Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ në aspektin shkencor i përket një fushe të re të studimit, ndërsa është trajtuar nga profesor Rrahman Paçarizi, e që për qëllim ka aspektin psikik individual dhe shoqëror e social për ruajtjen dhe fuqizimin e gjuhës shqipe, jo vetëm në aspektin individual, por edhe institucional.
Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ vjen në momente të domosdoshme të studimit të kësaj fushe në gërshetim të katër shtyllave esenciale të trajtuara nga profesor Paçarizi, si prodhimi, të kuptuarit, nxënia dhe rregullimi i gjuhës, thotë Shkumbin Munishi, linguist.
Nuk ishte e lehtë për t’u trajtuar kjo fushë por megjithatë me bashkëpunëtorë, profesorë dhe studentët të cilët kontribuuan, ia arritëm qëllimit, thotë profesori universitar, Rrahaman Paçarizi.
Libri ‘Hyrje në Psikolinguistikë’ i kontribuon jo vetëm atyre të cilët merren me gjuhën shqipe, pa dallim individ apo grupe institucionale, por edhe atyre të cilët aplikojnë dygjuhësinë dhe shumë gjuhësinë, u tha me rastin e promovimit të librit./rtk/ KultPlus.com
Dje, në ambientet e librarisë “Dukagjini” autori Bashkim Hoxha ka promovuar librin “Shtëpia e Verdhë”, duke sjellë para lexuesit prapaskenat e propagandës mbi “Shtëpinë e verdhë”, e përdorur si mjet lufte për të deformuar realitetin dhe për ta përbaltur luftën e UÇK-së.
“Shtëpia e Verdhë” është një vepër që tematizon një shtëpi, ku pretendohej se ishte bërë trafikimi me qenie njerëzore, dhe e cila u bë pretekst për themelimin e gjykatës speciale. Për historinë e kësaj shtëpie ka pasur edhe tendenca për krijimin e një filmi propagandistik anti-shqiptar. Nisur nga këto autori viziton nga afër vendin e ngjarjes, dhe përmes aspektit letrar sjellë prapaskenat e propagandës mbi “Shtëpinë e Verdhë”, jo si propagadë, por si një të vërtetë të një populli ndaj të cilit është kryer gjenocid.
Moderuesja e ngjarjes, Eronita Kqiku, pas një prezantimi të shkurtër mbi përmbajtjen e librit tha se në roman flitet për një skenar dhe për një film të mundshëm mbi të, duke i kaluar fjalën regjisorit Ben Apolloni, emri i së cilit në mënyrë artistike është i paraqitur në libër.
Shikuar me syrin e regjisorit, Ben Apollini tha se ky libër i shkruar me një nivel të lartë artistik përmban “brum” të mjaftueshëm për të realizuar një film, i cili do të zhvishte propagandën serbe që tenton të baltos luftën e pastër të UÇK-së.
“Mund të them që romani “Shtëpia e verdhë” është jashtëzakonisht mirë i shkruar. Për mua nga këndi i regjisorit ky roman është film. Një roman që e trajton historinë e një filmi që të porositet për tu bërë. Është material jashtëzakonisht i mirë për t’u shndërruar në film. Po të kishim shtete serioze do ta kishin marrë këtë roman që në momentin që është prezantuar në panairin e librit në Prishtinë dhe do t’ia fillonin punës për ta shndërruar në film, sepse është vepër që e zhvesh propagandën. Dikush mund të thotë që ndoshta edhe kjo është propagandë. Nuk është propagandë sepse ju mund ta prodhoni dhe ta dëshmoni atë që flet autori këtu. Tregon për një akuzë që shqiptarëve iu bëhet, kur në fakt është e pamundur të ketë ndodhur ajo për çfarë ne sot gjykohemi në Hagë”, ka thënë regjisori Ben Apolloni.
Apolloni më tej ka thënë se libri është kombinim jashtëzakonisht i mirë i prozës dhe skenarit, pasi aty autori ka përshkruar me saktësi temën e cilat trajtohet.
“Është vepër e realizuar jashtëzakonisht mirë, të cilën shqiptarët duhet ta lexojnë gjithandej. Nuk e di çfarë duhet të bëjmë që ta shndërrojmë edhe në film, dhe të bëjmë një lloj përplasje me propagandën e serbëve. Serbët kanë krijuar nga asgjëja, kanë arritur të bindin opinionin botëror se ata janë viktima. Ne që jemi viktima s’kemi bërë asgjë. Ne kemi ndenjur kot, dhe nga viktimë jemi shndërruar në agresorë. Duhet që sa më shpejtë që të zgjohemi nga gjumi dhe të fillojmë dhe t’i tregojmë botës se çfarë ka ndodhur këtu”, ka thënë më tej regjisori Apolloni.
Ndërsa, autori i librit Bashkim Hoxha ka thënë se procesi për të shkruar këtë libër për të ka qenë sfidues, pasi është dashur që të bëhej kujdes të mos bënte anti-propagandë.
“Ka qenë e vështirë ta shkruaja këtë libër sepse më është dashur që unë të përballesha me propagandën në mënyrë letrare, ku mund të bija vetë në anti-propagandë që do të ishte një gabim shumë i madh. Ka qenë e vështirë që të pozicionohesha siç duhet”, ka thënë autori.
Ai më tutje thotë se libri i tij i përketë zhanrit letrar, i cili trajton fatet e personazheve të cilët ‘ngatërrohen’ rreth temës së “Shtëpisë së verdhë”.
“Ideja e librit më ka lindur 10 vite më parë, kur mësova që regjisori i talentuar me kauza të gabuara, Emir Kusturica, donte të bënte një film për “Shtëpinë e verdhë”. Ai me fantazinë e tij donte të sillte nipin e Dostojevskit që t’i merrnin organet në atë “Shtëpinë e verdhë” në Mat dhe t’i trafikonin organet nipit të Dostojevskit. Do ta gjironte filmin në Rusi. Por, sado që ai e nis me fantazi në përballje të një artisti me të vërtetën nuk ka mundur ta realizojë këtë film. Në atë kohë kur ai po bënte tentativën për të xhiruar këtë film, unë i propozova qendrës së filmit në Tiranë që të mblidhte skenaristët më të mirë, regjisorët më të mirë, të bënin një grup dhe të bënin ndonjë film tonin, për të vërtetën tonë. Jo për propagandë, por të vërtetën tonë për të. Por nuk u ndërmorr asnjë gjë”, ka thënë autori duke potencuar se elementi i propagandës të cilën po e përdorte shteti serb për të baltosur luftën e pastër të UÇK-së, e kishte ngacmuar thellë.
“Propaganda është një armë lufte shumë e fortë, gjithmonë e më tepër. Para tre vitesh është marrë një produksion në Hollywood me aktorët më të mirë për të bërë përsëri një film për “Shtëpinë e verdhë” me një roman serb “Zemra serbe e Johanit”. Kur dëgjova për këtë lajm thash unë dua ta përfundoj vetë, ndërkohë që kisha grumbulluar materiale, ku kisha njohur të vërtetat e kësaj. Këto nxitje më kanë bërë që ta kompozoj romanin nëpërmjet kineastësh që duan të bëjnë një film, bazuar në ngjarje të vërteta dhe kur vijnë këtu nuk gjejnë atë histori me të cilën është përbaltur UÇK-ja dhe kombi se është edhe për shqiptarët në luftë me serbët dhe gjejnë një të vërtetë tjetër. Gjejnë se si i munduri nuk e ka pranuar humbjen dhe përpiqet që të krijojë një kapitull final në interes të tij dhe të dali fitimtar moral duke krijuar legjenda të tilla”, ka thënë autori.
Autori më tej ka thënë së në libër trajtohet fakti se si fati i njerëzve varet nga duart e disa njerëzve të panjohur, të cilët mund të na e shkatërrojnë jetën, mund të na njollosin dhe mund të bëjnë gjithçka në mënyrë të rreme.
“Unë kam shkruajtur në të skenarin sepse pikërisht po bëhet skenar, dhe ai skenar është me këndvështrimin serb të historisë së “Shtëpisë verdhë”, i cili përgënjeshtrohet në mënyrë njerëzore dhe në mënyrë të natyrshme gjatë gjithë odisesë së personazheve në ato vise të humbura të Shqipërië ku as s’mund të besohet se atje të mund të jetë kryer trafik organesh. Për hir të së vërtetës, në “Shtëpinë e verdhë” s’kishte korent, s’kishte rrugë, ishte shumë larg aeroportit. Aeroporti ishte nën administrimin e NATO-s. Kurse për të bërë transplantin, duhej që brenda 48-të orëve organi të jetë vendosur në trupin e dikujt tjetër. Fizikisht ishte e pamundur, gjë që më pas e kanë mohuar vetë ata shpikësit e “Shtëpisë së verdhë” që thoshin se atje ishte një vend burgu, kurse “Shtëpia e verdhë” ka qenë në Fushë-Krujë”.
Autori më tej tha se gjatë procesit të shkrimit të librit ka hasur në një propagandë të ngjajshme që po bëhet edhe ndaj Ukrinës, gjë e e cila e ka nxitur edhe më tej të trajtoj këtë ngjarje në mënyrë më komplekse dhe globale.
“Kur po shkruaja romanin doli edhe një fakt tjetër shumë interesant. Në luftimet që po bëhen në Ukrainë zëdhënësja e Kremlinit një ditë deklaroi që kishin gjetur një “Shtëpi të verdhë” ku bëhej trafikimi i robërve, organeve të robërve rus të kapur nga ukrainasit. Kështu që këto janë disa karta morale të cilat duan të justifikojnë luftërat e ndyra. Dhe kjo më dha akoma më shumë nxitje që ta trajtoj në mënyrë më komplekse dhe më globale këtë histori” ka thënë autori.
Në fund të ngjarjes të pranishmit patën mundësi për të bërë pyetje shtesë, për të parë përmbajtjen e librit nga këndvështrime të ndryshme. Romani “Shtëpia e verdhë” është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books”./ KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është promovuar libri me poezi “Persofonia” i autores Fitnete Rama- Mujaj. Libri i sjellë me 41 poezi vjen si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim.
“Persofonia” i cili është promovuar në mesin e shumë të pranishmëve vjen si dedikim zemre për dy gra të jashtëzakonshme që kanë formësuar jetën e autores Fitnete Ramaj Mujaj, nënës dhe vjehrrës së saj, ëndërra e të cilave për shkollim ka mbetur si peng i kohës.
“Persefonia” është një figurë metaforike e cila simbolizon forcën e përjetshme të gruas. Përmes këtij libri autorja fton lexuesin që të ndiejë përpjekjen e gruas shqiptare dhe dhimbjen e ëndrrave të papërmbushura, që si shkak i gjendjeve politike e historike e ka lënë atë në një vend të pamerituar në shoqëri.
Ndonëse në vargje paraqiten vuajtjet, mes rreshatve kuptohet edhe fuqia e shpirti i palëkundur i gruas shqiptare, e cila me gjithë sfidat e saj ka ditur dhe ka arritur të triumfoj.
Ngjarja u hap nga gazetarja Altiana Zogaj, e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, duke i kaluar fjalën poetes Marigona Zekaj, e cila tha se autorja me këtë libër mbi të gjitha paraqet një mesazh kurajoje për brezat e rinjë.
“Si një “Persefonë” moderne, ajo ringjall shpresën në zemrat e atyre që pavarësisht vështirësive, zgjedhin të luftojnë dhe të ndryshojnë botën përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre. Kjo vepër është një thirrje e fuqishme për solidaritetin me grave, për të mbështetur njëra tjetrën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë”, ka thënë poetja Zekaj.
Në këtë takim letrar emocionues pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Pajtesa Gashi, e cila tha se fillimisht ishte titulli i librit ai që e kishte ngacmuar thellë mbi atë se çfarë mund të ketë në përmbajtje libri.
“Poezia e Fitnetes është një poezi qytetare, tërë preokupime e shqetësime për jetën dhe kjo shprehet në shumicën e poezive. Fitnetja realizon vetveten, si poete, në mënyrë origjinale, gjë që e bën poezinë e saj më interesante” ka thënë panelistja Gashi.
Ajo më tej ka thënë se poezia e autores Ramaj- Mujaj në themel është popullore, për të drejtat dhe idealet demokratike të cilat ajo i mbron me shpirt, por edhe në komunikimin që e vendos mes saj dhe lexuesit.
“Poezia na zbulon shpirtin e sinqertë dhe të pastër të autores krijuese që gjithmonë përpiqet për arritjen e majave më të larta të qenies njerëzore, si krijuese që lufton për të jetuar. Nëse bëjmë përshkrimin e rrugëtimit të saj për një gjysmë shekulli, portreti i gruas shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa historike dhe kjo na bën të kuptojmë poezinë e saj sot, pa e ekzagjeruar anën pozitive dhe negative”, ka thënë më tej Gashi.
Ndërsa, panelisti tjetër Dren Brahimaj, ka thënë se poezitë e autores Ramaj- Mujaj shtrihen në dekada edhe më të hershme, se sa vetë lindja e poetes.
“Autorja ka guximin intelektual dhe vetëdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj, edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë”, ka thënë profesori Brahimaj.
Kurse vetë autorja Fitnete Ramaj- Mujaj përmes një fjalimi emocional ka përshkruar sfidat e saj dhe të dy grave që për të kishin qenë shkak dhe model, që e kishin shpjerë atë deri te promovimi i këtij libri.
“”Persofonia” është figura metaforike që kam dalluar gjatë leximeve të letërsisë angleze gjatë studimeve të mija. Në poezitë e Eliot-it dhe Alexander Pope-s, ajo përshkruhet si një figurë mitolgjike e lidhur me lindjen, jetën dhe vdekjen. Por, më e rëndësishmja , persefonia simbolizon gruan e fortë e cila i jep begati familjes dhe shoqërisë”, ka thënë autorja.
Me emrin “Persefoni” ajo i ka quajtur të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë takim si dhe të gjitha ato që kanë qenë mbështetëse dhe frymëzuese për arritjet e saj jetësore.
Krejt në fund të ngjarjes, autorja u kujdes që për të gjithë pjesëmarrësit të dhuronte nga një libër me dedikime të saj të zemrës./ KultPlus.com
Gjigand, hijerëndë e plot autoritet, qëndronte portreti i artistit Abdurrahman Shala në ballë të sallës ku pikërisht 30 vite pas vdekjes së tij, familjarë, miq, kolegë, artistë dhe përfaqësues të institucioneve, ishin mbledhur për të promovuar monografinë “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”.
Kjo monografi e cila është realizuar nga autori Visar Krusha është përmbledhje kronologike e detajeve të jetës së Abdurrahman Shalës duke paraqitur rrugëtimin e tij jetësor, i cili ishte mjaft sfidues dhe plotë dramë jetësore, të cilat e shëndrruan atë në një mjeshtër që punën e vështirë e bënte të dukej se ishte lehtë e realizueshme.
Në libër shpaloset fëmijëria e tij e hershme dhe jeta e tij buzë detit në Shqipërinë Monarkike, përpjekja e tij e dështuar për t’u pranuar në Shkollën e Aktrimit në Beograd, aprovimi i ftesës së motrës së tij Mehribanes për t’iu bashkuar grupit të parë të trupës së aktorëve shqiptar në Teatrin e Kosovës, pjesëmarrja e së cilit në këtë institucion i dha vulën e “nismëtarit” për shumë projekte teatrale e filmike, të cilat janë paraqitur së bashku përvojat e kolegëve e familjarëve të aktorit, duke prekur thelbin e figurës së tij.
Vetë prania e mysafirëve në këtë promovim tregonte se ai qe një personalitet i jashtëzakonshëm, të cilit tre dekadat e kaluara nuk ia kishin zbehur aspak gjurmët. Përderisa, ashtu si në të gjallët e tij, figura e tij vëzhgonte në heshtje për të integruar kuptimin e thellë të ngjarjes, karakteristikë kjo që e kishte shndërruar atë në një mjeshtër të artit në disa dimensione, si aktor i teatrit dhe filmit, regjisor, producent, themeltar e drejtues institucional, e mbi të gjitha vizionar, idetë e së cilit tejkalonin aktualitetin e kohës kur ai jetoi.
Ceremonia e promovimit filloi nën interpretimin artistik të Armend Smajlit me poezinë “Deti” të Fatos Arapit e cila në mënyrë figurative përshkruante jetën e protagonistit.
Më tej përgjatë fjalimit, përveç fjalëve përshëndetëse aktori Smajli figurën e Abdurrahman Shalës e quajti pasuri shpirtërore, e cila përmes kësaj monografie është ndriçuar dhe si e tillë do të ruhet edhe për brezat e ardhshëm.
“Në përvjetorin e 30-të të vdekjes së tij ka pasur për qëllim parësor hedhjen në dritë të një figure artistike të jashtëzakonshme të vendit tonë, si një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë teatrore e filmike. Kjo është një histori shpirtërore që duhet të ndriçohet e të ruhet për brezat e ardhshëm”, ka thënë Smajli.
Ndërsa Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në fjalimin e tij tha se Abdurrahman Shala si artist e nismëtar i disa prej projekteve e institucioneve këtu duke përfshirë edhe “Kosova Filmin” ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike, kulturore të vendit.
“Si anëtar i trupës së aktorëve shqiptar të Teatrit Kombëtar ai ishte një nga themeluesit e sektorit të dramës shqipe në këtë institucion. Bashkë me kolegët e gjeneratës së tij, luajtën për herë të parë në gjuhën shqipe por edhe në atë turke. Ai gjithashtu u bë regjisori i parë shqiptarë në këtë teatër madje duke sjellë në skenë edhe tekstin e parë shqip “Nuk martohem me pare” të Mutezan Pezës”, ka thënë Ministri Çeku.
Ai më tutje shtoi se sukseset e shumta ndërkombëtare të vendit në film dhe teatër sot, kanë gjenezën nga sukseset e gjeneratës së Abdurrahman Shalës, të cilët me filmat e tyre kanë marrë shumë shpesh edhe çmime në festivalet e kohës.
“Ky vit shënon 30 vjetorin e vdekjes së Abdurrahman Shalës. Botimi i monografisë kushtuar këtij është akti më i bukur i përkujtimit me të cilin do ta mbajmë edhe më afër kujtimin e tij të përjetshëm”, është shprehur Ministri Çeku.
Ndërsa Miranda Shala në emër të familjes së aktorit Abdurrahman Shala me nostalgji e risolli para të pranishmëve figurën e familjarit të saj, të cilin e thërrisnin “Lalko”, e që ndër të tjera i kishte porositur që gjiththherë punën ta bënin me zemër.
“Unë jam e sigurt se shumica në këtë sallë e kanë njohur “Lalkon” dhe jam e sigurt se të gjithë pajtoheni që ai ka pasur një prezencë të jashtëzakonshme. Rreptësia në fytyrën e tij, prezenca e tij, zëri i tij kur i ka thënë ato pak fjalë kanë reflektuar seriozitet dhe të ka imponuar një autoritet të tmerrshëm. “Lalko” ka qenë njeri i pak fjalëve. Pesha e heshtjes së tij të ka pushtuar. Por prapa kësaj qehreje të rëndë “Lalko” në brendësi ka qenë tmerrësisht i butë. Mënyra se si ai na ka dashur, përkëdhelur e përqafuar dhe si dhe kur na ka komplimentuar na ka përmbushur me dashuri që ende sot na përcjellë” ka thënë Miranda Shala.
Ajo më tej shtoi se mbi të gjitha “Lalko” kishte qenë edhe vizionar, i cili para 55 vitesh e kishte ideuar një projekt të domosdoshëm por që Kosovës i mungon ende.
“Kur është themeluar “Kosova Filmi” 55 vite më parë ai e ka paramenduar atë si një vend me disa salla të kino-s, amfiteatër, parqe e restorante, me qëllim që me i sjellë fëmijët dhe njerzit për vikend të kalojnë ditën aty. Do të thotë ka dashur të bëj vend atraktiv për gjithë familjen sepse “Lalko” e ka ditë rëndësinë e artit për zhvillimin e njeriut dhe shoqërisë. Një vend i tillë na mungon edhe sot”, përfundoi Shala duke treguar se Abdurrahman Shala në kohën e Luftës së Dytë botërore kishte shpëtuar shumë shqiptarë nga burgu, gjë të cilën nuk e kishte përmenduar asnjëherë për rrethin e gjerë.
Më tej fjalën e mori autori i monografisë Visar Krusha i cili tha se shumë qejf kishte pranuar ftesën për të punuar një monografi të tillë për këtë figurë karizmatike e cila përmes projekteve filmike e kishte pushtuar.
“Ajo që më ka fascionuar mua është se në të gjitha profilet që ka punuar ka pasur profesionalizëm dhe një nivel të lartë të performancës, njëkohësisht edhe me shumë përgjegjësi e këmbëngulje për të quar përpara dhe për të ngritur standardin e të krijuarit teatër dhe film në Kosovë, gjithmonë në favor të së mirës së përgjithshme” ka thënë autori Krusha.
Ai po ashtu tha se ndihet shumë i lumtur për botimin e këtij libri, i cili mund të shërbejë si referencë për gjeneratat e reja për të njohur më mirë traditën e filmit që e ka krijuar Shala bashkë me krijuesit e tjerë të gjeneratës së parë në Kosovë, për ta zhvilluar në traditë e për ta pasuruar këtë sistem të vlerave.
“Mendoj që ne si gjeneratë më e re e njerëzve që merremi me teatër dhe film jemi shkëputur pak nga ajo traditë dhe sistemi i vlerave që ka krijuar kjo gjeneratë, e në anën tjetër mendoj që kemi shumë për të mësuar nga ata. Në këtë kontekst besoj që duhet të merremi më seriozisht me konsolidimin e arkivave të krijimtarisë teatrore dhe filmike në Kosovë. Ato ekzistojnë por nuk janë të sistemuara e të qasshme për publikun”, ka përfunduar autori duke potencuar se gjatë punës në këtë krijimtari ka kuptuar që arkivimi i krijimtarisë artistike, i një institucioni kulturor dhe qasja e publikut në të është po aq e rëndësishme sa edhe vetë krijimtaria artistike.
Krejt në fund të ngjarjes aktori Armend Smajli u paraqit edhe njëherë me një poezi, kësaj radhe nga autori Din Mehmeti “Këndo ose vdis pa klithë”, pas së cilës të pranishmit patën mundësi të shijojnin ndejën nën tingujt e bukur të këngëve të Abdurrahman Shalës, krijuesit të projekteve si “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Si të vdiset”, “Era dhe Lisi” , “Kur pranvera vonohet”, “Proka”, “Njeriu prej dheu” etj.
Monografia “Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” është botuar nga shtëpia botuese “Integra” me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe fondacioni Rockefeller Brothers./ KultPlus.com
Në një ambient të bukur në Oratorio Mattarello të Arzignanos, të dielën është bërë promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje”, i autores Afërdita Bashota – Podvorica. Në promovim morën pjesë bashkatdhetarë tanë nga Arzignano, Milano, Vicenza, Treviso, Padova, Novara, Ferraro, Bassano del Grappa, Montebelluna etj., si dhe të ftuar nga Kosova.
Promovimin e librit e moderoi Ragip Thaqi, i cili kontribuon vazhdimisht në aktivitete të shumta letrare dhe kulturore.
Këtë ceremoni solemne të promovimit të librit me një fjalë rasti e përshëndeti Diamant Kastrati, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, i cili e vlerësoi lart punën e mësimdhënësve, e sidomos të grave shqiptare në diasporë.
Z. Kastrati, ndër të tjera, theksoi: “Promovimet e librave janë jashtëzakonisht me interes, mirëpo kur flasim për promovimin e librit të cilin e ka shkruar një grua, e cila jeton dhe vepron në mërgim, atëherë rëndësia është edhe më e madhe. Prandaj, është për t’u vlerësuar një punë e tillë dhe unë besoj që kjo në njëfarë forme apo në një kontekst më të gjerë është shumë e rëndësishme për mërgatën tonë, por edhe për institucionet e Kosovës. Në këtë mënyrë ne dëshmojmë se gruaja shqiptare në mërgatë është e aftë të kontribuojë në fushën e kulturës dhe arsimit”, përfundoi Diamant Kastrati.
Në vazhdim, Kujtim Sadiku, kryetar i Shoqatës “Ardhmëria” në Arzignano, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se kjo shoqatë me veprimtarinë e saj, prioritet kryesor e ka mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ai, ndër të tjera, tha se “bashkëpunimi ynë me prindërit, me mësuesit dhe me nxënësit që e vijojnë mësimin plotësues është i një rëndësie të veçantë. Prandaj, do të punojmë çdo ditë që numri i nxënësve të jetë sa më i madh”, tha ai në fjalën e tij.
“Në këtë rast, kur po promovojmë librin e mësueses, Afërdita Bashota-Podvoricës, më lejoni të përshëndes e të falënderoj stafin e kësaj shkolle: Skënder Podvoricën, koordinator dhe dy mësueset: Valbona Kastrati – Çitakun dhe Afërdita Bashota-Podvoricën. Kontributi i tyre i pakursyer është motiv për nxënësit që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe që t’i ruajnë vlerat tona kombëtare”, përfundoi Kujtim Sadiku.
Me kumtesat e tyre lidhur me përmbajtjen e librit u paraqitën studiuesi, Sali Bashota, poetja Trandafile Molla-Baja, Faik Tafolli, Miradie Zymberi-Avdullahi, ndërkaq në emër të Botimeve REA, Rozafa Bashota.
Duke folur për veprën “Sytë flasin në heshtje”, Sali Bashota, ndër të tjera, tha: “Promovimi i çdo libri është një ngjarje letrare dhe kulturore, në radhë të parë, për autorin, ndërsa paraqitja e mendimeve për të dhe diskutimi i përmbajtjes së tij, pa dyshim, i jep një dimension solemn përurimit të tij”.
Sali Bashota, më tutje thesksoi se “Afërdita ka filluar herët të merret me poezi. Paraqitja e përjetimeve personale në poezinë e Afërditës e ka ndjekur një rrugë krijuese. Autorja ka pritur ta botojë librin e saj të parë, vetëm kur janë pjekur frymëzimet e saj. Një kohë të gjatë e ka mbajtur
të fshehur në vetvete tërë atë vrull krijues, derisa ka vendosur që ta botojë librin. Kjo fshehtësi e ka domethënien e vet.
Relacioni i temave të atdheut me temat e mërgimit është shumë i theksuar në këtë libër. Afërdita ka arritur ta shpalosë realitetin e përjetuar në dy kohë dhe në dy hapësira.Koha dhe hapësira në poezinë e Afërditës i ka shenjat e veta krijuese që marrin kuptim figurativ.
Janë mjaft interesante poezitë për kujtimet e fëmijërisë, poezitë për përjetimet e luftës (Disa vargje: “Mbaj mend/ Ishte dita e fundit e marsit 1999/ Lufta kishte filluar/ Edhe në sytë e mi”), poezitë për detin, poezitë për dashurinë, poezitë për mërgimin (“Çdo ditë jam mësuar/ Me lutjen e Zotit/ Kurrë nuk jam mësuar/ Me mërgimin/ apo te poezia “Vetëm unë e kam emrin tim”: “Në Arzignano/ Uji ka një emër tjetër/ Acqua i thonë/ Edhe buka/ Ka një emër tjetër Pane i thonë/ Në Arzignano/ Zjarri ka nje emër tjetër/ Fuoco i thonë/ Edhe qielli/ Ka një emër tjetër/ Cielo i thonë/ Në Arzignano / Dielli ka një emër tjetër/ Sole i thonë/ Edhe toka/ Ka një emër tjetër/ Terra i thonë/ Vetëm unë e kam emrin tim”.
“Kjo është njëra ndër poezitë më të bukura dhe më domethënëse në këtë libër”, tha në fund të kumtesës së tij, Sali Bashota.
Në vazhdim të promovimit fjalën e mori poetja Trandafile Molla-Baja, e cila për librin e Afërdita Bashota-Podvoricës, tha: “Duke e lexuar librin e poetes hyra në botën e saj të ndjeshme, në të cilën embrioni i veprës është mendimi realist dhe ideja, malli dhe dashuria sigurisht, përzier me fantazinë që muza e saj shpirtërore ia ka përcjellë, duke vënë në lëvizje gjithë qenien dhe botën e saj. Poezitë kanë individualitet të dallueshëm shpirtëror. Duke qenë se poetja jonë është emigrante, por asnjëherë nuk e harroi vendlindjen dhe atdheun e saj të dashur, ajo e ruan atë jo vetëm brenda shpirtit të saj, por dhe në bulëzën e lotit. Shpesh poetja jonë në heshtje nxjerr ofshamë, ofshamë dhimbjeje. Më emocionon kjo poete me vargjet e saj plot ndjenjë e dhimbje.
Afërdita ka hyrë në autostradën e pafundme poetike, ku muza e saj nuk ka të ndalur. Karakteristikë e poezive të saj janë migjeniane, janë lirike, por kanë të veçantën e vet më të avancuar, moderne, nënkuptuese. Ato dallohen nga kuarteti, mall-nostalgji, dashuri dhe atdhedashuri”.
Më tutje, Trandafile Molla-Baja, tha: “Afërdita shkruan bukur. Shpirti i saj ngacmohet nga natyra, qielli e deti, kodra e mali, flutura e zogjtë. Vargjet e poetes pasqyrojnë realitetin. Ato janë kuptimplote dhe kanë figuracion të pasur dhe të impresionojnë. Shpesh herë ajo vargëzon, më shumë jep mesazhe romantike. Pothuajse të gjitha poezitë janë me mesazh të qartë, kanë brenda sinqeritetin e një gruaje krijuese dhe intelektuale. Ndaj krijimtaria e saj është impresionuese dhe emocionuese. Afërdita ka pjekuri poetike. Ajo premton shumë në udhëtimin e saj poetik”, përfundoi ajo.
Në vazhdim të promovimit, drejtuesja e Botimeve REA, Rozafa Bashota, duke e falënderuar Afërdita Bashota-Podvoricën për bashkëpunimin, tha:” Është një emocion i veçantë që këtë libër po e promovojmë në Itali. Libri ‘Sytë flasin në heshtje” përçon mesazhe lumturie, gëzimi, malli, pikëllimi, pra emocione reale dhe me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne në çdo ditë të jetës tonë. Stili dhe krijimi i këtyre poezive është realizuar me shumë vullnet dhe dashuri, njësoj si bashkëpunimi botues-autore”. Më tutje, ajo i përmendi edhe projektet e Botimeve REA dhe planet botuese për këtë vit dhe për vitet e ardhshme.
“Botimet REA, përveçse në Kosovë, është e hapur për bashkëpunim me të gjithë krijuesit edhe në diasporë”, përfundoi Rozafa Bashota.
Lidhur me vlerën dhe rëndësinë e librit, diskutuan edhe Faik Tafolli dhe Miradie Zymberi-Avdullahi, të cilën e vlerësuan përkushtimin dhe punën e Afërdita Bashota-Podvoricës, si në fushën e edukimit, po ashtu edhe fushën e krijimtarisë letrare.
Në këtë aktivitet mori pjesë poeti Franco Berton, ish kryetar i Komunës One di Fonte në Treviso, i cili diskutoi për rëndësinë e poezisë në përgjithësi, duke dalluar përkushtimin e shqiptarëve në të gjitha fushat. Gjithashtu, të pranishëm në këtë promovim ishin edhe intelektualë italianë dhe përfaqësues të arsimit, si Elisa Maria-Sentin, Maurizio Grigolo, Graziella Grendene etj.
Gjithashtu, me fjalët e tyre përshëndetëse u paraqitën edhe: Bajram Desku, Gëzim Muçolli, Bari Dërvishllari dhe Myftar Gjonbalaj.
Në fjalën e saj falënderuese, autorja Afërdita Bashota-Podvorica, ndër të tjera, tha:
“Në këto poezi unë jam përpjekur ta shpalos botën time krijuese me tema të ndryshme.
Janë këto tema dhe motive që më kanë preokupuar me vite të tëra, prandaj vendosa t’i bashkoj brenda një libri, të cilën e titullova ”Sytë flasin në heshtje “. Kam menduar me ditë dhe net për një kohë të gjatë, derisa kam vendosur t’i thur këto vargje duke i titulluar poezitë dhe duke i ndarë ato nëpër cikle.
Frymëzimet e mia gjithnjë më kanë motivuar që të merrem me tema të cilat së pari i ndjej në shpirt dhe i përjetoj, siç janë: tema e vendlindjes, fëmijëria, tema e luftës së popullit tim për liri, tema dashurisë, tema e mërgimit e të tjera.
Poezinë e parë e kam shkruar në klasën e katër të shkollës fillore në Kijevë, të cilën e pata recituar në televizionin e atëhershëm të Prishtinës.
Kam vazhduar të shkruaj edhe në kohën kur isha gjimnaziste në Kijevë, si dhe gjatë kohës së studimeve në Prishtinë.
Një numër të madh të poezive të mia që i kam shkruar në fletore janë djegur bashkë me bibliotekën e vëllait tim, Saliut në vendlindje, në Caravik të Klinës”.
Në fund të fjalës së saj, autorja falënderoi familjen e saj për mbështetjen e pakursyer në rrugën e saj krijuese, si dhe Botimet REA për botimin e librit të saj.
Në këtë promovim poezitë e zgjedhura nga libri “Sytë flasin në heshtje” i recituan: Valbona Kastrati-Çitaku, Silvana Lazri, Antigona Gashi, Adriatik Podvorica, Rea Bashota, si dhe nxënësit e shkollës “Ardhmëria” në Arzignano: Riana Humolli, Jara Abdullahu dhe Alea Miftari.
Në përfundim të promovimit, Bashkimi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Novara të Italisë e nderoi Afërdita Bashota-Podvoricën me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e çmuar në fushën e krijimtarisë letrare, ruajtjen e kulturës dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje” i autores Afërdita Bashota – Podvorica, dëshmoi se në diasporë mund të organizohen aktivitete të përgatitura me shije dhe kulturë./KultPlus.com
Në qytetin Dyzeldorf të Gjermanisë, në prezencën e auditorit të gjerë e të zgjedhur, u bë promovimi i librit “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën”, i gazetarit Nuhi Bytyçi, botuar nga Shtëpia botuese „Armagedoni“ në Prishtinë.
Këtë event kulturor promovues e drejtoi diplomati e shkrimtari Pal Sokoli, i cili foli për librin voluminoz dhe punën e autorit në realizimin e librit, që përmbanë një histori të begatë kombëtare, gjatë katër dekadave të fundit.
Gazetari dhe ish luftëtari i UÇK-së Martin Çuni foli për vlerat e librit, i cili është kontribut kombëtar i akademik Zajmit.
Me fjalë rasti u prezantuan edhe pjesëmarrës tjerë, Shefqet Dibrani, Faruk Tasholli dhe vetë autori Nuhi Bytyçi.
Pas promovimit të librit është zhvilluar bashkëbisedim me autorin.
Libri “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën”, u tha se shërben për ta njohur një pjesë të historisë së vështirë kombëtare dhe është burim për historianët e ardhshëm për të studiuar njërën nga periudhat më të vështira që kaloi Kosova në shekullin fundit./KultPlus.com
Basri Çapriqi, poeti i lirikave të thella me figuracion të pasur e unik në poezinë shqipe, i konsideruar si poeti i detit, tashmë më afër lexuesit të tij, kjo falë botimit të plotë të veprës së tij poetike, studimore e publicistike nga Pen Qendra e Kosovës. Ky komplet është produkt i një pune serioze të miqve e kolegëve të poetit, në përkujdesjen e të cilëve, vepra e poetit e profesorit të ndjerë, ribotohet e plotë dhe pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar ai.
Pas një promovimi fantastik në Prishtinë në ambientet e Kult Plus, e cila gjithmonë i mbështet dhe është nikoqire e eventeve të tilla, radhën e kishte Ulqini, Itaka shpirtërore e poetit, së cilës ai i ka kushtuar vargjet më të bukura. Eventi i organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës, mblodhi miq, kolegë e dashamirës së punës e veprimtarisë së Basri Çapriqit. Pjesëmarrjes masive të bashkëvendasve të poetit, ia shtuan hijeshinë pjesëmarrja e miqve e kolegëve të tij nga Prishtina, të cilët u shprehën se me Ulqinin ruajnë lidhje të fortë shpirtërore sepse ndër të tjerash në Ulqin gjejnë gjurmë të mikut të tyre të ndjerë.
Nën moderimin e gazetarit Ismet Kallaba, audiencës iu drejtuan personalitete të shquara të fushës së letërsisë të cilët potencuan rëndësinë e botimit të këtij kompleti, si një ure e re komunikimi mes poetit e lexuesve të tij.
Të pranishmit i përshendeti znj.Ariana Zherka-Hoxha, ambasadore e Kosovës në Mal të Zi. Ajo i falenderoi të pranishmit e gjithashtu ata që kontribuan në botimin e këtij kompleti.
Fjalën e mori kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, njëherit mik e bashkëpuntor i poetit. Përmes fjalës së tij përshendetëse, ai u shpreh i gëzuar që ishte mes miqsh të Basriut e poezisë së tij e gjithashtu falenderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në mënyrë që ky projekt të finalizohej dhe lexuesit t’i dhurohej një komplet i nivelit të tillë.
Të pranishmit i përshëndeti, profesori Sali Bashota, i cili me Basriun përveçse koleg, ishte mik i afërt për rreth katër dekada. Përmes emocioneve, ai kujtoi takimin e parë me Basriun në tetor të vitit 1978, kur së bashku filluan studimet dhe rrugën e tyre në fushën e letërsisë, e që nga ajo ditë e deri kur Basriu u largua në amëshim, ishin të pandarë. Ishin të pandarë si studentë e si miq e pastaj edhe si kolegë, e prandaj mungesën e Basriut, profesori Bashota tregoi që e ndjen çdo ditë, qoftë në sallat e fakultetit e qoftë në kafenë e përditshme, me të cilën shoqëronin bisedat e tyre të larmishme për artin, letërsinë e shumëçka.
Profesori Ibrahim Berisha, përveç vlerave të larta artistike e poetikës së veçantë së Çapriqit, shpalosi gjithashtu edhe aspekte të Basriut, si një njeri intelektual e me vizione të qarta mbi jetën e lirinë.
Profesori Osman Gashi, foli për një anë tjetër të veprimtarisë së Basri Çapriqit, atë të kritkut e studiuesit të letërsisë. “Mikrostruktura e tekstit” e “Simboli dhe rivalët e tij”, janë studime të rëndësishme të tij, por edhe studime me rëndësi të lartë në kontekstin e gjithë studimeve letrare dhe një referencë e mirë për të gjithë studentët e studiuesit e letërsisë. Përveçse poet, ai kishte edhe dije të gjërë teorike mbi letërsinë, gjë që e vërteton vepra serioze studimore të cilën na e ka lënë trashëgimi Basri Çapriqi. Gashi, si mik i tij, e kishte të pamundur që fjalës së tij përshëndetëse, të mos i jepte edhe ngjyresa personale e nostalgjike. Ndër të tjerash, ai tregoi që me Basriun ruan kujtime të shumta, mirëpo ai tregoi një pjesë nga ato, kur në të gjallë të poetit ai vinte shpesh në Ulqin dhe pritej përzemërsisht nga ai, si zot shtëpie. E në fakt “zot shtëpie”, ndonëse jo më fizikisht, ai ishte edhe në këtë event. Këtë gjë e dëshmon prania e të gjithë pjesëmarrësve të cilët janë mbledhur për ta kujtuar Basriun si njeri, poet e mik.
Përkthyesi i Çapriqit, Qazim Muja, përmes një analize serioze të poezisë së Basriut, nënvizoi që poezia e tij i takon llojit të veçantë të poezisë duke e bërë atë poet të kalibrit të lartë dhe me peshë në letërsinë shqipe. Simboli, ironia e gjithë poezia e tij, është unike dhe si e tillë meriton vëmendjen e kritikës shqipe për ta studiuar si tërësi. Si përkthyes, i Basriut, ai tregoi edhe për impaktin që kishte poezia e tij edhe në gjuhën joamtare duke tërhequr edhe vëmendjen e lexuesit malazez.
Këtij eventi, nuk kishte si t’i mungonin vargjet e Basriut dhe ato i solli nxënësja Lirjona Mehmeti, e cila recitoi disa poezi, ndër to :”Dritaren lëre hapur”, “Dhoma ime në Ulqin” e “Kontributi im për revolucionin është zero”. Janë këto poezi përfaqësuese të poetit, të cilat u sollën sërish në kujtesën e të pranishmëve me anë të Lirjonës.
Moment poashtu emocionues, ishte edhe fjala e poetit Ibrahim Berjashi i cili i rrënqethi të gjithë duke lexuar poezinë e tij “Heshtje te fiku I moçëm”, poezi kjo e dedikuar për Basriun.
Në këtë event i cili përkujtoi Basriun por edhe Sazanën, të pranishëm ishin edhe fëmijët e tyre,Bulza e Bindi, të cilëve emocioni e krenaria iu lexohej në fytyrë. Bulza, përmes fjalës së saj përshendetëse, përmendi edhe rolin emocional që kishte ky promovim në Ulqin, sepse këtu babi i saj filloj aktivitetin e tij si poet, e ruajti gjithmonë lidhjet e fuqishme.
Në fund, PEN Qendra e Kosovës i dhuroi kompletin e Basriut, ambasadores Hoxha,poetit Ibrahim Berjashi dhe autorit Asllan Bisha.
Lexuesi nga Ulqini, kompletin e veprës së Basri Çapriqit mund ta gjejnë në librarinë “Ulqini”.
Për veprën e Basriut, kritika letrare është akoma në fillim të rrugës së vet, mirëpo jemi të bindur që ky botim do rizgjojë vëmendjen e saj. Aq më tepër jemi të bindur që Basriu tashmë do fitojë lexues të rinj sepse nëse për bashkëkohësit e tij, botimi i këtij kompleti nënkupton një ribashkim me poezinë e shpirtin e tij, kurse për ata të cilët i takojnë një brezi më të ri, nënkupton njohjen me të, përmes veprës së tij. Botimi i këtij kompleti, më së shumti e gëzon Ulqinin, të cilin Basri Çapriqi e ka përfaqësuar e shpalosur më së miri në aradhën e letrave shqipe.
Basri Çapriqit, letërsia shqipe i detyrohet shumë. I detyrohet që ai të mos kujtohet vetëm në evente e përvjetore, por ta kujtojmë duke e lexuar artin e bukur që ai la pas sepse përmes tij, poeti bëhet i pavdekshëm. Si njeri i cili e donte jetën, jam e bindur që ai nuk do dëshironte ta kujtonim me tone elegjiake, por ta kujtonim duke e lexuar e duke humbur në vargjet e tij. E ne të gjithë ia kemi borxh ta kujtojmë duke e lexuar e kur një mik, koleg apo i njohur na kërkon t’ia sugjerojmë një poet të mirë për lexim, ne ta sugjerojmë Basri Çapriqin./KultPlus.com
Në Istog është mbajtur një aktivitet letrar, ku shkrimtarë e poetë kanë prezantuar poezitë e tyre para jurisë. Kjo ngjarje është organizuar nga klubi letrar “Podguri”.
Manifestimi letrar “Ibrahim Rugova, i nënti me radhë ka mbledhur në Istog , shkrimtarë, poetë e shkrimtarë.
Ky aktivitet letrar në të cilin me poezitë e tyre u paraqitën mbi 60 poetë e shkrimtarë nga të gjitha trevat shqiptare, u organizua nga Klubi letrar “Podguri” në Istog.
Me këtë rast Klubi letrar “Podguri” promovoi librin, “Kosova, andrra e jetës sime” e autorit Bajram Gashi. Po ashtu krahas tri çmimeve nga organizatorët u ndanë edhe mirënjohje.
Për angazhimin e përvitshëm në transmetimin dhe promovimin e vlerave kulturore e artistike, një mirënjohje e veçantë iu nda edhe Radiotelevizionit të Kosovës./rtk/KultPlus.com
Kolosi mediatik italian TG24 promovon Shqipërinë turisitike përmes një shkrimi që i dedikohet rivierës, nga Velipoja në Sarandë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e TG24 që promovon 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar.
“10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar, sipas kolosit mediatik TG24 në Italinë fqinje që përshkon rivieren nga Velipoja në Sarandë, duke e shtuar promovimin e Shqipërisë turistike nga ana tjetër e Adriatikut”, shkruan Rama.
Po ashtu, Kryeministri informoi se mbi 310 mijë turistë italianë kanë frekuentuar Shqipërinë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se asnjëherë më parë.
“Turistët shijojnë mikpritjen dhe ushqimin fantastik, plazhet dhe natyrën e mrekullueshme, me premtimin për t’u kthyer sërish”, tha Rama.
Ndërsa e cilëson Shqipërinë si Maldivet e Europës, TG24 ndan përshtypjet për 10 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar për pushime me çmime të lira.
TG24 sjell një përshkrim të detajuar të plazheve shqiptare nga Drimadhes, Dhërmi, Ksamil, Gjipe, Borsh, Sarandë e Vlorë në bregdetin jonian, te Velipoja, Shëngjini e Lalzi në bregdetin e Adriatikut./atsh/KultPlus.com
Në ambientet e Biblitekës Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri “Kosova 1990-1992”, i autorit të ndjerë Llukman Halili, shkruan KultPlus.
Promovimi do të mbahet të premten, më datë 23 qershor 2023, duke filluar në ora 13:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ‘Pjetër Bogdani’/ KultPlus.com
Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, u promovua romani më i ri i shkrimtarit Binak Kelmendit, “Demë Dedë Boga” i botuar nga shtëpia botuese “Koha”, shkruan KultPlus.
Romani “Demë Dedë Boga” trajton periudhën e sundimit të shqiptarëve nga pushtuesit e huaj dhe fillimin e konvertimit të tyre nga krishterizmi në islam në Bogë të Rugovës, në fillim të shekullit 18-të. Tematika dhe shtjellimi i ngjarjeve lidhen me personazhin Demë Dedë Bogën që konsiderohet si shqiptari i parë i muslimanizuar aty.
Promovimin e romanit e bëri Flaka Surroi së bashku me vetë autorin duke i falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë promovim.
Surroi tha se romani trajton kohën e gjatë të sundimeve të huaja, sundime të cilat edhe ngulitën zakonet dhe traditat e tyre.
“Vetë romani është kronikë për kohën e gjatë të sundimit të tokave tona nga të huajit dhe ngulitjen e zakoneve dhe traditave të tyre”- ka thënë Surroi.
Autori i librit Binak Kelmendi, i cili fjalimin e tij e filloi me një falënderim drejtuar familjes, shoqërisë dhe të gjithë atyreve që e mbështetën për të botuar një libër të tillë, ndër të tjera tha se tematika e romanit është një përshkrim i jetës të Bogës në atë kohë.
“Mendoj se është një pasqyrë e jetës në Bogë të Rugovës në kohën e sundimit”, ka thënë Kelmendi.
Përndryshe Binak Kelmendi është autori dhe përkthyes i disa romaneve. Ai ka botuar romane si “Vezët e vdekjes”, “Guri i vashës”, “Portat e Pejës” dhe ka përkthyer nga frëngjishtja vepra si “Mirëdita Pikëllim”, “Dashnori”, “Ilirja” etj.
Binak Kelmendi është prozator përkthyes dhe publicist, dhe aktualisht është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./KultPlus.com
Në një ambient të ngrohtë librash, mbrëmë u promovua libri “Lindur së prapthi” i autores Rita Petro, në librarinë Dukagjini, shkruan KultPlus.
Rita Petro në një bashkëbisedim me Ag Apollonin, bëri prezantimin e romanit të saj të parë “Lindur së prapthi”, i cili në përmbajtje është autofiksion, autobiografik, një roman që është ndërlidhje në mes të biografisë dhe fantazisë.
Prezantimin e filloi profesori universitar Ag Apolloni, me një bashkëbisedim dhe pak shaka para të ftuarve, duke i relaksuar të pranishmit dhe duke bërë pyetje ndaj autores së librit.
Më tej në këtë promovim u tha se libri “Lindur së prapthi”, është një libër autobiografik, montazh, me një mister të paqartësisë për lexuesin se çka është duke vepruar personazhi, apo se kush është personazhi.
Libri u vlerësua si mjaft provokativ për imagjinatën e lexuesit, i cili e trajton temën e komunzimit, jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por nga margjina.
Në subjektin e tematikës, libri përmban një vajzë të vogël e cila ka lindur mbrapsht, ecën mbrapsht, me duar në vend të këmbëve, dhe kur fillon të ecën mbarë, fillon të bëjë mbrapshtira për shoqërinë. Këtu jepet një pasqyrë për komunzimin. Çka është komunizmi, ç’bën ai, për të rinjët, për të moshuarit dhe i bën një përmbysje ironike kanunit etik të tij. Një roman me një perspektivë të re, një perspektivë femërore.
Në libër gjithashtu flitet edhe për autorët që nuk konkurronin me gjininë mashkullore për shkak të mentalitetit dhe për përmbysjen e regjimit i cili mudësoi të shfaqej zëri femëror.
Rita Petro gjatë bashkëbisedimit, gjithshtu foli për lirizmin dhe erotizmin e shprehur në vepër. Ndër të tjera, ajo përmendi kohën e vështirë për letërsinë në Shqipëri gjatë komunizmit.
“Shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera ishin një hap më përpara sa i përket letërsisë. Në Shqipëri, në kohën e diktaturës ishte e ndaluar letërsia moderne. Andaj më erdhi natyrshëm ta shkruaj këtë libër”, ka thënë autorja Petro.
Ndërsa profesori, Ag Apolloni duke dashur të shpreh admirimin për autoren tha se Petro gjithmonë ka trajtuar tema të mira, dhe se proza është ajo që i ka shtuar admirimin edhe më shumë për të.
“Si poete gjithmonë na ka ëmbëlsu me tema të mira, por tash edhe prozatore, më pëlqen edhe më shumë”, ka thënë Apolloni.
Përndryshe Rita Petro, është poete nga Shqipëria, e cila mbrëmë bëri prezantimin e librit të saj, romanit të parë, “Lindur së prapthi”, mes të figurave të ndryshme nga fusha e letërsisë, artit dhe kulturës./KultPlus.com
Në një ceremoni madhështore të organizuar nga KOK-u, MKRS e FXHK, është promovuar libri “Kryemjeshtri”, i autorit Arsim Maxhera, që iu dedikua trajnerit më të suksesshëm shqiptar, Driton Kuka, përcjell KultPlus.
Kryemjeshtri Kuka, ka arritur që në cilësinë e trajnerit të fitojë tri medalje të arta olimpike, dhjetëra medalje botërore, evropiane, dhe në gara tjera të shumta, duke e lartësuar Kosovën edhe në vendet që nuk e kanë njohur shtetin tonë.
Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, çmoi lartë veprën e kryemjeshtrit Kuka, por përgëzoi edhe autorin Maxhera për punën e bërë, derisa theksoi se sukseset do të qëndrojë edhe në zyret e KOK-ut për t’u përdorur për mysafirë special, të cilët do të njihen me madhështinë e sukseseve të xhudos, suksese të cilat uroi të rriten në LO Paris 2024.
Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, u shpreh se kudo që ka udhëtuar është pyetur për suksesin e madh të xhudos sonë, e që theksoi se çelësin e këtij suksesi e di më së miri Driton Kuka, të cilin e quajti personalitet përtej personaliteteve të njohura edhe nga bota e politikës.
Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, po ashtu foli fjalë të mëdha për punën dhe përkushtimin e trajnerit Kuka, si dhe të gazetarit Maxhera.
Autori i “Kryemjeshtrit” tregoi detaje të punës së tij tri-vjeçare në përmbledhjet e karrierës së Kukës, duke thënë se ka qenë tejet kërkues nga Toni, ashtu siç është ai me xhudistët e tij.
Në fund, ishte koha për të dalë në skenë vetë kryefjala e ceremonisë, Driton Kuka. Trajneri më i në botë për vitin 2021, vlerësoi lartë punën e autorit, por gjithashtu falënderoi të gjithë ata që kontribouan në karrierën e tij të suksessshme, e veçanërisht xhudistët, të cilët falë tij, bënë krenarë jo vetëm Kosovën, por gjithë shqiptarinë, duke shpresuar se ky libër do të plotësohet me suksese të reja të garuesve të tij.
E veçantë ishte edhe videoja e realizuar nga KOK-u, në të cilën përmblidheshin pjesë të sukseseve kryesore të xhudistëve nga podiumet olimpike, karriera e Kukës dhe ngritja e flamurit tonë edhe në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Në ceremoninë e organizuar në amfiteatrin e Institutit “Ali Hadri” të pranishëm ishin edhe kampionet olimpike, kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, liderët e partive politike, Memli Krasniqi (PDK) e Ramush Haradinaj (AAK), figura tjera të larta nga sporti, arti e kultura, të cilët patën mundësinë të marrin nga një libër me nënshkrim të trajnerit dhe autorit. / KultPlus.com
Kompozitori, Liburn Jupolli, ka bërë të ditur se në Kosovë është hapur
shtëpia botuese muzikore “Magmus”.
“Kjo është një shtëpi
botuese e re për botim të muzikës partiturave, veprave muzikore, studimeve
muzikore ku ka nota”.
“Magmus vjen si një
lloj ëndrre dhe dëshirë, po ashtu edhe nevojë e skenës muzikore në Kosovë për
të dokumentuar muzikën klasike në Kosovë, sidomos atë te kompozitorëve”.
Jupolli tha se vepra e
parë që ata kanë botuar është “MOVING LANDSCAPES” nga kompozitori dhe profesori
Drinor Zymberi.
“Ky kompozim është
njëri nga më të mirët në tre vitet e fundit, po ashtu ka luajtur edhe një rol
të madh brenda kulturës muzikore. Kjo është vepër që Kosovës i ka sjell një
njohje shumë të lartë”.
“Gjithashtu, për botim
kam edhe kompozime të tjera të kompozitorëve të ndryshëm. Po ashtu do të fillojmë
edhe me arkivimin e veprave të kompozitorëve”, tha Jupolli në Klan Kosova.
Sot gjithashtu do të promovohet nga ora 18:00 vepra e parë e botuar “MOVING LANDSCAPES”. / KultPlus.com
Në ambientet e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës sot është bërë promovimi i dy librave të autorëve Kujtim Shala dhe Bardh Rugova, shkruan KultPlus.
Para një audience të zgjedhur në sallën e Akademisë së Arteve dhe Shkencave u promovuan librat e Shalës dhe Rugovës.
Në panel të
këtij promovimi ishin akademikët Ali Aliu, Rexhep Ismajli dhe profesori Nysret
Krasniqi. Aliu, moderator i këtij promovimi foli në hapje ku tha fjalë miradije
për autorët dhe prezantoi folësin e parë, profesorin dhe studiuesin Nysret
Krasniqi.
Krasniqi foli
për librin e Shalës për të cilin tha se e çmon klasiken.
“Autori
Kujtim Shala në vazhdimësi çmon klasiken, ky është parim i cili bën thirrje ta
ruash atë që e ke. Kujtim Shala thotë se identitarja është e vetmja udhë e universales,
si e tillë kur ndërlidhet nënkupton traditën
e emrave nacional, e mbi këto premisa del edhe titulli i këtij libri i cili
fokuson dy shtylla themelore filozofike-letrare, debatin për fenomenet letrare
të vlerësuara dhe për autorët e vlerësuar dhe tashmë të rivlerësuar”, tha Krasniqi.
“Autori
Kujtim Shala në këtë libër nis me tri tekste fenomenologjike si pjesë e parë, ndërsa
me dhjetë vepra në pjesën e dytë sjell tekste për autorët e traditës në
kuptimin Eliotian të nocionit”.
“Tri
veprat fenomenologjike Letërsi dhe Identitet, Identiteti i pazbuluar dhe
Kryeveprat Gege identitaren e çmojnë në sistem filozofik-teorik, ndërsa dhjetë
veprat e autorëve të traditës sikur sfidojnë modelin e autorit të propozuar nga
Roland Barti”, tha ndër të tjera profesori Krasniqi, derisa autori Shala u shpreh
se letërsia dhe identiteti janë temë e madhe dhe se në veprën e tij është përpjekur
që fiksionin ta shkruaj si diskurs.
Libri i
dytë që u promovua ishte “Leksioni i termave të fonetikës dhe të fonologjisë” i
profesorit dhe studiuesit Bardh Rugova.
Akademiku
dhe linguisti Rexhep Ismajli foli për librin, duke e shpërfaqur fillimisht një
biografi të shkurtër të autorit Rugova. Veprën e këtij të fundit, Ismajli e çmoi
dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishme.
“Procesi i
shpjegimeve të përmbledhura te ky libër janë koncize, autori në këtë libër ka arritur
të bëjë një paraqitje relativisht të plotë të nocioneve dhe koncepteve konkrete,
krejtësisht specifike dhe të zgjeruara mbi studimet e gjuhës shqipe”, tha
Ismajli.
Vetë
autori Bardhi u shpreh falënderues, derisa deklaroi se ka pasur model
profesorin Ismajli prej të cilit edhe ka mësuar shumë gjëra në fushën e studimeve
gjuhësore.
“Kemi pasur
probleme me literaturën që është futur në gjuhën shqipe, kështu u shfaq nevoja për
të pasur një leksik tjetër, një libër strukturalist”, potencoi fillimisht ai.
“E vetmja
zgjidhje ishte që të kishim një brez në të cilin të gjitha dijet e fushave të ndryshme
do të mund të gërshetoheshin. Kështu libri nisi si pjesë e një projekti që përfshin
edhe fusha tjera të gjuhësisë, socio-lignuistikës e fonetikës të cilave do t’ju
vijë radha për t’u promovuar”, përfundoi ai.
Këto dy libra janë botim i ASHAK-ut dhe mund të gjenden në hapësirat e Akademisë. /KultPlus.com