‘Anibar’ shpalos programin e mbrëmjeve ‘After-Party’

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar”, ka shpalosur programin e artistëve të cilët do të performojnë në mbrëmjet “After-Party”, në edicionin e 15-të të Festivalit.

Mbrëmjet ‘After-Party’ në Anibar 2024 janë si në vijim:

Pejë – 13/07/2024 

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar jo vetëm që do të sjellë filma të jashtëzakonshëm dhe diskutime frymëzuese gjatë ditës, por gjithashtu do të ofrojë mbrëmje të paharrueshme ‘after-party’ në Parkun Karragaç. Kjo është një mundësi ideale për pjesëmarrësit që të relaksohen dhe të argëtohen me muzikë nga emra të përzgjedhur të skenës muzikore. 

Programi i mbrëmjeve ‘after-party’ 

Gjatë ditës, Anibar 2024 do të ofrojë panele diskutimi, punëtori dhe shfaqje filmash. Por kur dielli perëndon, festimet vazhdojnë me një line-up të shkëlqyer artistësh, të cilët do të performojnë për shtatë netët e festivalit. 

E hënë, 15 korrik 

Mbrëmjen e parë të festivalit do ta hapin DJ Sugarfree, Shega dhe DJ e njohur shqiptare, Oda Haliti. Me ritmet e tyre dinamike, kjo mbrëmje premton të jetë një fillim i fuqishëm për javën festive. 

E martë, 16 korrik 

The Milk Snatchers dhe Eramah do të performojnë të martën, duke sjellë një përzierje të zhanreve dhe stilistikave muzikore që do të kënaqin shijet e të gjithëve. 

E mërkurë, 17 korrik 

Paulete Lindacleva dhe Erleta do të vazhdojnë festën të mërkurën, duke ofruar performanca të veçanta që do të ngazëllejnë audiencën. 

E enjte, 18 korrik 

Goro do të mbajë në këmbë energjinë e festivalit të enjten, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe të ngrohtë në Parkun Karragaç. 

E premte, 19 korrik 

Taste 2 & Kachix dhe Yll Megi janë të ftuar të premten për të argëtuar publikun me muzikën e tyre unike, duke e bërë këtë natë një nga më të paharrueshmet e festivalit. 

E shtunë, 20 korrik 

E shtuna do të jetë një natë kulminante me legjendën e hip-hopit të qytetit të Pejës, reperin Singullar, i cili do të performojë bashkë me Toske. Kjo natë premton të sjellë energji të jashtëzakonshme dhe performanca të paharrueshme. 

E diel, 21 korrik 

Festivali mbyllet me një mbrëmje spektakolare ku do të performojë diva e muzikës shqiptare, Adelina Ismaili. Rikthimi i saj në skenë do të jetë një moment historik për festivalin. Pas Adelinës, mbrëmjen do ta përfundojë Tadi, duke siguruar që nata e fundit të jetë po aq magjike sa e gjithë java. 

Anibar 2024 jo vetëm që do të ofrojë një platformë të pasur për artistët e animacionit, por gjithashtu do të krijojë një atmosferë festive dhe argëtuese për të gjithë pjesëmarrësit. Mbrëmjet ‘after-party’ në Parkun Karragaç janë një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar muzikën më të mirë live dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme. 

Për më shumë informacione mbi festivalin dhe programin e mbrëmjeve ‘after-party’, vizitoni faqen zyrtare të Anibar: www.anibar.org. Na bashkohuni për një javë të mbushur me art, kulturë dhe argëtim pa fund! 

Biletat mund t’i blini në Kabinën e Informacionit në qendër të qytetit të Pejës, ose edhe online përmes RAVE. / KultPlus.com

‘Anibar’ publikon programin për edicionin që lufton patriarkatin

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar” ka lansuar programin filmik për edicionin e 15-të.

“Jemi të emocionuar të shpallim përzgjedhjen zyrtare të Garës Ndërkombëtare, me 17 animacionet më të mira nga e gjithë bota, të ndara në katër programe që do të shfaqen në katër netët e festivalit”, kanë njoftuar organizatorët.

Në njoftimin e festivalit i cili ka qendër Pejën, bëhet me dije se sivjet në datat 15 deri më 21 korrik do të ndjehet një lloj revolte artistike ndaj patriarkatit nën moton “Smash the partiarchy”.

“Festivali ynë është një vend i shenjtë për imagjinatën radikale, ku sfidohet status quo-ja dhe mbështeten ide të reja progresive. Këtë botim, Anibar do të vazhdojë të mbrojë një shoqëri të ekuilibruar dhe të shëruar, duke krijuar hapësirë ​​për diskutime mbi barazinë, autenticitetin dhe përmbushjen personale, lirinë dhe mirëqenien e çdo individi. Kështu, Anibar do të vazhdojë të përqafojë vizionin e tij për t’u përballur me mentalitetet dogmatike duke i hapur rrugë përfshirjes dhe diversitetit”, njoftojnë nga festivali.

Para nisjes së edicionit të sivjetmë, “Anibar” do të shëtis nëpër turin filmik në qytete të ndryshme. Stacionet e botës së animuar do të jenë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Serbia./rtk/ KultPlus.com

Programi i aktiviteteve të Javës Kulturore Britanike

Programi i Mbretërisë së Bashkuar në Javën e Kulturës Britanike, vjen me një seri të bisedave, filmave, ngjarjeve muzikore që shpalosin jo vetëm kulturën britanike, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Përmes bisedave, programeve të edukimit dhe të shprehjes së kreativitetit, kjo javë do të jetë e organizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë për t’u ndërlidhur edhe më shumë kulturalisht dhe artistikisht.

Java nis me shfaqjen e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut – Shqipëria” nga prof. Bettany Hughes. Dokumentari do të shfaqet sot për herë të parë në Tiranë.

Nga portet e lashta romake të Orikumit dhe të Apollonisë te liqeni i mahnitshëm i Ohrit apo në Beratin e historisë së pasur, Bettany na tregon si është njohur me kulturën dhe historinë shqiptare.

Shfaqja do të jetë në kinema “Millenium” në orën 20:00, duke ofruar falas për të pranishmit, një udhëtim ndërkulturor. Vetëm autorja do të jetë ditën e mërkurë në një bashkëbisedim me studentë, në qendrën e artit  “Agimi”.

Të tjera qytete ku do të ketë aktivitete të Javës së Kulturës Britanike, do të jenë Kukësi, Peshkopia, Durrësi dhe Korça./atsh/KultPlus.com

Doku Fest shpalosi mbrëmë në Prishtinë pak nga magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali këtë edicion

Arlinda Hajdaraj

Data 4 gusht do të shënoj hapjen zyrtare të Festivalit të Filmit Doku Fest, po ndërkohë festivali mbrëmë zbriti në kryeqytet për të shpalosur pak nga gjithë magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali përgjatë këtij edicioni të 22-të, shkruan KultPlus.

DokuFesti mbrëmë në kryeqytet prezantoi filmat e metrazhit të shkurtër apo filma eksperimental, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve duke riaktualizuar problemet shoqërore në vend dhe jashta saj.

Arti filmik, si çdo lloj arti tjetër, është mënyra më e mirë për të vënë në pah çdo lloj problemi duke spikatur ‘të bukurën dhe artistiken’. Në këtë rrugë, zgjidhet labirinti që shpeshherë nuk shihet nga syri i lirë i njeriut të thjeshtë.

Në hapësirën e objektit të CNP-së u prezantuan tetë filma të metrazhit të shkurtër, në versionin shqip dhe anglisht. Secili film, nxirrte nga vetja formën më të mirë, duke gjuajtur mesazhe direkte dhe indirekte për publikun.

Përpara se të tetë filmat të shfaqen përpara ekranit të madh, fjalën e mori Drejtori Artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari, i cili shpalosi më shumë rreth programit të filmave të DokuFest-it, për natën e mbrëmshme dhe të netëve në vijim.

“Dy filmat e parë janë filma nga programi trajnues i DokuFestit, të moshave  16-18, të cilët kaluan një kurs të filmbërjes duke e finalizuar me krijimin e filmave të parë të tyre. Ndërkaq, filmat e tjerë janë filma të shpërndarë në disa programe, ku njëri nga ta është nga Kanadaja”, u shpreh Nurkollari.

Nurkollari tha gjithashtu se gati të gjithë filmat që do të shfaqen në këtë edicion të DokuFestit përgjatë ditëve në vijim janë me premierë kosovare, por se nuk mungojnë as ata filma me premierë botërore.

“Gati të gjithë filmat janë me premierë kosovare, dikur rreth 12 filma janë me premierë botërore, dhe një numër i konsiderueshëm janë filma ndërkombëtarë. Kanadaja këtë vit është në fokus të DokuFestit, andaj nga ky shtet do të paraqesim dikur rreth 20 e më shumë filma”, u shpreh Nurkollari.

Përgjatë natës së mbrëmshme nuk u sollën filmat garues që synojnë të fitojnë çmime, por filma të kuruar dhe të përgatitur pikërisht për këtë natë.

“Sot sollëm një program të vogël të asaj se çka do të pritet të shfaqet në Dokufest. Këta filma që janë këtu, janë enkas për këtë edicion. Por ne, nuk sollëm filma që janë më lartë, këtë natë, sepse presim që premierat e tyre të shfaqen në Festival”, përfundoi Nurkullari.

E tërë hapësira gjelbëruese e këtij objekti u gjallërua edhe më shumë me prezencën e njerëzve që donin dhe çmonin filmin. Çdo cep u mbush me pozitivitetin e të pranishmëve e hareja zuri vend edhe më shumë me duartrokitjet e pandalshme të tyre.

Kureshtja e madhe për të parë ekranin e për të dëgjuar zërin thumbues të personazheve të filmave, pamundësonte t’iu ikte dëgjuesve ndonjë copëz filmi.

Që prej vuajtjes së shqiptareve nga populli serb përgjatë viteve të 90-ta me detyrim ndalim-shkollimi e deri tek problemi i sotëm i shkollave shqipe, ku degët e ndryshme të studimit detyrohen të përfundojnë praktikat shkollore në të njëjtin vend, janë disa nga tematikat që u shfaqën mbrëmë.

Filmi i parë i shfaqur para publikut prishtinas, pati të bëjë me vetën tonë sot, duke dashur një rikthim pas në kohën e fëmijërisë. Në kohën, kur problemet nuk ekzistonin dhe kur çdo gjë e bënim pa sherrin më të vogël.

Filmi i parë, i krijuar nga Nea Zeka, ishte një film i shkurtër që në thelb ka të bëjë me vlerësim më të madh ndaj vetes dhe mos ndihmesën e njerëzve që nuk e meritojnë.

Ndërkohë, filmi i dytë nga Hana Krasniqi i cili u shfaq përpara publikut, ishte ai kushtuar vitit 1991. Vit ky, në të cilin pushteti serb po bënte shkatërrime masive tek shqiptarët, duke detyruar ata të ndalojnë studimet dhe të mbyllin shkollat shqipe. Në diku rreth 6 minuta të këtij filmi, u shfaqën fotografi nga rezistenca e shqiptarëve dhe qëndrueshmëria e tyre ndaj armikut serb.

“Rreth 3200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private u dhuruan për tu shndërruar në shkolla të improvizuara”.

Ky film i shkurt tregon më së miri ‘mosnënshtrimin’ e shqiptarëve ndaj armikut serb, dhe moslodhjen e tyre për kërkimin e lirisë e ngulmin për shkollim.

Një tjetër film i shfaqur në këtë mbrëmje ishte edhe filmi… i Viti 1949 shënohet me hapjen e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ndërkohë, sot në 2023, nxënësit e asaj shkolle detyrohen që mësimet t’i mbajnë në ndërveprim me nxënësit e mjekësisë, dy drejtime, komplet të kundërta. Zhurmat që shkaktohen nga muzika tek nxënësit e stomatologjisë, farmacisë e drejtimeve mjekësore dhe sfidat e tjera që hasen në këtë shkollë, ishin disa nga pikat kyçe të paraqitura në filmin në vijim.

Një problem serioz, i cili shfaqet më së miri përmes punës artistike të nxënësve shfaq ato problemet që gjinden mes nesh, e nuk merren ‘fort’ përbazë nga askush.

Përgjatë filmit disa minutor, rishfaqen edhe probleme të tjera me të cilat përballet kjo shkollë. Që prej detyrimit të ndërrimit të disa shkollave deri më tani, e deri tek profesorët e njëjtë që detyrohen të japin mësim në të gjitha degët.

Këto ishin disa nga premierat e shfaqura natën e mbrëmshme, me qëllim të vetëdijesimit e të kuptimit të realitetit në të cilin ndodhemi si shoqëri.

Kujtojmë që, DokuFest do të shfaq falas para publikut me më shumë se 230 filma, nga 3500 aplikime të bëra gjithsej. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar publikon programin e shfaqjeve për muajin maj

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar programin e shfaqjeve që do të paraqiten gjatë muajit maj 2023, shkruan KultPlus.

Me datën 2 maj do të ketë prezantm të shfaqjes ’’‘Delier Us’- Ballet Magnificant!’’, të koreografit Jiri Sebastian Voborsky.

Ndërsa me datën 3 maj do të shfaqet shfaqja ‘Gratë’, të regjisores Nastazja Domaradzka.

KultPlus ju sjellë datat tjera janë si në vijim:

Programi i edicionit të 52-të të Festivalit Teatror të Ferizajt

Festivali Teatrove Ferizaj ka prezantuar programin për edicionin e 52-të, shkruan KultPlus.

Ky festival do të fillojë me shfaqjen “Memorandumi” nga Teatri Adriana, shfaqje e cila është nga Vaclav Havel me regji të Agon Myftarit.

Ndërkaq, shfaqja “Koleksionisti i Syve” nga Teatri Kombëtar i Kosovës do ta bëjë edhe mbylljen e këtij festivali.

Gjeni më poshtë edhe programin e plotë:

FTF, i cili më herët kishte ndryshuar datat, tani do të mbahet nga 1 tetori deri më 7 tetor. /KultPlus.com

DokuFest zbulon programin e plotë të DokuNights XXI

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” ka zbuluar formacionin e plotë dhe masiv të DokuNights të kuruar nga vetë Leart Rama, duke ndarë me ju artistët interpretues, orarin dhe vendndodhjet për festivalin e ardhshëm.

DokuNights i këtij viti do t’ju çojë në një udhëtim në të ardhmen dhe më gjerë, me tingujt futuristik të

performuesve si Sega Bodega, Hercules & Love Affair, DMX Krew, Detroit in Effect, Roza Terenzi mes

shumë të tjerëve!

Biletat mund t’i gjeni këtu: https://dokufest.com/al/2022/dokunights

// ANDRRA STAGE //

E premte 05.08

DMX KREW / D. DAN / PANDAUDIO / TADI

E shtunë 06.08

ROZA TERENZI / ADAM PITS / MAARA / LEART RAMA

// KINO LUMBARDHI BAHCE //

E hënë 08.08

HERCULES & LOVE AFFAIR

E martë 09.08

EDONA VATOCI / THIS IS NOT

// ANDRRA STAGE //

E mërkurë 10.08

SEGA BODEGA / ZEBRA KATZ / MATALE

E enjte 11.08

OFF THE MEDS / ELISE / BLERTA KOSOVA

E premte 12.08

PHASE FATALE / SCHWEFELGELB / SOPHIE DU PALAIS / LEO LUMEZI

E shtunë 13.08

DETROIT IN EFFECT / JENSEN INTERCEPTOR / CEEPHAX ACID CREW / GENC ELEZAJ

Tani online në RESIDENT ADVISOR :

https://ra.co/events/1566841 / KultPlus.com

Publikohet programi i plotë i Panairit të Librit në Prizren

Edicioni i 14-të i Panairit të Librit në Prizren do të filloj më 27 korrik dhe do të vazhdojë deri më 31 korrik. Në mesin e ngjarjeve në Panair janë edhe diskutimet e mbrëmjet letrare.

Orari i plotë i ngjarjeve në Panair pritet të jetë si vijon:

Më 27 korrik të mërkurën të ftuar për diskutim janë Selajdin Krasniqi (shkrimtar) dhe Astrit Hykaj (shkrimtar dhe përkthyes).

Më 28 korrik, të ftuar janë Ismet Azizi (studiues) dhe Vlora Rexhaj Morina (shkrimtare).

Të shtunën më 29 korrik, Adem Gashi dhe Nexhmedin Spahiu do të jenë mysafir të Panairit për të vazhduar ditën tjetër më 30 korrik me Shkëlzen Gashin e Ismet Krasniqin.

Dita e fundit e Panairit të Librit mbyllet me Fahri Musliun (gazetar, përkthyes) dhe Fatmir Menekshe (artist).

Realizues të programit letrar janë Osman Gornaci dhe Ditar Kabashi. /Express/ KultPlus.com

75 vite nga themelimi i UNICEF

UNICEF, shkurtesa në anglisht për United National International Children´s Emergency Fund (Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijet) është themeluar pikërisht më 11 dhjetor në vitin 1946, shkruan KultPlus.

Fillimisht për të lehtësuar pasojat e luftës. Tani merret me mirëqenien e fëmijëve në vendet ne zhvillim.

UNICEF ka marrë mandatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që të mbrojë të drejtat e fëmijëve, të ndihmojë për përmbushjen e nevojave të tyre bazë dhe zgjerojë mundësinë e tyre për të arritur potencialin tyre të plotë, duke zbutur kështu një nga problemet sociale më të rënda të ditëve të sotme.

Qendra kryesore është në qytetin e New Yorkut, derisa UNICEF-i përmes programeve të shumta është aktiv edhe në Kosovë e Shqipëri. /KultPlus.com

‘Dokufest’ shpalos programin e edicionit të sivjetëm

Sot në Prizren u mbajt konferenca e përvitshme për shtyp e festivalit DokuFest ku u prezantua programi i plotë i edicionit jubilar, i 20-të i DokuFest, i cili do të mbahet nga data 6-14 gusht në Prizren, Kosovë.

Në konferencë prezantuan programin dhe mbarëvajtjen e festivalit Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i Festivalit, Alba Çakalli, Producente e Festivalit dhe Samir Karahoda, Selektor i Programit të Filmave të Shkurtër, transmeton KultPlus.

Producentja e festivalit Alba Çakalli hapi konferencën për shtyp dhe tha ‘Jemi shumë të lumtur që sot po prezantojmë edicionin e 20-të të festivalit me një program të veçantë ku këtë vit do të bashkohemi nëpër kinematë tona me audiencë nga data 6 -14 gusht.” Ajo njoftoi edhe për temën e këtij edicioni të festivalit që përbëhet nga një program i gjerë dhe i kuruar me kujdes e që përfshinë shfaqje të filmave, performanca muzikore, ekspozita dhe diskutime.

Poashtu, producentja Çakalli njoftoi edhe për programin i cili një pjesë e kufizuar e tij do do të jetë i hapur për rajonin në një platformë online dhe pjesa e kategorisë kombëtare do të jetë e hapur për shtetet si në Zvicër, Gjermani dhe Suedi.

Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i Festivalit shpalosi shkurtimisht programin e sivjetëm të filmave. “Nga mbi 3000 filma të cilat kanë aplikuar për këtë edicion të festivalit, kemi përzgjedhur 106 filma për 8 kategori garuese të festivalit nga 60 shtete dhe rreth 100 filma tjerë për një numër programesh të veçanta të festivalit”.

Deri tani ne kemi shpalosur shumicën e programit dhe në ditët në vijim do të shpalosen edhe disa nga programet tjera. Ajo çfarë mund të themi është se kemi një interesim në rritje për prezencën e autorëve dhe filmbërësve profesionist nga Kosova, rajoni e bota dhe tashmë kemi konfirmim nga një numër i konsiderueshëm i tyre në lidhje me ardhjen në Prizren. “Me gjithë situatën në të cilën gjendemi unë shpresoj për një rikthim gradual të publikut si dhe të festivalit në formatin çfarë ishte dhe si e meriton edhe qyteti i Prizrenit dhe Kosova.”

Nurkollari poashtu theksoi rëndësinë e këtij viti për kinematografinë Kosovare, duke e quajtur si njē vit historik, jo vetëm shkaku i suksesit të jashtēzakonshēm tē filmin “Pa Vend” nga Samir Karahoda i cili sapo pati premierën botërore ne festivalin e Kanës dhe i cili do ta ketë premierën e saj në DokuFest por edhe pēr shkak të suksesit edhe të filmave tjerë Kosovar këtë vit, sikur ai i regjisorit të talentuar Leart Rama, filmi i shkurtë i të cilit me titull “4 Pills at Night” do ta ketë premierën botërore në Locarno

Festival në Zvicër dhe i njëjti do të shfaqet edhe në DokuFest dhe ne jemi të lumtur që edhe në këtë formë po ndihmojmë dhe dëshmojmë që Kosova dalëngadalë po bëhet kryeforcë e kinematografisë në Evropë dhe botë.

“Një bashkëpunim tjetër i veçantë është bashkëpunimi me Arkivin Shtetëror të Filmit në Tiranë, me të cilët do të sjellim një program të jashtëzakonshëm të kuruar nga Tomas Logoreci dhe Iris Elezi, të cilat përfshijnë zhurnale nga periudha e vitit 1945 e deri në vitin 19991 dhe poashtu do të bëjmë një ekspozitë me fotografi në shtëpinë e Shani Efendiut si një hyrje në rimendim të asaj hapësire me fotografitë e gjetura së fundi në arkiv nga vizita e aktorit Bekim Fehmiut në Shqipëri në vitin 1972 të cilat nuk janë të botuara asnjëherë më parë.” theksoi Nurkollari.
Samir Karahoda, kurator dhe selektor i programit të filmave të shkurtë njoftoi se “Nga mbi 1000 filma të metrazhit të shkurtë artistik të cilët kanë aplikuar, ekipi seleksionues ka arritur që pas një pune të gjatë të zgjedh 25 filma të cilët do të kenë shfaqjet e tyre në këtë edicion dhe do të garojnë në programin për filmin më të mirë të shkurtë.”

Ai vazhdoi “Programi kombëtar do të përbëhet nga 16 filma të cilat do të shfaqen në datat 11-13 gusht ku shumica prej tyre do të kenë premierën botërore në DokuFest. Një film i cili do të ketë një shfaqje të veçantë është filmi “Go, Go Kosova” një bashkëprodhim i Kosovës, Maqedonisë dhe Skocisë i cili ka të bëjë me rrugëtimin e sportistëve të Kosovës në Olimpiadën në Brazil dhe audienca do të njoftohet për promovimin e vendit tonë dhe sfidat që i ndjekin në këto rrugëtime sportistët tanë.”

Fillimi i festivalit na gjen me një ligjeratë dhe punëtori me dy fotografë të njohur botëror në kuadër të DokuFoto, Ron Haviv dhe Paul Lowe, të cilët përgjatë viteve kanë dokumentuar luftërat dhe ndodhitë e rëndësishme nëpër botë, përfshirë luftën në Kosovë dhe Ballkan.

Një vend të veçantë edhe në këtë edicion do ta kenë fëmijët të cilët për 5 ditë me radhë do të ndjekin programin e DokuKids, çdo ditë nga ora 10:00 për fëmijët e moshës 6-12 vjeç.

Konferencës për shtyp iu bashkua edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili falenderoi DokuFest për punën e angazhimin e dy dekadave në ngritjen e turizmit të vendit dhe arritjen që kineastë e rinj po i sjellin tashmë me prodhimet e tyre filmike në vend dhe për promovimin kulturor të Prizrenit e Kosovës në skenën ndërkombëtare. / KultPlus.com

Mospajtimet brenda Teatrit vonojnë programin e shfaqjeve

Mospajtimet brenda organeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë bërë që ky institucion ende të mos e ketë gati programin për këtë vit. Miratimi i tij bëhet nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni pas propozimit që anëtarët e këtij organi marrin nga drejtori i përgjithshëm dhe nga udhëheqësi artistik.

Përderisa, sipas menaxhmentit, problemi është te mospajtimet me Këshillin Drejtues, përfaqësues të këtij të fundit fajin e hedhin te menaxhmenti. Si pasojë e mosmiratimit të programit, institucioni më i lartë teatror në vend ende nuk ka as planifikim financiar për këtë vit, madje as nuk ka bërë kërkesë për buxhetin e viti kalendarik në MKRS, detyrë ligjore kjo që institucionet e tjera e kanë përfunduar qysh në dhjetor. E vonimi i miratimit të programit mund të shkaktojë probleme në realizimin e repertorit.

Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, ka thënë se kjo vonesë sigurisht që shkakton probleme, por ato janë të tejkalueshme.

Në fillim të dhjetorit ishte bërë e ditur se ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte ndërruar përbërjen e Këshilli Drejtues duke emëruar si anëtarë të rinj regjisorët Burbuqe Berisha e Orhan Kerkezi, letrarin Shkëlqim Millaku, aktorët Fisnik Ademi, Jahja Shehu e Ismet Azemi bashkë me Valon Kashtanjevën si përfaqësues të MKRS-së.

Por, sipas kryetares së Këshillit Drejtues, ky organ nuk është fajtor për mosmiratimin e programit artistik për këtë vit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Gjilani lanson programin online “Biblioteka Ime”, i pari i kësaj natyre në Kosovë

Në Gjilan sot është bërë promovimi i projektit online “Biblioteka ime”, që është ende në fazën e pilotimit, por që ka qëllim digjitalizimin e gjithë literaturës së Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”.

Ky projekt mundëson, përpos leximit elektronik, edhe krijimin e databazës së këtij institucioni dhe statistikat e tjera që kanë të bëjnë me leximin, moshat, librat dhe autorët më të lexuar dhe detajet të tjera brenda një domeni dhe gjithçka në formë elektronike.

“Si program po lansohet sot pas atij që tashmë ka filluar në shëndetësinë primare dhe do të vazhdohet edhe me programe të tjera të ngjashme. Apliko online, home Komuna, e-kiosqet, e-prokurimi, e-shëndetësia dhe tash Biblioteka Ime, janë projekte që Gjilanit tashmë i kanë dhënë epitetin e risive në nivel vendi, sa i përket përdorimit të teknologjisë informative në dhënien e shërbimeve për qytetarë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e inaugurimit të këtij projekti.

Ai po ashtu tha se Kuvendi në përbërje të re në vitin e ardhshëm do të bëjë emërtimin e kësaj Biblioteke me emrin e Beqir Musliut.

Gazmend Jakupi nga zyra e IT-së në Gjilan, ka thënë se ky program elektronik, bibliotekaime.com, është në funksion të digjitalizimit të shërbimeve, krijimin e lehtësirave më të mëdha dhe zgjerimin e numrit të lexuesve, duke mundësuar leximin e titujve që i posedon kjo Bibliotekë nga një telefon apo pajisje tjetër, që ka qasje në internet.

Ndërkaq, Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës “Fan S. Noli”, ka thënë se ky program është një lehtësim shumë i madh për stafin që punon këtu, por edhe për krijimin e databazës së sakt për librin dhe digjitalizimin total të librave, veprave të ndryshme të autorëve, por edhe digjitalizimin e gjithë arkivit që ka në menaxhim kjo Bibliotekë./ KultPlus.com