Suada Qorraj
Puna disa ditore e nxënësve dhe arsimtares së tyre ndryshoj pamjen e mureve të shkollës ‘Zenit’ në fshatin Prugoc të Komunës së Prishtinës. Shumëllojshmëria e ngjyrave, udhëtimeve dikur të përjetuara, të përditshmën e tyre, të bukurën e secilit moment të jetuar e sollën nëpërmjet muralit që tashmë ka zënë vend në muret e shkollës, shkruan KultPlus.
Ishte mësuesja e artit figurativ Harisa Rexhepi e cila së bashku me nxënësit e saj, Hasime Gërxhaliu, Orgesa Spanca, Ermira Hoti, Ernira Plakolli, Ardea Sahiti, Valentino Berisha dhe Andit Sylevica punuan për pesë dië me radhë që të krijonin muralin e parë në shkollën e tyre.
Në një prononcim për KultPlus arsimtarja e artit figurativ në shkollën ‘Zenit’, Harisa Rexhepi ka treguar se murali në vetvete përmbanë ndërthurjen e udhëtimeve të nxënësve, kohës së tyre në shkollë dhe secilit moment të mirë që përjetojnë.
“Murali është realizuar në kabinetin e artit dhe ka dimensionet 4m x 1.80m. Murali ndërthur mes vete udhëtimet, hobit që ata kanë dhe pëlqejnë, po ashtu kohën e tyre që kalojnë në shkollë, si dhe momentet e bukura që përjetojnë”, pohoi Rexhepi.
Tutje ajo ka shtuar se krijimi i muraleve për të ka filluar qysh në kohën kur ishte fëmijë, kurse sot këtë e përcjellë, por dhe realizon së bashku me nxënësit e saj. Sipas arsimtares izolimi që solli pandemia vuri dhe më në pah rëndësinë e artit, si çlirim nga emocionet negative dhe ndjësisë e të qenit i lirë.
Arsimtarja ka pohuar se shkolla ka mbështetur atë dhe nxënësit e saj si nga ana morale ashtu edhe nga ajo financiare, duke ju dhënë kështu hapsirë nxënësve që të shprehin veten e tyre.
Krej në fund Harisa Rexhepi ka thënë se në shkollën ‘Zenit’ do të realizohen edhe murale të tjera në kabinetet e shkollës si qëllim që vet lënda të bëhet më zbavitëse.
“Shkolla ka shumë kabinete dhe së pari mendojnë në secilin kabinet të punohen punime artistike që i përkasin asaj lënde pasi që edhe vet lënda bëhet më zbavitëse kur në kabinet ka punime shumë ngjyrëshe, punimet tona kanë veçorinë e tyre pasi që kanë shumë ngjyra të ndezura që ndikojnë në emocionet e fëmijëve në mënyrë pozitive”, ka përfunduar arsimtarja Rexhepi./ KultPlus.com