Fotografi nga protesta studentore e 1 tetorit 1997 (FOTO)

Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar mbi 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.

Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.

Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com

Kurti kujton protestën e 1 tetorit: Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë

Protesta e Lëvizjes Studentore, më 1 tetor 1997 vlerësohet si pikënisje e kthesës së madhe historike, që po vinte për Kosovën.

Regjimi që ishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim. Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe.

Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e udhëhequr dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.

Përmes një statusi në Facebook Albin Kurti ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme duke u shprehur se para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë. Ai tutje ka shkruar se gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.

Për Kurtin, cdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit.

Postimi i plotë i Kurtit:

Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë.

Ishim studentë të një universiteti që konsiderohej paralel e i krijuar nga shqiptarët, të cilëve arsimi i lartë nuk u lejohej në Kosovë.

Mësimin e mbanim në shtëpi të njerëzve zemërgjerë që i kishin lëshuar përkohësisht ato për ne. Aktivitete jashtë universitare pothuajse nuk kishte fare. E ato pak aktivitete që i kishim, ishin të kufizuara nga orët policore apo patrullat e policëve. Te fytyrat e prindërve tanë shihnim një brengë të pafundme për të ardhmen tonë të pasigurt.

Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.

Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997.

Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb.

Çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin.

Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit. / KultPlus.com