Mbahet afati i dytë i provimit të maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, “provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës”.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Rreth 7 mijë maturantë i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore

Sot do të mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore. Sipas njoftimit të MASHTI-t, në afatin e dytë, testimit do t’i nënshtrohen rreth 7 mijë në 68 qendra të testimit.

Ndërsa, bëhet e ditur se duke pasur parasysh situatën me pandeminë, në çdo klasë do të sistemohen nga 15 nxënës, teksa kërkohet që të respektohen masat kundër COVID-19.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim, transmeton KultPlus.

Për të gjithë pjesëmarrësit të cilët shkelin procedurat, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës.

“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 8 shtator. / KultPlus.com