Promovohet triologjia për luftën e Ukrainës, panelistët: Duke mësuar mbi historinë e Ukrainës ne njohim më mirë vetveten

Vjollca Duraku

Historia e Ukrainës dhe e Krimesë”, “Ukraina – Përplasja Perëndim – Rusi” dhe “Roli i diplomacisë botërore në konfliktin Rusi-Ukrainë” janë tre libra të autorit Lutfi Bilalli të cilët u promovuan sot në KultPlus Caffe Gallery.

Këta tre libra të cilët janë botuar në shoqatën botuese “3SD” përshkruajnë luftën në Ukrainë dhe politikat e qeverisjes botërore të cilat si epiqendër momentalisht kanë Ukrainën, shkruan KultPlus.

Me një fjalim përshëndetës ishte Mentor Mripa ai që e nisi këtë ceremoni promovimi, e cila pati pjesëmarrës të shumtë. Ndërsa me përshëndetje speciale Mripa i falënderoi edhe kolegët e tij gazetarë që po e përcillnin ngjarjen, me këtë rast edhe ata nga Ukraina, për të vazhduar më pas me panelistët.

Profesori Universitar, Gëzim Qerimi, në fjalimin e tij tha se e vlerëson faktin që lexuesi shqipfolës tani ka një pasqyrë më  të plotë  të çështjes së Ukrainës, përplasjeve të vazhdueshme Perëndim-Rusi si dhe shumë infromata për potencialin bërthamor, i cili që jep shenja të rikthimit të Luftës së Ftohtë.

“Ky libër paraqet presionet dhe krimet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë historisë e deri më tani. Në fillim autori ka trajtuar aspektin historik të Ukrainës nga Mesjeta e hershme deri në shpërbërjen e BRSS-së. Gjithashtu, autori ka prezantuar edhe të dhëna gjeografike për Ukrainën që janë paraqitur edhe konfliktet mbi trashëgiminë historike që kanë shpërfaqur polarizimet ekstreme në mes Rusisë dhe Ukrainës”, ka thënë panelisti Gëzim Qerimi.

Më tej panelisti Qerimi ka bërë të ditur se libri paraqet Ukrainën si njësi territoriale që ka pasur vëmendje edhe gjatë dy luftërave botërore.

“Në këtë libër argumentohet që Ukraina ishte në qendër të vëmendjes edhe gjatë dy luftërave botërore, e veçmas në Luftën e Dytë Botërore, ku grupet nacionaliste pro Ukrainës së pavarur në fillim kishin bashkëpunuar me Gjermaninë Naziste, respektivisht me Hitlerin, kundër Stalinit, për të ndryshuar më vonë këtë qëndrim”, ka thënë Qerimi.

Ndërsa, profesori tjetër universitar dhe po ashtu recenzenti i librit, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se kjo triologji ka qenë një literaturë më se e nevojshme për të informuar publikun me njohuritë e nevojshme mbi luftën e Ukrainës.

“Kur shpërtheu lufta Ukrainë- Rusi në opinionin shqiptar u paraqitën shumë debate, si në televizionet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, por, ishin të paktë njerëzit të cilët kishin ekspertizën për të treguar se çka në realitet po ndodh. Dhe, duke dëgjuar, njerëzit kishin pak a shumë edhe ato që mund t’i lexonim edhe prej lajmeve dhe medieve të tjera sepse thjeshtë mungonte një ekspertizë më e thelluar, siç është kjo e paraqitur nga autori. Për studentët, gazetarët, profesorët, ushtarakët kjo është një literaturëmë se e nevojshme e cila do tu shërbente atyre për t’u pajisur me njohuritë e nevojshme në kohën në të cilën po jetojmë”, ka thënë panelisti Spahiu.

Recenzenti Spahiu  po ashtu ka dekalaruar se për lexuesin e Kosovës këta tre libra kanë një rëndësi të madhe pasi përmes problemeve të tyre dhe krahasimit me ato të popullit tonë, si popullsi mund të njohim më mirë vetveten.

“Duke e njohur Ukrainën, duke njohur problemet e saj në fakt në një kohë të cilën po e përjetojë ne e njohim më mirë vetveten. Ne e njohim më mirë edhe historinë tonë sepse kemi arsye me pa atë në mënyrë më kritike. Dhe duke bërë krahasime, mund të vijmë në përfundime të cilat japin dritë mbi historinë tonë dhe mbi rrugën tonë në të ardhmen”, ka thënë më tej recensenti Spahiu.

Kurse Osman Gashi, botues i triologjisë, punë të jashtëzakonshme e ka quajtur shkrimin dhe përmbledhjen temave sipas tij të ndjeshme, të cilat ofrojnë një perspektivë të ndryshme dhe të thellë mbi ngjarjet dhe konfliktet e Ukrainës. Ai i ka përmendur dy arsye kryesore përse është botuar një triologji e tillë.

“Në botimet dhe literaturën shqipe ka një mungesë të dukshme të materialeve të tilla dhe këto libra përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në mbushjen sadopak të këtij boshllëku. Kurse tjetra, përmes botimit të tre librave për Ukrainën dhe luftën që po ndodh atje, është një angazhim dhe mobilizim i yni në përkrahje morale, intelektuale dhe humane por edhe bashkim me botën dhe qytetërimin perëndimor, i cili është bashkuar në përkrahjen e Ukrainës”, ka thënë Gashi.

Në një fjalë rasti edhe gazetarja ukrainase Lyudmila Makey ka falënderuar popullin e Kosovës për ndihmën e ofruar ndaj popullit ukrainas duke thënë se Ukraina dhe Kosova ndajnë të njëjtën histori.

Ndërsa krejt në fund autori Lutfi Bilalli tha se shkrimi dhe botimi i librave ka qenë një punë e madhe që i mori një periudhë tre vjeçare.

‘E rëndësishme është për ne, për lexuesit dhe njerëzit e shkencës dhe studentëve që të ju ofrohet literaturë me informacione mbi këtë luftë e cila ka pasoja të mëdha mund të them edhe për krejt sigurinë globale”, ka thënë ai.

Pas ceremonisë së promovimit të gjithë pjesëmarrësit mund të merrnin libra me nënshkrimin e autorit Bilalli dhe më pastaj të bisedonin me miq në një koktej në ambientet e KultPlus Caffe Gallery/ KultPlus.com