Drejtoria e Arkivave prezanton projektin novator të Muzeut Arkivor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi para medieve projektin novator të Muzeut Arkivor, i cili do të hapë së afërmi dyert për publikun.

Lajmi u bë me dije nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, në një dalje përpara medieve në Sarandë, në përmbylljen e turit shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

“Ne jemi duke krijuar Muzeun Arkivor, që prezantohet brenda këtij viti, i cili është një muze atipik, sepse ne tentojmë që të pasqyrojmë të gjithë pasurinë tonë kombëtare në një hapësirë të vogël, por që jam i bindur që do të jetë një ndër muzetë më interesantë në Shqipëri. Do të prisni pak mua derisa ta prezantojmë.”

Në bashkëpunim me bashkinë e Sarandës, DPA-ja shfaqi pranë Muzeut të Traditës Sarandiote ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

I pranishëm në këtë aktivitet, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh në një dalje për mediet se përmes arkivave shëtitëse, synohet të përçohen vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tenton që të sjellë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, veçanërisht në bregdet gjatë verës, sepse shqiptarët aty janë. Pra, në gjithë pika turistike dhe ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, mbi veshjet popullore, të cilat shumë njerëz nuk i njihnin, në fakt ka qenë edhe në Durrës, edhe në Shëngjin, edhe në Krujë, që ka masivitet gjatë verës. Ka qenë edhe në Pogradec, në Himarë dhe është edhe në Sarandë. Kudo ku ka njerëz, të cilët mund të shohim trashëgiminë e vyer të kombit tonë, ne shkojmë aty. Nuk presim që ata të vijnë te ne për të parë elementet e veçanta të së kaluarës, të cilat janë një frymëzim në fund të ditës për të ardhmen”, tha Bido.

Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se ekspozita përfshin edhe kostumet popullore të komunitetit të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitasve të Greqisë, për të treguar larmishmërinë e traditës sonë.

“Ekspozita ka të bëjë me kostumet popullore të të gjitha trevave shqiptare, përfshi edhe arbëreshët e Italisë, apo arvanitasit në Greqi, përtej pra trungut kombëtar, për të treguar larmishmërinë e madhe që kemi në traditën tonë. Dhe besoj se është mjaft interesante, është pritur mjaft mirë në të gjitha qytetet, ku ka shkuar kjo ekspozitë sepse njerëzit kuptojnë sesi gjyshërit dhe gjyshet e tyre visheshin në përditshmërinë e tyre. Stërgjyshërit apo stërgjyshet e tyre për mosha më të vogla, të cilat le të themi nuk i kanë parë me sy këto, por që i kanë së paku në një traditë gojëdhënë. Kanë mundësinë që t’i shohin në treva të ndryshme nga ata janë, të shohin veshje karakteristike të shqiptarëve, të cilat janë mjaft të bukura, shumë të mirëpunuara, goxha të shtrenjta dhe mbi të gjitha e detaje, të cilat sot fatkeqësisht po humbet edhe tradita e të rikthyerit të këtyre detajeve në veshjet tona”, tha kreu i DPA-së.

Ekspozita “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” është shfaqur më herët në Gjirokastër, në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin dhe në Elbasan./atsh/ KultPlus.com

Anibar fton të rinjtë të përfitojnë nga projekti GENESIS, 65 të rinjë synohet të zhvillohen në sektorin e filmit të animuar

Anibar dhe Institut français du Kosovo kanë hapur thirrje që të rinjtë Kosovar të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga projekti GENESIS.

GENESIS është një projekt ambicioz që synon të mbështes deri në 65 të rinj kosovarë përmes trajnimeve dhe të krijoj kushte për zhvillimin e sektorit të filmit të animuar në Kosovë. Programi përfshin mbi tetë muaj, duke përfshirë trajnime në animacion 2D dhe 3D, trajnime në gjuhën frenge dhe trajnime të specializuara mbi tema të ndryshme si shkrimi i skenarit, dizajni i zërit për animacion, postproduksioni dhe shumë të tjera.

Në njoftim thuhet se disa nga studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të bëjnë një ose dy udhëtime studimore në Francë me profesionistë të njohur të fushës.

Ata do të përfitojnë nga ekspertiza dhe njohuritë e profesionistëve të industrisë kreative nga Franca dhe Kosova. Të rinjët do të mbështeten nga projekti GENESIS për ti realizuar idet dhe storiet e tyre në projekte dhe ndërmarrje te sukseshme.

Kandidatët kanë afat deri më 15 shtator për të aplikuar në projektin GENESIS, i të cili do të fillojë në datën 1 tetor.

“Përgjithësisht përmesë inciativës do të ndikohen pozitivisht industria kreative dhe filmi në Kosovë. Specifikisht, do të ndikohen të rinjët Kosovar të cilët do të aftësohen me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare që do të marrin. Për të kontribuar kështu edhe në promovimin e kreativitetit dhe kulturës nga Kosova ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim.

Për më shumë informata rreth procesit të aplikimit të gjithe të interesuarit mund të drejtohen në: https://anibar.org/sq/genesis-calling-2/ KultPlus.com

MKRS: Masterplani 450 hektarësh për kompleksin ‘Adem Jashari’ një hap i madh drejt nderimit të heroizmit të familjes Jashari

Ministria e Kulturës pas prezantimit të projektit fitues për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ka thënë se ky projekt përbën një hap të madh drejt ruajtjes dhe nderimit të heroizmit të familjes Jashari.

MKRS përmes një komunikate për media ka thënë se masterplani 450 hektarësh në kompleksin “Adem Jashari” do të zhvillohet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë me përkushtim e profesionalizëm.

“Në bashkëpunim me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, procesi i deritanishëm ka siguruar kujdes dhe vëmendje të veçantë për trajtimin dhe ruajtjen si të zonës si aset i trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, ashtu edhe të historisë së rezistencës së familjes Jashari me ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Pas një periudhe intensive të punës së pandalur, u përzgjodh fituesi i konkursit ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, i cili trajton një sipërfaqe prej rreth 450 hektarësh në fshatin Prekaz të Skenderajt, si dhe zonat e veçanta të kullave dhe shtëpive të familjes, fabrikën e municionit e kullën e vrojtimit mes tjerash.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit:


Projekti fitues për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u prezantua mbrëmë duke kurorëzuar përkushtimin e plotë ndaj kujtimit dhe sakrificës së familjes Jashari

Gjatë ceremonisë, kryeministri Albin Kurti mori fjalën duke theksuar mbështetjen e pakursyer ndaj këtij projekti dhe ndaj kujtesës historike të kombit tonë. Si përfaqësues i familjes, z. Bekim Jashari gjithashtu mori fjalën, duke shprehur rëndësinë e kompleksit si dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme për të nderuar veprën dhe sakrificën e familjes së tyre.

Në bashkëpunim me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, procesi i deritanishëm ka siguruar kujdes dhe vëmendje të veçantë për trajtimin dhe ruajtjen si të zonës si aset i trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës, ashtu edhe të historisë së rezistencës së familjes Jashari me ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Pas një periudhe intensive të punës së pandalur, u përzgjodh fituesi i konkursit ndërkombëtar për masterplanin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, i cili trajton një sipërfaqe prej rreth 450 hektarësh në fshatin Prekaz të Skenderajt, si dhe zonat e veçanta të kullave dhe shtëpive të familjes, fabrikën e municionit e kullën e vrojtimit mes tjerash.

Duke i kushtuar rëndësi të veçantë përjetimit të kompleksit memorial si të plotë, projekti që u prezantua nga fituesi i konkursit, trajton tërësinë si përvojë e kuruar e kalimit nëpër tregimin e familjes Jashari dhe luftës së Kosovës për liri. Gjatë këtij rrugëtimi, sipas projektit, kalohet nëpër pika kyçe si zona memoriale me emrat e heronjve të luftës, te shtëpitë e rezistencës të ndriçuara, kompleksi i fabrikës së municionit si muze i rezistencës, e pika të vrojtimit ku vizitorët përjetojnë peisazhin dhe kujtesën si komponente të pandara nga njëra-tjetra.

Ky projekt është hap i madh drejt ruajtjes dhe nderimit të heroizmit të familjes Jashari, simbol i lirisë dhe qëndresës sonë. Me përkushtim dhe profesionalizëm, masterplani për kompleksin do të zhvillohet më tej nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë me përvojë./ KultPlus.com

‘Teknika e Koordinuar Pianistike’- pianisti Agron Shujaku promovon 15 video-manuale që synojnë zgjidhjen e problemeve në teknikat e pianos

Vjollca Duraku

Të mërkuren mbrëma, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë promovuar video manualet mbi “Teknikën e Koordinuar Pianistike” të pianistit Agron Shujaku, ku me këtë rast janë demonstruar edhe  disa prej teknikave të cilat u sollën për herë të parë në vend.

Video incizimet janë manuale të cilat janë të ndara në lëndë të caktuara ku secila video e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike. Në diskutimin e realizuar në mes të pianistit Agron Shujaku dhe pianistes Yllka Shyti u tha se kjo metodë e cila tashmë është plasuar në YouTube synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike të cilat i ka realizuar vet profesori Agron Shujaku.

Ambientet e qeta të KultPlus mundësuan një bashkëbisedim të këndshëm të realizuar gjerë e gjatë mbi praktikimin e kësaj metode si dhe për evidentimin e asaj se çka është e dobishme dhe e dëmshme për teknikën e punës me piano, të cilat profesori Shujaku i ka përvetësuar pas një pune autodidakte.

Deri te promovimi “Teknikës së Koordinuar Pianistike” solli një studim i gjatë i profesorit Shujaku, i cili pikëkthesën e madhe e pati pasi kishte hasur në një sfidë personale në punën e tij si pedagog.

“Kam pasur studentë shumë të mirë në atë kohë por në një moment, e kam pasur edhe një nxënëse që sado që ka qenë e angazhuar dhe ka pasur dëshirë të madhe të arrij më shumë, nuk kam ditur t’i ndihmoj edhe pse në të gjitha format jam munduar me atë çfarë kam ditur atëherë. Kjo më ka bërë të dyshoj në pedagogjinë time në atë se a e njoh aq mirë punën me piano dhe me studentë. Nga këtu ia kam filluar studimit në kuptimin e metodave të reja dhe metodave të vjetra”, ka thënë ai.

Profesori Shujaku ka thënë se ky projekt është vazhdimësi e diçkaje që ka qenë duke e punuar një kohë të gjatë, qysh nga koha kur ai vet është përballur me problemet me të cilat po përballeshin tash studentët e tij.

“Kam pas edhe vet probleme fizike të pianos për shkak të stërngarkimit me metoda të ndryshme, kam pasur dhimbje në trup, dhimbje në dorë, e në gishta deri në atë masë sa edhe luajtja me piano u bë e pamundur. Kam bërë një pauzë dy vjeçare. Në fillim kam menduar ta lë pianon, por dëshira e madhe për art dhe pianon në veçanti nuk më ka lënë të dorëzohem aq lehtë, nga ku edhe i kam filluar studimet e ndryshme” ka thënë profesori.

Profesori ka thënë se fillimisht ka qenë fanatik i metodës Taubman, e cila i kishte evituar problemet deri në 90%, porse kjo metodë nuk po i jepte zgjidhje disa prej problemeve të veçanta me të cilat ai ballafaqohej.

“Ato dhimbje që i kam pasur kanë filluar të largohen, jo plotësisht. Në këtë formë unë kam vazhduar të punoj për atë metodë dhe normal çdo gjë që e kam mësuar të re unë kam filluar të implementoj te nxënësit e mij, dhe ka pasur sukses.  Mirëpo deri në një nivel. Ka qenë një moment edhe pse 90%të asaj çka sugjeronte ajo metodë ishte korrekte, nuk jepte përgjigje për disa probleme të cilat nuk kam mundur t’i zgjidh. E pranoj kam qenë fanatik i asaj metode për dy apo tri vjet.”

Mirëpo nga kërkesat dhe hulumtimet e shumta të cilat i kishte bërë profesori mbi qështjet brengosëse se përse nuk i funksiononte ajo metodë për të gjitha rastet, erdhi në konkludim se nuk duhet të jesh fanatik i një metode por se ajo duhet kombinohet dhe koordinohet varësisht nga procesi dhe teknika e punës.

“Kam qenë kërkues ndaj vetes. Nuk jam ndal me aq kam kërkuar më shumë prej kësaj pune, kam kërkuar përgjigje për disa çështje të cilat kanë qenë brengosëse për mua se përse nuk po funksionojnë. Çelësi i zbulimit ka qenë mos me qenë fanatik i diçkaje. Secila metodë i ka përfitimet e saj por asnjëra nuk është e saktë 100%. “Teknika e Koordinuar Pianistike, nuk është teknikë e imja, por është përmbledhje e asaj çfarë di unë dhe si e kuptoj teknikën deri sot”, ka thënë profesori.

Profesori më tej ka thënë se metodat tjera të cilat i ka implementuar ka vërejtur se shumica janë të ngjashme me njëra-tjetrën, vetëm se janë prezantuar në mënyrë tjetër dhe shumë shpesh edhe janë keqkuptuar.

Pianisti Shujaku ka thënë se pajtohet me teorinë që një person nuk mund ta bësh më shumë artist se sa është, porse disa teknika të duhura do ta rrisnin dukshëm performancën e tij përmes aparatit pianistik se si secila pjesë e trupit koordinohet me tjetrën.

“Ai që është artist e ndien muzikën. Nëse e shoh veten në vitin 2000 unë e kam ndier muzikën shumë më shumë se sot, kam pasur shumë më shumë pasion se sa sot, por nuk kam pasur teknikë për të realizuar atë çka e kam ndier. Tash është e kundërta. Tash nuk kam ndoshta aq shumë pasion sa kam pasur atëherë por e kam teknikën më të mirë për të realizuar atë çka dua të realizoj” ka thënë profesori Shujaku.

Në këtë diskutim u tha se me video- materialet e publikuara në Youtube nxënësit do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në aspektet si ergonometria e qëndrimit në piano,  përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.

Në fund u zhvillua edhe një bashkëbisedim me të pranishmit mbi këtë metodë e cila mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe mbi qështje të cilat u interesonin lidhur me teknikat e mësimit të pianos./KultPlus.com

Projekti për turizmin i BB, vijon në Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet

Banka Botërore vlerëson ecurinë e kënaqshme të zbatimit të programit të turizmit, që mbështetet nga BB me një kredi 71 milionë dollarë.

Vlerësimi i fundit i Bankës për Programin për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin që prek katër bashki Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet nxjerr në pah edhe investimet konkrete që janë kryer si dhe ato që janë ende në proces.

Sipas BB punimet civile të rrugës me kalldrëm të këmbësoreve dhe aksesit të makinave Kalaja e Beratit dhe shëtitores dhe shkalleve të Sarandës, përmirësimi i integruar urban dhe i ndriçimit në Përmet, rruga me kalldrëm e Pazarit të Gjirokastrës, Sistemi i Muzeve dhe punime rehabilitimi në kalanë Gjirokastër kanë përfunduar. Ndërkohë punimet civile të përmirësimit të integruar urban në Berat, Sarandë dhe Gjirokastër janë duke u zbatuar.

Përsa i takon punimeve për përmirësimin e zonave turistike të Bënjës dhe pikave panoramike përgjatë korridorit turistik janë në vazhdim; dizajni për përmirësimin e zonës turistike të Zvërnecit është finalizuar dhe janë kontraktuar punimet civile; konsulenca e projektimit për sitet turistike të Kalasë së Gjirokastrës si dhe Kalasë së Borshit, Kalasë së Kaninës dhe Shpellës së Spillesë janë në zbatim.

“Konsulenca për Strategjinë e Kërkimit dhe Zhvillimit të Tregut ka përfunduar. Shërbimet e konsulencës për partneritetin e menaxhimit të destinacionit, Zhvillimin e Tregut për Jugun e Shqipërisë, Zhvillimin e Produkteve Turistike dhe Sistemi i Statistikave të Turizmit janë aktualisht në zbatim”, thuhet në përmbledhjen e Bankës Botërore.

Projekti për turizmin nisi në vitin 2016 me një financim 71 milionë dollarë dhe u bë efektiv në vitin 2017. Fillimisht data e parë e mbylljes ishte 31 korriku 2022, por më pas u shty për 31 korrik 2025. Aktualisht për këtë projekt janë disbursuar deri tani 42 milionë usd./atsh/KultPlus.com

Rama: Në Rehovën turistike po merr jetë projekti për rijetësimin e fshatit

 Rehova, një nga fshatrat më të bukur në vend, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik për nga resurset e veçanta që ka, që nga tradita, historia dhe mikpritja.

Krahas rijetësimit të kishave, investimet e qeverisë në këtë perlë të Kolonjës janë shtrirë edhe në infrastrukturë.

Së fundmi, po investohet për ndërtimin e rrugës që e lidh me Ersekën.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky kantier punimesh për rijetësimin e fshatit.

“Rehova turistike ku dita-ditës po merr jetë projekti për rijetësimin e fshatit dhe ndërtimin e rrugës që do të bëjë lidhjen me Ersekën, duke nxjerrë në pah natyrën magjepsëse të kësaj zone”, shprehet Rama.

E shpallur qendër e mbrojtur si dhe e përfshirë në projektin “100 fshatra turistikë”, në Rehovë po kryhen një së investimesh në infrastrukturë për rehabilitimin e rrugicave, fasadave dhe portat prej guri./atsh/KultPlus.com

“YELLOW BOX”, projekti që rregullon qarkullimin e veturave në udhëkryqe drejt finalizimit

Projekti “YELLOW BOX” i cili parashihet që të ndihmojë qarkullimin e rregullt të veturave në udhëkryqe të kryeqytetit po shkon drejt finalizimit, shkruan KultPlus.

Lajmin për fillimin e  këtij projekti i cili intervenon në udhëkryqet e kryeqytetit e ka bërë të ditur, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në facebook.

“Është përgatitur dhe po fillon projekti “YELLOW BOX”, për intervenim në udhëkryqet e Kryeqytetit, me qëllim që të rritet siguria dhe të ndihmojmë qarkullimin e rregullt të veturave në udhëkryq”, thuhet në postimin e Kryetarit të Komunës në facebook./KultPlus.com

Prezantohet projekti filmik mbi jetën e veprën e Pëllumb Kullës

Në ArTurbina është zhvilluar mbrëmë ceremonia e fillimit të filmit mbi jetën e veprën e Mjeshtrit të Madh Pëllumb Kulla. Të ftuarve u është prezantuar “Lejlekët nuk vijnë më”, një vepër me një bashkëpunim të pazakontë. Leonard Bombaj sjell studimin e veprës dhe jetës së Pëllumb Kullës, në formën e një skenari me disa dorëshkrues. Kulmet e veprave të regjisorit e skenaristit Pëllumb Kulla sjellë si një studim biografik po nga një tjetër regjisor, Leonard Bombaj.

Autori ka mbledhur një histori jetësore prej 80 vitesh, ndarë në 3 epoka: lufta, komunizmi dhe demokracia. Bombaj për të shkruar “Lejlekët nuk vijnë më”, të cilin synon ta kthejë shumë shpejt në film, ka studiuar 31 libra të Pëllumb Kullës. Vepra në versionin e saj final i përket gjinisë historike dhe dramedi, me  60 heronj shumëngjyrësh nga jeta dhe vepra e Mjeshtrit të Madh.

Në mbrëmje, të pranishmit u njohën me sekretet e këtij rrugëtimi, ambasadorët e filmit, personalitete te artit, si edhe legjenda e gjallë që fshihet si frymëzuesi letrar, i quajtur nga kritika si “Mark Twain-i” shqiptar./atsh/KultPlus.com

Shtyhet projekti i biçikletave komunale, s’pati asnjë ofertues

Shtigjet e biçikletave do të duhej të kishin edhe disa mjete transporti unike këtë pranverë. Nga marsi planifikohej që biçikletat të përdoreshin si transport publik.

Mirëpo Komuna e Prishtinës, përkundër që e hapi thirrjen nuk pati asnjë ofertues, andaj afati u shty, raporton Klan Kosova.

Ilirik Musliu, Drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, tha se beson që do të kenë oferta në thirrjen e re.

“Kemi qenë në kohë me projekt, por çka është e vërteta tash edhe vetëdijesimi, kjo shprehia e përdorimit të biçikletave, po ndërlidhet edhe me pjesën e operatorëve, të cilët nuk i kemi, as të zhvillum as në numër. Kjo ka bërë që ne me e shty për një afat tjetër, me ia dhanë prapë mundësinë me pa oferta, po mendojmë që kemi me pas”, u shpreh Musliu.

Ai pohoi se thirrja për operatorë ekonomikë është e hapur deri në fund të muajit.

Megjithatë, Berat Rakovica nga grupi “Marakli t’Biciklave”, pohon se vonesat në implementimin e projektit, duhet të shfrytëzohen për krijimin e kushteve infrastrukturore.

“Krijohet njëfarë rreziku i përgjithshëm për shfrytëzuesit e biçikletave, sepse ti ua jep mundësinë me marrë një biçikletë, por duhet me i kriju edhe kushtet që ata me lëviz, ideja është që me pas ku me çiklu, momentalisht nuk ka”, tha Rakovica.

Ky projekt parasheh 10 vendstacione me biçikleta, ku do të qëndrojnë nga 10 mjete ekologjike transporti në secilën, dhe do të jepen për përdorim falas në 6 muajt e parë.

Kjo në fakt është faza e parë e këtij projekti për të cilin janë ndarë rreth 500,000 euro, dhe në të ardhmen parashihet që ky numër të rritet. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Kanë filluar punimet për projektin “Rrugët për Fëmijë”, synohet transformimi i hapësirave para shkollave

Kanë filluar sot punimet për projektin e parë “Rrugët për Fëmijë”, projekt ky që synon transformimin e hapësirave para shkollave, shkruan KultPlus.

Pas disa muajsh analizë, matje, projektim e planifikim ekipet e projektit në kryeqytet e kanë filluar këtë projekt fillimisht tek shkolla SHFMU “Elena Gjika”.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila ka njoftuar se për 10 deri në 15 ditë do të festohet transformimi i hapësirës para shkollës, duke premtuar kështu se do të ketë projekte të tilla edhe në shkollat tjera për të krijuar hapësira më të sigurta për fëmijët.

Ky projekt është inspiruar nga Bashkia e Tiranës dhe është projekti i parë nën konceptin “Rrugët për Fëmijë” në bashkëpunim me Qendra Marrëdhënie në Tiranë dhe Urban95 i realizuar në Prishtinë. /KultPlus.com

AKP miraton kërkesën e Ministrisë së Kulturës për projektin Manifesta

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së ndërmarrjeve në likuidim për nevojat e projektit Manifesta.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt sot Bordi i AKP-së diskutoi lidhur me raportin e Komitetit të Auditimit dhe u informua mbi zhvillimet e fundit lidhur me aktivitetet e AKP-së për periudhën e muajit nëntor.

Bordi diskutoi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të NJAB dhe komunikoi prioritetin për zbatimin e tyre, po ashtu shqyrtoi Raportin për mënyrat e shpalljeve publike dhe marketingut për nevojat e Agjencisë dhe kërkoi që të avancohen dhe zbatohen modelet e reja të marketingut dhe shpalljeve publike për tenderë dhe qiratë.

Më tutje Bordi u informua lidhur me draft-rregulloren për Rregullat e Përgjithshme të Tenderit dhe Procedurave të Shitjes dhe formoi komisionin, i cili do të analizojë dhe propozojë Rregulloren e plotësuar për mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Bordi gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi pagesën nga fondet e llogarisë në likuidim të NSH “YUMKO” me qëllim të zbatimit të Urdhrit të Dhomës së Posaçme për përfshirje në listë të një punëtori të NSH-së.

Bordi shqyrtoi dhe miratoi me disa propozime kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së Ndërmarrjes së Re “Grand Hotel” (në likuidim) dhe N.Sh. “Kinema ABC” (në likuidim) për nevojat e projektit “Manifesta”.

Në këtë takim Bordi i Drejtorëve aprovoi Raportet e shpërndarjes për kreditorët e NSh-ve:

1.GJI033 Zadruga Shterpcë, Shtërpcë; 2 PRN026 PLASTIKA, Prishtinë; 3 PRZ036 Printeks, Prizren;
4 PEJ040 Ag Coop “Ujmir”, Klinë; 5 PEJ154 Kombinati i Drurit, Pejë;6 PEJ139 17 Nëntori, Pejë;
7 GJI103 D.T.P. Mladost, Shtërpcë;8 PRN092 EXIMKOS, Prishtinë.

Bordi shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për rritje të buxhetit të NSh Ballkan, gjithashtu shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë të aseteve në procesin e likuidimit për këto NSH në likuidim: 1 NSH Urata, Prishtinë për parcelën që përdoret si rrugë dhe trotuar dhe 2. NSH Urata, Prishtinë për objekt të shkatërruar dhe pa vlerë monetare në tokën e një ndërmarrje tjetër. /KultPlus.com

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në shkatërrim e sipër, nisin matjet për hartimin e projektit restaurues (FOTO)

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, tashmë është në një gjendje thuajse të mjerueshme.

Dritareve të thyera, pamjes jo të mirë të oborrit dhe gjendjes fizike të shkatërruar të kësaj shtëpie që është Monument Kulture, duket se i ka ardhur fundi, shkruan KultPlus.

Sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, është bërë e ditur se kanë nisë të bëhen matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.

“Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuar i madhi At.GJERGJ FISHTA duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit(Bashkia-Lezhë)..
*Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…”, ka shkruar Zefi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

TKOBAP nis sezonin me projektin për fëmijë ‘Eja këndo me ne’

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor nis sezonin e dedikuar, në kuadër të “Edukimit përmes Artit”.

Kori i TKOBAP dhe dirigjenti Dritan Lumshi në kuadër të “Edukimit përmes Artit” do të realizojnë projektin pilot “Eja Këndo me ne”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Ky projekt synon të njoh të rinjtë me elementët bazë të muzikës korale, si një nga përbërësit kryesorë të gjinisë operistike.

“Si tingulli i parë muzikor zëri mbetet edhe sot i pakonkurrueshëm. Ky tingull i magjishëm merr një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohet me zëra të tjerë dhe këndojnë në kor. Nëse asnjëherë nuk ke pasur guximin të shprehesh lirshëm me zërin tënd, të mposhtësh ndrojtjen e të zësh miq të rinj, eja këndo me ne, që të kuptosh se kori është magji”, thuhet në njoftim.

Kjo do të jetë motoja e këtij projekti të rëndësishëm, i cili organizohet nga TKOBAP për herë të parë, me publikun e vogël./ KultPlus.com