Romani “Psycho” nderohet me çmimin si libri më i mirë i vitit

Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës me kryetar Esat Loshaj, sot ka ndarë çmimin për librin më të mirë të vitit 2018.

Ky çmim i takoi romanit triler ‘Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi.

Para të pranishmëve kryetari Loshaj u shprehë: “Ky roman është vepër e një firme të madhe, dhe autori tashmë është një emër në letërsinë shqiptare. Autori nuk i ndjen firmat, por veprat, jo emrat, por vlerat, dhe ky çmim i takon autorit Muharremi”. ‘Një libër hapet, një dritare më shumë dritë në kalanë e artit dhe kulturës” tha ai.

Ndërsa, për librin foli studiuesi i letërsisë Besim Perjuci i cili theksoi: “Strukturalist romani ka një shtrirje formatike të tillë pa ndonjë ndarje e nënndarje, tema e nëntema, ndonëse ka prerje të theksuara, megjithatë një i tërësishëm mbetet, duke u kategorizuar në konceptin e vetëm “psycho”, si konceptin bazë ideotematik që trajtohet. Në këtë lëmsh mendimesh udhëton autori Muharremi për ta sfiduar imagjinatën e lexuesit si oponentin e vet më të besueshëm”. Sipas tij, ai ironizon me gjendjen e tanishme. Rebelohet jo rastësisht e pa qëllim, me vetëdije apo pa te, kundër individëve qëllimkëqij, pushtave fodull, puthadorëve e pushtetmbajtësve, sahanlëpirësve e fajdexhinjve, kolltukofagëve hipokrit e faqezinjve psikopatëve e maniakëve, sadistëve e kanibalëve, paranoikëve e abuzuesve. Në këtë udhëtim autori e lakuriqëson vertikalen njeri dhe drejtpeshimin e ndërgjegjes njerëzore. Hapi tjetër mund të jetë edhe vetëvrasja, si akti më i ligë i tragjikes njerëzore që arrin kulmin e “vetëkënaqësisë” sepse “vrima” siç e quan autori, e unë do t’ja shtoja edhe mbiemrin “e zezë”, kërkon viktimën e saj. Humb realitetin e kohës, neglizhohet dhe ndahet përjetësisht nga realja për të udhëtuar drejt të padukshmes dhe të panjohurës. Atëherë ndodh ajo që s’duhet të ndodhë, rrëzimi i trungut në horizontalen e mentalitetit të acaruar. Me fjalë tjera kafshohet koha bashkë me qenien njeri të shndërruar tashmë në bishë të egërsuar për vetveten.

Për librin foli edhe drejtoresha e Bibliotekës Shengyl Kelmendi Gashi e cila e vlerësoj lartë punën e Muharremit.
Në fund fjalën e morri autori Muharremi i cili tha se “kam sjellë një roman me një stil të ri, zhanër të pa trajtuar më parë dhe liri totale të shprehjes. Jetojmë në një shekull ku njerëzit më nuk kufizon dhe erotika vjen e drejtpërdrejtë”./KultPlus.com

“Psycho” i Ilir Muharremit promovohet në Akademi të shkencave në Tiranë

Romani “Psycho” i krijuesit Ilir Muharremi së shpejti do të ketë një promovim në Tiranë. Më saktësisht, sipas Muharremit, “Psycho” do të ketë një promovim më 22 qershor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Studiuesi Vilson Culaj, në një konstatim të tij, pohon se “Psycho” është sfidant për t’u kuptuar dhe i lehtë për t’u lexuar dhe që ta mbarështosh një vepër letrare me fondament, psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj, fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike./ KultPlus.com

U promovua në Prizren romani ‘Psycho’ nga Ilir Muharremi

Sot, në hapësirat e Kolegjit Fama në Prizren u promovua romani “Psycho” i autorit Ilir Muharremi.

Për veprën foli profesori Eqerem Zenelaj i cili e vlerësoi lartë veprën e Muharremit duke i këshilluar studentët të lexojnë më shumë.

Ndërsa, Mensur Bytyqi – drejtor i librarisë “Pena” në Prizren foli fjalë miradije për romanin:
“Ky roman është shkruar me mbi vetëdije, është shumë psikologjik dhe rrëfen për një realitet të pa trajtuar në Kosovë dhe më gjerë”, shtoi mes tjerash Bytyqi, shkruan KultPlus.

Ndërsa, vet autori Muharremi tha pak fjalë rreth librit që tanimë ka marrë vëmendjen e lexuesit shqiptar.

“Jam i lumtur për këtë vepër e cila çdo ditë po gjen lexuesin e vet, shpresoj të promovohet edhe në gjeografitë ndërkombëtare” shtoi Muharremi.

Ky roman rrëfen për erotikën, kanibalizmin, dëshpërimin, psikopatinë, çmendurinë, vrasjet, dhunën, tema këto të ndërthurura në roman në formë interesante. / KultPlus.com