Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Parkun Arkeologjik Ulpiana, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, punimet tjera në bashkëpunim me UniversitetinL’Ecole Normale Superiore-Paris dhe Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.
Gjatë kësaj vizite ministri Gashi u shpreh: “Sot jam këtu që të shoh nga afër punimet të cilat po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në procesin e gjurmimeve të rregullta arkeologjike, të konservimit-restaurimit por edhe të mirëmbajtjes së parkut arkeologjik në përgjithësi. Po ashtu, gjatë kësaj vizite dua të shoh nga afër punime tjera specifike të cilat zbatohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, universitete dhe institucione tjera shumë të rëndësishme e që në rastin e Ulpianës kanë qenë në numër të konsiderueshëm”.
Ai tha se e vlerëson angazhimin e Institutit Arkeologjik, arkeologëve, profesorëve të Universitetit L’Ecole Normal Superiore Paris (me karakter shkencor, kulturor dhe profesional) dhe atyre të Universitetit të Prishtinës. Po ashtu ministri përgëzoi studentët e Universitetit Veror që iu kanë bashkangjitur këtij ekipi profesional.
Ministri Gashi tha se Parku Ulpiana do të ketë mbështetje të vazhdueshme: “Parku Arkeologjik Ulpiana, do të ketë mbështetje të vazhdueshme deri në funksionalizimin e plotë të tij, në kuptimin e punimeve, krijimit të kushteve më të mira për vizitorë dhe promovimit të këtij parku”. Ai i inkurajoi që këtë mbështetje ta kthejnë në angazhime të shtuara dhe në shkëmbim të përvojave mes kuadrosh profesionale dhe që gjeneratave të reja tu mundësohet të marrin më shumë njohuri dhe përvojë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se “nga ky park, paraprakisht lokalitet arkeologjik ka shumë të rinj që kanë filluar angazhimin e tyre si praktikantë, kurse sot studiojnë në universitete prestigjioze në Evropë por edhe udhëheqin projekte të gërmimeve brenda Kosovës. E rikonfirmoj se është shembulli më i mirë që duhet ndjekur”.
Në fund të fjalës së tij, ministri Gashi tha se nga ekipi përgjegjës pret që “të finalizoj Planin e Menaxhimit dhe një botim, në formë të Monografisë për Parkun Arkeologjik Ulpiana./KultPlus.com