Me rastin e shënimit të 22 Vjetorit të themelimit të saj, Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës promovon librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve” nga autorja Wiola Rebecka, përcjell KultPlus.
Libri përmbledhë rrëfime të të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës nga pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.
Gjithashtu, në kuadër të shënimit të përvjetorit, do të ndahet edhe çmimi tradicional “VasfijeCourage Award”, përmes të cilit nderohen persona apo institucione që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në avansimin e kauzës dhe të drejtave të të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Promovimi do të mbahet më datë 13 tetor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ”Pjetër Bogdani”, duke filluar nga ora 16:00. / KultPlus.com
Dilemat, sfidat, pengesat, problemet, brengat, vështirësitë fizike dhe shpirtërore, emocionet e ndjenjat e ndryshme, përjetimet personale dhe jo vetëm, u shpalosën në formën e prozës poetike dhe rrëfimeve nga gjithsej 11 persona të verbër në librin e titulluar ‘Rreshtat e bardhë’, që sot u promovua në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Libri ‘Rreshtat e bardhë’ vjen për herë të parë në Kosovë si rendiment i projektit ‘Vargu i bardhë’, i cili është duke u realizuar nga ‘Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës’ dhe njëkohësisht konsiderohet një vazhdimësi e projekteve të ndryshme në fusha të ndryshme të jetës së këtij komuniteti dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë nga afër disa nga rrëfimet e këtyre autorëve e po ashtu të takohen e të bisedojnë me ta rreth rrëfimeve dhe krijimeve të tyre.
Kurse, për të folur rreth librit, i pranishëm ishte edhe recensenti i librit Pajazit Krasniqi, i cili fjalimin e tij e ka titulluar me emrin ‘Në çdo varg nga një rrëfim’.
“Të shkruash një autobiografi, jo rrallëherë je në dilemë se çfarë të vendosësh në fillim e çka në fund të librit sepse jeta nuk të lejon të zgjedhësh më të mirën për vetën tënde pavarësisht sfidave. Andaj, pikërisht ky libër portretizon motivin e autorëve për të tejkaluar çdo sfidë pavarësisht vështirësive që ata i hasin çdo ditë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, është hera e parë që ai ka lexuar rrëfime të tilla të shprehura në një origjinalitet të rrallë ku përmes tregimeve autorët tregojnë se me zemrat e tyre të bardha shohin përtej asaj që ndonjëherë shihet me sy, prandaj edhe ai e titulloi kështu recensionin e librit.
“Një libër i mbushur me histori interesante ku autorët janë personazhe në shtjellimin e ngjarjeve të paraqitura ku gërshetohet dashuria për jetën dhe elementet që ndërlidhen me përditshmërinë e këtyre autorëve. Shprehja e tyre e ngrit më shumë emocionin e leximit duke na futur në përjetimin e situatave të tyre që japin porosinë se çdo gjë është e mundur”, përfundon Krasniqi.
Tutje, pas vlerësimit të librit nga Krasniqi, fjalën e morri edhe redaktorja e librit, Vera Pelaj e cila foli rreth përmbajtjes së librit dhe specifikat e rrëfimeve të autorëve.
“Në këtë libër me prozë poetike autorët kanë shprehur ëndrrat, shpresat dhe kërkesat e tyre siç i kemi edhe ne. Përveç që shprehin dashuri, vullnet dhe forcë, ata në rrëfimet e tyre përdorin edhe figura stilistike të cilat i shtojnë vlera rrëfimeve. Po ashtu, përdorin figurën krahasuese, metaforën, alegorinë e shumë figura të tjera. Secili rrëfim ka specifikat e veta por të gjitha të dërgojnë në një pikë, në motivim”, thotë Pelaj.
Sipas saj, ti lexosh rrëfimet e përmbledhjes ‘Rreshtat e bardhë’, vërehet se tek lexuesi përcillet bardhësia, dashuria dhe mesazhi për të mos u dorëzuar. Ndërkohë, të gjitha rrëfimet janë personale përmes të cilave rrëfehen peripecitë për të arritur atë se çfarë kërkohet, pavarësisht sakrificave.
Kështu krejt në fund, të pranishmit patën rastin ti dëgjojnë rrëfimet si: ‘’Ëndrra e përjetshme’’ nga Adelina Hajdinaj, ‘’Pritja e autobusit’’ nga Betim Bregovina, ‘’Pallati i zemrës’’ nga Fjolla Muhaxhiri-Agusholli, ‘’Punësimi dhe sprovat’’ nga Halil Kurmehaj, ‘’Sfida, kur djali i mbushi dy vjet’’ nga Hasime Ajdini-Pajaziti, ‘’Përdorimi i telefonave të mencur’’ nga Hashim Llumnica, ‘’Qoftë vetëm edhe një ditë’’ nga Mevlude Emini, ‘’Të punosh në dritën e shpirtit’’ nga Naim Lezi, ‘’Fjalët e syve të shprehura me zemër’’ nga Rinesa Azizi, ‘’Ndërrimi i figurave’’ nga Shkurta Bregovina si dhe ‘’Jeta është shkollë’’ nga Yllka Berisha.
Ky libër është sponsorizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com