Premiera e “Prokurorit” pas Tiranës e Prishtinës do të shfaqet edhe në diasporë

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u zhvillua dje në mbrëmje premiera e episodit të parë të seralit të shumëpritur shqiptar “Prokurori”, një nga prodhimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në vitet e fundit. Me regji dhe skenar të Fatmir Dogës dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, seriali trajton luftën e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik.

Ky serial shquhet për pjesëmarrjen e aktorit të famshëm hollivudian, Danny Glover, në rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Danny Glover ka luajtur në disa filma shumë të njohur përkrah Mel Gibson në “Lethal Weapon” apo në filmin kult horror “Saw”.

Regjisori Fatmir Doga shprehu falënderimet e tij për interesin e madh të publikut shqiptar si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në premierë.

“Nuk besoj se ka Oscar më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd, njerëzit e tu, gjithë këtë interesim sot”, tha Doga. Ai falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre.

Sipas producentit, e veçanta e filmit qëndron në faktin se në çdo seri do të ketë yje të Hollivudit.

Pas Tiranës, premiera e serialit “Prokurori” do të vazhdojë në Prishtinë nga 12 tetori dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

“Prokurori”, sot premiera e filmit në kinematë e Tiranës

Marin Hoxha është një prej aktorëve që luan në filmin serial “Prokurori”, i cili prej sot do të shfaqet në kinematë e Tiranës.

Aktori ka rrëfyer për mediat se si u bë pjesë e filmit “Prokurori” pa u paragjykuar nëse kishte apo jo formim të mëparshëm si aktor. Për regjisorin e këtij filmi Fatmir Doga, Marin Hoxha tregon se mjaftonte forma organike me të cilën interpreton për të shkuar sa më thjeshtë pranë publikut.

“Nuk kemi pse shtiremi dhe të bëjmë gjëra komplekse, kur mund të aktrojmë thjesht dhe të jemi sa më realë. Fatmiri këtë gjë kërkoi. Për fat të mirë u pranova. Pas disa kohësh mora një përgjigje pozitive dhe jam te episodi i parë i Prokurorit”, thotë ai.

Në filmin “Prokurori”, përveç aktorëve të talentuar shqiptarë, Marin Hoxha ka pasur mundësinë të interpretojë edhe përkrah aktorit me famë botërore, Danny Glover.

Seriali “Prokurori” me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, përqendrohet te lufta e një prokurori të ndershëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit politik.

Për adhuruesit e kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, biletat kanë dalë tashmë në shitje, në Shqipëri dhe Kosovë. Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit dhe më gjerë./atsh/KultPlus.com

Seriali shqiptar “Prokurori” sjell aktorin e madh hollivudian Danny Glover (VIDEO)

Danny Glover është pjesë e serialit shqiptar “Prokurori”, ku episodi i parë do të jetë premierë më 10 tetor, në kinematë e Tiranës, kurse më 12 tetor në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky serial që është punuar me regju të Fatmir Doga, producentë Ylli Ujka e Cesk Ivanaj dhe drejtor të fotografisë Kushtrim Tërnava është i zhanrit aksion/ dramë dhe zhvillon përditshmërinë e popullit shqiptar, me fokus reformën në drejtësi dhe përballjen me krimin e organizuar dhe përfshirjen e politikanëve të korruptuar.  

Përpos aktprit të madh amerikan Danny Glover, me rolet e tyre janë përfshirë edhe aktorët: Klodian Hoxha, Romir Zalla, Gert Ferra, Marin Hoxha, Adriana Tolka, Sara Smaja, Desada Xhihani etj./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Tash është radha e Prokurorisë të merret me kriminelët në veri

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i ka bërë thirrje Prokurorisë që të merret me kriminelët në veri, shkruan KultPlus.

Çeku përmes një postimi në facebook, ka thënë se Institucionet e Sigurisë në veri, kanë bërë punë të jashtëzkonshme në identifikimin e tyre, dhe se tash radha i takon Prokurorisë të merret me ta.

“Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, ka thënë Ministri Çeku./KultPlus.com

Prokuroria merr raportin e autopsisë së Marigona Osmanit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar raportin e autopsisë së 18 vjeçares, Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Nga kjo prokurori kanë thënë për T7, se për shkak të hetimeve rreth rastit, nuk mund të jepen detaje rreth raportit të autopsisë.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me rastin e 18 vjeçares M.O., mirëpo, për shkak të procesit të hetimeve, nuk mund të japim detaje nga ky raport”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për T7.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka arrestuar dy persona lidhur me këtë rast.

Të arrestuarit janë bashkëshorti i 18-vjeçares, Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu.

Më 23 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit, 18 vjeçares në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar Albënora Bekteshi, zyrtare për informim në Gjykatën e Ferizajt.

“Mund të konfirmoj se të dyshuarve për vrasje të rëndë, Gjykata u ka vazhduar paraburgimin deri më 21 nëntor”, ka thënë Bekteshi.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen këtë vepër penale.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa ikin në drejtim të panjohur./ Express / KultPlus.com

Përkthyesi shpërthen ndaj Prokurorisë: Më detyruan t`i përkthej konkluzionet për pesë minuta, përmes Viberit

Përkthyesi i ekspertizës së autoriteteve zvicerane, Ismail Ismaili ka drejtuar akuza në drejtim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit për joseriozitet në qasje sa i përket procedurave të përkthimit të konkluzave për rastin Dehari.

Ai ka thënë se faqja me tri konkluzat e raportit, të publikuara dje në medie nuk i ishin ofruar me kohë për përkthim, krahas rreth 60 faqeve të raportit. Ismaili ka thënë se faqen e shkruar në frëngjisht me konkluzionet kryesore të raportit e ka marr për përkthim vetëm 5 minuta para se t`i dorëzohet raporti familjes Dehari. Madje sipas tij një komunikim i tillë i është bërë përmes Viberit.

“Një vërejtje që e kanë bërë ata për konkluzionet, kjo është katastrofë, sepse ma kanë dërgu me viber rreth 5 minuta para 10-ve. Ata në 10:00h e kanë pasë takimin me dorëzu raportin. Brenda pesë minutave, prej viberit sa kam mujtë me nxjerr unë, e kam përkthy. Një faqe për 5 minuta as s`mund e përkthen as s`mun e shkrunë” ka thënë Ismaili për Gazetën Sinjali.

Ismaili ka theksuar se Prokuroria është munduar ta fajësoj se e ka harruar për përkthim letrën me konkluzione të cilën thotë se nuk ia kishin dërguar.

“Janë gjana të cilat nuk i kam pshtjellë unë. Konkluzat i kanë qu dje, unë nuk e kam pasë atë letër fare edhe plus më akuzojshin, thojshin e ke harru! S`është e vërtetë fare, se nuk i kam pasë hiç. A kanë dashtë ata me i mshefë a çka kanë dashtë me bo, punë e tyre. Ato konkluza unë i kam përkthy ashtu siç thonë ata”, ka theksuar Ismaili.

Ismaili nuk ka dashur të flas me emra se kush nga prokuroria ia ka bërë një kërkesë të tillë ndonëse siç është raportuar në medie, dje raporti i është dorëzuar familjes Dehari nga Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala dhe prokurori i rastit Dehari, Metush Biraj. / Gazeta Blic / KultPlus.com