Promovohen librat me pulla shqiptare të Nënë Terezës dhe Gjergj Kastriotit, nga koleksionisti Hysen Dizdari

Alberina Haxhijaj

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot janë promovuar dy libra të veçantë për Nënë Terezën dhe Skënderbeun. Librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të koleksionistit dhe autorit Hysen Dizdari, shkruan KultPlus.

Hysen Dizdari është një koleksionin të cilit dëshira për të mbledhur pulla postare i kishte lindur shumë natyrshëm, duke mos e menduar asnjëherë se do arrinte që të ishte autori i dy librave të cilat do mbanin koleksione të veçanta të pullave kushtuar dy figurave të mëdha shqiptare, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.

Mirëpo ashtu siç tha sot edhe profesoresha e tij, Flutura Xhavi, ka mjaftuar që Dizdari të kishte një ide dhe të besonte në të dhe puna deri te realizimi i saj do ishte i pashmangshëm për të pasi që ai veçohej si student punëtor dhe i dedikuar.

“Figurat e mëdha si Skënderbeu dhe Nëna Tereza duhet që t’i bëjmë të kapshme dhe jo vetëm të krenohemi që ata janë shqiptarë si ne pasi që bota vazhdimit po ecën. Ne duhet që të kapemi pas vlerave të tyre që shumë pak kush i ka dhe të bëhemi bartës të këtyre vlerave”, u shpreh ajo.

Libri për Nënë Terezën fillon me “Emisioni i zakonshëm – Nëna Tereza”, emërtuar më 4 tetor 1992 i cili përmbante dhjetë pulla postare me të njëjtën pamje, Nënë Tereza duke mbajtur në duar një fëmijë. Ky libër ka gjithsej 14 emisione të ndryshme dedikuar figurës së Nënë Terezës.

Në anën tjetër Don Lush Gjergji u shpreh se çdo libër i cili diskuton apo vë në pah kontributin e Nënë Terezës është i mirëseardhur pasi që ajo është nëna universale e mbarë njerëzimit dhe e meriton një kujdes të tillë.

“Librin të cilin e sjellim këtu është me pulla postare kushtuar Shën Nënë Terezës, me këto pulla të cilat ngjiten në zarfe dhe dërgohen çdo kund në botë. Unë kisha dashur që figura, që jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjet dhe zemrat tona. Që ne të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Tereza ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, u shpreh ai.

Për librat bisedoi edhe vet autori i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim. Libri për pullat postare kushtuar Skënderbeut ka 33 emisione, i pari është emërtuar më 1 dhjetor 1913. Ndërsa në mesin e pullave postare është edhe ajo e figurës së Skënderbeut realizuar nga piktori Ibrahim Kodra, emërtuar më 20 nëntor 2004.

“Mbledhja e pullave dhe përgatitja për botim e albumit historik për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bazuar te historia mbi 100 vjeçare e filatelisë shqiptare, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh ai.

Në fund ai tregoi se ndër vite duke ju shtuar numri i pullave në koleksionin e tij, i ka lindur ideja e krijimit të një koleksioni të veçantë me pulla të cilat do u kushtohen figurave të mëdha patriotike dhe atdhetare të popullit shqiptar./ KultPlus.com