Protokolli interesant i ceremonisë së varrimit të papa Françeskut

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të ketë një vend në rreshtin e parë dhe do të ulet larg homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky në funeralin e Papa Françeskut, sipas protokollit të Vatikanit, bën të ditur tabloidi britanik ”The Sun”.

Udhëheqësit kryesorë botërorë janë sot në Romë për t’u bashkuar me dhjetëra mijëra katolikë që vajtojnë në funeralin e orkestruar me kujdes.

Italia po vendos një ”unazë çeliku” rreth Vatikanit për të ndihmuar në mbrojtjen e turmave deri në 200 000 persona dhe pothuajse 200 vizitorëve të huaj të profilit të lartë.

Këtu përfshihen presidenti Trump dhe gruaja e tij, Melania, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilët njoftuan se do të merrnin pjesë në funeralin e papës.

Nr.10 tha se kryeministri Keir Starmer do të marrë pjesë gjithashtu në funeral, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.

”Princi William do të jetë gjithashtu i pranishëm në funeralin e papës në emër të Mbretit”, njoftoi Pallati Kensington.

Mbreti Charles dhe mbretëresha Camilla i kanë bërë homazhe Papës në një deklaratë prekëse.

Protokollet e Vatikanit sugjerojnë që Trump mund të mos jetë në rreshtin e dytë të dinjitarëve të ulur përballë mbretërorëve dhe pleqësisë së kishës në pozicionin kryesor në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Në vend të kësaj, ai do të ulet në rreshtin e tretë së bashku me homologët e tij.

Funerali do të shënojë gjithashtu herën e parë që Trump dhe Zelensky takohen me njëri-tjetrin pas grindjes së tyre historike – dhe të shëmtuar – në Zyrën Ovale.

Por, të dy do të ulen larg njëri-tjetrit.

Kjo për shkak të protokollit të Vatikanit për të rregulluar vendet për dinjitarët e huaj në rend alfabetik.

Udhëheqësit amerikan, të cilit i pëlqen vëmendja, do të jetë më i zhgënjyer nga mbërritja e armikut politik dhe ish-presidentit Joe Biden, i cili do të ulet pranë tij në sheshin e Shën Pjetrit.

Trump – i cili u përplas me papa Françeskun për imigracionin – mbërriti në Romë në bordin e ”Air Force One” me një enturazh të madh sigurie.

Ndërsa Vatikani nuk ka publikuar ende asnjë detaj zyrtar mbi ulëset, funeralet e mëparshme papnore na japin një pamje të asaj se si do të dukej rregullimi i ulëseve.

Ata do të jenë midis delegacioneve nga më shumë se 130 vende – duke përfshirë 50 krerë shtetesh dhe 10 monarkë në fuqi, pozicionet e të cilëve do të dekretohen nga protokollet e lashta të kishës.

Rregullat e Vatikanit diktojnë që emrat e tyre të renditen nga organizatorët e funeraleve në frëngjisht – gjuha diplomatike ndërkombëtare.

Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara – États-Unis në frëngjisht – do të jenë midis Etiopisë dhe Esvatinit, i njohur më parë si Svaziland, sipas protokollit të vendosur të ulëseve.

Mbretëria e Bashkuar përkthehet si Royaume-Uni në frëngjisht – duke e vendosur Keir Starmer në një kurs përplasjeje me një vend afër – ose ndoshta pranë – Rusisë.

Por, Starmer do të kursehet nga një takim i sikletshëm me Vladimir Putinin, i cili përfaqësohet në Romë nga ministrja e Kulturës Olga Lyubimova.

Kryepeshkopë, peshkopë dhe kardinalë të fuqishëm – të njohur si “princat” e kishës katolike – do t’u jepen vendet më të mira në ngjarjen spektakolare.

Ndërsa anëtarët e familjes mbretërore katolike do të zënë vendet e para.

Mbretërorët jokatolikë – përfshirë princin e Uellsit, mbretin dhe mbretëreshën e Suedisë dhe princin e Kurorës – do të jenë më pas, duke zënë vendet në rreshtin e dytë.

Një numër i madh i të pranishmëve do të mbërrijnë së bashku me dinjitarë të huaj, mbretërorë dhe disa nga figurat më me ndikim në botë.

Kjo rritje e vizitorëve të famshëm në vendin e vogël prej 0,44 km² ka nxitur një nga operacionet më komplekse të sigurisë që është nisur ndonjëherë.

Një njësi ushtarake e fshehtë me bazë në Itali po udhëheq detyrën ”sizmike” dhe do të përdorë teknologji anti dronë, snajpera, avionë luftarakë dhe madje edhe anije luftarake për të mbrojtur elitën botërore.

Trupat e specializuara që rrethuan Sheshin e Shën Pjetrit sot u panë duke mbajtur “bazuka dronësh” të epokës hapësinore të aftë për të çaktivizuar mjetet terroriste me një shpërthim valësh radioje.

Shefat e sigurisë besojnë se dronët përbëjnë kërcënimin më të madh për ceremoninë mortore.

Një nga specialistët e dronëve – i quajtur Giovanni – i tha dje gazetës ”The Sun” se ”pajisja ime mund të çaktivizojë dhe rrëzojë një dron pasi ta kem në shënjestër”.

”Teknologjia është shumë efektive dhe na mundëson të vëmë dronët nën kontroll dhe të zvogëlojmë kërcënimin. E kuptojmë se kemi një punë të rëndësishme për të bërë”, shtoi ai.

Snajperë me pushkë u panë gjithashtu të pozicionuar në çatitë me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit.

Avionët mbikëqyrës AWACS të NATO-s do të ndihmojnë gjithashtu në sigurimin e qiellit, si dhe në stacionet e sofistikuara kundër bllokimit të dronëve.

Shefi i policisë së Romës, Marcello Fulvi, tha se rreth 8 000 personel sigurie do të mbrojnë procesionin e varrimit.

Kjo do të përfshijë 2 000 xhandarë me uniformë të Vatikanit që patrullojnë rreth Sheshit të Shën Pjetrit dhe 1 400 oficerë të tjerë me rroba civile të vendosur në rrugë.

Diku tjetër, Garda Zvicerane do të jetë në dispozicion për të ndihmuar me rrjetin e mbikëqyrjes në funeral.

Ata njihen si një nga njësitë më të vjetra ushtarake në planet, si dhe më të voglat, dhe e kanë mbrojtur Papën që nga viti 1506.

Siguria tani ka filluar të rritet në vend, ndërsa mijëra njerëz i thonë lamtumirën e fundit papës.

Zyrtarët publikuan foto të Françeskut të veshur me rroba të kuqe, ndërsa mbante një rruzare brenda një arkivoli në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Papa 88-vjeçar vdiq të hënën e Pashkëve pasi pësoi një hemorragji cerebrale.

Funerali do të drejtohet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re.

Pas funeralit, trupi i papës do të zhvendoset në vendin e varrimit jashtë Vatikanit.

Françesku do të jetë Papa i parë në më shumë se 100 vjet që do të varroset jashtë mureve të Vatikanit./ a.jor./atsh/ KultPlus.com

Publikohet Protokolli që ka fokus dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale sipas të drejtës ndërkombëtare

Rreth 20.000 gra dhe burra mbesin të dhunuar nga lufta e fundit e Kosovës. Për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale përgjatë kësaj lufte, ata duhet t’iu nënshtrohen disa procedurave. Pikërisht për t’i lehtësuar këto procedura, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me organizata të këtij profili dhe institucione shtetërore ka bërë përpilimin e Protokollit për identifikimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Protokolli i cili u realizua përmes punës së QKRMT’së, grupeve punuese nga Sektori për krime të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, Prokuroria e shtetit, Qendra për Promovimin e të drejtave të grave, Medika Kosova dhe Medika Gjakova, u prezantua sot nën prezencën e drejtuesve të organizatave, familjarëve të të mbijetuarve dhe mediave.

Paneli i diskutimit përbëhej nga Feride Rushiti, drejtoreshë në QKRMT, Drita Hajdani, Prokurore Speciale në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Fadil Gashi, drejtor në Drejtorinë për hetimin e krimeve të rënda. Përgjatë diskutimit u shpalos qëllimi i përpilimit të këtij protokolli, përdorimi dhe rëndësia e tij. Në të njëjtën kohë u bë ndarja e përvojave të ndryshme në mes të organizatave dhe institucioneve.

Qëllimi kryesor i Protokollit është të shërbejë si një dokument udhërrëfyes për institucionet që merren me hetimin dhe gjykimin e çështjeve dhe udhërrëfyes për palët në procedurë, në mënyrë që palët të njoftohen më për së afërmi me kompetencat e organeve të caktuara, të përfshira në këtë protokoll.

Folësja e parë, Feride Rushiti tregoj se ky protokoll është burim i atij ndërkombëtar për dokumentimin e hetimit të dhunës seksuale në konflikt, i cili është publikuar në vitin 2014, i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të OKB-së për refugjatë, Angelina Jolie, ndërsa ka qenë prezent edhe QKRMT.

“Ky protokoll ka për qëllim pikë së pari t’i koordinoj të gjithë hallkat institucionale dhe mekanizmat jo institucional, pra organizatat jo qeveritare dhe agjencitë e tjera të pavarura në mënyrë që t’iu lehtësojnë të mbijetuarve të dhunës seksuale të kenë qasje në drejtësi, dokumentim, hulumtim, rehabilitim dhe integrim në shoqëri”, u shpreh drejtoresha e QKRMT, Rushiti.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari teksa foli për rëndësinë e procedurave, tregoj kërkesën e saj që me rastet e të mbijetuarve të dhunës seksuale të merren policet dhe prokuroret, specifikisht gratë në këto institucione.

“Kam marrë një përgjegjësi shumë të madhe, mirëpo me një dëshirë dhe vullnet që këto krime të zbardhen dhe kryesit e këtyre veprave të vendosen para drejtësisë”, u shpreh prokurorja Hajdari.

Drejtori i drejtorisë për hetimin e krimeve të rënda në kuadër të Policisë, Fadil Gashi u shpreh se këtë kategori të luftës duhet ta mbrojmë si shoqëri dhe mos ta stigmatizojmë, teksa në fund shprehu rëndësinë e këtij protokolli: “Ky protokoll i cili u formua të ketë si fokus kombinimin ndër institucional dhe të organizatave të tjera, që qasja, identifikimi, dokumentimi i këtyre rasteve të jetë i njëjtë dhe të mos ketë të panjohura në mes nesh”.

Fokusi i Protokollit është në dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale sipas të drejtës ndërkombëtare. Protokolli gjithashtu do të shërbejë si një strategji praktike që profesionistët mund t’i përdorin për të zvogëluar dhe adresuar rreziqet e mundshme që lidhen me dokumentimin dhe hetimin e dhunës seksuale në luftë, si dhe për të tejkaluar disa nga pengesat që paraqiten në përpjekjet e llogaridhënies për përmirësimin dhe të kuptuarit se si të mblidhen dhe të dokumentohen informatat për dhunën seksuale, gjithmonë duke pasur parasysh parimin e mos bërjes dëm.

Prandaj, ky dokument do të përdoret për të trajtuar, mbështetur dhe përfaqësuar të drejtat e të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve të dhunës seksuale në luftë.

Në fund të këtij organizimi, fjala iu dha edhe të pranishmëve të tjerë për të diskutuar rreth problemeve të kësaj kategorie të dalë nga lufta. / Medina Pasoma / KultPlus.com