Publikohet lista e përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore në Art dhe Trashëgimi Kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , ka publikuar listën paraprake të përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 në Art dhe Trashëgimi Kulturore:

https://bit.ly/3BO4O4W

Nga kjo ministri kanë njoftuar se aplikuesit kanë të drejtën e përdorimit të mjeteve juridike.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përgjegjëse në raport me përgjegjësitë e saj ligjore që rrjedhin nga parimet e parashikuara në Ligjin Nr.05/L – 031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, veçanërisht obligimin e saj si autoritet publik që palëve t’u mundësojë qasje të lehtë për të mbështetur një aplikim me dokumentacionin mbështetës sikurse e kërkon struktura e kritereve në thirrjen publike”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, nga vlerësimet e brendshme të të gjithë procesit, është konstatuar se digjitalizimi i procedurës së aplikimit në këtë thirrje publike, është përcjellë me vështirësi objektive me potencial të zhvlerësimit procedural të aplikimeve jashtë përgjegjësisë së palëve.

“Rrjedhimisht, MKRS, duke i zbatuar detyrimet e saj ligjore për qasje transparente dhe të papenguar në procedura administrative, përkatësisht, obligimin që pala të mos pësojë nga pengesat teknike dhe teknologjike gjatë ofrimit të dokumentacionit që e posedon pala dhe të kërkuar me thirrjen publike, do të sigurojë që në procedurën e mjeteve juridike (ankesat e palëve) të shqyrtojë dhe vendosë mbi rastet potenciale që refuzimi i tyre ka ardhur si rezultat i këtyre rrethanave.”

Në mënyrë që ankesa të përmbushë kushtet procedurale për shqyrtim të mëtejmë të tyre, gjegjësisht, ankesave mbi refuzimet e aplikimeve për mungesa të dokumentacionit të kërkuar, nga MKRS është njoftuar se pala duhet të përmbushë kumulativisht kushtet si në vijim:

1. Të parashtrojë ankesë në afatin e përcaktuar sipas rregulloreve në fuqi,

2. Të nënvizojë pretendimet ankimore se posedon (nëse po) dokumentacionin përkatës lidhur me kriteret e thirrjes,

3. Të ofrojë të gjithë dokumentacionin faktik sikurse është kërkuar në thirrje,

4. Të argumentojë në ankesë se gjatë aplikimit online, ngarkimi i dokumentacionit është penguar nga faktorë teknik/teknologjik.

“MKRS mbetet e përkushtuar për të vijuar punën në sigurimin e transparencës së plotë gjatë shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve në aktivitetet dhe iniciativat kulturore e artistike, përmes investimeve të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike që mundëson aplikim, shqyrtim dhe vendosje meritore në njërën anë e po ashtu mundësi të papenguar për palët që aplikimet e tyre t’i mbështesin me dokumentacionin relevant që kërkohet me thirrjet publike, nëse të njëjtat i posedojnë.

Në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë ngushtë me komunitetin për të adresuar të gjitha komentet dhe vërejtjet e tyre në thirrjet e radhës që do të shpallen në ditët në vijim.

Ankesat dhe materialet mbështetëse te ankesës, dorëzohen edhe ne e –mailin zyrtar: [email protected], deri më datën 10.08.2022.” / KultPlus.com

Kultura për ndryshim shpall projektet fituese të thirrjes 3

Thirrjes së 3-të për projekt propozime nga programi Kultura për Ndryshim për vitin 2020 i janë përgjigjur 95 organizata, institucione, grupe jo-formale e artistë individualë.

Ekipi vlerësues i përbërë nga Jeton Neziraj, Arif Muharremi, Nadica Vasilevska (Goethe-Institut), Marija Chorbeva-Penoska (Goethe-Institut)  e Shpëtim Selmani kanë hartuar listën përfundimtare të projekteve fituese.

Vlerësimet e projekteve juria i ka bazuar në kriteret e përcaktuara në pakon e “Thirrjes për aplikim” të programit Kultura për Ndryshim.

Në tërësi, në këtë cikël, janë shpërblyer 10 organizata e artistë individualë.

>> Bashkangjitur mund të gjeni listën e plotë të fituesve të Thirrjes së tretë për grante të programit Kultura për Ndryshim 2020. / KultPlus.com

MKRS aktualisht ka 18 projekte në realizim në Komunën e Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Prizrenit, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kryetarin Mytaher Haskuka, ku kanë bashkëbiseduar për projektet që do të investohen në këtë komunë nga ana e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haskuka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit. Qëllimi i tij është Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, në vlerën financiare prej 300 mijë euro, projekt ky i cili do të implementohet në vitet 2020-2022.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se shumë projekte janë në plan për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin dhe trashëgiminë kulturore që ka.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi veçoi projektin e Muzeut të Filigranit dhe paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për Muzeun e Filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”, tha ministrja, duke premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se MKRS-ja ka shumë projekte në Prizren.

“Me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë. Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, janë realisht projekte të rëndësishme nëpër fshatra. Pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, tha Haskuka. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për mbështetje të projekteve kulturore

Drejtoria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, në bazë të rregullores për ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për mbështetje të projekteve kulturore për këtë vit.

Thirrja është e hapur për të gjithë individët, bizneset, organizatat joqeveritare të regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e kulturës.

OJQ-të, individët dhe bizneset, në përputhje me këtë thirrje publike, mund të aplikojnë me projektpropozimet  për organizimin e aktiviteteve kulturore si më poshtë:

Art vizual – figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë, hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknolgjik;

Botime: për fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore;

Festival: art figurativ, art në hapësira publike, arkitekturë, ekologji, film, letrar, shumë disiplinor, muzikë, folklore, teatër, teknologji informative, vallëzim etj.;

 Kinematografi: film dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të rinj, titrim dhe zhvillim skenari;

Manifestime: shënimi i datave historike, shënimi i festave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shënimi i datave të tjera me rëndësi në Komunën e Prishtinës;

Mbështetje të aktiviteteve vjetore të organizatave dhe operatorëve kulturorë: aktivitete mujore, fuqizim i krijuesve të rinj, rezidencë artistike, debate, ligjërata dhe hulumtime;

Muzikë: kompozim i veprës së re, audio-incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Shoqëri kulturoro artistike: mbështetje të aktiviteteve vjetore, blerja e kostumeve, blerja e instrumenteve dhe pjesëmarrje në festivale;

Teatër: prodhimi i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Trashëgimi kulturore: fushata vetëdijesimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm kulturor, platforma informative;  

 Vlera e përgjithshme e planifikuar e thirrjes është 85,000€ (Euro).

Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt    individual është 500€ (Euro), ndërsa shuma maksimale për një projekt është 11,560€ (euro).

Thirrja për mbështetje të projekteve kulturore nga Komuna e Prishtinës mbetet e hapur deri më 8 tetor 2019./ KultPlus.com