“Prokurorët”, dokumentari i fitueses së çmimit “Emmy”, Leslie Thomas, ka bërë bashkë të mërkurën në “Kino Armata”, në Prishtinë, ambasadorë e aktivistë në thirrjen e përbashkët kundër dhunës seksuale dhe fuqizimin e zërit të të mbijetuarave.
Kjo ka qenë njëra prej formave për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, shkruan sot Koha Ditore.
Shfaqja e dokumentarit ka kthyer vëmendjen jo vetëm tek viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, mirëpo edhe tek ajo se çfarë duhet bërë më shumë si shoqëri, e veçanërisht çfarë mund të bëjë sistemi gjyqësor dhe prokurorët.
Që të bëhet më shumë në këtë drejtim edhe në Kosovë, në evenimentin e organizuar nga Zyra në Kosovë e “UN Women” dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë janë ftuar edhe prokurorë, anëtarë të shoqërisë civile, drejtues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të ndërkombëtarëve.
“Prokurorët” shpalos historinë e tre juristëve të përkushtuar, të cilët luftojnë për të siguruar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. I xhiruar në tri kontinente, i merr shikuesit në një udhëtim në Republikën Demokratike të Kongos në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe në Kolumbi. Rrëfimi sjell historitë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftërave apo konflikteve, guximin e tyre për të raportuar dhe dëshmuar. Një luftë e përbashkët për drejtësi e viktimave, por edhe e prokurorëve.
Vlora Nushi, udhëheqëse e Zyrës së “UN Women” në Kosovë, ka thënë se dokumentari është tregim dhe kërkim për drejtësi.