Për të 13-in vit me radhë në Pogradec zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit. Ndryshe nga vitet e fundit ka pasur prurje të mëdha, por juria ndërkombëtare ka qenë e detyruar edhe për arsye ekonomike të sjellë vetëm 80 filma.
Drejtori i këtij festivali, Eno Milkani, thotë se një pjesë e mirë e filmave konkurrues janë filma eksperimentalë të shkollave të ndryshme ballkanike.
“Një pjesë e këtyre filmave janë të autorëve të rinj, ashtu si pjesë e filmit janë filmat me metrazh të shkurtër por edhe të gjatë. Gjatë ditëve të këtij festivali në Odeonin e qytetit do të shfaqen edhe filmat e restauruar shqiptarë”, shprehet Milkani.
Francezja Emilie Richelle, anëtare e jurisë ndërkombëtare, u shpreh se:
“Unë kam 10 vite që e ndjek festivalin ballkanik të filmit, i cili është tejet i pasur me produkte fantastike, mendoj që është shumë interesante promovimi i këtyre filmave në Francë, që është vendi ku unë vij por dhe shtete të tjera absolutisht. Mënyra sesi ndërtohen këto filma dhe transmetojnë emocione, disa herë me heshtje, disa herë me muzikë, qoftë dhe aktorët më atë çka shfaqin, i bën këto filma shumë interesante”, thotë Richelle.
Në natën e parë është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani dhe Gerta Qurku. / KultPlus.com