Më 12 tetor mbahet protesta në Prishtinë për të drejtat e grave në Iran

Më 12 tetor nga ora 12:00, në Prishtinë do të protestohet për t’u solidarizuar me gratë në Iran, të cilat janë revoltuar për të drejtat e tyre përballë pushtetit atje.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga organizata joqeveritare ‘Youth Initiative for Human Rights – Kosovo” (YIHR KS).

“Në solidaritet me gratë në Iran, po mblidhemi në sheshin Skenderbeu këtë të mërkurë, më 12 tetor, në orën 12:00. Policia e moralit në Teheran vrau Mahsa Amini, 22-vjeçare, për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë. Pas kësaj ngjarje, protestat u përhapën në të gjithë vendin. Më shumë vajza dhe gra të reja janë rrahur, zhdukur dhe vrarë në Iran. Duke protestuar për një akt të tillë dhune ndaj grave, komunitetet në mbarë botën po bashkohen për të dënuar akte të tilla mizore dhune dhe njëkohësisht për tu solidarizuar e protestueses në Iran për liri”, thuhet në njoftim.

YIHR ka deklaruar se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.

“Të drejtat e grave iraniane janë të drejta të njeriut. Ne nuk jemi të lirë derisa çdo i/e fundit prej nesh të jetë i/e lirë nga dhuna. Prandaj, ju ftojmë të gjithëve të bashkoheni në tubimin tonë dhe të tregojmë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për gratë në Iran. Sillni pankartat, tërbimin, solidaritetin dhe fuqinë tuaj për të qëndruar së bashku për gratë, për jetën dhe për lirinë.  Ne gjithashtu do të kemi ‘Tryezën e Kutisë së Flokëve’ ku ju mund t’i prisni flokët si shenjë rezistence. Gratë iraniane e filluan këtë formë rezistence si një mjet për të protestuar ndaj autoritarizmit dhe për të festuar autonominë dhe lirinë mbi trupin e tyre. Bashkohuni me ne këtë të mërkurë. Së bashku qëndrojmë me gratë në Iran”, thuhet në fund të njoftimit. / KultPlus.com