‘Prizren Fest’, program të pasur e shfaqje çdo ditë

“Kino Lumbardhi” është mbushur me artistë nga mbarë trevat shqiptare dhe të huaj.

Të pranishëm në këtë festival ishin edhe përfaqësues të institucioneve të vendit, i pari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili edhe këtë vit konfirmoi mbështetjen për “Prizren Fest”.

Në skenë ishte vendosur skenografia e cila priste aktorët mirënjohur nga Teatri Migjeni – Shkodër.

Një shfaqje që dha emocion të jashtëzakonshëm ishte shfaqja “Vizita”, me regji nga Davide lodice, regjisor i njohur italian, që bëri hapjen e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prizren Fest”.

“Me aktorët Nikolin Ferketa, Rajmonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksander Prenga, Vladimir Doda shfaqja fliste për një ngjarje pranë një qyteti të vogël ende të përhumbur nga jehona e luftës, një prift qëllon një engjëll i cili iu afrua botës së njerëzve kushedi se për çfarë arsye. I pushtuar nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe nga një ndjenjë e thellë faji, prifti vendos ta bëjë këtë mirëpritje dhe kujdes për atë qenie të plagosur, të mrekullueshme dhe të paqartë; që ndien gjithçka, që di gjithçka, përveç se si të ‘jetosh’ atë botë që vetëm ëndërronte. Dhe është qasja e tij ‘anormale’ ndaj asaj gjëje të quajtur jetë qe e bën të pamundur qëndrimin e tij këtu. Në fakt, vendi nuk mund ta tolerojë vizitën e të huajit, të engjëllit dhe shpejt bëhet armiqësor ndaj tij, duke stigmatizuar deformimin e tij, diversitetin e saj. I rënduar gradualisht nga graviteti i pakuptimësisë njerëzore, i paaftë për t’u kthyer në vendin qiellor dhe i margjinalizuar në atë njerëzor, engjëlli do të gjejë lehtësim vetëm në muzikë, mrekullisht e ruajtur në një violinë dhe ‘azil’ vetëm në sytë dhe dashurinë e Delias”, thuhet në njoftim.

Më tutje në njoftim thuhet se teksti në bazën e partiturës së skenës merr frymëzim nga “Vizita e mrekullueshme” e Herbert George Wells, pararendës e vizionar i zhanreve dhe gjuhëve, por duke ndryshuar boshtin e interesit tij nga satira drejt konformizmit dhe mirëqenies viktoriane, drejt një kritike më bashkëkohore, që ka të bëjë me mënyrën se si ne i mirëpresim “ata që vijnë nga jashtë”, të huajt.

“Prizrenfest” do të vazhdojë deri më 28.07.2024 me program të pasur e me shfaqje çdo ditë.

7Arte sjell programin “Dokument7”, e nis nesër me dokumentarin e Amy Winehouse

7Arte – Qendra alternative kulturore që ofron hapësirë dhe programe sociale e kulturore për të rinjtë, për herë të parë po sjell programin “DOKUMEN7” ku për çdo javë do të shfaqin filma dokumentarë biografik mbi jetën dhe karrierën e artistëve që lanë gjurmë në historinë botërore, përcjell KultPlus.

Këtë program po e fillojnë me dokumentarin e Amy Winehouse, të cilin do e shfaqin nesër, më 5 tetor, prej ora 20:00, në 7Arte. / KultPlus.com

Masterit të Psikologjisë në UP i shtohet edhe një program i ri

Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, në nivelin master i është shtuar edhe një program i ri studimi, master në Psikologji Klinike dhe Komuniteti, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi nga Universiteti i Prishtinës, misioni i këtij programi është adekuate për të ushtruar profesionin e psikologut klinik dhe të komunitetit.

“Profilet do të dalin jashtë formimit tradicional formal të psikologjisë klinike dhe do të shkojnë përtej punës komunitare, në mënyrë që parandalimi dhe intervenimi të shkrihen natyrshëm në kompetencat e kuadrove profesionale që do të përgatiten”, thuhet në njoftimin e Universitetit.

Ky program do të bëj studimin e ndryshimeve pozitive për njerëzit dhe grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, ku fokusi nuk është vetëm tek individi, por edhe te ndikimi i faktorëve shoqërorë në jetën e tyre.

Programi në parim është program akademik shkencor me një pjesë të konsiderueshme të punës praktike. Programi synon të edukojë psikologë që janë të gatshëm të kontribuojnë në shkolla, qendra të shëndetit mendor, organizata dhe qendra për punë sociale, si dhe në komunitetin e gjerë.

Përmes njoftimit, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar të gjithë të rinjtë të interesuar për studime në fushën e psikologjisë klinike dhe komunitetit, se së  shpejti mund të aplikojnë në programin e ri të UP-së. /KultPlus.com

‘Java Ndërkombëtare e Muzeve’ shënohet me program të larmishëm në Mitrovicë

Java Ndërkombëtare e Muzeve, sivjet në Muzeun e Mitrovicës me një numër të madh aktivitetesh kulturore. Me datat 18-19 maj mbahen koncerte e shfaqje në kuadër të festivalit FemArt.

Me 18 Maj Koncert me kitaristin Petrit Çeku

Kitaristi Petrit Çeku rikthehet në Kosovës për dy koncerte të rralla në Mitrovicë dhe Prizren. Ai do të interpretoj të gjitha Suitat e shkruara për violonçel nga kompozitori Johann Sebastian Bach e të transkriptuara për kitarë nga Valter Deshpali – instrumentisti virtuoz e pedagogu eminente i cili u nda nga jeta muajin e kaluar. Së voni Çeku u shpall fitues i çmimit “Porin” në kategorinë “Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin e ‘Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17’ nga Goran Listeš”, botuar nga “Croatia Records”.

(E enjte) ora | 19:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë

19 Maj FemArt në Mitrovicë me Shfaqja Teatrore “Olympe et moi/ Francë” dhe diskutim.

“Olympe et Moi”, për gruan që guxoi “Olympe et Moi” është një rrugëtim intim në nderim të Olympe de Gouges, e cila u vendos në gijotinë më 1793 pasi kërkoi të drejtën për t’u dëgjuar dhe guxoi të shkruante një “Deklaratë për të Drejtat e Grave dhe Qytetarëve”.

Nga një ide origjinale e Veronique Ataly dhe e shkruar nga Patrick Mons, personazhi Florence do të na çojë në një udhëtim personal që do t’iu bëjë të humbni kokën. Fjala e lirë e Olympe do të vijë dhe do ta shpëtojë atë në kohën e duhur, duke dëshmuar rëndësinë e saj për kohën moderne.

“Olympe et Moi” është një shfaqje teatrore feministe, humaniste dhe e dashur për një nga figurat më të mëdha të Revolucionit Francez me regji të Patrick Mons.

(E premtë) ora | 19:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë

19 Maj Koncert përmbyllës i FemArt në Mitrovicë

Me tinguj të muzikës rok dhe këngëve tradicionale e ndërkombëtare FemArt do të përmbyllë aktivitetet e edicionit të 11-të në Mitrovicë.

Talentët e rok grupit Átaraxia (Mitrovica Rock School) do të hapin mbrëmjen muzikore, për t’i lënë hapësirë muzikantëve të mirënjohur Anisa & Erhan, të cilët sjellin një performancë të gjallë dhe shpirtërore të këngëve tradicionale dhe ndërkombëtare të luajtura me kitarë dhe zë.

Ky bashkim i kulturave dhe zhanreve të ndryshme muzikore do të krijojë një tapiceri të pasur tingujsh dhe emocionesh që festojnë diversitetin e muzikës.

(E premtë) ora | 21:00 | Muzeu i Qytetit në Mitrovicë./express/KultPlus.com