Dekorimi i qytetit të Prizrenit për festat e fundvitit me mesazh gjithëpërfshirës “T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës”

Këtë vit Komuna e Prizrenit konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, përmes dekorimit të qytetit përcjell tek qytetarët një mesazh të veçantë dhe gjithëpërfshirës.

Elementet ndriçuese që dominojnë janë yjet dhe siluetat që vallëzojnë:

‘Dashuria, optimizmi, gëzimi e lumturia janë thelbi i jetës së secilit prej nesh. Ajo çka na bashkon e na bën njëlloj është vlerësimi për njëri tjetrin, për ekzistencën.
Figurat e ndritshme që vallëzojnë, të ilustruara në teknikën e artistit të famshëm Pablo Picasso, i gëzohen jetës dhe shumëllojshmërisë së saj. Ato festojnë prezencën e çdo gjëje që frymon. Gjersa ne vallëzojmë vallen e jetës, yjet sipër nesh, si burim i pashtershëm i energjisë, ndriçojnë ditët e netët tona pa pushim, duke na bashkuar të gjithëve nën qiellin e pafund. T’i gëzohemi shumëllojshmërisë, t’i gëzohemi jetës.’

Tekstin e shkruar duhet ta ndjejnë edhe pjesëtarët e të verbërve ku në këtë projekt gjithëpërfshirës u shkrua mesazhi sipas alfabetit BRAJ…

Të gjitha elementet e këtij instilacioni janë të punuara në vend dhe përbehen nga dy materiale themelore, nga shufrat metalike dhe kabllot ndriçuese. Kjo strategji ka për baze idenë e reciklimit të materialeve dhe ripërdorimit te tyre. Konkretisht në rastin e Prizrenit, metali i përpunuar mund të ripërpunohet dhe të krijojë forma të reja për instilacione të ardhshme./ KultPlus.com

Ministri Gashi jep arsyetimin për bartjen e MKRS-së në Prizren

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për bartje të një pjese të stafit politik, administrativ dhe profesional në qytetin e Prizrenit.

Ministri Kujtim Gashi, para kabinetit qeveritar ka dhënë arsyetimin për një propozim të tillë bazuar në vlerën dhe rëndësinë historike e kulturore që ka pasur qyteti i Prizrenit ndër shekuj dhe vazhdon ta ketë për tërë shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.

“Prizreni është një simbol që kultivon vlera origjinale dhe me larmi kulturash. Është qendër jo vetëm e kulturës shqiptare, por edhe e gjithë popujve tjerë që jetojnë në të, pa dallim përkatësie nacionale, religjioze apo sociale. Arkitektura qytetare, religjioze, neoklasike dhe orientale e bën sot Prizrenin qytetin më të bukur dhe më të vizituar në Kosovë. Pjesa e vjetër e qytetit, shërben si një hapësirë unike ku zhvillohen shumë aktivitete kulturore, të cilat e mbajnë gjallë vazhdimisht jetën kulturore të qytetit”, tha ministri.

Ministri Gashi vlerësoi se aktivitetet që organizohen në Prizren kanë impakt kulturor në mbarë vendin dhe më gjerë. Trashëgimia e pasur kulturore e këtij qyteti dhe shumë veçori tjera e bëjnë Prizrenin vend të kulturës dhe historisë.

“Është fakt i patjetërsueshëm që vlerat që burojnë nga diversiteti kulturor, historik, gjuhësor e fetar, e bëjnë Prizrenin pikë referuese dhe atraksion për turistët vendor dhe të huaj. Prandaj, me qëllim të avancimit, përkrahjes dhe përkujdesjes më të madhe institucionale ndaj këtyre vlerave historike, kulturore e sociale, kemi kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vendosë për bartjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren”, ka thënë ministri Gashi

MKRS-ja paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë bartje, përfshirë planifikimet përkatëse buxhetore si dhe gjetjen e lokacionit dhe për të funksionalizuar bartjen ministria në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe me Komunën e Prizrenit dhe institucionet tjera përkatëse, do të formojë një komision, i cili do të hartojë planin për realizimin e bartjes./ KultPlus.com

Aktori turk Ediz Hun: Jam i lidhur emocionalisht me Prizrenin

Nesër përfundon edicioni i parë i festivalit të filmit turk në Prizren, i cili solli në Kosovë edhe aktorin e njohur turk Ediz Hun.

Aktori i njohur turk, i periudhës së viteve të 70-ta, Ediz Hun ka thënë se kjo është hera e dytë që ai viziton Prizrenin.

“Jam i lidhur emocionalisht me Prizrenin dhe jam thellësisht falënderues për respektin e qytetarëve që kanë shprehur ndaj meje”, tha Hun për rtv21.

Ai po ashtu, ka treguar edhe ndërlidhjen që ka mes shkencës dhe artit, çka e ka shtyrë atë që për një kohë ta braktisë aktrimin.

“Në vitet e 70-ta në Turqi ka pasur një ngecje të zhvillimit të aktrimit në atë kohë, kjo ka qenë arsyeja që unë në moshën 35 vjeçare e ndërpreva aktrimin për tu larguar për gjashtë vjet në Norvegji e për të ju kthyer sërish profesionit tim të parë, por në mua kanë jetuar të dyja së bashku arti dhe shkenca”, tha aktori i njohur turk. / KultPlus.com