‘E kanë vra’

Nga Merita Bërdica

E kanë vra…
Në qytetin rranjë gurësh,
thuhet se,
“Grueja ka lindë
prej brinj’s burrit!”
Sa herë nanen e pyeste
buza b’za i dridhej
e short me heshtjen
shtati hidhej si gardhi
tek shiltja tanë gunga dhimash.
Tërhekte pak nga pak degërminë,
që dihatja rrêke krahanori
t’ia shtrengonte fort ballicen
me mbajtë në kambë rrudhat
si kapërthim thinjash,
“Marrja asht mëkat
tek dera Zotit, bijë!”

E kanë vra…
Në qytetin gema avullie,
thuhet se,
“Vajza lind në shtëpinë e huej
e (v)des në shtëpinë e vet!”
Sa herë baben e kqyrte
pyetja ambël ta merrte,
cungut në oxhak
mashen ia ngulte n’âsht,
sa zjermi e kapërdinte me një hûrth.
Kutisë duhanit i vinte hakut
e në nêje gishtash
ajo far’ letret e hollë shkyhej,
kur pshtyma ngjitej në tê.
Fillonte me trû vedin,
“Të hangër mordja,
këtij pragu asnjë korî
s’ka m’i mbetë, bijë!”

E kanë vra…
Në qytetin,
dielli sa një pash tokë,
thuhet se,
“Kur lind vajza
qajnë trenat e shtëpisë!”
Sa herë lodronte kopshnish
me erë bari punue fije drandofili,
atje nalt’
tjegullat kendonin një kangë.
Një kangë të hershme,
sa pullazi ligshtohej,
hana zverdhte arkitranët
e tek darka e dreqit
mungonte gjithmonë një çinî,
rrëfim nates vorrit,
“Kështu e ka shkrue Zoti, bijë!”

E kanë vra…
Në qytetin,
çinari sa gulshi qiell,
thuhet se,
“Burri asht çadra e grues!”
Sa herë shiut ia çilte sytë
çadra u kaçavjerrte
tek shpina xhaketë burrit.
U donte rruges me ecë
shtatë hapa mbrapa,
me krye poshtë,
pa ia pâ beben e synit rrebeshit.
Bile as bubullimes
m’ia ndigjue rrahjen ré.
S’ban,
se masandaj shprishet rruzarja,
“Shtatë shpitra ka Grueja!”
E monologu ndër gropa grushti
kthehet mbrasht,
“S’ke ku shkon
tek dera e babes, vajzë!”

E kanë vra…
Në qytetin
blini sa një pëllambë piacë
thuhet se,
“Nderi i grues peshohet
me gram,
ndërsa i burrit lahet
me një pikë ujë!”
Sa herë baules
ia hapte bulshitë,
fisheku në pajë
qepte ditët me arrna t’errta.
E në çdo nyje
varte fatin
si Krishti në gozhdë.
Kaq frymë ke për sot,
e për nesër shofim e bajmë.
E në tanë këto bri
që i “zhgulen” burrit
testamenti vulos,
“Duhet me durue, bijë!”

E kanë rrejtë,
e kanë pré në besë,
e kanë vra…
A thue kush
ka me përkundë këtë gjâm? / KultPlus.com