Izolimi nga COVID-19 shtoi problemet me gjumë, si pasojë e qëndrimit të gjatë para pajisjeve elektronike
Një studim i fundit ka zbuluar se izolimi gjatë pandemisë COVID-19 ndikoi në cilësinë e gjumit tek shumë persona.
Izolimi total rezultoi në rritjen dramatike të përdorimit të internetit dhe pajisjeve elektronike, përcjell KultPlus.
Studiuesit vërejnë se është e mundshme që rritja e përdorimit të tyre ishte për shkak se njerëzit po përpiqeshin të kompensonin ndërveprimin e kufizuar shoqëror dhe të plotësonin kohën e tyre të lirë.
Hulumtimi përfshiu 2123 pjesëmarrës dhe kreu disa sondazhe për të vlerësuar cilësinë e gjumit gjatë javës së tretë dhe të shtatë të bllokimit.
Gjithashtu, në studim u gjet se ka rënie të cilësisë së gjumit për njerëzit që qëndruan më shumë në ekranet e pajisjeve elektronike dy orë para gjumit. Derisa ata që ulën aktivitetin e tyre në ekrane dy orë para se të binin në gjumë raportuan një përmirësim të cilësisë së gjumit. / KultPlus.com