QRTK në Prizren ka përgatitur projekt propozimin e Muzeut të Dhunës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka zbatuar projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren.

Synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-ës në Prizren gjatë viteve 1945-65.

Gjatë procesit të punës, ekipi fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga Agjencia Shtetërore e Kosovës, Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, Shoqata e të burgosurve politik shqiptar – dega në Prizren, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Biblioteka e qytetit të Prizrenit, etj. Pos materialeve arkivore, informata të rëndësishme janë siguruar edhe nga botimet e ndryshme shkencore të cilat janë prezantuar nëpër konferenca të ndryshme në të kaluarën. Gjatë hulumtimit, paralelisht janë realizuar edhe intervista me dëshmitar të kohës, kryesisht të moshës së shtyrë, intervista me të burgosurit, të cilët janë akoma gjallë, intervista me familjarët e të burgosurve politik, intervistë nga historianët, të cilët kanë  rrëfyer për  ngjarjet e periudhës së viteve 1945-1965

Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren theksoi se   referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra,  ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha. / KultPlus.com

MKRS aktualisht ka 18 projekte në realizim në Komunën e Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Prizrenit, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kryetarin Mytaher Haskuka, ku kanë bashkëbiseduar për projektet që do të investohen në këtë komunë nga ana e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haskuka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit. Qëllimi i tij është Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, në vlerën financiare prej 300 mijë euro, projekt ky i cili do të implementohet në vitet 2020-2022.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se shumë projekte janë në plan për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin dhe trashëgiminë kulturore që ka.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi veçoi projektin e Muzeut të Filigranit dhe paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për Muzeun e Filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”, tha ministrja, duke premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se MKRS-ja ka shumë projekte në Prizren.

“Me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë. Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, janë realisht projekte të rëndësishme nëpër fshatra. Pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, tha Haskuka. / KultPlus.com

QRTK në Prizren synon t’i rikthejë shkëlqimin shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit.

Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike. Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.

Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha thotë se “Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente”.

Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, meqë rast synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com

Gjurmët e objektit romak në Prizren shkatërrohen në pritje të shtetit

Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit ka kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në Sheshin e Lidhjes, me ndërmarrjen e masave adekuate për konservim dhe ruajtje.

Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Në anën tjetër, niveli qendror ka theksuar se do të shtohen angazhimet për përmbylljen e këtij projekti, derisa niveli lokal është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë për secilin vendim që merret nga ministria përkatëse.

KTK-ja e Prizrenit në shkresën dërguar Institutit Arkeologjik të Kosovës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, si dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ka përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të Sheshit të Lidhjes është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Aty theksohet se në vitin 2018 IAK-ja i ka parashtruar KTK-së kërkesë për pëlqim, për konservimin dhe prezantimin e lokalitetit.

“Kërkesa përfshinte 3 propozime të planifikuara të punimeve, pa detaje të hollësishme, prandaj anëtarët e Këshillit konsideruan se këto janë propozime preliminare dhe projekti duhet të kompletohet. KTK prej asaj kohe asnjëherë më nuk ka pranuar ndonjë projekt të kompletuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga kryesuesja e KTK-së në Prizren, Artnet Haskuka. Tutje theksohet se zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër, mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan) që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tanimë janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llaçit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhet në shkresë, teksa më tej shtohet se lokaliteti ngadalë por sigurt është shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash. /KultPlus.com

Kino “Lumbardhi” feston 68-vjetorin e themelimit

U ndërtua në vitet 50′, fillimisht e njohur me emrin “Bistrica”, për t’u bërë më pas Kino “Lumbardhi”, shkruan KultPlus.

Kino “Lumbardhi” është inaguruar me 1 shkurt 1952. E hapur si kinemaja e parë publike në Prizren pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, “Lumbardhi” për gjysmë shekulli ka vepruar si kinema, sallë e koncerteve dhe si vendtakim i qytetarëve.

Në mungesë të dokumentimit relevant në arkivën e qytetit, për shumë vite është supozuar që është hapur mes viteve ‘40 dhe ‘50. Ne vitin 2015, kur u shpall monument i mbrojtur, formulimi zyrtar i është referuar themelimit si “vitet 50”, ndërsa data e saktë është identifikuar me 2018 në arkivat e gazetës “Rilindja”, si pjesë e hulumtimit të Fondacionit Lumbardhi për historinë e institutcionit.

“Lumbardhi” e ngjalli artin kinematografik duke ofruar ndër vite aktivitete të ndryshme kulturore e hapësira për shfrytëzim.

Kino “Lumbardhi” është edhe atraksion turistik, e vendosur në qendrën historike të Prizrenit pranë lumit, u bë pikë turistike, e sidomos frekuentimi i kësaj kinemaje rritet gjatë Festivalit të Filmit “DokuFest”. /KultPlus.com

Papastërtia, një nga pakënaqësitë kryesore për turistët që vizitojnë Prizrenin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka realizuar një studim mbi kënaqshmërinë e turistëve që kanë vizituar qytetin e Prizrenit, duke e ditur rëndësinë e turizmit dhe përfitimit të shumanshëm të tij dhe për të pasur një pasqyrë më të qartë për nivelin e kënaqësisë dhe pritshmërive të turistëve që zgjedhin Prizrenin si destinaicon turistik.

Në njoftimin për media thuhet se si qëllim tjetër i hulumtimit ka qenë identifikimi i komponentëve kryesorë të turizmit që ndikojnë në tërheqjen e më shumë vizitorëve në Prizren dhe ndërtimi i një matësi për vlerësimin e përmbushjes së pritshmërive të turistëve me Prizrenin.

“Pastaj, motivet për përzgjedhjen e Prizrenit, aktivitetet e planifikuara, si dhe nivelin e përmbushjes së këtyre pritjeve”, thuhet në njoftim.

MKRS thotë se me përgjigjet e tyre, “vizitorët na kanë ofruar disa rekomandime që do të mund të rrisin kënaqësinë turistëve në të ardhmen”.

“Sipas të anketuarve, monumentet e trashëgimisë kulturore, mikpritja, atmosfera lokale dhe natyra janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në kënaqësinë e përgjithshme të vizitorëve. Në anën tjetër, pakënaqësia më e madhe, është shfaqur në të gjitha përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë me pastërtinë e destinacionit dhe problemin e qarkullimit të veturave në Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në komunikatë.

Hulumtimi ofron rekomandime për politkbërësit e vendimmarrësit e përfshirë në industrinë e turizmit të nivelit lokal dhe qendror mbi hapat e ardhshëm që turistët besojnë se duhet të ndërmerren për të rritur konkurueshmërinë e Prizrenit si destinacion turistik. /KultPlus.com

Asgjësohen gjashtë ditarë të një shkolle në Prizren

Gjashtë ditarë të një shkolle në Prizren janë “avulluar” gjatë ditës së djeshme. Për këtë rast, tashmë janë identifikuar dy të dyshuar.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Është raportuar se të dyshuar të panjohur kanë asgjësuar gjashtë (6) ditarë të shkollës. Njësitet policore kanë identifikuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë. Nuk raportohet për të arrestuar ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Express / KultPlus.com

Ilustruesi dhe krijuesi David Lloyd, mysafir special në Festivalin e Stripit dhe Karikaturës në Prizren

Prizreni është gati të mirëpresë festivalin e16-të Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës, përcjellë KultPlus.

Shoqata e strip artistëve Kosovar “XhennetComics” është organizatore e festivalit, të cilën i ka bërë të gjitha përgatitjet me kohë. Nga data 17 e deri më 20 tetor 2019-të ky festival do t’i shtrijë aktivitete e tij me një program të pasur.

Në këtë festival do të mbahen edhe disa debate që ndërlidhen me stripin dhe karikaturën dhe i paraprijnë festivalit. Se festivali ka bërë jehonë gjithandej botës e tregon më së miri edhe numri prej 410 artistëve që kanë konkurruar, nga 57 shteteve të botës me 2227 punime, ndërsa prej tyre janë përzgjedhë 14 artistë për tu prezantuar në festival. Gjithashtu janë 20 artistë , mysafirë nga tetë shtet të botës (Angli, Turqi, Qipro, Maqedoni, Mali i zi, Serbi, Shqipëri dhe Bulgari),të cilën kryesisht merren me strip dhe karikaturë. Tema e edicionit të XVI-të të festivalit të stripit dhe karikaturës është “Idealisti”.

Vlen të ceket se si mysafir special në këtë festival do të jetë artisti nga Anglia David Lloyd i cili është ilustruesi dhe krijuesi i stripit të njohur “V FOR VENDETTA” dhe në seritë si “Hellblazer”, “Alien”, “Global Frekuency “, “War Stories” dhe ”Kickback”.

Një nga artistët pjesëmarrës është edhe Strip artisti Bullgar, Peter Stanimirov , i cili është ilustrues i të gjitha kopertinave të librave të shkrimtarit të njohur botëror Stephen King, pos këtyre artistëve Prizreni është nikoqir edhe i kryesisë dhe artistëve të Shoqatës të karikaturistëve të Qipros, dhe në kuadër të këtij festivalit do të këtë edhe shumë debate për strip e karikaturë. Debati kryesor do të jetë tema në lidhje me 50 vjetorin e Alan Fordit dhe prezantimi i stript të numrit të parë të “ALAN FORD”-it të botuar në gjuhën Shqipe. Paneli do të jetë i prezantuar nga koleksionisti dhe analisti i njohur Marjan Matic nga Beogradi. Mysafir i rëndësishëm i këtij edicioni është edhe botuesi i stripave FORMA B, Ilija Mirovic nga Beogradi.

Organizatorët u bëjnë ftesë adhuruesve të këtij lloji arti, e me theks të veçantë të rinjve që t’iu bashkëngjiten në hapjen solemne të festivalit, më datën 19 tetor 2019 me fillim në ora 19:30 në ambientin e Kompleksit “Evropa”, përkatësisht në Doku Kino. / KultPlus.com

“Takimet e Gjeçovit” shpalosin programin për edicionin e 48-të

Këtë të shtunë, më 12 tetor, mbahet manifestimi letrar, kulturor e shkencor ”Takimet e Gjeçovit”, shkruan KultPlus.

Manifestimi këtë vitit shënon edicionin e 48-të me radhë dhe pritet të filloj në Shëngjergj për të vazhduar më pas deri në Zym të Hasit (komuna e Prizrenit).

Në manifestim do të mbahet ora letrare ”Anton Pashku”, ku do të lexojnë 15-të poetë, poashtu, do të hapet edhe ekspozita e Jasmir Morinës e titulluar ”Gjeometri ornamentesh”.

Çmimet që do të dorëzohen janë: Pena e Pjetër Bogdanit, Pena e Shtjefën Gjeçovit, Paketa e Anton Pashkut dhe Unaza e Katit. Gjithashtu do të mbahet manifestimi ”Dita e bukës zymjane” duke u përcjellur më pas me programin kulturo-artistik ”Katerina Josipi”.

 Manifestimi mbahet nën patronatin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, kurse e organizon ”Shtjefën Gjeçovi” në Zym. /KultPlus.com

“Fridays for future” edhe në Prizren

Kjo javë do të jetë historike. Nga 20 deri më 27 shtator miliona të rinjë në mbi 150 vende të botës janë duke u mbledhur në mbështetje të protestuesve që kërkojnë ndaljen e emetimit të gazrave, shkruan KultPlus.com

“Kriza klimatike nuk do të ndalet, ashtu që edhe ne nuk duhet të ndalemi.
Të rinjtë e kanë zgjuar pjesën më të madhe të botës me protestat e tyre të fuqishme të Premteve për të Ardhmën
Tani, miliona të rritur po bashkohen në një valë të madhe që do të fillojë me veprime në të gjithë botën.

Urgjenca e krizës klimatike kërkon një qasje të re dhe një përgjigje të drejtë të përqendruar në të drejtat e njeriut, barazinë dhe drejtësinë.
Të interesuarit mund të na bashkohen për takimin planifikues, të Mërkurën më 25 shtator në ora 15:00 në Kinemanë Lumbardhi.
Prizreni do t’i bashkohet lëvizjes globale #FridaysForFuture të Premtën më 27 shtator, me fillim në ora 12:00.

Ju ftojmë qëtë vini edhe s’bashku t’i konkretizojmë idetë, edhe me u përgaditë për protestën e së Premtës dhe që së bashku t’i përgadisim pankartat në letër të recikluar me sa ma shume fakte në to”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Prizreni së shpejti me shtigje për çiklistët

Çiklistët në Prizren së shpejt do të kenë shtigjet e tyre për qarkullim, duke mos u rrezikuar nga automjetet. Kjo pasi tashmë Komuna e Prizrenit është në përfundim të procedurave të prokurimit për rregullimin dhe hapjen e stazave të reja për çiklistë.

Komuna e Prizrenit ka zgjedhur kompaninë që do të bëjë rregullimin dhe hapjen e shtigjeve të reja për çiklistë. Nga gjashtë tenderë të pranuar, kontrata për këtë projekt i është dhënë operatorit ekonomik “Hysen Sopa B.I”, në vlerë rreth 6 mijë euro (5.7200 euro), shkruan Ndërtimi.info.

Për këtë projekt Komuna e Prizrenit kishte planifikuar mbi 8 mijë euro (8.200 euro), ndërsa çmimi më i lartë i ofruara nga operatorët ekonomik ishte 7 mijë e 850 euro. / KultPlus.com

Botohen dhe shpërndahen hartat turistike të qytetit të Prizrenit

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik ka botuar hartat turistike të qytetit të Prizrenit, të cilat tashmë janë shpërndarë dhe mund të gjenden në qendrat informuese për turistë, dhe në të gjitha agjensionet turistike, hotelet, motelet dhe hostelet e ndryshme që operojnë në Prizren e më gjërë./ KultPlus.com

Harta turistike në anën e përparme përmban hartën në formë të ilustruar të qendrës historike të qytetit, me anë të së cilës mund të bëhet orientimi i lehtë për gjetjen e monumenteve kryesore të trashëgimisë kulturore, ndërsa në anën e prapme gjendet harta e tërë territorit të komunës, si mjet orientus për destinacionet turistike në zonat jo urbane të komunës, si dhe shënimet lidhur me kulturën dhe traditën e Prizrenit.

Botimi i hartave turistike është bërë në gjuhën shqipe, angleze, turke dhe boshnjake.Këto harta janë falas dhe u shërbejnë turistëve për orientim më të lehtë derisa vizitojnë qytetin e Prizrenit

Kino Lumbardhi në Prizren publikon programin e shtatorit



Kino Lumbardhi ka publikuar programin e shtatorit i cili përfshinë një kombinim të pasur të shfaqjes së filmave dhe aktiviteteve tjera artistike dhe kulturore.

“Lumbardhi ka kënaqësinë të prezantojë programin e shtatorit, i cili përfshin një kombinim të pasur të performancave, programit të filmit dhe shfaqjeve të veprave të video-artit në sallën e kinemasë”, thuhet në njoftimin e tyre, përcjellë KultPlus.

Programi fillon me 1 shtator teksa për këtë program është kërkuar një mbështetje financiare nga Ambasada dhe Media vendore.

“Programi fillon të dielën me 1 shtator me performancën e bendit indian “Tapi Project”, pasuar nga programi i filmit “Retrospektiva e Wim Wenders”, lansimi i projektit më të ri muzikor nga AJO dhe seria e shfaqjeve të video-artit të komisionuar Protocinema “Of Our Own Making” e cila do të organizohet në natën e 14 shtatorit në kuadër të Nuit Blanche te Lumbardhi.

“Programi i shtatorit i paraprin rijetësimit të Kino Bahçes dhe ciklit dimëror të programit të rregullt te Lumbardhi i cili fillon me 1 Nëntor 2019”.

Ky program është mundësuar me partneritetin e BpB, Gjirafa, Goethe Institut, Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Fondacioni Wim Wenders, Protocinema, Grupi KOHA dhe Komuna e Prizrenit.

Këtu keni programin e plotë të publikuar nga Lumbardhi:

PROGRAMI:

1 Shtator, e Diel, 21:00
Performancë: Tapi Project

6 Shtator, e Premte, 20:00 – 29 Shtator, e Diel, 20:00 
Programi i filmit: “Retrospektiva e Wim Wenders”

13 Shtator, e Premte, 21:00
AJO, lansim i albumit

14 Shtator, e Shtunë 20:00 – 07:00 
Protocinema prezanton: “Of Our OWn Making”. / KultPlus.com

“Shkrepëtima” e Petrit Halilajt nën qiellin e hapur të Lumbardhit të Prizrenit

Filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren.

Një qendër kulturore fshati, prej kohësh e shndërruar në gërmadhë, i ka shërbyer piktorit Petrit Halilaj si frymëzim për të realizuar filmin “Shkrepëtima”. Filmi i ka marrë titullin revistës shkollore “Shkrepëtima” që e botonin arsimtarët dhe nxënësit e shkollës fillore të fshatit Runik të Drenicës, që është dhe vendlindje e Petritit, shkruan albinfo.ch.

Po ashtu “Shkrepëtima” në rrafshin e ideve është emër i qëlluar për të identifikuar një periudhë iluminimi e shpërthimi kulturor të popullatës së fshatit në fjalë e më gjerë.

Petrit Halilaj është piktor që gëzon një shkallë të lartë të njohjes në qarqet artistike ndërkombëtare prandaj dhe “Shkrepëtima” e tij ka bërë një jehonë të konsiderueshme në këto qarqe. Vetë filmi është realizuar si ilustrim për performancën e tij artistike me po këtë emër, që ai e ka shfaqur prej më shumë se një viti në qendra të ndryshme evropiane të artit.

Ndërsa filmi u shfaq mbrëmjen e të enjtes para një publiku të madh në numër në kinemanë verore “Lumbardhi”, në kuadrin e festivalit DokuFest në Prizren.

Filmi “Shkrepëtima” flet me një gjuhë specifike, do të thoshim autoriale artistike, që e cilëson edhe shprehjen e Halilajt në pikturë dhe performancë. Një krijim arti me një figuracion të pasur dhe jo lehtë të zbërthyeshëm për publikun e gjerë, shkruan albinfo.ch. Megjithatë, ajo që kuptohej nga të gjithë ishte fryma humane dhe  kulturëdashëse që përshkon gjithë filmin.

Duke marrë fjalën gjatë prezantimit, para dhe pas shfaqjes së filmit, Petrit Halilaj ka theksuar se është impresionuar shumë nga puna të cilën e kishte bërë gjenerata e “Shkrepëtimës” për ndriçimin kulturor e arsimor të popullatës së Runikut e më gjerë.

Së këndejmi, Halilaj veç tjerash ka thënë: “Kur gjenerata e prindërve tanë na e ka lënë një trashëgimi të tillë shpirtërore, artistike të krijuar në kushte të vështira, a nuk është detyrim i yni që edhe ne të mendojmë çfarë t`u lëmë trashëgim brezave që po vijnë pas nesh?”.

Në rrjedhën e filmit, autori ka ndërfutur pjesë nga një numër dramash të luajtura në teatrin që ka funksionuar në kuadrin e shtëpisë së kulturës të fshatit Runik. Prandaj tani, rreth 30 ose 40 vite pas shfaqjes së tyre të parë, kemi parë, tashmë në ekran filmi,  inskenimin e sërishëm të fragmenteve nga shfaqjet si “Toka e jonë”, “Hakmarrja” etj., tipike për repertorin e teatrove tona amatore të asaj kohe, shkruan albinfo.ch.

Në inskenimin e tyre për nevoja të filmit, janë angazhuar aktorë të njohur profesionistë nga Kosova por edhe amatorë ose qytetarë të thjeshtë që kanë hyrë në magjinë e shprehjes artistike të Halilajt.

Ndërsa një pjesë e madhe, mbase mbizotëruese, e rrëfimit filmik, është realizuar përmes lojës koreografike. Figura mitologjike vallëzojnë mbi kokën e djaloshit të fjetur në një ambient imagjinar të vendosur në gërmadhat e shtëpisë së Kulturës, në Runik.

Një prani të konsiderueshme në këtë rrëfim e ka edhe okarina, një instrument i thjeshtë frymor nga koha e neolitit, i cili është gjetur pikërisht në fshatin Runik të Skënderajt. Okarina si instrumenti më i vjetër, këtu simbolizon vazhdimësinë ose ripërtëritjen e jetës, ruajtjen e trashëgimisë. Pikërisht të asaj trashëgimie të cilën autori i filmit, Halilaj, apelon që t`ua bartim brezave të rinj… / albinfo.ch / KultPlus.com

Sot nis “DokuFest”, para publikut do të shfaqen mbi 280 filma



Prej sot e deri më 10 gusht mbahet edicioni i 18-të i festivalit të filmit “DokuFest”, ndërsa tematika e këtij edicioni është zgjedhur të jeta e vërteta.

Para publikut janë zgjedhur të shfaqen 282 filma, si dhe muzikë e panele të ndryshme ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha e festivalit “DokuFest”, Nita Deda tha se këtë vit ky festival do të ketë një program të larmishëm duke përfshirë ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.

Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, tha se nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 sish që do të garojnë në gjashtë kategori.

Sipas tij, risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të Prizrenit.

Nurkollari u shpreh se edhe këtë vit “DokuFest” do të ketë një festival muzikor që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.

Drejtori artistik njoftoi po ashtu se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë.

Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha e programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë viti. Ai tha se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore.

Linda Llulla, drejtoresha ekzekutive e “DokuFest”, u shpreh se krahas filmave dhe muzikës, publiku do të mund të argëtohet dhe edukohet edhe përmes paneleve të ndryshme që synojnë fuqizimin e të rinjve për tregun e punës. / Insajderi / KultPlus.com

Prizreni nën magjinë e DokuFest

Prizreni tashmë i ka ndarë datat për ditët kur do të ‘pushtohet’ nga vizitorët. Përgatitjet për këto data kanë filluar dhe i gjithë qyteti po mobilizohet për një pritje të jashtëzakonshme. Është festivali ‘DokuFest’ ai i cili e shndërron qytetin e Prizrenit për një javë rresht si vendin më të vizituar në Kosovë. Kjo jo rastësisht, por DokuFest ngërthen në vete vizitorët me programin e tyre tejet të pasur dhe atraktiv, shkruan KultPlus.

Rrugët e Prizrenit pritet të vërshohen nga turistët e shumtë vendas dhe të huaj të cilët do të vendosen aty për 9 ditë sa zgjatë festivali për të përjetuar një aventurë të re për ta e që padyshim do të mbetet në kujtesën e tyre si një ndër javët më të mbushura në jetën e tyre.

Me kinematë e jashtëzakonshme të cilat janë vendosur në ambiente ku natyra krijon një vend ideal për të shikuar një film dhe përjetuar atmosferën e këndshme të qytetit antik, ju do te keni rastin të shihni filma të mrekullueshëm.

Kalaja e qytetit të Prizrenit është një nga destinacionet më të bukura të këtij festivali, që me pamjen e saj do të ju magjeps e shpalosja e programit në një ambient të tillë do të ju bëj të dashuroheni në gjithë atë që do të përjetoni gjatë këtyre ditëve.

Ky edicion i DokuFest-it na sjell një mori ngjarjesh për të gjitha moshat. Përveç programit të pasur me filma të cilët do të shfaqen në kinematë tashmë tradicionale të festivalit, ju do të bëheni një me performancat muzikore të cilat gjithashtu tashmë i kanë krijuar skena e veta. Muzikë elektronike, eksperimentale e deri te iso-polifonia do të ju shoqërojnë përgjatë 9 netëve të magjishme që po priten me shumë entuziazëm nga adhuruesit e festivalit më të mirë në vend. Ekspozita, punëtorit e masterklasa të ndryshme do të shpalosen për ju gjatë këtyre ditëve që aq sa po i prisni ju, edhe ato po ju presin juve.

Nga 280 filma që do të shfaqen, mbi 100 filma do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve të mrekullueshëm si dhe filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vinë nga 40 shtete të ndryshme, kjo është ajo që edhe e karakterizon programin e këtij edicioni.

Ajo që e shquan këtë vit është edhe numri i madh i regjisorëve, filmat e të cilëve do të debutojnë për herë të parë nëpër seksionet e ndryshme garuese të festivalit si dhe regjisorë që marrin pjesë për të disatën herë me radhë.

Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit të 18-të të festivalit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve. Me partner të përhershëm ProCredit Bank, DokuFest ju fton t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëngjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peizazhit dixhital të së post-vërtetës.

Ndërsa sa i përket shfaqjes speciale për këtë edicion, ne ju tregojmë se filmi “Shkrepëtima” i Petrit Halilajt do të jetë i tillë. Filmi ndjek projektin artistik me po të njëjtin emër i cili një vit më parë ndezi një dritë në komunitetin e fshatit të artistit Halilaj, në Runik. Filmi do të ketë premierën kombëtare në Lumbardh, me datën 08 Gusht dhe do të përcillet me një diskutim mes Petrit Halilaj dhe kuratorit Leonardo Bigazzi.

11 filma të regjisorëve shqiptarë, filmbërësve të rinj premtues si dhe të studentëve janë pjesë e garës kombëtare të DokuFest XVIII.

18 dokumentarë të rinj pjesë e prodhimeve vjetore të DokuLab të cilët shpalosin tregime të guximshme nga një gjeneratë jashtëzakonisht e talentuar, do ta kenë premierën e tyre në Kino Lumi.

Programi i sivjetmë i fotografisë DokuPhoto, do të shënohet përmes bashkëpunimit me artisten dhe kuratoren Blerta Hoçia, e cila ka krijuar punimin që reflekton temën qendrore të festivalit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë festivalit dhe të gjithë jeni të ftuar të merrni pjesë.

Kjo nuk është e gjitha, por ju duhet të shkoni dhe përjetoni nga afër magjinë e këtij festivali për të cilin ne besojmë se ju do të jeni të radhës që do të shkruani një letër kujtimi për gjithë aventurën tuaj në qytetin antik me programin e begatshëm të DokuFest që pritet të shpaloset për ju prej datës 2 deri më 10 gusht në qytetin e bukur të Prizrenit.  /KultPlus.com

“Një kafe me trashëgiminë”

Në oborrin e shtëpisë së Familjes Kirajtani që gjendet në rrugën “Shuaip Spahiu”, nr. 15, EC Ma Ndryshe gjatë 27 korrikut organizon një aktivitet ku përgjatë orëve 12:00 – 15:00 do të shërbehen pije dhe ëmbëlsira për vizitorët.

Shndërrimi një-ditor i kësaj shtëpie në një hapësirë  si “kafeteri” po realizohet me qëllim që të përcillet mesazhi se objektet me vlera të tilla mund të kthehen në destinacione të ndryshme turistike dhe nxitëse të zhvillimit ekonomik njëkohësisht, nga ku të ardhurat do të përmirësonin gjendjen, do të rrisnin vetë-qëndrueshmërinë dhe nivelin e mirëmbajtjes së vlerave të ndërtesave të tilla. / KultPlus.com

Teatri i Prizrenit prezanton shfaqjen mbi jetën e Abdulhamitit të Dytë

Në mbikqyrje të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) në Prizren është mbajtur shfaqja teatrale “Usta” nga regjisori turk Ahmet Yenilmez, e cila me temë ka jetën e Abdulhamitit të Dytë.

Në shfaqjen teatrale të organizuar në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), morën pjesë kryetari i delegacionit turk në Misionin e Forcave Paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, koloneli Numan Baş, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran dhe shumë të ftuar të tjerë.

Shfaqja kishte temë jetesën e Abdulhamitit të Dytë duke filluar nga vitet e rinisë së tij e deri në ditët e fundit. Shfaqja kohë pas kohe shkaktoi emocione tek publiku dhe u ndoq me vëmendje.

Artisti Rıdvan Dağlar, u tha gazetarëve se kanë dalur në rrugëtim për të pasqyruar një ngjarje historike që ka ndodhur para 100 viteve.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Kosovë”, tha ai.

Shfaqja teatrale e regjisorit turk Ahmet Yenilmez, më 26 qershor ditën e mërkurë, gjithashtu do të takohet me artdashësit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup./AA

Panairi i librit në Prizren, prej 17 deri më 21 korrik

Dashamirës të librit, në datat 17-21 korrik të këtij viti hapet Panairi i librit në Prizren, shkruan KultPlus.

Panairi i sivjetëm do të mbahet te sheshi afër Shatërvanit.

Botuesit i ftojnë të gjithë lexuesit që të marrin pjesë dhe të lexojnë sa më shumë.

Sipas tyre “Evente të tilla që i bëjnë bashkë të gjithë lexuesit, janë evente të dijes.”/KultPlus.com             

Fillojnë aplikimet për pjesëmarrje në festivalin Bunarfest

Njëri prej festivaleve më unike në Kosovë, Bunarfest, ka shpallur të hapur thirrjen për aplikim për të interesuarit të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e garës së lëshimit me goma në lumin Lumbardhi të Prizrenit, në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit Bunarfest.

Organizatorët kanë bërë të ditur tashmë se ky edicion do të mbahet në datat 8-9 qershor, ku së pari më 8 qershor (e shtunë) do të organizohet aktiviteti i pastrimit të lumit me vullnetarë dhe në mbrëmje do të organizohet koncerti muzikor me artistë të njohur nga vendi, derisa më 9 qershor (e diel) do të organizohet gara e lëshimit me goma, shtegu i së cilës fillon nga lokacioni i njohur si “Centralla” dhe përfundon në qendër të qytetit tek “Ura e Gurit”, ku është edhe finishi i garës.

Sikurse edhe në vitet e mëparshme, festivali nuk do të ketë karakter garues dhe qëllimi mbetet që në formë atraktive dhe argëtuese t’i jepet mesazhi qytetarëve për ta mbrojtur dhe mos e ndotur lumin.

Të interesuarit për pjesëmarrje në garë mund të aplikojnë nëpërmjet webfaqes http://40bunarfest.org/aplikacion-per-pjesmarje/

Komuna e Prizrenit me kallëzime penale për ata që shkatërrojnë trashëgiminë

Makinat kanë zënë vend njëra pranë tjetrës, por vetëm një vit më parë në vendin afër qendrës historike në Prizren qëndronte shtëpia e familjes Myftiu, e cila besohet se ishte ndërtuar në shekullin e XIX. Ani pse ajo ishte pjesë e trashëgimisë kulturore u rrënua.

E për ketë rast dhe shumë të tjera të dëmtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, që nga viti 2018 e deri më tani janë ngritur disa kallëzime penale.

“Kemi pranuar gjatë vitit 2018, 14 kallëzime penale, kundër 29 personave, kemi ngritur 13 aktakuza gjatë vitit 2018, kundër 24 personave”.

Se Qendra Kulturore e Prizrenit po dëmtohet e thonë edhe në organizatën “Ec ma ndryshe”.

“Këto ndërtesa në momentin kur po rrënohen po shfrytëzohen për parkingje edhe shfrytëzohen për ndërtesa të reja, që normalisht është në kundërshtim edhe me ligjin në fuqi për Qendrën Historike të Prizrenit”, thonë ata.

Me rastin e evidentimit të shkatërrimit të objekteve kulturore është duke u marrë edhe Inspektorati i Trashëgimisë, në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka iniciuar shtatë procedura penale, për persona që kanë dëmtuar ose shkatërruar trashëgiminë kulturore, prej këtyre shtatëve numri më i madh i kallëzimeve penale është drejtuar tek regjioni i Prizrenit”.

Deri më tani Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka dhënë 32 rekomandime për institucionet e Trashëgimisë kulturore, derisa ka thirrur të gjitha komunat e shtetit që të marrin masa të cilat ndikojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore./Klan Kosova / KultPlus.com

Gashi: Projekti për revitalizim në rrugën “Marin Barleti” në Prizren hap rrugët për investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në aktivitetin e prezantimit të projektit: “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. Projekti në fjalë është financuar nga MKRS-ja, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Në këtë prezantim që u mbajt në Doku Kino, morën pjesë edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim-Zyra e BE-së, Libor Chlad dhe përfaqësues të Komunës së Prizrenit.

Me këtë rast ministri Gashi fillimisht falënderoi të gjithë ata që kanë punuar në realizimin e këtij projekti edhe përkundër sfidave me të cilat janë ballafaquar në terren.

“Falënderoj në veçanti stafin e QRTK-së në Prizren të cilët së bashku me partnerë lokal dhe ndërkombëtar, me zell e përkushtim kanë arritur të hartojnë ketë projekt shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës”.

Ministri po ashtu tha se ky projekt i hap rrugët për investime në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit dhe me këtë rast falënderoi edhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për tu bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.

“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, tha ministri Gashi.

Ai më tej sqaroi se projekti është ndarë në dy komponentë, atë të konservimit dhe të zhvillimit.

Ministri Gashi ritheksoi zotimin e tij se MKRS-ja do të vazhdojë ta trajtoj me  prioritet Qendrën Historike të Prizrenit, e me theks të veçantë rrugën “Marin Barleti”, në aspektin ligjor, profesional dhe buxhetor.

“Pa dyshim që në këtë aspekt,  edhe pres përkushtimin e Komunës së Prizrenit që të angazhohen në këtë drejtim me qëllim të koordinimit të punëve dhe veprimeve tona të përbashkëta të cilat do të shkojnë  në dobi të ruajtjes së Qendrës Historike të Prizrenit e cila përveç që paraqet vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe historike për vendin donë, na detyron të gjithë ne bartësve të institucioneve për angazhim maksimal”, u shpreh ministri Gashi.

Në fund, ministri ftoi të gjithë që të bëhen pjesë e procesit duke dhënë rekomandimet e tyre për të cilat ai siguroi se do të vlerësohen. /KultPlus.com

Në Prizren, hapet ekspozita “Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut Korçë”

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor vjetor të nënshkruar nga ana e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, të premten me datë 19 prill hapet ekspozita “Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut Korçë”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozita u mundësua nga bashkëpunimi i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Korçë dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren.

Ekspozita do te hapet, të premten duke filluar nga ora 19:00 në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës. /KultPlus.com

Në Prizren ka nisur largimi i reklamave që bien ndesh me menaxhimin e Qendrës Historike

Komuna e Prizrenit ka vendosur që t’i largojë të gjitha reklamat nga pjesët që janë në menaxhim të Qendrës Historike të Prizrenit.

Bizneset kanë afat deri në fund të muajit mars që t’i largojnë reklamat që janë mbi kulmet e objekteve historike dhe të cilat janë mbi një metër katror, raporton KTV.

Thaqi ka treguar që është formuar një komision për ta plotësuar ligjin që mbikëqyr çdo gjë që përfshihet në qendrën historike të këtij qyteti.

Ndërkaq, pronarët e bizneseve, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se duhet ta zbatojnë çdo vendim të komunës, pavarësisht se a u përshtatet atyre.

Ndërkaq, qytetarët të cilët edhe e kanë mirëpritur vendimin e komunës, kanë thënë se në sezonën e verës qyteti është shumë më i mbingarkuar.

Komuna e Prizrenit, muaj më parë, ka larguar shufrat e metalit nëpër lokale, të cilat kanë qenë të vendosura në ambiente që ishin pronë e ish-drejtorëve.

Një pjesë e qytetit të Prizrenit vazhdon të jetë e mbrojtur me ligj të veçantë për shkak të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com