Obelisk në qytetin e Pukës kushtuar 6 martirëve të ekzekutuar 98 vite më parë

Në sheshin kryesor të qytetit të Pukës është organizuar ceremonia e vendosjes së obeliskut kushtuar martirëve të lirisë, Ndrekë Markiçi, Ndue Dashi, Dedosh Jaku, Çun Gjergji, Hilë Caka dhe dom Gjon Gazulli, të cilët 98 vite më parë u ekzekutuan pa gjyq.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj u shpreh në rrjetet sociale se, obelisku “Martirët e Lirisë 1926-1927” është një vlerë e shtuar për kujtesën kolektive, si dhe një akt drejtësie për këta burra, të cilët u dënuan me varje në litar vetëm pse u ngritën kundër shtypjes. Dodaj e konsideroi një kauzë të shenjtë që shoqëria njerëzore e ka domosdoshmëri të çdokohshme, sa herë pushtetet dhe qeveritë marrin karakter autoritarist dhe tiranik.

Realizimi i këtij obelisku përkujtimor vjen si bashkëpunim midis bashkisë së Pukës e Fushë – Arrësit dhe të afërmve të këtyre martirëve.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të Pukës, njërës prej rrugëve kryesore të qytetit iu vu emri “Ndoc Mark Deda”, i njohur si atdhetar i flaktë në luftë kundër pushtuesit.

Pas ceremonisë në Pallatin e Kulturës të Pukës u zhvillua edhe një sesion shkencor, ku studiues e historianë evidentuan kontributin e qëndresën heroike të 6 martirëve të rënë për liri, të cilët me vendim të këshillave bashkiakë Pukë e Fushë-Arrës u vlerësuan me titullin Qytetar Nderi pas vdekjes./atsh/KultPlus.com

Puka e veshur me të bardha (FOTO)

Bardhësia e dëborës, që ka pushtuar ditët e fundit qytetin alpin të Pukës, ofron një peizazh mahnitës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky qytet verior i Shqipërisë, që është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik në çdo stinë.“Mirëmëngjes dhe me Pukën e veshur në të bardha, ju uroj një fundjavë të qetë”, shprehet Rama.E mbuluar nga dëbora në Pukë kombinohen mjaft bukur liqeni dhe malet e mbuluar nga bora.

Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e  adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com