Investimet në agroturizëm, grante emigrantëve që duan të punojnë në fshat

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë 4 vitet e ardhshme ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, parashikon të ultilizojë programe për mbështetjen me fonde nga buxheti i shtetit dhe donatorët, të menuve autentike që zbulojnë zonën dhe i japin vlerë qëndrimit të vizitorëve.

Përmes këtij programi, synohet të trashëgohen tek brezat e rinj produktet tipike të zonave gjeografike, përmes krijimit të eksperiencave pozitive që të njihen nga të gjithë.

Për këtë nxitja do të jetë reale përmes politikave mbështetëse me grante dhe subvencione dedikuar emigrantëve, të rinjve dhe grave, që duan të jetojnë e punojnë në fshat. / ata / KultPlus.com

Të gjitha projektet në agroturizëm, 100% pa taksa

“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “të gjithë ata që krijojnë punë, të jenë njerëzit më të favorizuar në Shqipëri, që krijojnë punë për vete dhe familjet e tyre. Të gjithë ata emigrantë që kanë kursime ta shikojnë Shqipërinë si një oportunitet për të ardhur për të hapur një biznes të vogël, për të jetuar ata dhe familja e tyre me të ardhura më mirë sesa nga rropatja në emigracion në punë sfilitëse, siç bëjnë një pjesë e mirë e tyre”.

“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Rama duke shtuar se “faktikisht nuk diskutoj tarifat vendore, pastrimin dhe as sigurimet shoqërore që nuk diskutohet, por të jenë pa taksa”.

“Të vijnë dhe të bëjnë atë që kanë filluar të bëjnë shumë emigrantë, të marrin shtëpinë e gjyshit apo stërgjyshit në fshat dhe aty ku duket e pamundur që të jetohet dhe të nxjerrin të ardhura, të nxjerrin të ardhura më shumë sesa atje ku janë në Gjermani apo Itali, me atë shtëpinë e stërgjyshit duke krijuar agroturizëm. Kjo nuk është më një ëndërr me sy hapur si ajo që unë shihja kur e lancuam projektin, por kjo është një ëndërr e realizuar e një numri të vogël, por të mjaftueshëm emigrantësh, që e kanë bërë dhe po e gëzojnë”, u shpreh Rama.

“Vërtetë të jesh në një fshat në Kuç ku ishim ne është e vështirë të imagjinosh se ti mund të prodhosh, edhe prodhimin tënd ta nxjerrësh në treg. Është e vështirë për të gjitha arsyet e terrenit, infrastrukturës etj., etj., por je në mes të një parajse ku ti mjafton të bësh pikën ku të tjerët të vijnë te ty. Nuk je ti që shkon në treg, është tregu që vjen te ty, janë turistët që vijnë tek ty, familjarët vendas që vijën te ty, falë bukurisë traditës dhe gjithçkaje që ti ofron”, theksoi më tej Kryeministri Rama. /atsh/ KultPlus.com