Me mbështetje të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të zhvillohet një bashkëbisedim me publicistin e njohur gjerman Erich Rathfelder, autor i librit “Kosova – historia e një konflikti”.
I konceptuar si një takim mes miqsh, në këtë organizim – Erich Rathfelder do të ketë bashkëbisedim me lexuesit dhe do të jetë një rast i veçantë që nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve të kuptojmë edhe për punën e përvojat e tij si reporter, për përjetimet dhe përkushtimin e tij për Kosovën dhe për çështje të tjera me interes.
Erich Rathfelder ka qenë korrespondent në rajonin e Ballkanit që nga viti 1987 dhe ishte dëshmitar nga afër i ngjarjeve në Kosovë: heqjes së statusit të saj autonom në vitin 1989, protestave paqësore të shqiptarëve, luftës së armatosur të UÇK-së, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas i fazës së administrimit të përkohshëm civil.
Publicisti Erich Rathfelder është i njohur si gazetar dhe redaktor i gazetës së përditshme të Berlinit ‘Taz’, dhe më pas si gazetar i pavarur, i cili ka punuar si reporter në Ballkan dhe ka raportuar për luftëra në ish-Jugosllavi, me përqendrim të veçantë edhe për krizën dhe luftën në Kosovë, duke u shpallur në qershor të vitit 1998, nga qeveria serbe, ‘persona non grata’ dhe duke u dëbuar nga Kosova.
Bashkëbisedimi do të udhëhiqet nga historiani dhe gazetari Durim Abdullahu.
Veprimtaria do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të enjten më 26 tetor, në orën 18:00. / KultPlus.com