Filmi ‘Shpia e Agës’ me katër nominime për çmimin ‘Arena e Artë’ që konsiderohet Oskari i Kroacisë

Mesa duket sukseset e filmit ‘Shpia e Agës’, nuk kanë të ndalur. Së fundi, filmi është nominuar edhe për katër cmime të tjera në ‘Pula Film Festival’ të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Producenti i filmit, Bujar Kabashi, ka bërë të ditur për KultPlus se ‘Shpia e Agës’ është nominuar për Filmin më të Mirë, Lendita Zeqiraj për Regjinë Më Të Mirë, Rozafa Celaj për Aktoren më të Mirë si dhe Arti Lokaj për Aktorin më të Mirë.

Këto katër nominime janë për çmimin ‘Arena e Artë’, çmim ky që ndryshe konsiderohet edhe si Oskari i Kroacisë.

Pula Film Festival ka qenë në plan që të mbahet në muajin Korrik të këtij viti, mirëpo situata pandemike ka pamundësuar mbajtjen e festivalit, duke e shtyrë kështu për në shtator.

Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.

‘Shpia e Agës’ flet për pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.

Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com