Profesori në Amerikë shkarkohet nga universiteti pasi i ka bërtitur një studenti (VIDEO)

Një profesor i Universitetit Shtetëror të Tennessee është shkarkuar nga puna pasi u shfaq një video ku shihet ai duke i bërtitur një studenti, transmeton KultPlus.

Profesori i historisë Robert Evins Pickard u regjistrua duke bërtitur “në fytyrën e studentit” përpara se ta përjashtonte nga klasa.

Në videon, e cila është bërë virale në platforma të ndryshme të mediave sociale, Pickard mund të dëgjohet duke bërtitur ‘Si e ke emrin?’.

Më pas ai bërtet ‘Dil jashtë! Ju keni dështuar në këtë lëndë, sido qoftë emri juaj! Jashtë! Jashtë!’.

Si pasojë, universiteti ka bërë të ditur në një deklaratë të martën se Pickard është larguar nga pozicioni i tij në staf.

“Universiteti është në dijeni të incidentit të identifikuar në videoklipin që shpërndahet në media, duke përfshirë edhe rrjetet sociale. TSU nuk toleron sjellje joprofesionale në klasat e saj”, thuhet në deklaratë.

“Ky incident bie ndesh me standardin e sjelljes që ne presim nga ata që janë të ngarkuar me mësimdhënie dhe të shërbejnë si model për studentët tanë”, shtuan ata.

“Universiteti ka ndërmarrë veprime të shpejta, duke përfshirë veprimet e personelit, për të adresuar këtë incident dhe anëtari i fakultetit i treguar në video u hoq menjëherë nga klasa dhe u pushua nga puna”.

Në anën tjetër, Pickard ka ofruar dorëheqjen nga universiteti pas incidentit dhe tani është zyrtarisht në pension.

Ai i tha stacionit lokal WSMV se është i penduar thellësisht për këtë veprim. /KultPlus.com

Historia e pabesueshme e profesorit ukrainas që mban ligjërata nga llogoret

Do të kishte mbetur ndoshta e pashkruar historia e profesorit të psikologjisë sociale Fedor Fedorovich Shandor, në qoftë se një koleg i tij mos të kishte shkrepur një fotografi gjatë njërës prej leksioneve të përditshme që profesori po jep, duke e shndërruar atë pothuajse në një në hero kombëtar.

Kolegu i tij nuk është ndonjë profesor i universitetit të Uzhhorodit ku ai punon, por ushtari që ka pranë në llogoren e Izyum, në Donbas, një nga fushëbetejat më të ashpra në luftën e përgjakshme që po ndodh në Ukrainë.

Profesori nuk kishte qenë kurrë pjesë e ushtrisë, por më datë 24 shkurt, kur forcat ruse filluan pushtimin e vendit, hyri si vullnetar i brigadës së 101 të Transkarpacisë, rajonit jugperëndimor ukrainas, dhe më pas u transferua në Donbas.

Por bashkë me automatikun e tij, ai nuk harroi edhe smartphonin ku ka shkarkuar tekstet akademike, dhe nga ku çdo ditë mban leksione të rregullta nxënësve të tij, gjithmonë e më shumë të pranishëm dhe nga momenti që mësuan në çfarë situatë të vështirë ndodhet ai.

“Ndonjëherë leksioni ndërpritet nga shpërthimet, i them nxënësve pritni një minutë, dhe më pas rikthehem. Është një fushë, ajo e imja, shumë e specializuar, nuk mund të më zëvendësojnë kollaj”, thotë profesor Shandor.

Profesori-ushtar ka një marrëveshje me eprorët e tij ushtarakë për të luftuar vetëm nga ora 4 deri në 8 të mëngjesit ditën e hënë dhe të martë, në mënyrë që të japë leksion nga ora 8 deri në 12. “Nuk i marr orë luftimit, i marrë orë pushimit dhe gjumit”, saktëson profesori, i cili siguron se semestrin do ta mbyllë ai. Studentët e tij, ndërkohë, shpresojnë dhe luten që ta shohin edhe në sezonin e ardhshëm, por nga bankat e universitetit të tyre. /A2CNN / KultPlus.com

Lista e 11 deputetëve që u pezulluan nga puna në Universitetin e Prishtinës


11 profesorët e Universitetit të Prishtinës duhet që t’i lirojnë pozitat pasi që janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pas vendimit të UP-së që profesorët e zgjedhur deputetë do të pezullohen nga puna.

Këta profesor janë deputet që vijnë nga të gjitha partitë parlamentare dhe që punojnë në fakultete të ndryshme.

Më poshtë gjeni listën e plotë:

Prof.dr. Enver Hoxhaj, (Fakulteti Filozofik);

Prof.ass.dr.Ardian Kastrati, (Fakulteti Filozofik);

Prof.ass.dr. Ardian Gola, (Fakulteti Filozofik);

Ass.dr.Fitim Uka, (Fakulteti Filozofik);

Prof.dr. Kujtim Shala, (Fakulteti Filologjik);

Prof.dr. Avdullah Hoti, (Fakulteti Ekonomik);

Prof.ass.dr. Hikmete Bajrami, (Fakulteti Ekonomik);

Ass. Eliza Hoxha, (Fakulteti I Arkitekturës);

Prof.asoc.dr. Ferat Shala, (Fakulteti Inxhinierisë Mekanike);

Prof.asoc.dr. Shemsedin Dreshaj, (Fakulteti i Mjekësisë) dhe

Prof.ass.dr.Albena Reshitaj, (Fakulteti i Mjekësisë)./ KultPlus.com