“Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, titullohet konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “arkeologjia shqiptare u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzetë e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite”.
Gjinushi foli për brezat e studiuesve të njohur arkeologë në Shqipëri, si Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin, Skënder Anamalin, Eqrem Çabej, si dhe Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe, Aleksandër Meksi, etj.
“Brezi i parë i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare, – theksoi akad. Gjinushi, – me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike evropiane nga porta e madhe. Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi tha se “brezi i dytë i arkeologëve, me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike”.
Duke vlerësuar arkeologët aktualë, Gjinushi vuri në dukje se një brez i tretë i arkeologëve shqiptar, i formuar e i vetëformuar me kërkesa akademike evropiane, me lidhje të jashtme bashkëpunimi me jashtë dhe me teknologji të reja zbulimi, është duke e shpërfaqur në mënyrë të argumentuar në tërësi hartën arkeologjike të vendit, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë hinterlandin, deri vonë disi të harruar, në përparësi të kërkimit.
Më tej Gjinushi foli për ndërthurrjen disiplinare të arkeologjisë me antripogjenetikën dhe analizat e ADN-së, filogjenetikën dhe inteligjencë artificiale që synojnë të shkojnë deri në burim të qytetërimeve, gjuhëve dhe kulturave; vlerësimi i kësaj përvoje, përvetësimi i saj dhe përditësimi me dijet bashkëkohore, është kusht për të mos mbetur prapa.
Gjinushi theksoi se “pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka kërkimi shkencor tek ne, qoftë prej kufizimeve ideologjike apo nga labirinthet e tranzicionit, në këtë 75-vjetor mund të themi me bindje të plotë se ky kontribut dhjetravjeçar i Institutit të Arkeologjisë e i arkeologëve të të gjitha brezave, në bashkëpunim edhe me qendra nga më të njohurat dhe specialistë po aq të vlerësuar të arkeologjisë evropiane, ka bërë që shkenca shqiptare jo thjesht të dëshirojë e të pohojë vjetërsinë e lashtësinë mijëravjeçare të origjinës së popullit shqiptar, por t’i bazojë e vërtetojë ato me fakte e artifakte shkencore, në vend të afirmimeve entuziaste e amplifikuese amatoreske”.
Konferencën e përshëndeti dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Kraja u ndal në përshkrimin e arkeologjisë në Kosovë, ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë ilire-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologu hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës që dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi ilire-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.
Kraja vlerësoi edhe kontributin e At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare.
“Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150-vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit””, tha Kraja.
Konferenca do të vazhdojë punimet për dy ditë me radhë, ku arkeologë, studiues të trashëgimisë kulturore do të flasin për arritjet, risitë dhe perspektivat e arkeologjisë shqiptare./atsh/KultPlus.com