Nga: Luan Rama
Shkrimtari dhe eseisti i njohur amerikan Henry Miller, e krijoi veten e tij si shkrimtar veçse nga përvoja e tij parisiane gjatë viteve ’30 të shekullit XX, kohë kur shumë amerikanë dhe anglezë vinin në Paris, si Joyce, Hemingway, Fitzgerald, Anderson, Stein, Orwell, e shumë të tjerë për t’iu larguar puritanizmit të këtyre shoqërive. Të bëhej shkrimtar për Millerin ishte në fillim veçse një dëshirë, por jeta në Paris i dha mundësinë të shohë e të ndjejë nga afër shoqërinë njerëzore, të prekë fundin e një jete të mjerë, të dekompozuar, me fate klithëse, të mbytur në dehje, seks e prostitucion, për të krijuar pastaj një letërsi tjetër, ndryshe nga tradita letrare amerikane, një letërsi gjysmë-autobiografike, ku ai tregon ngjarje të përjetuara dhe bën refleksione sociale e filozofike. Librat që ai shkroi dhe botoi në atë kohë në një shtëpi botuese në Francë, u ndaluan në Amerikë dhe Angli, si vepra dekadente dhe të papranueshme. Shkaku ishte se aty përshkruheshin dhe eksperiencat personale seksuale të shkrimtarit. Veprat e tij u lejuan duke filluar vetëm nga viti 1961, pra pas 30 vjetësh.
Pas disa eseve e tregimeve të shkurtra, krijimtaria e vërtetë letrare filloi me “Ditë të qeta në Clichy”, “Pranvera e zezë”, “Tropiku i Kancerit”, “Tropiku i Kaprikornës” etj. Në udhëtimin e tij të parë më 1928, si turist, ai erdhi me gruan e tij, Junes Mansfield, të cilën e donte shumë, por shpejt ajo u largua dhe ai fillon jetën boheme në zonën e Montparnasse e Saint-Germain-des-Près, duke u vendosur më pas në Clichy, një zonë tepër e gjallë e cila mbahej si bastion i socializmit në Francë, meqë dhe lëvizja punëtore atje ishte më e fuqishme.
Ishte viti 1932. Përshkrimet e tij letrare, edhe pse autobiografike, janë me shumë ngjyra, detaje, karaktere, personazhe të një kohe që sot nuk janë më, një atmosferë e çuditshme e jetës libertine, për të cilën, ata që vinin përtej La Manche apo nga bregu tjetër i Atlantikut, u dukej si një lloj parajse në lidhje me lirinë. Në fakt, në adoleshencën dhe rininë e tij ai kishte qenë një njeri shumë timid, e madje kur zbarkoi në Paris, ai i tha vetes: “Ti s’je i zoti të bësh asgjë… Atëherë bëju shkrimtar!… Dhe unë u bëra shkrimtar nga dëshpërimi”, – shkruan ai.
Në librin “Jours tranquilles à Clichy” (“Ditë të qeta në Clichy”), ndër të tjera ai shënonte: “Po shkruaj, nata bie dhe njerëzit shkojnë të hanë darkën. Është një ditë gri si ato ditë që sheh shpesh në Paris… Parisi në thelb është një qytet gri. E them këtë sepse në fushën e akuarelit, piktorët amerikanë e përdorin tepër dhe në mënyrë obsesionale ngjyrën e parafabrikuar gri. Por në Francë, gama e grisë duket e pafund dhe madje për këtë, efekti i grisë e ka humbur forcën e vet. Një ditë si kjo, në të njëjtën orë, kisha mundësi të shikoja ‘Sacre-Cœur’ nga çdo lloj këndi ose përgjatë ‘Rue Lafayette’ për t’u ngazëllyer plotësisht. Dhe, kjo ndodhte edhe kur kisha uri dhe kur s’kisha ku të flija… Në një ditë gri shpesh shkoja të shëtisja në sheshin e Clichy-së, në Montmartre. Nga Clichy deri në Aubervilliers ka një varg kafenesh, restorantesh, teatrosh, kinemash, dyqane këmishash, hotele e bordello. Është Broadway i Parisit. Broadway është shpejtësia, zhurma shurdhuese, marramendje e dritave, ku s’ke ku të ulesh. Montmartre është i plogësht, dembel, indiferent, disi i neglizhuar dhe rrëmujë, më tepër tërheqës se magjepsës. Ajo nuk shkëlqen me xixëllima, por djeg si një karbon përvëlues. Broadway provokon, ka ndonjëherë efekte magjike, por është pa flakë, pa ngrohtësi: është një kuadër pasqyre që shndrit, parajsa e njerëzve të publicitetit. Montmartre është lodhur shumë, është zbehur, braktisur… Ka disa bistro të vogla që frekuentohen veçse nga kurvat, batakçinjtë, bixhozxhinjtë dhe mafiozët dhe po të kalosh andej më shumë se një herë, mund të përfundosh të biesh në grackën e tyre. Ky sharm mashtrues i Montmartres është i lidhur më së shumti nga shfrytëzimi i seksit. Por në fakt s’ka asgjë romantike të këtij lloj seksualiteti, veçanërisht kur ai komercializohet. E, ajo mund të krijojë diçka nostalgjike, ndryshe nga seduksioni e tërheqja që krijonte një Gay White Way, një nga femrat më të famshme. Është e dukshme që seksualiteti zhvillohet në një dritë të butë, të ëmbël, me një ritëm të përmbajtur dhe jo nën dritat e neonit. Nga një anë e sheshit gjendet kafeneja ‘Wepler’ që për shumë kohë ishte e parapëlqyera ime. Ulesha jashtë apo brenda, gjatë gjithë kohës, në të gjitha orët e ditës apo të natës. Për mua ishte një libër i hapur. Aty shikoje të gjitha fytyrat: kamerierët, patronet, ata që mbanin arkën, gratë që lanin enët, të cilat janë ngjizur në kujtesën time si pamjet e një libri që do të shfletoja çdo ditë. Më kujtohet kur hyra për herë të parë në “Wepler” duke tërhequr me vete gruan time dhe kur pashë të rrëzohej një kurvë e dehur për vdekje duke u shëmbur në tavolinat e vendosura në hyrje dhe ku askush nuk u ngrit ta ndihmonte. U habita nga indiferenca e francezëve, çka jam i habitur ende, edhe pse më vonë zbulova shumë gjëra të tyre të mira. “Eh, hiçgjë! Thjesht një kurvë! Eshtë dehur tapë!”… I dëgjoj ende këto fjalë që më bëjnë gjithnjë të drithërohem…”
Një nga miqtë që e ndihmoi në këtë periudhë të vështirë të jetës së tij kur do të provonte urinë e përditshme, përveç një avokati amerikan, Osborn, i cili çdo mëngjes i linte një kartëmonedhë 10 frangash që të mund të ushqehej gjatë ditës; ishte dhe gazetari Albert Perlès, i cili në atë kohë punonte si gazetar për degën parisiane të gazetës “Chicago Tribune”. Kur Perlès e takoi në Paris, e gjeti me një dollar në xhep. Më pas, Perles do t’i jepte ndonjë rubrikë mbi ngjarje nga Parisi ku të shkruante fillimisht me emrin e Perlesit e më pas me emrin e tij, thjesht për të mbajtur frymën gjallë. Pikërisht me të, emri i të cilit në libër është Carl, janë dhe episodet më çoroditëse e libertine të jetës së tyre në Clichy. Ata jetonin në bulevardin “Anatol France”.
“Ishte një fortesë e komunizmit francez”, do të shkruante Perlès. “Kalonim shumë kohë në kuzhinë ku bisedonim, vend i cili do ishte i paharrueshëm për botën tonë. Aty vinte aktorja Lyanes kur dilte nga teatri. Po aty vinte Anaïs Nin, e cila u tregua dhe një kuzhiniere e mrekullueshme. Pinim dhe netët i kalonim në një lloj orgjie, ku miku ynë i bankës Osborn përfundonte duke kërcyer nudo”.
Miller e pëlqente shumë piktorin francez Rouault, të cilit i referohet në një libër të quajtur “Buzëqeshjet poshtë shkallës” dhe ku ndër të tjera shkruan: “Duke medituar për jetën dhe veprën e Rouault, i cili më ka tërhequr mjaft, mendoja për atë lloj kllouni që kisha qenë gjithnjë. Mendoja për pasionin tim të cirkut, sigurisht i një cirku intim, në mënyrën e asaj eksperience si spektator dhe si aktor, i zhytur thellë në ndërgjegjen time”. Një herë Henry Miller kishte njohur një rus, një ish kapiten të “ushtrisë së bardhë” që të mund ti gjente një vend për të fjetur. Një ditë rusi e ftoi në shtëpinë e tij në periferi të Parisit, në Suresnes. Ai donte që Miller t’i mësonte anglisht. I vunë një dyshek përtokë që të flinte, por kur shkoi, gjeti atje një grup të madh rusësh që u pinë dhe u dehën keq si dhe tre qen në krye të tavolinës. Meqë kur u shtri pa një krimb, atëherë atij i erdhi për të vjellë dhe mbeti pa gjumë deri në mëngjes. Që atë natë nuk u duk më në dhomën e rusit… Njëherë tjetër, atë e kishte strehuar për të fjetur një indian që shiste perla në “Rue Lafayette”, me kusht që t’i pastronte shtëpinë nga pluhurat. Por fatmirësisht, meqë në Dijon kërkonin një mësues të anglishtes, pas disa ditësh Mellir e la indianin e perlave dhe pastrimin e shtëpisë së tij dhe shkoi, për tu kthyer disa kohë më vonë me ca para në xhep…
Amerikanët i pëlqenin shumë prostitutat franceze pasi gjenin tek ato një eksperiencë të panjohur. Ai përshkruan gjithë prostitutat e asaj lagje, ku ndër të tjera tregon dhe për një prostitutë me një këmbë druri që dhe ajo kishte klientelën e vet të përhershme në cepin e një rruge. Në një nga kabaretë, ishte ajo që quhej “Borëbardha”, një 35-vjeçare me flokë të gjata dhe sy blu. Kishte madje femra që pas seksit kërkonin si të çmendura ndonjë mjek, pasi ishin në një gjendje ekstaze të vazhdueshme. Emrat e tyre në libër janë Adrienne, Colette, Nancy, Eliane, Mara… Por spektri i prostitutave ishte mjaft i gjerë, pasi në Paris dyndeshin prostituta nga e gjithë bota. Në përshkrimet e tij, Miller flet për prostitutat belge, spanjolle, polake, zvicerane, nordike, luksemburgase, jugosllave, etj. Një herë, me një prostitutë, e cila kishte qejf që ai t’i fliste në anglisht, ku pranë shtratit kishte gjithnjë një shishe me verë, zbuloi se në çantë ajo kishte një revolver, të cilën ia mori nga frika se mos e vriste. Para se të dilte nga dhoma, ajo e pa tronditjen e tij dhe siç tregon Miller, ajo e pyeti:
“- Mos je i zhgënjyer nga unë? – I zhgënjyer? Çdo të thuash me këtë? – A nuk dukem si shumë e shëndoshë? – shtonte ajo duke parë nga kërthiza. – Po ti je e mrekullueshme, si një tablo e Renoirit…” Ajo u skuq. “Një Renoir?”, i kishte thënë ajo sikur këtë emër ta dëgjonte për herë të parë. “Ti bën shaka? – Aspak… afrohu pak të të fërkoj seksin!…” Një herë tjetër, duke qenë me dy femra në shtrat, atë e kishte zënë ngërçi dhe mezi kishte mundur të çlirohej nga furia e tyre, aq sa kishte menduar se po vdiste.
“Kur kujtoj atë epokë të Clichy-së”, kujtonte ai në librin e tij me kujtime, “kam ndjesinë se jetoj ende në parajsë. Ne kishim veçse një problem: si të ushqeheshim. Të gjitha hallet e tjera ishin imagjinare… Ishte koha kur seksi femër ishte sheshit, në ajër: femrat angleze ishin në ‘Casino de Paris’. Hanin regullisht në një restorant pranë Place Blanche. Ne u bëmë miq me gjithë atë grup femrash. Atëherë shkoja në shtrat me një skoceze të mrekullueshme. Në ndonjë nga ato netë, neve na merrte të dyve në shtratin e saj dhe thoshte se kjo e eksitonte shumë kur e bënim të tre…”
Pikërisht kur ishte në Clichy, ai dashurohej me amerikanen Anaïs Nin, një histori plot aventura dhe një lëndë letrare kjo për shkrimtaren Nin, e cila që në atë kohë shkruante fletoret e saj “secrete”. Ishte koha kur në Paris, gruaja e Millerit u njoh dhe me të, por ajo nuk mund të jetonte me Henrin në Paris. Kujtimet e Ninës me Millerin janë të shumta siç i kujton ajo dhe në librin e saj “Henry et June” botuar në Francë. Në një nga kapitujt, ndër të tjera ajo shkruan: “E takova Henrin në stacionin e trenit. Ishte i zymtë dhe në çast ndjeva të më shfaqeshin emocionet duke njohur të njëjtën gjë tek ai. Më tha se e lodhte ideja të shkonte gjer në stacion pasi ishte dëshira që e paralizonte të shkonte. Refuzova të shkoja në apartamentin e tij meqë Fred është atje dhe i sugjerova të shkojmë në ‘Hotel d’Anjou’ ku më kishte çuar Eduardi. Lexoj dëshirën në sytë e tij. Ecim bashkë deri në hotel. Ai do që të flas me recepsionisten. Kërkoj dhomën nr.3. Ajo më thotë se bën 30 franga, ndërsa unë i thashë: ‘A e jepni për 25 franga?’ Dhe unë mora çelësat. Nisa të ngjis shkallët. Duke shkuar, Henri u ndal të më puthë. Jemi në dhomë. Ai klith me atë të qeshur të ngrohtë: ‘Anais, ti je një demon!’ Nuk them asgjë. Është i paduruar dhe nuk pret sa të zhvishem. Dhe, ja ku hutohem ngaqë s’kam përvojë, e tronditur nga vala e egërsisë së atyre orëve. Më kujtohet veçse etja e Henrit, energjia e tij, si i zbulonte vithet e mia të cilat i gjente mjaft të bukura, dhe pastaj, ah, mjaltë që rridhte, kulmi i kënaqësisë, seks me orë të tëra. Barazia, thellësia që kërkoja, e errëta, fundi, e vërteta. Zemra e qenies time është pekur nga një trup që e ka pushtuar trupin tim, i cili e përmbyt atë dhe që më lëviz gjuhën e flaktë brenda meje me një fuqi të madhe. Ai klith: ‘Thuamë, thuamë çfarë ndjen!’ Por unë nuk mundem. Gjaku më ka pushtuar sytë, kokën. Fjalët më janë mbytur. Kam dëshirë të klith si një grua e egër, pa fjalë, klithje me fjalë të paqarta, pa kuptim, nga thellësia primitive e qenies time, klithje që shpërthenin e dilnin nga barku im si mjalti. Një gëzim plot lotë që më lenë pa fjalë, të pafajshme, e pushtuar, e shndërruar në heshtje. O zot, ç’ditë kam jetuar, ç’orë të nënshtrimit total të gruas, ç’dhuratë për veten time aq sa s’ka mbetur asgjë çfarë të jap tjetër…”
Marrëdhiet e tij me Anaïsen ishin të çuditshme ku në thelb mbizotëronte tërheqja e tij seksuale dhe intelektuale. Jo më kot në kujtimet e saj, Nin do të shënonte dhe fjalët që kishte shkruar Fred Perles për mikun e tij Henry: “Mjerë ti Henry. Më vjen keq për ty. Ti nuk ke mirënjohje sepse ti nuk ndjen dashuri. Që të jesh mirënjohës duhet së pari të dish të duash…”
Miller e adhuronte Dostojevskin dhe kur fliste për “Vëllezërit Karamazov” dhe “Idioti”, ishte si në një botë tjetër. Në librin e tij “Tropique du Capricorne” të botuar po në Paris, ndër të tjera ai shkruante: “…Ajo femër më dukej aq idiote saqë në fillim nuk i kushtova vemendje. Por dhe kjo ka një seks si gjithë të tjerat, mendova… Një mbrëmje ne ishim në shtëpi dhe ajo ndërkohë ishte futur në banjo. Atëherë përfytyrova diçka dhe vura syrin në vrimën e çelësit. Dhe u habita kur e pashë atë në këmbë, nudo, përballë pasqyrës, që përkëdhelte e ngacmonte seksin e saj të vogël. U eksitova aq shumë sa doja ta bëja. Zbërtheva pantallonat dhe e lashë seksin tim të merrte ajrin e natës…” E, më tej ai përshkruan imtësisht se si ishin shtrirë në divan së bashku dhe kishin kaluar natën deri në mëngjes. “Gjatë gjithë jetës time nuk mbaj mend të kem lëvizur dorën në një seks aq të lëngshëm. Lëngu i saj ngjitës i rridhte nëpër këmbë. Po të kisha afishe nëpër duar do të kisha ngjitur kushedi sa shumë afishe. Pas disa çastesh, ashtu si një lopë që do të kullosë, ajo uli kokën dhe e mori. Asnjë fjalë mes nesh. Sikur të ishim dy maniakë të paqtë që e bënin atë punë në një errësirë varrmihësish. Kurrë nuk kisha bërë seks me një vajzë të tillë. Dhe çdo natë, kur e shikonte që isha vetëm në shtëpi, ajo zbriste tek unë dhe shkrihej në errësirë. Por seksi i saj ishte i jashtëzakonshëm. E fusja hundën brenda në atë të çarë ku zotëronte një heshtje e madhe, ëmbëlsi dhe paqe… Në errësirën e asaj shpelle të madhe rezononte një lloj muzike organoje…”
Kur shkoi në Amerikë, Miller botoi më pas një libër të vogël, të titulluar “Bota e seksit”, ku ndër të tjera shkruante: “Një botë e re është duke lindur, një tip i ri njeriu po shfaqet sot. Masa e madhe e njerëzimit, e destinuar të vuajë sot më tërësisht se kurrë, arrin deri aty sa të paralizohet nga frika e të tkurret në vetvete, i tronditur gjer në shpirt. Ai nuk ndjen, por shikon veç raportin e kërkesave urgjente e të përditëshme të trupit. Ja, kështu vdesin qytetërimet. Në fillim është forma që vdes. Por edhe pse pak arrijmë ta mendojmë, duhet të kuptojmë se forma nuk do të vdiste nëse nuk do të vritej shpirti…”
Edhe pse seksualiteti luan një rol të madh në jetën dhe veprat e tij, ajo nuk e obsedon atë, ai nuk bëhet rob i saj, dhe ai nuk e njëson asnjëherë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë, me atë çka është sublime tek njeriu. “Dashuria”, “është drama e përkryerjes dhe e bashkimit. Dramë personale në kuptimin më të thellë e që duhet të bëjë të bien zinxhirët e egoizmit, burimi i gjithë të këqijave. Seksi në vetvete nuk është personal dhe ai mundet apo jo, të identifikohet ose të bashkohet me dashurinë. Ajo shërben për ta përforcuar, thelluar ose shkatërruar atë. Eshtë diçka ndihmëse, një instrument, i mirë apo i keq, kjo varet si e përdorim. Zakonisht dashuria e seksi njësohen dhe nga kjo vijnë vuajtjet, keqardhjet, që sot përbëjnë rrënimin e botës… Sot seksi, si një makinë e simbol i mënyrës së ekzistencës sonë, funksionon në një boshllëk absolut e steril. Eshtë shenja më e lartë e pafuqishmërisë. Krijues vuajtjesh, pasi ai sjell emocione dhe ne jemi veçse handikapë në fushën afektive…”
Vite më vonë Miller u vendos në “Villa Seurat”, pranë sheshit Alesia, jo larg nga Montparnasse. Me intelektualë të tjerë amerikanë e francezë ai takohej shpesh në kafenenë aty pranë, në “Café Zeyer”, që është dhe sot. Në vitin 1940, në një kohë të vështirë për Europën që kërcënohej nga lufta shkatërrimtare, një ditë, në portën e tij u shfaq shkrimtari George Orwell, i cili kishte botuar librin “Homazh për Katalonjën”, lidhur dhe me pjesmarrjen e tij në brigadat vullnetare internacionale për të mbrojtur republikën e re spanjolle. Takimi i tyre ishte disi i nderë, pasi mendimet e tyre ishin të kundërta. Miller ishte pacifist dhe i qëndronte larg luftës në princip, cilado luftë të ishte. Madje ai ishte një fatalist i madh, ndërsa Orwell ishte i ashpër dhe besonte në politikën dhe ndryshimin shoqëror. Ai luftonte për liri dhe drejtësi, çka për të ishin baza e demokracisë. Që të dy ishin pacifistë në fakt, por siç shkruante Perlès, “ndërsa Miller e refuzonte luftën, Orwell ishte gati të nisej në luftë për të mbrojtur çdo kauzë që e gjykonte të drejtë”. / KultPlus.com