Gonxhja: Projekte me CHwB Albania për rijetësimin e trashëgimisë kulturore

 Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa kufij” (Cultural Heritage Without Borders – Albania).

Në qendër të takimit ishte ecuria e projekteve me këtë organizatë, të cilën Gonxhja e  falënderoi për punën e shkëlqyer me në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen.

“Diskutuam për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa që nga tërmetet, si dhe për projekte konkrete siç është kthimi i ish-burgut famëkeq të Spaçit në një muze kujtese, ndërhyrjet në Kalanë e Krujës, ndihmë, konservime e shpëtime të tjera anembanë vendit dhe mundësi bashkëpunimi”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Gonxhja tha se “theksuam rëndësinë e shpejtimit të praktikave dhe koordinimit më të mirë mes ekipeve tona respektive”.

“Trashëgimia Kulturore pa kufij” ka zbatuar disa restaurime në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore, në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Kosova përfiton 21 projekte nga programi Erasmus Plus

Në thirrjen e vitit 2022 të programit Erasmus+ Kosova për herë të parë ka shënuar numrin më të madh të programeve përfituese. Nga kjo thirrje kanë përfituar të drejtën e financimi gjithsej 21 projekte, ku 11 prej tyre kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë.

Kështu u bë e ditur gjatë një konference për medie ku u prezantuan rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional (për thirrjen e vitit 2022), si dhe projektet nga Kosova që janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci theksoi se përmes programit Erasmus+ po mundësohet që të përmbushet plani qeverisës dhe po ofrohen mundësi për ngritje të kapaciteteve në arsim të lartë.

Nagavci po ashtu u shpreh se falë këtij programi po mundësohet edhe modernizimi por edhe ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë.

Sipas saj, aktualisht është nevoja është që të fokusohen në ngritje të kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë që sa më shumë t’i absorbojnë këto fonde.

“Jam shumë e lumtur që edhe arsimit profesional të cilin e kem një nga prioritetet tona e kemi me mundësi për përfitime nga fondet e BE-së. Këtë vit Kosova e shënon rritjen më të madhe të përfitimit nga programi Erasmus Plus. Për thirrjen e vitit 2022 për financim nga Komisioni Evropian Kosova përfitoi gjithsej 21 projekte, prej tyre 11 janë për ngritjen e kapaciteteve të arsimit të lartë, 1 projekt Zhan Monen dhe 9 projekte në fushën e arsimit profesional. Sukseset e Kosovës nga programet e BE, sidomos nga Erasmus Plus janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë, për përmirësimin e performancës dhe rezultateve në arsimin e lartë, ku përmes programit Erasmus plus ofrohen mundësi për ngritje të kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë dhe profesional, mobilitete të studentëve, stafit akademik e administrativ dhe modernizim dhe ndërkombëtarizim të arsimit të lartë në Kosovë”, theksoi ajo.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se programi Erasmus+ është një nga më të suksesshmit në historinë e BE-së, ndërsa shtoi se aktualisht BE-ja ka për kornizën e programit për vitin 2021-2027 ka ndarë 14.7 miliardë euro.

Szunyog theksoi se përmes këtij programi është mundësuar lëvizja e studentëve dhe stafit akademik të cilët janë kthyer në Kosovë me një perspektivë të freskët që kontribuon në zhvillim social dhe tregun e punës.

“Ka kontribuar konsiderueshëm në modernizimit e institucioneve të lartë dhe sistemit e arsimit të lartë në shtetet e BE-së dhe më gjerë, prandaj nuk është rastësi që këtë vit ka investuar gjithsej 14.7 miliardë euro në këtë kornizë të programeve për arsim e aftësim për rini dhe sport për periudhën nga viti 2021-2027. Fatmirësisht Kosova arriti t’i bashkangjitet programit Erasmus + në vitin 2015 dhe t’i marr ato mundësi që i ofron. Nga viti 2015 deri në vitin 2020 3 mijë 880 studentë dhe staf akademik kanë udhëtuar në Evropë dhe 2 mijë e 70 janë kthyer në Kosovë përmes programeve të mobilitetit ndërkombëtar të programit Erasmus +. Këta studentë janë kthyer me një perspektivë të freskët dhe me motivim të rritur për të kontribuuar në zhvillimin social të Kosovës dhe shkathtësitë e tyre të fituara nga këto programe këmbimi janë shumë të nevojshme për tregun e punës në Kosovë”, theksoi shefi i BE-së.

Mimika Dobroshi nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë deklaroi se ky program ka ofruar mundësi aplikimi jo vetëm për institucionet e arsimit të lartë por edhe për ato të arsimit profesional, sportit dhe rinisë.

“Numri i projekteve përfituese të thirrjes së vitit 2022 është 21 projekte nga fusha e arsimit të lartë dhe arsimit profesional, akoma po e presim rezultatet në fushën e sportit dhe rinisë. Dhe temat kryesore në të cilat projektet kanë përfituar janë ato të transformimit digjital në arsim të lartë dhe atë profesional, transformimi në politikat e agjendës së gjelbër dhe gjithëpërfshirja në arsim”, tha ajo.

Shteti i Kosovës në vitin 2015 është bërë për herë të parë pjesë e programit Ersamus +. / KultPlus.com

Tri projekte për transformimin e Pogradecit

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga AADF, kanë diskutuar hapat teknike dhe kalendarin e zbatimit të punimeve për projektin që do të transformojë zonën Drilon-Tushemisht.

Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 15,5 milionë dollarëve, të cilat do të sjellin një transformim të qëndrueshëm, duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj.

Për këtë zonë janë miratuar në total 3 projekte. Parku i Drilonit me vlerë 5,5 milionë dollarë është i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, ku është parashikuar të realizohet rehabilitimi i gjithë parkut deri tek burimet e Zagorçanit (Gurasit), rehabilitimi i fasadave të objekteve të Tushemishtit, si dhe tre parkime publike e një qendër vizitorësh.

Po ashtu, me mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë dhe aktualisht është në proces prokurimi, për zbatimin e projektit të “Shëtitores së Tushemisht nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit”.

Ndërkohë që, projekti i “Unazës së Tushemishtit” që fillon nga ura Drilonit dhe kalon nga burimet e Zagorçanit për të përfunduar në pikën doganore, është financuar gjithashtu me një vlerë 6 milionë dollarë nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe pritet që të fillojë nga zbatimi brenda vjeshtës.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, është shprehur se projektidea i ishte paraqitur drejtorit te AADF dhe bordit të këtij fondacioni, që në vitin 2016, së bashku më ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. “Ky projekt mori aso kohe miratimin e Bordit për t’u financuar dhe është një lajm i shkëlqyer që sot projekti është në fazën e zbatimit”, shtoi prefekti Jole. /atsh / KultPlus.com

Hapet thirrja për financimin e projekteve për avancimin e standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

Qeveria e Kosovës e ka deklaruar vitin 2022 si vit të personave me aftësi të kufizuar.

Në përputhje me zotimin qeveritar është hapur thirrja për financimin e projekteve/programeve të OJQ-ve dhe Individëve për Avancimin e standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë për vitin 2022.

Bashkangjitur gjeni informatat shtesë dhe mënyrën e aplikimit:
https://bit.ly/3JuwnCt / KultPlus.com

MKRS shpall konkurs për projektet në fushën e Trashëgimisë Kulturore


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2020, shkruan KultPlus.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve: 15 ditë pune  dhe përfundon më datën 08 Qershor 2020.

Mbështetja financiare për projekte kulturore-artistike është paraparë deri në 200,000.00 Euro

Shuma minimale e mbështetjes financiare për OJQ-të që mund të aplikohet për çdo projekt është 2,000.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  10,000.00 Euro.

Kush mund të aplikoj?

Të gjitha Organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore.

OJQ-të mund të aplikojnë më së shumti (1) projekte në kuadër të kësaj ftese publike.  Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 24 dhjetor 2020.

Për më shumë detaje: https://www.mkrs-ks.org/?page=1,114 / KultPlus.com

QRTK përuron nesër disa projekte Restauruese-Konservuese në Qendrën Historike të Prizrenit

Nesër përurohen disa projekte Restauruese-Konservuese në Qendrën Historike të Prizrenit, të realizuara nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, shkruan KultPlus.

Në këtë përurim do të marrë pjesë edhe ministri i MKRS-së Kujtim Gashi.

Më poshtë gjeni të bashkangjitur agjendën:

Datë 16.11.2017 (E enjte)

12.30 – Përurimi i punimeve Restauruese – Konservuese në shtëpinë e familjes Pomaku;
12.45 – Vizitë punimeve Restauruese – Konservuese në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës;
13.00 – Vizitë punimeve Restauruese – Konservuese në Kompleksinë e familjes Drini;
13.15 – Përurimi i punimeve Restauruese – Konservuese në shtëpinë e familjes Alili;

Gjithashtu do të bëhet përurimi i punimeve Restauruese – Konservuese edhe në:
– Dy Trafostacioneve të vjetra;
– Xhamia e Myderiz Ali Efendisë;
– Përurimi i punimeve të fasadës së familjes Zhoriq./ KultPlus.com