Java kulturore e OKB-së, aktivitete edhe në qytetin e Pukës

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj në kuadër të aktiviteteve për javën e OKB-së, ku Puka është përzgjedhur për festimet e kësaj jave krahas Tiranës, Durrësit dhe Përmetit, priti në një takim zyrtar delegacionin e përfaqësuesve të prezencës së OKB në Shqipëri, kryesuar nga Fiona McCluney, kordinatore e përhershme e OKB.

Gjatë takimit, Gjonaj falënderoi McCluney dhe përfaqësuesit e tjerë të OKB në Shqipëri për përzgjedhjen e Pukës si një prej qyteteve ku do të zhvillohen aktivitete.

Më tej, kryebashkiaku u ndal dhe tek mundësitë e bashkëpunimit, ku theksi kryesor u vendos tek bashkëfinancimi për ndërtimin e një rezidence për të moshuarit e mbetur në vetmi.

McCluney teksa falënderoi kryebashkiakun Gjonaj për mikpritjen, bashkëorganizimin e aktiviteteve të planifikuara në Pukë, tha se çështjet e ngritura nga Gjonaj sigurisht do të adresoheshin me shpresën e një zgjidhjeje të duhur.

Përfaqësuesja e OKB, McCluney tha se ishte e lumtur që aktivitetet në kuadër të javës dhe ditës së OKB tashmë nuk po zhvillohen më vetëm në Tiranë.

Ajo vlerësoi transformimin dhe investimet e kryera në Pukë.

Më tej gjatë takimit, mundësi bashkëpunimi u ofruan dhe nga përfaqësuesit e organizatave të OKB në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave Shqipëria do të mikpresë Kombet e Bashkuara. Është një javë me fokusin tek paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin. Java e Kombeve të Bashkuara, vjen në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare, të cilat po zhvillohen prej disa muajsh dhe kanë gjallëruar jetën artistiko-kulturore, jo vetëm në kryeqytet, por edhe qytete të tjera të vendit./ atsh / KultPlus.com

Shpella e Kaurit në Pukë, monumenti natyror që befason turistët vendas e të huaj

Shpella e “Kaurit”, 40 km larg qytetit të Pukës, vijon të befasojë me bukurinë dhe misterin e saj, turistët vendas e të huaj.

Ky vendstrehim natyror që të mahnit me misteret e saj është zbuluar nga banorët e trevës, të cilët thyhen heshtjen e misterin që mbarte kjo shpellë, duke provuar të hynin në brendësi të saj e të shuanin kuriozitetin.

Ajo që habit të huajt është fakti se në këtë shpellë, shekuj më parë, banorët katolikë të zonës turreshin të fshiheshin në labirintet e saj për t’i shpëtuar ndërrimit të fesë së tyre duke u kthyer në myslimanë nga pushtuesit turq.

Shpella e Kaurit dikur e panjohur është një objekt me vlera të rralla dhe kohët e fundit ka ngjallur interesimin e shumë studiuesve vizitorëve vendas e të huaj.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “shpella e Kaurrit është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas, por sidomos të huajve që kryesisht janë polakë, gjermanë, por edhe nga vende të tjera. Gjatë sezonit veror pothuajse çdo ditë shoqëroj grupe me turistë në këtë shpellë, të cilët mahniten nga pamja që ofron ky vendstrehim shekullor, por edhe me bukuritë e rralla të natyrës që të shoqërojnë deri në vendin ku ndodhet shpella”.

Sipas tij, për të mbërritur tek Shpella e Kaurit, duhet të udhëtosh fillimisht me makinë e më pas me varkat e banorëve të zonës i afrohesh vendit ku gjendet ajo, në buzë të Liqenit të Komanit.

Banorët dhe gojëdhënat thonë se Shpella e Kaurit daton që para lindjes së Krishtit dhe ka pasur si funksion mbrojtjen e malësorëve nga okupatori turk që detyronte malësorët që të ndërronin fe. Që në hyrje të shpellës gjenden shumë gjurmë të krishtërimit me vizatimet murale, ndërsa nuk mungojnë edhe disa prej almisçeve (vegla dhe enë prej guri të përdorura nga banorët e zonës) që e vërtetojnë këtë.

E pozicionuar vetëm 40 km larg qytetit të Pukës, kjo shpellë prej shumë vitesh ka qenë e panjohur për banorët. Ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe është një monument kulture i denjë për t’u vizituar nga afër. E formuar si shpellë karstike në formacionet e gëlqerorëve të periudhës së trias–jurasit, kjo shpellë është e gjatë 110 m.

Dallohet si një shpellë tipike karstike me stalaktite dhe stalagmite që i japin më tepër bukuri. Shpella e Kaurit ka qenë e banuar që në lashtësinë e hershme. Por edhe më pas, gjatë periudhës bizantine ka gjurmë jete. Kjo shpellë ka qenë një vend ideal për murgjit, të cilët më të qetë dhe më të vetmuar se aty nuk kishin ku të gjenin vend tjetër. Sot ajo tërheq shumë turistë për karakteristikat e saj, si edhe për natyrën që e rrethon. /ATSH/ KultPlus.com

Puka nën bardhësinë e dëborës ofron pamje magjepsëse në ditët e fundit të vitit (FOTO)

Flokët e dëborës kanë mbuluar qytetin e Pukës, 145 km nga Tirana, duke ofruar një pamje magjepsëse, ku kombinohen mjaft bukur liqeni dhe malet e mbuluar nga bora.

Bardhësia e dëborës, që ka pushtuar sot qytetin alpin të Pukës, ofron një peizazh mahnitës.

Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e  adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Po ashtu Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit./atsh/ KultPlus.com

Ditët e ftohta të Migjenit edhe sot në Pukë, mbulohet nga bora bashkë me nxënësin e tij

Nga Alma Nikolli.

Kur mësues Migjeni u nis me dhanë mësim në Pukë ishte prilli i vitit 1936. Ishte pranverë. Stina kur çelin lulet. Por në Pukë dimri nuk mbaron në Pranverë, ka ndodhë që dëbora i zbardh malet edhe në maj. Në Pukë dimri nuk mbaron as në verë. Dielli shndrit, por zemrat janë të ftohta. Varfëria ende është siç e përshkruante poeti i madh dikur.Ndoshta të vegjlit nuk janë më teshashqyer si nxënësi i Migjenit dikur, por janë ëndrra arnuar. Qyteti asht i bukur por nuk të jep me hangër, le ma me qenë i lirë… me qenë sikur do kishte dashtë mësues Migjeni. Si çdo qytet tjetër po e braktisin, siç kam ba edhe unë para shumë vitesh.Në ditët e fundit të këtij vitit, “News 24” tregoi historinë e një familjeje të varfër në Pukë. Katër vogëlushe sy shkruara, të bukura si lulet ngjyra-ngjyra që mbushin livadhet e Pukës në Pranverë, shikonin të atin teksa qante për varfërinë që u dhuroi edhe këtë fundvit që shkoi.

E të gjitha këto, mësues Migjeni ndoshta edhe i sheh, teksa qëndron mendueshëm me nxënësin në prehër. Migjeni përjetësisht poet i mjerimit, e nxënësi përjetësisht tesha shqyer. Kjo është statuja e përjetësuar në Pukë, statuja që flet pa folë, se ende gjallon, statuja që në dimën ka ftohtë.E meqë në këto ditë të ftohta pak kush menon me ja ngrohë zemrën Migjenit, duke i thanë që Luli i tij i vocërr nuk ka ma shokë, natyra ban të vetën. “Thur” një plis të bardhë borë për Migjenin e një për nxënësin tesha shqyer. Një fotografi trishtueshmërisht e bukur!*Fotografia e publikuar nga “Puka Albania” ./ KultPlus.com

Shqipëria po digjet, Puka po digjet, gjyshërit tanë po digjen…

Nga Alma Nikolli

-“Ku jemi këtu?”, pyeste kinezi.
-“Në Pukë.
Pas shumë minutash pyeste sërish.
-“Po këtu?”
-“Në Pukë”, i përgjigjej po prapë shoqëruesi shqiptar.
Pas një ore.
-“Po tani ku jemi?”
-“Në Pukë”.
-“Po Puka qenka më e madhe se Pekini!”.

Ky është një dialog që mendohet të jetë zhvilluar përgjatë viteve të komunizmit në rrugët e Pukës. Nuk vë dorën një zjarr për vërtetësinë, ama ashtu si atëherë, thuajse përgjatë të gjitha rrugëve të Pukës së madhe apo të vogël, ka pisha të panumërta.
Pisha, që tani kur unë po shkruaj vazhdojnë të digjen. Të shkrumbohen! Pisha të larta që po u thahen halat, e pas pak kohësh do rrëzohen mbi njëra tjetrën. Prej tre ditësh era ndez vatra të reja zjarresh në dy fshatra, Tuç e Lumbardhë. Njëri fshat që po shkrumbohet ishte më i bukuri në botë, sepse aty kam lindur unë. Po tani nuk e ka më fytyrën e vet.

Kumbulla në oborr është djegur e rrëzuar. Ftoi i ka hedhur të gjitha frutat në tokë, ashtu gjysmë të pjekur e gjysmë të djegur rrëfejnë se dikur aty pati jetë. Malet janë zhveshur dhe mushkëritë na u bllokuan, pishat nuk na mbushin dot me frymë. E kë? Ne. Ne që dikush më shumë e dikush më pak jemi rritur me aromën e tyre, me oksigjenin e tyre.
Më tutje, aty nën udhë tymi sikur kishte marrë tjetër ngjyrë. Po digjeshin varrezat. Prej varrezave e teposhtë, flaka sa vinte e shtohej, më ngjante bash sikur ishte zemërimi i të vdekurve që s’po lihen rehat as në atë botë. Ishte gjyshi im që largonte tymin me qeleshe…

Mes tymit e të kolliturave u larguam nga fshati. Ta shikoje të digjej e të mos bëje dot asgjë, përveç fotografive, ishte me të vërtetë e dhimbshme. Është akoma. Do të jetë.
Për zjarrfikëset nuk po flas. I pamë diku “një fshat” larg zjarrit. Helikopterë me ujë? Ata dinë të dalin bukur vetëm në foto. Këmbë njeriu dhe ariu nuk pat, qoftë edhe të na parandalojë për rrezikun e hapave mes tymit e flakëve, ama njeriu mendon me zemër ndonjëherë.

Në vitin 2007, në këto zona ka pasur zjarre thuajse me përmasa të tilla. Ashtu si sot, edhe atëherë thuhej se ishte i qëllimshëm. Pse shqiptarët po na e djegin oksigjenin qëllimisht? Që të na thonë se askush nuk do ta fikë? Përse po na i vdesin sërish të vdekurit? Pse duan të na zhdukin çdo lidhje të qenësishme që kemi me vendin tonë? Që të ikim? Të ikim pa merakun se kemi kujtime pas? Kujtime që nuk kanë më një vend, kujtime të mbetura në zemër.

Fillon projekti për restaurimin e shkollës ku dha mësim Migjeni (FOTO)

Në Pukë ka nisur sot puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti revolucionar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkruan KultPlus.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka theksuar se restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal, me vlera të veçanta./ KultPlus.com