Projektligji për Kinematografinë futet në lexim të parë në Kuvend

Në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, është diskutuar Projektligji për Kinematografinë.

Pas ekspozesë së Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, deputetët e komisionit shtruan pyetjet e tyre me qëllim të qartësimit të të gjithave neneve, duke votuar më pas që projektligji të futet në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky projektligj rregullon veprimtarinë, organizimin, financimin, prodhimtarinë, shpërndarjen dhe shfaqjen e veprave filmike. Synim ka nxitjen e krijimtarisë, promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kinematografike. / KultPlus.com

Çeku: Projektligji për kinematografi e shpall filmin si sektor me interes të veçantë publik në Kosovë

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar edhe Projektligjin për kinematografi dhe koncept-dokumentin për rini.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u shpreh se me Projektligjin për kinematografi parashihet reformë e plotë strukturore në sektorin e filmit duke e shpallur këtë sektor si interes të veçantë publik.

Sa i takon koncept-dokumentit për Rini, Çeku e konsideroi si reformë të plotë po ashtu në sektorin rinor, i cili u jep mundësi për të hartuar ligj të ri për rininë.

“Parasheh një reformë të plotë strukturore në sektorin e filmit, projektligji e shpall filmin si sektor me interes të veçantë publik në Kosovë gjithashtu është një përpjekje për të krijuar kushte për ekonominë kulturore bazuar në filmin, tërheqjen e investitorëve të huaj përmes sistemit të rabatit parasheh një sistem të rimbursimit të investimeve të huaja në prodhimin e filmave në Kosovë, ky projektligj parasheh edhe themelimin e rrjetit të kinemave publike të Kosovës fuqizimin e kapaciteteve të QKK-së“, u shpreh Çeku.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi kosovar miratoi edhe draftin e programit edukativ për nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë (11) të Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë “Edukimi për Siguri” (MAShTI) si dhe propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore. / KultPlus.com