Alberina Haxhijaj
Më shumë se 17 mijë persona e kanë përcjellë vjet koncertin e Alban Skënderajt, të organizuar nga ProCredit Bank. Këtë vit, po aq persona e ndoshta edhe më shumë e përcollën koncertin e Elvana Gjatës, shkruan KultPlus.
Në ambientin e hapur të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” tashmë ProCredit Bank e ka bërë traditë që çdo vit të sjellë këngëtarë të ndryshëm për të festuar arritjet e saj si kompani por edhe për të ofruar të paktën një herë në vit një mbrëmje muzikore.
Kështu pas grupit “Marigona” dy vite më parë dhe “Alban Skënderaj” vitin e kaluar, Elvana Gjata ishte zgjedhje e ProCredit Bank për këtë vit.
Këngëtarja nga Shqipëria e cila është shumë e pëlqyer nga publiku në Kosovë, diçka që u vërejt edhe mbrëmë pasi që publiku këndoi së bashku me të, të gjitha këngët u shpreh shumë e lumtur që po këndon në Prishtinë. Prishtinën e saj të dashur, siç e konsideron ajo kryeqytetin.
“Vdiqa, sa shumë kohë kam dashur që ta shoh këtë pamje dhe të ju dëgjoj e të jem këtu. Jam e lumtur si një zog, si një fëmijë, nuk ka ndjenjë më të mirë në botë sesa të ju kem juve përpara. Faleminderit të gjithëve që jeni këtu. Faleminderit për ftesën nuk e keni ide se sa e lumtur dhe e nderuar jam”, u shpreh ajo.
Këngëtarja Elvana Gjata për të pranishmit solli disa nga këngët e saj si “Ku vajti”, “Mike”, “Off Guard” e “Love Me”.
Po ashtu këngëtarja solli edhe këngën nga albumi i saj i fundit “3EP”, të tilla si “Më Fal”, “Xheloz”, për ta përmbyllur më një kolazh këngësh të vjetra të cilat erdhën të interpretuara nga këngëtarja si “Tumankuqe”, “Margjelo”, e të tjera.
“Faleminderit që i keni pranuar këto këngë dhe i keni kthyer dhe ndjerë aty ashtu që t’i përshtaten edhe shpirtit tuaj. Prishtina ime e dashur, ju donë Elvana me gjithë shpirt”, u shpreh ajo për këngët e saj nga albumi i fundit.
Në anën tjetër më të përfunduar koncerti nga ProCredit Bank u hodhën edhe fishekzjarrët kundër të cilëve u protestua gjatë gjithë ditës nga disa të ri. Për ta ishte alarmuese sasia e madhe e fishekzjarrëve, 1.5 ton.
“Mbrojtja e ambientit është shumë e rëndësishme që me fillu diku, kemi pasur fishekzjarrë edhe për Pavarësinë e Kosovës mirëpo ne duhet me fillu diku edhe me reagu e me e ndalë këtë. Ambienti nuk është aspak pjesë e politikave të shtetit, mirëpo ironikisht vet ProCredit ka politika e veta për mbrojtjen e ambientit e në anën tjetër po bëhet ndotësi më i madh”, u shpreh njëri nga protestuesit për KultPlus.
Sipas tij ajo që është më e rrezikshmja është se do lëshohen 1.5 ton fishekzjarrë afër objekteve të rëndësishme kulturore, Galerisë Kombëtare, Bibliotekës Kombëtare, pastaj edhe fakulteteve e gjithë kjo në mesin e qindra njerëzve.
Publikut i mbet që të pres vitin e ardhshëm për të zbuluar emrit e këngëtarit të ardhshëm por edhe lokacionin dhe përgjigjen e pyetjes se a do të ketë fishekzjarrë përsëri në Prishtinë./KultPlus.com