Koncerti i tretë i Chopin sjell virtuozin e rrallë të skenës, pianisti Kosti Deti mahnit publikun me performancën e tij të jashtëzakonshme

Vjollca Duraku

Një koncert vërtetë fantastik u dhurua mbrëmë, në koncertin e tretë me radhë të “Chopin Pino Fest  Prishtina”, nga pianisti Kosti Deti, i cili me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në koncertin e tij solistik interpretoi vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botëror, shkruan KultPlus.

Kuq e zi ishte veshur edhe skena në natën e mbrëmshme, për të mirëpritur pianistin e shquar nga Shqipëria, i cili me lojën e tij të mahnitshme hipnotizoi publikun nga fillimi deri në fund të koncertit, pjesë e të cilit ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Prezantimin e këtij artisti të jashtëzakonshëm për publikun e solli fillimisht ambasadori Malaj, i cili tha se me shumë dëshirë po e priste lojën e artistit të shquar që ishte shpallur i suksesshëm kudo në Evropë. Me të përfunduar fjalimet përshëndetëse radha iu la artistit i cili përgjatë karrierës së tij kishte fituar rreth 50 çmime për virtuozitetin dhe origjinalin e tij, duke përfshirë edhe vendet si: Austria, Italia, Franca, Rusia, Kanada, Anglia dhe Spanja.

Në skenë doli artisti Deti dhe në fillim të paraqitjes mori vëmendjen maksimale të publikut, duke e filluar interpretimin me njërën dorë, për të krijuar tinguj shumë të qetë, përmes një prekjeje aq delikate të tasteve të pianos, përderisa lëvizja e gojës dhe buzëve të tij krahas interpretimit paraqiste përpjekjet e artistit për të mos prishur perfeksionin e ndjenjës së tij të brishtë, të cilën po e emetonte në sallë.

Po ashtu, edhe në pikën tjetër interpretuese një valë tingujsh më të shpejtë u dhuruan jashtëzakonisht të bukur, për të kaluar më vonë në lëvizje mililmetrike, strikte, super të shpejta, nganjëherë edhe në kryqëzim duarsh, të cilat krijonin stil në vete. Vëmendje të madhe tërhoqi edhe çasti kur gjatë interpretimit ai vendoste njërën dorë lartë tasteve, si për të krijuar fushë kuantike, të cilën si energji me lëvizje të dorës e tërhiqte drejtë zemrës, për ta integruar në trupin fizik, për ta shpërndarë te publiku përsëri në fund të interpretimit intensiv, kur hidhte duart fuqishëm prapa vetes.

Duartrokitjet dhe ovacionet e publikut i dhanë artistit mirënjohjen më të madhe duke e rikthyer edhe dy herë të tjera për të interpretuar në sallë, për të rimarrë atë bukuri tingujsh dhe paraqitjeje, e për ta regjistruar thellë në memorie përmes përsëritjes. Pikat të cilat audienca i shjoi pa masë në këtë mbrëmje të bukur ishin: “Sonata op.111 nr.32, c-mol” nga Bethoven me “Maestoso”, “Allegro con brio ed appasionato”, “Arietta: Adagio molto semplice e cantabile”, “Ruines d’unchateau” nga Tchaikovsky, “Hungarian Rhapsody no.6” nga Liszt, “Fryn veriu” dhe “Sonata no.4 “Kabacells” nga Aleksandër Peçi dhe “Tiokata”nga Ibrahimi.

Prej gjithë këtij programi të pasur artistik, vepra “Kabacells” e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi, artistin Kosti Deti e kishte entuziasmuar më së shumti për ta sjellë para publikut në Prishtinë.

“Repertori sot ishte i ndarë në repertor shqiptar dhe repertor të literaturës së huaj si: Bethoven, Tchaikovsky, Liszt, Peçi. Sigurisht, u ndjeva shumë i lumtur që luajta sonatën “Kabacells” të Aleksandër Peçit sepse është kompozitori ynë më i madh për momentin, klasik dhe kontemporan, i cili ka një karrierë vërtetë të konsiderueshme. Edhe në botë muzika e tij luhet nga emra shumë të rëndësishëm të muzikës klasike sot për sot, dhe në fakt mezi e prisja që ta interpretoja në Kosovë sonatën e tij”, ka thënë Deti duke potencuar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që po merrte pjesë në një festival si “Chopin Piano Fest”.

“Po ndihem shumë i lumtur. Në fakt dyfish i lumtur, sepse për mua është hera e parë që vij në Kosovë si turist dhe si koncertist. Sigurisht është kënaqësi që të performoj në këtë festival prestigjioz, në “Chopin Piano Fest”. Falënderoj shumë organizatoren Lejla Pula që më ftoi në këtë event kaq të rëndësishëm. Ndjehem shumë i lumtur, u bëj thirrje të gjithëve, edhe në Shqipëri që të marrin shembull nga ky organizim kaq fantastik dhe dinjitoz i këtij festivali, që sjell vërtetë emra shumë të mëdhenj të muzikës klasike”, ka thënë pianisti Deti.

I pyetur nëse shkaku i një interpretimi të tillë që e la publikun pa fjalë ishte pasioni, talenti, apo puna e madhe e bërë ndër vite, pianisti u përgjigj:

“Unë në fakt vij nga një familje artistësh. Mamaja është këngëtare dhe punon në teatër të Korçës, babai punon në teatër si mjeshtër zëri dhe tezja ime është aktore, dhe si  thuash kështu është brymosur kjo dashuria për artin. Pastaj pjesa e interpretimit me piano ka ardhur shumë spontanisht dhe ka arritur deri këtu me shumë mund, shumë përpjekje, shumë mundime dhe sakrifica. Normalisht, të jesh një pianist dhe një instrumentist klasik duhet një vetëmohim i jashtëzakonshëm i jetës sepse t’i do të mbyllesh për tu fokusuar për të dhënë këtë performancë, që shpresoj që publiku ta ketë pëlqyer”, ka përfunduar ai.

Kurse ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, fesivalin “Chopin” e quajti një shembull të shkëlqyer të muzikës i cili ndërton ura mes kulturave të ndryshme si dhe promovon talente të reja.  

“Si ambasador i Republikës së Shqipërisë këtu në Kosovë, e quaj nder që të jem i pranishëm dhe t’i them këto dy fjalë në shenjë përkrahje për ata të rinjë të talentuar të cilët shpërfaqen fort mirë në një festival siç është “Chopin Piano Fest”. Ky festival unë do të thoja që është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufinjtë dhe për të ndërtuar urat e nevojshme në mes kulturave tona, që jo vetëm nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botëror të të gjitha kohërave, por promovon edhe talente të reja dhe nxit një dialog kulturor të pasur e të shumëllojshëm” ka thënë ambasadori Malaj, i cili ishte impresionuar nga sipërmarrja e drejtoreshave të Festivalit.

“Unë dua të shpreh falënderimet e mija në fakt për dy zonjat e nderuara, Besa Luzhën dhe Lejla Pulën. Jam impresionuar nga sipërmarrja e tyre ku kanë rreth 14 vjet që organizojnë një festival të tillë mes vështirësive, mes nevojës për përkrahje. I falënderoj për përkushtimin, për pasionin  e tyre që bëjnë të mundur pikërisht këtë realizim. Po ashtu dua të falënderoj edhe të gjithë artistët pjesëmarrës të cilët me performancat e tyre na japin mundësi që të përjetojmë magjinë e muzikës së pianos” ka thënë ambasadori Malaj,  që me shumë dëshirë kishte ardhur ta shijonte muzikën e artistit Deti.

“Kosti Deti, një djal nga Korça i cili i ka filluar studimet në Shkollën e Arteve në Tiranë. Më pas ka shkuar në Itali, më pas në Vjenë, tani dua ta them me plotë gojë që po shkëlqen në skena të ndryshme Evropiane, dhe sonte kemi dëshirën për të parë dhe për ta shijuar muzikën e tij sot këtu”, ka thënë ai.

Kurse drejtoresha organizative e Festivalit Besa Luzha tha se ndihej shumë e lumtur që kishin arritur të sjellin në Festival një artist të tillë, i cili la mbresa të fuqishme te publiku në sallë.

“Kosti Detin ka një kohë që po presim ta sjellim në Prishtinë, për shkak se profesoresha Lejla Pula e njeh shumë mirë talentin dhe virtuozitetin e tij. Ne jemi shumë të kënaqur që ka arritur të vijë, programi ishte ishte i jashtëzakonshëm. Ndoshta pak i vështirë për audiencën tonë sidomos vepra e kompozitorit Peçi sepse është një sonatë tepër moderne, por që Kosti e solli në mënyrë brilante dhe e bëri më të lehtë të kapërdijshme edhe nëse ishte pak ekstravagante. Temperamenti, virtuoziteti, një dinamikë e paparë, një larushi e dinamikës Pianisimo deri në Fortisimo, një tingull i bukur, i mirë, i rafinuar me të vërtetë na ka lënë me mbresa të fuqishme prej këtij koncerti” ka thënë drejtoresha Luzha.

Drejtoresha Luzha më tej tregoi edhe për koncertin pasues i cili do të mbahet me kuartetin Fabrizio Bosso.

“Do të jetë një koncert me një ngjyrë krejtësisht tjetër. Besoj që do të kënaqemi shumë sepse është një koncert krejtësisht jashtë kornizave “Chopin”. Do të vijnë Kuarteti Fabricio Bosso, i cili është një trumpetist i  jashtëzakonshëm italian, i cili me formacione të ndryshme ka bërë përpunime, improvizime të temave të ndryshme, sigurisht edhe krijime origjinale por që nesër vijnë me një dedikim për Stevie Wonder. Do të ketë përpunime me tema nga këngët e tij, pasi Wonder është një personalitet në botën e muzikës me një talent të rrallë”, ka bërë të ditur Luzha.

Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Andi Duraku i cili po ashtu e kishte shijuar shumë ngjarjen, në veçanti veprat e kompozitorëve shqiptarë.

“Sonte patëm rastin ta dëgjojmë një piansit të ri shumë të talentuar, me një program i cili përfshinte epoka të ndryshme kohore. Me të vërtetë ishte një mbrëmje vërtetë e mirë. Edhe publiku e priti mjaft mirë këtë koncert, sidomos paraqitjet dhe interpretimin e veprave të cilat ishin nga kompozitori nga Shqipëria, Aleksandër Peçi, të cilat u realizuan në një nivel shumë të lartë” ka thënë në pianisti Duraku.

Koncerti i radhës mbahet sonte me kuartetin Fabrizio Bosso, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com

AShAK hap dyert për publikun me ‘Javën e Arkivit të Hapur’

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të organizojë “Javën e Arkivit të Hapur”.

“Gjatë ‘Javës së Arkivit Hapur’, AShAK do të hapë dyert për publikun, me ç ‘rast të interesuarit kanë mundësinë të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që gjendet në AShAK”, thuhet në njoftim.

Ambientet që do të mund të vizitohen janë salla e leximit, njësia e Rregullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore, njësia e Mikrofilmimit dhe Digjitalizimit, njësia e Restaurimit/Konservimit, depo dhe biblioteka.

Hapja e “Javës së Arkivit Hapur” do të bëhet më 18 mars dhe do të zgjasë deri më 22 mars./rtk/KultPlus.com