Zbulohet shtatorja e Skënderbeut në Prizren

Në Prizren sot për nder të 28 Nëntorit iu është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, shkruan KultPlus.

Përderisa shtatorja e tij gjendet në plotë hapësira të qyteteve të Kosovës, tanimë këtë nismë e morri edhe qyteti antik.

 Përgjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mutaher Haskuka u shpreh se Skëdnerbeu ishte shembull për veprimtarët shqiptarë gjatë periudhave.

“Sot Skënderbeu dhe Lidhja shqiptare bashkohen në kryeqytetin historik të Kosovës së Adem Jasharit. Sot na bashkohen datat, figurat historike, qëllimet e tyre që u copëtuan në konferenca ndërkombëtare por përpjekja e popullit kurrë nuk u shua”, tha Haskuka. / KultPlus.com

28 Nëntori në Prizren do të shënohet nëpërmjet koncertit “Wind Ensemble”

Pavarësia e Shqipërisë do të sjell tinguj muzike në qytetin e bukur të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Koncerti “Wind Ensemble” do të bëj që të hapen dyert e Kino Lumbardhit për audiencën duke filluar nga ora 14:00.

Këtë ditë të madhe kombëtare nëpërmjet performancave të tyre artistike do ta shënojnë Nita Krajku, Malbonë Krajku, Rabije Krasniqi, Zana Xhuli, Meriton Zajmi.

Flauta, klarineta, saksafoni, fagoti dhe perkusioni do të jenë shoqërues të publikut artdashës. / KultPlus.com

Ndriçohet Ura e Gurit në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sonte ka bërë ndriçimin e Urës së Gurit, shkruan KultPlus.

Këtë ai e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka shkruar se krahas Urës së Gurit në të ardhmen do të ndriçohen edhe monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Më i bukuri vend dhe qendra historike e tij tanimë ka marrë një pamje më të bukur e të ndriçuar!

Nga sonte, çdo natë, Ura e Gurit, do të ndriçohet në mënyrë automatike për t’i dhënë qytetit tonë një pamje më të bukur.

Ndriçimin e filluam me Urën e Gurit, simbol i qytetit të Prizrenit, ndërkaq kështu do të vazhdojmë edhe me urat e monumentet tjera të trashëgimisë kulturore të Prizrenit./ KultPlus.com

Dyer dhe dritare antike të Prizrenit u shfaqën në instalacionin artistik të Valtida Shukriut

Qytetin antik të Prizrenit së fundmi e ka zbukuruar instalacioni artistik në hapësirë publike ‘’T’pres n’derë-dritare’’ nga Valtida Shukriu, shkruan KultPlus.

Shukriu e cila vie nga një familje e Prizrenit, përtej studimeve të saj për drejtësi, merret aktivisht edhe me krijimtari. Rrugëtimi i saj me artin kishte nisur në vitin 2017, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë krijimin e profilit për dyert dhe dritaret e shtëpive të vjetra të Prizrenit.

Tanimë, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore ka ardhur në formën e një instalacioni artistik në shëtitoren e lumit Lumbardh në Shadërvan të Prizrenit.

‘’T’Pres N’Derë-Dritare’’ përfshinë 8 dyer dhe 4 dritare që kryesisht i përkasin stilit otoman, nga shekulli XIX. Ndërsa përbrenda këtij instalacioni për të shikuar fotografitë e prezentuara të dyerve dhe dritareve ekzistuese është hyrë përmes dyerve të vjetra, që vizitorët të mësohen se si hapet dera e Prizrenit dhe të dilet nga po ajo derë.

Ky instalacion artistik vazhdon ende të jetë i ekspozuar në qytetin e bukur e antik, teksa prezantimi i 415 fotografi të dyerve, dritareve dhe aksesorëve të këtyre objekteve nga qyteti i Prizrenit është duke u bërë në profilin: https://www.facebook.com/prizrendoorsandwindows/ ./ KultPlus.com

Sonte në Prizren mbahet ‘BalkanFest’

Festivali multietnik i këngëve tradicionale “BALKANFEST” do të mbahet këtë vit në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, me video transmetim të drejtpërdrejtë në televizionet lokale dhe televizione të tjera, si dhe në platformat sociale.

Festivali do të mbledh interpretues nga të gjitha komunitet e Republikës së Kosovës, organizuar nga Shoqata për Kulturë “Plejada”, dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të Drejtorisë së Kulturës të Komunës së Prizrenit.

Sipas organizatorëve, festivali organizohet tradicionalisht për të pestën herë, dhe këtë vit ai do të organizohet në një format shumë më të gjerë dhe me një numër më të madh të interpretuesve të këngëve tradicionale nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Vlen të përmendet se të gjitha komunitetet në Kosovë (boshnjak, shqiptar, goran, turk, serb, rom, ashkali, egjiptian) do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të festivalit. Festivali synon të promovojë, t’i ruajë nga harresa dhe të paraqesë këngë tradicionale, por edhe llojllojshmëritë dhe vlerat kulturore të Republikës së Kosovës si dhe të vendeve të Ballkanit”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Publikut prizrenas iu ekspozua krijimtaria e dy artistëve nga Dibra

Krijimtaria artistike e dy piktorëve nga Dibra, Dritan Bocku dhe Adem Sulejmanoski janë prezantuar para publikut në ekspozitën e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shkruan KultPlus.

Artistët Bocku dhe Sulejmanoski nëpërmjet ekspozitës sollën botën e tyre artistike, të shprehur nëpërmjet pikturave të tyre, të cilat tanimë janë vlerësuar nga qarqet artistike vendore dhe ndërkombëtare. Në ekspozitë përveç simpatizantëve të veprës së artistëve, të pranishëm ishin edhe drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha.

“Autorët e këtyre veprave janë dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës, ku arti i tyre ka prezantuar kulturën, trashëgimin dhe vlerat kombit tonë”, u shpreh Hoxha.

Tutje Samir Hoxha vazhdoj duke potencuar se ekspozita të tilla në kohë pandemie i ofrojnë publikut një oazë arti i cili ushqen shpirtin në një situatë të vështirë siç është kjo e tanishmja.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Zinqe Mimidinoski ka shprehur mirënjohjet e tij për mikpritjen që iu është bërë krijimtarisë së artistëve në Prizren.

I emocionuar nga publiku kosovar, Dritan Bocku me një gëzim prezantoj veprat e tij për artdashësit prizrenas, ku ai nëpërmjet artit tregoj bukuritë natyrore dhe të kaluarën e trevave të Dibrës në Maqedoninë e Veriut.

Kjo ekspozitë përveç që ka shpalosur botën artistike të dy piktorëve, ka hedhur edhe një hap tutje drejt krijimit të urave të bashkëpunimit në sferën kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com

Festivali i Stripit dhe Karikaturës në Prizren, këtë edicion me rekord të aplikuesve

Strip Festivali më i vjetër në Kosovë që mbahet në qytetin e vjetër kulturor, Prizren, edhe këtë vit do të vazhdojë me realizimin e edicionit të radhës.

Festivali për të 17-ën herë do të mbahet në datat 15-18 tetor 2020, por ajo që këtë festival e bën më të veçantë është arritja e suksesit në përkrahjen e artistëve botëror dhe vendorë. Përkundër vështirësive dhe bllokadave në luftë me Covid-19 festivali këtë vit theu rekordin e aplikuesve që dërguan punimet e tyre. 1147 artisë nga 71 vend botëror me më shumë se 10.000 punime të stripit dhe karikaturës.

Lufta kundër një virusi mbarëbotëror i vuri organizatorët në dilemë se si do të zbatohet vijimi i festivalit, të bëhet online ose të shtyhet për vitin e ardhshëm, por arritja e aq shumë punimeve i shtyri që të organizojnë festivalin Online dhe të bëjnë hapjen e ekspozitës duke marrë të gjitha masat mbrojtëse kundër këtij virusi dhe të realizojmë këtë festival duke mos humbur vitin tradicional.

Kështu që festivali për dy ditët e para do të jetë Online duke u përcjellur në YouTube dhe në Facebook. Në ditën e tretë dhe të katërt do të jetë në mënyrë Online dhe do bëhet hapjen e ekspozitës, por duke mos thyer masat e vënë të Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, kështu ekspozita odo të ketë numrin e limituar të vizitorëve në galeri.

Festivali i këtij viti për organizatorët konsiderohet si më i vështiri.

“Ky vit neve na ndaloj të jemi së bashku me artistët botëror, me vizitorë të shumët, me shoqërinë artistike, me prezantimin e qytetit historik e kulturor, ku për shkak të koronës na dështuan ditët e lumtura me artistë e miq që vijnë në Prizren, të cilën neve na lidh vetëm një gjë, stripi dhe karikatura, por edhe shumicën e artdashësve që kënaqen duke shijuar bukurinë e punimeve nga artistët më të njohur të artit të nëntë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Prizreni, qytet ndër më të pasurit, në trashëgimi kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot ka vizituar qytetin e Prizrenit, pasi që ka përfunduar restaurimi i disa shtëpive të vjetra të familjeve Doda, Dukagjini e Skenderi, në kuadër të fushës së trashëgimisë kulturore dhe ministrja ka përuruar shtëpitë e restauruara.

Gjithashtu, ministrja ka vizituar edhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, ku është pritur nga drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha, si dhe Kalanë e Prizrenit, për të parë për së afërmi punimet që janë realizuar në këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë.

Në qëndrimin në QRTK-Prizren, ministrja, është takuar me stafin e qendrës dhe ka biseduar për planet dhe punën që zyrtarët bëjnë si dhe ka parë edhe ambientet të cilat janë shfrytëzuar si burg, në podrumin e objektit të qendrës dhe ka thënë se ky burg do të kthehet në muze, me qëllim të dokumentimit të historisë tonë të trishtë, vend në të cilin kanë përjetuar tmerre shumë intelektualë shqiptarë të kohës së pasluftës së dytë botërore të shek. 20.

Ministrja Dumoshi u shpreh gjithashtu se QRTK-ja në Prizren ka një staf dhe planprogram profesional i aftë për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si pjesa më e rëndësishme e historisë së Kosovës.

“Me drejtorin e Qendrës, ne biseduam dhe posa e vizituam burgun famëkeq, dhe këtë burg ne do ta zhvillojmë do ta bëjmë si muze që do të dokumentohen historia jonë e trishtë, e njerëzve të cilët kanë kaluar, dhe të cilët edhe sot nuk gjinden as eshtrat e tyre, njëri prej tyre është edhe familjar i imi. Për mua është emocion i veçantë, po në këtë burg, vet shkrimet të cilat janë shkruar, dhe notat e muzikës, tregojnë që pjesa intelektuale ka përjetuar torturat me të rënda në këtë vend”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha, u shpreh se në bodrumet e objektit ka qenë një qendër paraburgimi, në vitet 1945-1965, që nga koha e Ozna-s.

Dumoshi: Familjet kanë pasur durimin dhe kurajën t’i ruajnë shtëpitë

“Familjet në Prizren, e kanë ditur rëndësinë që kanë shtëpitë dhe nuk i kanë lëshuar ato dhe kjo gjë më la mbresë të madhe dhe ne si ministri kemi ndërhyrë për t’i restauruar shtëpitë e këtyre familjeve me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore”, është shprehur ministrja Dumoshi, pas vizitës së shtëpive.

Ministrja ka thënë gjithashtu se MKRS-ja do të punojë edhe në rrugën ‘Marin Barleti’ dhe ky projekt do të finalizohet shumë shpejt.

Kalaja e Prizrenit, objekt i rëndësisë së veçantë të trashëgimisë

Ministrja Dumoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së kanë vizituar edhe Kalanë e Prizrenit. Ministrja ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë planin e menaxhimit për këtë objekt të rëndësisë së veçantë të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Prizrenit por të gjithë Kosovës.

“Bashkë me zotin Gashi biseduam për plotësimin e stafit të Kalasë, dhe ajo do të ketë ciceronin edhe zyrtarë të mbikëqyrjes dhe mjeshtrive të ndryshme të cilat janë mjaft specifike”, tha ndër të tjera ministrja, e cila përmendi se edhe gërmimet arkeologjike në kala duhet të vazhdojnë.

Ndërkaq, Shafi Gashi, arkeolog dhe menaxher i projektit të Kalasë së Prizrenit, tha se vizita e ministres në Kala, tregon përkushtimin e ministres dhe MKRS-së që kanë për objektin dhe për trashëgiminë kulturore në përgjithësi.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, gjatë vizitës së sotme në Prizren, ka takuar edhe filigranë, të cilët me mjeshtrinë e tyre, realizojnë stoli të ndryshme.

Në Prizren hapet ekspozita ‘Wildlife- Albanian Photographer’, shpalosen fotografi të shpendëve shtegtarë

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë, organizata “Wildlife – Albanian Photographers”, me përkrahjen e Komunës së Prizrenit, ka organizuar ekspozitën fotografike me temë: Shpendët shtegëtarë (migrues).

Në hapjen e kësaj ekspozite që ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e shpendëve migratorë, mori pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Emilija Redzepi.

Ekspozita do të jetë e hapur në mes të datave 09-12 tetor tek “Sheshi i Lidhjes”, ku qytetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me ekologjinë e shpendëve migrues përmes fotografive të shkrepura nga fotografët e ndryshëm nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. / KultPlus.com

“Oldtimer-Fest” ekspozoi automjetet klasike në qytetin e Prizrenit

Oldtimer Club Prizren ka organizuar dje edicionin e 15-të të automjeteve klasike “Oldtimer-Fest 2020”.

Automjetet klasike janë ekspozuar në qendër të qytetit, përkatësisht në “Sheshin e Lidhjes”, nga ora 11:00 deri në orën 16:00.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një statusi në Facebook ka theksuar bukurinë e këtij organizimi.

“Sa bukur paska qenë dje në Prizren organizimi i përbashkët i RETRO Albania dhe OLDTIMER Kosova”, ka shkrua Rama. / KultPlus.com

‘Dita pa Makina’ shënohet nesër në Prizren

Të martën në Prizren do të organizohet aktiviteti ‘Dita pa makina’, e cila organizohet me qëllim të shfrytëzimit sa më pak të makinave, një ndër ndotësit kryesor të ndotjes së ajrit si dhe me qëllim të nxitjes së përdorimit të transportit urban dhe biçikletave, shkruan KultPlus.

Në njoftimin e bërë nga ana e Komunës së Prizrenit tregohet se nesër, një pjesë e aksit rrugor “Remzi Ademaj” dhe “Adem Jashari” do të jetë e bllokuar për automjete për një orë, 11:00 deri në 12:00.

Sipas njoftimit pikërisht në këtë segment rrugor do të ketë aktivitete të ndryshme. Gjatë kësaj kohe makinat duhet të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative, rrugën “Faik Emrush” dhe “Fehmi Lladrovci”.

“Dita pa makina” organizohet për çdo vit në rreth 2000 qytete dhe 40 vende të ndryshme të botës./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/kkprizren/photos/a.290872951113649/1440929596107973/?type=3&theater

QRTK reagon rreth punimeve në lagjen e Nënkalasë: Komuna e Prizrenit nuk po respekton ligjet

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK Prizren) ka reaguar për shtrimin e rrugës në nënkala të Prizrenit me kubëza betoni, shkruan KultPlus.

Sipas tyre në bazë të projektit rruga duhej të shtrohej me kalldërm (gurë lumor dhe kubëza guri) si dhe ishte paraparë të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues.

Nëpërmjet një komunikate për media ata kanë thëne se ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konzervimit.

“QRTK – Prizren njofton opinionin publik që shtrimi i rrugës në nënkala me kubëza betoni është i papranueshëm, pasi që është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konzervimit, si dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar”, thuhet në njoftim.

Tutje ata kanë shtuar se Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, kurse trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare.

“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndaloj menjëherë punimet jo-adekuate në Nënkala dhe ti përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së”, thuhet mes të tjerash në komunikatën për media./ KultPlus.com

Tendat me produkte artizanale çdo vikend në Prizren

Komuna e Prizrenit me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, sot në sheshin e dëshmorëve u vendosën 10 tenda, me qëllim të shitjes së produkteve artizanale të punuara nga zejtarët dhe OJQ- të e ndryshme të rajonit të këtij qyteti.

Sipas njoftimit, këto tenda do të jenë të ekspozuara për katër javë, çdo të shtunë dhe diel, si dhe do të jenë të hapura për qytetarë nga ora 17:00 deri në ora 21:00.

Komuna e Prizrenit planifikon të zhvilloj turizmin në fshatin Struzhë

Komuna e Prizrenit po planifikon që të fillojë pilot projektin në fshatin Struzhë, ku do të investohet në rehabilitim dhe vënie në funksion të një numri të madh të shtëpive të vjetra të fshatit si bujtina për turistët vendorë dhe ndërkombëtar, përcjellë KultPlus.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook është bërë e ditur se si pjesë e këtij projekti parashihet edhe ndërtimi i muzeut etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat.

Më poshtë gjeni statusin e plotë:

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik është duke planifikuar dhe analizuar mundësitë për fillimin e një pilot projekti në fshatin Struzhë, i cili do të konsistojë në krijimin e mundësive të zhvillimit turistik dhe eko-turizmit, ku parashihet të investohet në rehabilitimin dhe vënien në funksion të një numri të shtëpive të vjetra të fshatit, të murosura me gurë natyral, të cilat pastaj parashihet të shndërrohen në bujtina për turistët si vendor po ashtu edhe ndërkombëtar. Si pikë e dytë e këtij projekti parashihet krijimi i një muzeu etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat, dhe ato që mund të gjenden në vazhdimësi. Qëllim primar dhe kryesor i projektit është zhvillimi ekonomik i zonës në fjalë, zhvillimi i turizmit malor dhe pasurimi i ofertave turistike në kuadër të Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

Në Prizren nuk respektohen masat kundër Covid-19, restorantet e stërmbushura gjatë mbrëmjes (VIDEO)

Duket sikur situata pandemike në disa qytete të Kosovës ka dalur jashtë kontrolle, pasiqë qytetarë të papërgjegjshëm nuk i kanë përfillur masat kundër pandemisë, shkruan KultPlus.

Edhe pse sot është ditë feste, krerët e instituconeve vazhdimisht kanë bërë thirrje që në këtë ditë të evitohet kontakti me të afërmit, mesa duke qytetarët e Prizrenit nuk e kanë marrur parasysh këtë kërkesë edhe pse në këtë qytet numri i të infektuarëve është në rritje.

Në Qendrën Tregtare Abi Çarshia, qytetarët nga Prizreni kanë vërshuar vendin, shihen restorantet e vërshuara nga njerëzit të cilët nuk respektojnë aspak masat kundët Covid19. / KultPlus.com

Komuna e Prizrenit lanson ueb-faqen e re të turizmit

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz kanë bërë lansimin e “Ueb-faqes së Turizmit për Komunën e Prizrenit”, shkruan KultPlus. : https://visit-prizren.com/.

Në këtë ueb faqe mund të gjenden videot përshkruese të qytetit, informatat e hollësishme rreth arritjes në Prizren, broshura informuese, harta të monumenteve kulturore e historike, evente, destinacione dhe oferta turistike, e shumë fusha të tjera që lidhen me zhvillimin e  turizmit.

Në një fjalë rasti kryetari Haskuka deklaroi se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, por theksoi se kjo periudhë e krizës mund të shfrytëzohet për t’i adresuar nevojat e këtij sektori.

“Sipas analizës që është bërë në kuadër të strategjisë së turizmit në Komunën e Prizrenit, një nga nevojat e sektorit të turizmit ishte qasja në informata, e cila do të plotësohet nga kjo ueb-faqe. Gjatë kohës së pandemisë turizmi i brendshëm po e merr primatin, për këtë arsye ne shpresojmë që kjo ueb-faqe po ashtu do të ndikojë në ngritjen e vizitave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga vendet e rajonit”.

Duke theksuar se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në fushën e turizmit, Haskuka shtoi se puna e Komunës së Prizrenit në këtë sektor nuk do të ndalet, ngase në periudhë afatgjate turizmi është një ndër sektorët e ekonomisë që krijon më së shumti vende të reja pune. /KultPlus.com

Zyra e Qendrës Historike e Prizrenit ende nuk është funksionalizuar

Komuna e Prizrenit ende nuk e ka funksionalizuar Zyrën e Qendrës Historike të Prizrenit, edhe pse vendimi për themelimin e saj ishte votuar në maj të vitit 2019 nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Këtë lajm e ka bërë të ditur OJQ “Ec ma Ndryshe”, e cila ka theksuar se në vendimin e Kuvendit të Komunës thuhej se Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit do të funksionojë si zyre e veçantë në kuadër të Zyrës së kryetarit të Komunës së Prizrenit, dhe se do të ketë udhëheqësin e saj dhe dy zyrtarë. Për zbatim të këtij vendimi, Kuvendi kishte obliguar Zyrën e kryetarit të Komunës.

Komuna e Prizrenit në përgjigjen e saj ka ofruar disa arsye për mosfunksionalizimin e deritanishëm të Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit: “Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit ka për qëllim të krijojë koordinim sa më të mirë mes institucioneve që kanë të bëjnë me Qendrën Historike. Funksionalizimi i kësaj qendre është shtyrë për shkak se ende nuk është arritur që të bëhet rekrutimi i stafit, për shkak të pengesave administrative, të cilat janë amendamenti i Ligjit për Zyrtarët Publikë, planifikimi i stafit, ndryshimi i numrit të ministrive në qeveri dhe konfirmimet që presim nga ministritë përkatëse. Po ashtu një prej arsyeve është edhe pandemia COVID-19, e cila ka ngadalësuar procedurat administrative. Është bërë planifikimi për rekrutim të stafit dhe pritet konfirmimi nga ministria përkatëse”.

EC përkujton se dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit (Ligji Nr. 04/L-066 i aprovuar në vitin 2012) parashohin që Komuna e Prizrenit të themelojë një zyrë për Qendrën Historike të Prizrenit, me qëllim të: koordinimit të veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë asistencën ndërkombëtare; informimit të publikut mbi rëndësinë dhe statusin e mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit; promovimit dhe zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit si destinim turistik me një trashëgimi kulturore të pasur; nxjerrjes dhe shpërndarjes së informatave të sakta sa i përket Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë hartat informuese, listën e shërbimeve të ofruara, agjendat kulturore dhe reklamat.

Duke marrë parasysh faktin se trashëgimia kulturore është njëra nga prioritetet e qeverisë aktuale komunale, EC ma Ndryshe i bën thirrje ekzekutivit komunal që të ndërmarrë veprime urgjente për funksionalizimin e Zyrës së Qendrës Historike të Prizrenit dhe të mundësojë pa vonesa të mëtejme që ajo ta ushtrojë rolin për mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e zonës së mbrojtur të qytetit. / KultPlus.com

Në Prizren realizohet projekti i “Auto-Kampit” që është i pari në vendin tonë

Komuna e Prizrenit, ka bërë lansimin e projektit të ri për “Auto-Kamp”, që është i pari i llojit të tillë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kryetari Haskuka ka njoftuar se në kuadër të këtij projekti janë krijuar hapësira për 10 vetura për kamping, hapësira gjelbëruese, ulëse për pushim, pajisje sportive dhe lodra për fëmijë.

“Në këtë vend tanimë turistët vendorë dhe ndërkombëtarë mund furnizohen edhe me rrymë dhe nevojat tjera që iu duhen një vend-kampingu të tillë. Kjo është vetëm faza e parë e këtij projekti, ku investimet do të vazhdojnë edhe më tej me kyqjen e ujit, vendosjen e dush-kabinave, si dhe do të bëhet qasja në rrugën kryesore”, tha ai.

Tutje ai ka falënderuar shoqatën e bjeshkatarëve Sharri për gatishmërinë e treguar për mirëmbajtjen e kësaj hapësire që ndodhet një kilometër larg nga qendra e qytetit, ndërkaq i ka ftuar të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë dhe ta mbrojnë këtë ambient, si pasuri e të gjithëve. /KultPlus.com

Themelohet në Prizren Muzeu i Nënë Terezës

Muzeu i Shenjtores dhe humanistes sonë Nënë Tereza po themelohet në Prizren, qytetin e rrënjëve të saj. Ky muze, që është pjesë e programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë- Maqedoni Veriore dhe bashkëfinacohet nga Komuna e Prizrenit.

Ai ka për qëllim t’i mbledhë dhe t’i ruaj kujtimet për Nënë Terezën, t’i ndajë ato me njerëzit dhe të kontribuojë në nxitjen e mirëkuptimit dhe kohezionit brenda shoqërisë, të ndërtuar mbi parime të barazisë, humanizmit dhe solidaritetit, ashtu siç punoi gjithë jetën Nënë Tereza.

Një ekip kuratorial si bashkëpunim i ekspertizës vendore dhe ndërkombëtare do të përkujdeset që jeta e Nënës Terezë të shpaloset përmes tregimeve për vendlindjen e saj, prindërit dhe rrethanat e tjera që çuan në formimin e personalitetit human më me peshë të shekullit XX. Një pjesë të fëmijërisë e të rinisë së saj ajo e ka kaluar në vendin e lindjes, Shkupin, me vizita të shpeshta te familjarët dhe në famullitë në qytete të ndryshme të Kosovës. Gjatë vizitave takoi shumë njerëz, burra, gra e fëmijë për t’iu dhënë kurajo e falur dashurinë e një nëne dhe shenjtoreje. Besojmë që gjurmë dhe tregime të jetës të saj të kësaj periudhe si dhe të vizitave të mëvonshme si motër misionare ende janë prezente në kujtimet e atyre që patën fatin ta takojnë.

Mirëpo shume prej këtyre tregimeve mbesin të pathëna, të papara e të padëgjuara për shumicën e njerëzve. Prandaj, të gjithë ju që e keni pasur fatin ta takoni Nënë Terezën të bashkëbisedoni me të, t’ia dëgjoni fjalët e rrëfimet, ose të shkëmbeni ndonjë letër me të, CHwB Kosova fton të gjithë që t’i ndajnë kujtimet e tyre, në mënyrë që ato të ruhen dhe mbesin përgjithmonë në Muzeun për Nënën Terezë.

Muzeu për Nënën Terezën do të bëhet në plotni kur bashkohen dhe ruhen kujtimet tona për Nënë Terezën. / KultPlus.com

(Pa) Drejtësi e plotë për Xhenetën

Katër vite pas vdekjes tragjike të vogëlushes Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, asnjë zyrtar institucional nuk është dënuar nga drejtësia, edhe pse analiza e përgjegjësisë institucionale në raport me sigurinë publike dhe mbrojtjen dhe menaxhimin e Qendrës Historike nxjerr një numër të madh institucionesh e zyrtarësh përgjegjës për rastin (si në nivel lokal ashtu edhe atë qendror).

Lidhur me këtë rast, është zhvilluar procedura gjyqësore vetëm ndaj ish‐drejtorit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, B.E. Sipas njoftimit me shkrim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, me datën 11 nëntor 2019 kjo gjykatë ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit me iniciale B.E., me arsyetimin se në veprimet e tij nuk formohen elementet e veprave penale sipas aktakuzës, “pasi që ato nuk kanë të bëjnë me figurën e veprave penale të cilat janë të përcaktuara me ligj”.

EC Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishte publikuar opinionin “Drejtësi të plotë për Ec Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishe publikuar opinionin ‘Drejtësi të plotë për Xhenetën’ (https://ecmandryshe.org/repository/docs/Opinion_Drejtesi_te_plote_per_Xheneten.pdf), ku kishte shprehur dyshimin nëse aktakuza në fjalë mund të sillte drejtësi të plotë për rastin tragjik të Xheneta Gashit.

Ky dyshim në mes tjerash ishte bazuar edhe në faktin se rastet e kaluara të ndjekjes së veprave penale brenda Qendrës Historike ishin procese të stërzgjatura të hetimeve dhe se asnjëherë nuk patën prodhuar aktgjykime dënuese, derisa edhe në ato pak raste të përfundimit në gjykatë, aktakuzat për veprat penale brenda Qendrës Historike kanë qenë tejet shterpe, duke i sfiduar edhe gjykatësit në marrjen e vendimeve dënuese. / KultPlus.com

Qytetarët e Prizrenit protestojnë para gjykatës, kërkojnë dënimin e të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël

Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, pritet të mbahet fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.

Lidhur me këtë rast, qytetarët e Prizrenit po protestojnë para gjykatës së lartpërmendur, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit Tasiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ku janë bijtë tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”, janë vetëm disa nga fjalët e shkruara në pankartat që protestuesit po mbajnë në duar.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. / KultPlus.com

“Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” vijnë përmes një ekspozite

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për nder të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të hap ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” me autor Parim Kosova, përcjellë KultPlus.

Ekspozita do të hapet më 10 qershor në ora 18:00, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

Prizrenit po i shtohet edhe muzeu për Nënën Terezë

Prizrenit po i shtohet edhe një muze. Para disa muajve, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij – CHwB Kosova, për funksionalizimin e muzeut të Nënës Terezë, përcjellë KultPlus.

Ky projekt rrjedh nga marrëveshja kryesore “Shtegu kulturor Gjurmëve të Nënës Terezë”, i cili është bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut në kuadër të alokimeve IPA II 2014 dhe 2015.

Në objektin për muzeun e Nënës Terezë, i cili është ndërtuar në vitin 2010, përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, do të vendoset edhe lifti për t’i mundësuar qasje personave me aftësi të kufizuara.

Komuna ka njoftuar që së shpejti do të bëhet edhe thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë. / KultPlus.com