Çekia nën regjinë dhe koreografinë e Carolina Arandia. Aurora është një pjesë vallëzimi, një përvojë hipnotike dhe medituese në të cilën dy valltarë imagjinojnë se si ritmi i tyre është i kompozuar bashkë me rendin e universit. Bëhet fjalë për një lidhje, për brishtësinë dhe fuqinë e saj, e cila na e zbulon dimensionin sublim që format e takimit të saj marrin në raport me tërësinë…

“Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe në regjinë e Kushtrim Koliqit, ishte shfaqja e tretë të cilën artdashësit patën mundësinë ta shohin në kuadër të Prizren Fest-it. “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

E natën e mbrëmshme të Prizren Fest-it, e përmbylli shfaqja “Tatuazhi i Trendafili” e cila u dha në oborrin e Lidhjes së Prizrenit me regji nga Zana Hoxha. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin…

Programi i ditës së sotme i Prizren Fest-it do të vazhdoj me shfaqjen “Tomi dhe Xheri” nga ora 20:00 në Abi Çarshia, pastaj në orën 20:30 shfaqja nga Italia e cila jepet në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, dhe e fundit për natën e tretë të festivalit, jepet shfaqja nga Mali i Zi në ora 21:30 në Kino Lumbardhi.

Prizren Fest do të vazhdoj deri me datën 28 Korrik me një program shumë të pasur. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, “Prizren Fest” zbulon programin e plotë për edicionin e radhës

Vetëm katër ditë na ndajnë nga fillimi i edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, i cili mbahet në Prizren, përcjell KultPlus.

Që nga data 22 deri më 28 Korrik, artdashësit do të kenë mundësi të jenë pjesë e një javë të mbushur me aktivitete të shumta që do të mbahen në kuadër të Prizren Fest-it.

Në këtë vit për dallim nga viti i kaluar, programi i shfaqjeve është dyfishuar. Në natën e hapjes me 22 Korrik, do të shfaqet “Maidan Inferno” nën regjinë e Clement Peretjatko (Ukrainë-Francë) nga ora 20:30 në Kino Lumbardhi, për të vazhduar në netët në vazhdim deri me 28 Korrik, me shfaqje nga Italia, Çekia, Bullgaria, Greqia, Sllovakia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

Në veçanti në këtë edicion Prizren Fest ka menduar edhe për fëmijët, ku gjatë gjithë javës ka program shumë të pasur për më të vegjlit.

Pjesë e programit plotësues janë edhe punëtoritë për të rinjë, ku të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi që t’i zgjerojnë njohurit e tyre për teatrin nga ekspertë evropian.

Jo më pak të rëndësishme janë dy konferencat që do të mbahen me datën 26 dhe 27, tek Shtëpia e Shani Efendisë.

Lokacionet që do të jepen shfaqjet janë: Kino Lumbardhi, Kino Plato, Abi Carshia, Oborri i Lidhjes së Prizrenit, Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare, Sinan Pasha Kej, Teqja e Halvetive, Platforma në Lumë.

E sigurisht që ky edicion i Prizren Fest-it,  do të ishte i pamundur pa mbështetjen e sponzorëve kryesor që janë- Komuna e Prizrenit, Ministria  e Kulturës, Rinisë dhe Spotit si dhe Banka Ekonomike. / KultPlus.com