Promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore ‘Sot dhe Çdo Ditë Tjetër’

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sonte në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare “Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”, duke  mbështetur fushatën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas njoftimit nga Posta, promovimi i këtij emisioni u organizua në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku morën pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, së bashku me komisionin e pullave postare. Gjatë fjalimeve të tyre, ato theksuan mbështetjen e fuqishme për këtë fushatë dhe falënderuan Postën e Kosovës.

“Sot, si Postë e Kosovës, kemi nxjerrë në qarkullim pullën postare ‘Sot dhe Çdo Ditë Tjetër’,Kjo pullë mbart një mesazh të fuqishëm kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave – një çështje që duhet të jetë prioritet për të gjithë, jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve të aktivizmit, por gjatë gjithë vitit. Si institucion, ne nuk jemi thjesht një shërbim postar; jemi një urē që bashkon njerëzit, idetë dhe mesazhet. Përdorimi i kësaj pulle në dërgesat postare do të përhapë mesazhin për një shoqëri që mbështet, fuqizon dhe mbron çdo grua dhe vajzë”, ka thënë kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.

Ky emision i pullave postare është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe përkrah fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila, për vitin e tretë, organizohet nga ministria.

“Përmes kësaj fushate, synohet të ndërgjegjësohet publiku mbi rëndësinë e barazisë gjinore dhe të promovohen një kulturë respekti dhe mbështetjeje për gratë dhe vajzat”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Në kuadër të këtij emisioni, vihet në qarkullim një pullë postare që mbart logon dhe formën e fushatës, si dhe “Zarfin e Ditës së Parë”. Ndërkaq, kjo pullë do të mbetet në qarkullim deri në konsum të plotë të saj.

Rita Ora në pullat postare të Kosovës

Këngëtarja jonë me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Pulla me imazhin e saj do të lëshohet në qarkullim postare të shtunën, më 26 nëntor, në një ditë të veçantë për artisten e madhe shqiptare dhe britanike, pikërisht në ditëlindjen e saj.

Për më shumë se dhjetë vite në majat më të larta të skenës muzikore dhe artistike ndërkombëtare, ajo shfrytëzoi çdo rast që përmes famës së vet të promovojë vendin e saj të lindjes, Kosovën, si dhe tërë kombin shqiptar.

Ajo ishte frymëzimi i parë për të rinj e të reja që të ndjekin dhe t’i bëjnë realitet ëndrrat e tyre edhe përtej kufijve të trojeve shqiptare.

Me rastin e lansimit të kësaj pulle postare, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka shprehur mirënjohje për Rita Orën.

“Është një nder për Posten e Kosovës të nderoj Rita Orën. Ajo na ka dhuruar aq shumë momente të bukura dhe krenari të pafund me këngë, performancë dhe koncerte madhështore. Kjo pullë e bukur le të jetë edhe si dhuratë simbolike e Kosovës për këngëtaren tonë, në këtë ditë të veçantë për të, për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe kombin tonë “, ka thënë kryeshefja Kadiu.

Gjatë karrierës së saj të bujshme, Rita Ora u shpërblye dhe nderua me çmime prestigjioze në arenën ndërkombëtare si dhe në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ajo e bart me meritë titullin Ambasadore Nderi e shtetit të Kosovës që nga viti 2015. Me diplomacinë e saj kulturore vazhdon të kontribuoj për imazhin e të gjithë shqiptarëve.

Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen. / KultPlus.com

Pullë postare për të nderuar “Nënë Terezën”

Administrata Postare e Kombeve të Bashkuara ka vendosur të stampojë një pullë me një shprehje të “Nënë Terezës”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përshëndeti sot këtë vendim të Administratës Postare të Kombeve të Bashkuara.

““Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. E përshëndes vendimin e Administratës Postare të Kombeve të Bashkuara për të stampuar këtë porosi të përjetshme dhe frymëzuese të Shenjtores Nënë Tereza, në nderim të veprës së simbolit shqiptar dhe botëror të humanizmit e solidaritetit njerëzor, shembulli i së cilës duhet të na udhëheqë në përditshmërinë tonë”, thekson Presidenti Meta.

OKB thekson se, “më 12 gusht 2021, Administrata Postare të Kombeve të Bashkuara vendosi të lëshojë një pullë për të nderuar Nënë Terezën”.

Citimi në pullë në anglisht, është si më poshtë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Nënë Tereza, murgeshë dhe misionare e njohur, lindi me emrin Agnes Gonxhe Bojaxhiu në Maqedoni në vitin 1910. Familja e saj ishte me prejardhje shqiptare. Në moshën dymbëdhjetë vjeç, ajo e ndjeu fort thirrjen e Perëndisë dhe e dinte se donte të ishte misionare. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, ajo shkoi në Indi dhe iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve.

Në 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kolkota (Kalkuta) në 1950, i cili u bë i njohur për punën e tij për të mbështetur të varfërit dhe ata që vdesin në atë rajon.

Për mbi 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe vdekjeve, ndërsa udhëhoqi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, së pari në Indi dhe më pas në vende të tjera, përfshirë ndërtimin e bujtinave dhe shtëpive për të varfërit dhe të pastrehët.

Puna e Nënë Terezës është njohur dhe vlerësuar në të gjithë botën. Ajo mori çmime dhe vlerësime të shumta, përfshirë Çmimin Nobel për Paqe në 1979 “për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe shqetësimet, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim për paqen”.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Kombet e Bashkuara caktuan 5 shtatorin e çdo viti si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, që është përvjetori i vdekjes së Nënë Terezës”. / KultPlus.com

Posta e Kosovës promovon pullën postare “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”

Posta e Kosovës ka njoftuar për pullën më të re postare – “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”  që do ta promovojnë ditën e enjte, shkruan KultPlus.

Në mesin e këtij promovimi, të pranishëm do të jenë familjarët e Sahatçiut dhe Qenës, përfaqësues të institucioneve, pjesëmarrës nga sfera e artit dhe kulturës, mediave dhe mysafirë të tjerë.

Promovimi do të mbahet në CINEPLEXX,  Albi Mall-Prishtinë, më datë 25 mars 2021, orën 11:00. Të pranishmit do të kanë mundësinë për të shijuar një koktej rasti. / KultPlus.com

“Shkolla e parë shqipe në Stubëll” vjen në pullë postare

Posta e Kosovës, nga sot vë në qarkullim emisionin e pullës postare “Shkolla e parë shqipe në Stubëll”.

Imazhi që bartë kjo pullë postare, i dedikohet vatrës së parë të diturisë në Kosovë, e njohur si Kolegji i Shën Llukës, në fshatin Stubëll të Vitisë në vitin 1584.

Shkollat shqipe në Kosovë zhvillohen dhe përforcohen gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Zym, Janjevë dhe Stubëll, pranë Kishave Katolike, si vatra të vërteta të arsimit dhe të edukimit, me kontributin e atdhetarit Hasan Prishtina dhe me shumë të tjerë.

Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat  tona kulturore, arsimore dhe kombëtare. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës në pullë postare

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka promovuar pullën postare me logon e 50 vjetorit për nder të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Promovimin e kësaj pulle e ka bërë Posta e Kosovës me rast të shënimit të pesë dekadave të themelimit të Universitetit të Prishtinës si institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Republikën e Kosovës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema tha se promovimi i kësaj pulle postare është aktivitet i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës si shpërblim i punës së madhe të këtij universiteti.

“Sot është aktiviteti i tretë që do të promovohet pulla postare, 50 vjetori i Universitetit të Prishtinës. Kjo pullë postare vjen si shpërblim i punës së ma dhe që ka bërë Universiteti i Prishtinës për 5 kjo është një vlerë e veçantë, që besoj se është edhe një vlerë e veçantë për Postën e Kosovës sepse e nderon një tempull i cili për 50 vite ka dhënë dritë, ka dhënë profesionist, ka dhënë kontribute në të gjitha fushat”, deklaroi Dema.

Dema shtoi se shtetin e Kosovës e ka lindur ky universitet, prandaj është i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës dhe është obligim për secilin që ta rrisë dhe zhvillojë atë.

“Historikisht fati i Universitetit të Prishtinës ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës, po jo vetëm aq, ndoshta nuk është edhe e rëndësishme që këto dy data, data e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dhe data e pavarësisë janë kaq afër që do të thotë se këtë shtet e ka lind ky Universitet dhe e kemi obli gim ta rrisim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë një shtet që do të jetë i këndshëm, që do t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabarta, në të cilin çdonjëri ta realizojë ëndrrën e vet”, tha Dema.

Kryeshefi ekzekutiv i postës së Kosovës, Shefqet Avdija tha janë krenarë që kanë bërë promovimin e pullës postare për Universitetin e Prishtinës me qëllim të promovimit të vlerave në Republikën e Kosovës.

Avdija tha se historia e Universitetit të Prishtinës është e pandashme me historinë e popullit, andaj edhe kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit të arsimit si institucioni më i rëndësishëm në Kosovë.

“Që nga themelimi historia e këtij universiteti mbetet e pandashme me historinë e popullit të Kosovës, universiteti i Prishtinës për dallim n ga Universitetet e Evropës veprimtarinë e kanë zhvilluar në dy fronte atë të luftës për dije dhe atë të luftës për liri. Kjo dëshmoi edhe një herë se shkolla arsimi dhe dija janë parakusht për ndërtimin e lirisë shpirtërore si hap i parë në realizimin e lirisë fizike, prandaj kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit tonë të arsimit dhe të dijes”, deklaroi Avdija

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit, të cilin e miratoi Kuvendi i ish-Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit “Hasan Prishtina” u mbajt më 13 shkurt 1970.

Ndërsa, me 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës./Koha.net / KultPlus.com

Posta francezë sjellë pullën postare me imazh të Skënderbeut

Posta  e Francës ka vënë në qarkullim një pullë postare të veçantë duke përdorur për të imazhin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Ky lajm e ka lumturuar edhe Ulpiana Lamën. Ajo këtë e ka ndarë edhe me miqtë e saj në Facebook.

“Posta franceze nxjerrë në përdorim pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu). Iniciative fort e çmuar e Maison d’Albanie në një realizim te spikatur të piktorit Zamir Mati”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Adem Demaçi në pullën postare për nderë të 28 nëntorit

Për nderë të veprimtarisë së Adem Demaçit, Posta e Kosovës me rastin e festës së 28 nëntorit në kuadër të tematikës “I patunduri – Adem Demaçi”, emetoi një pullë postare dedikuar veprimtarit të madh, Adem Demaçit.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorë të tij, priti anëtarë të familjes Demaçi, të cilëve u dhuroi pullën e parë postare të punuara në bronz, si dhe disa prej bashkëveprimtarëve të Bacës Adem. Kryeshefi Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare të nderojmë figurën më të ndritur të kombit shqiptar, simbolin e rezistencës dhe sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar, bacë Adem Demaçi.

Ai ishte një personalitet që me një vetëmohim të jashtëzakonshëm u angazhua tërë jetën për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb dhe jugosllav. Ai i flijoi 28 vjet në burgje por asnjëherë nuk u mposht as nuk hoqi dorë nga ideali i tij jetësor për liri dhe bashkim të popullit shqiptar. “Adem Demaçi u rreshtua përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u bërë edhe Përfaqësues Politik i saj, detyrë që do ta kryej me një guxim të pashoq në zyrën e hapur në Prishtinë.

Emri i heroit kombëtar, Adem Demaçi, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do t’i lartësoi vlerat që i krijoi kombi ynë ndër shekuj në shërbim të atdheut dhe vlerave paqësore të njerëzimit”, u shpreh kryeshefi Hoxha. Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit foli bashkëveprimtari i tij, Ilaz Pireva, i cili paraqiti një biografi të bujshme të Bacës Adem dhe veprimtarinë e tij patriotike, përndjekjen e tij nga regjimi serbo-jugosllav, burgosjet e tij, si dhe frymëzimin e jashtëzakonshëm të shokëve të idealit të tij për çlirim dhe bashkim kombëtar, që asnjëherë nuk e ndalën rrugën e lirisë.

Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe bashkëshortja e Bacës Adem, Xhemajlije Demaçi, e cila me emocione shpalosi fisnikërinë dhe qëndresën e saj gjatë viteve që i kaloi jetë me të madhin e kombit Adem Demaçi. “Krenaria për sakrificën dhe përkushtimin e Adem Demaçit do të jetoj përgjithmonë!”, bëhet e ditur në komunikatë. Veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik, në moshën 82 vjeçare. Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut”, i cili ishte ndaluar nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve të nëntëdhjeta. Në vitin 2010 Demaçi ishte dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Autor i portretit që është përdorur për tu shtypur si pullë postare është piktori e profesori Ahmet Ibrahimi./21Media/ KultPlus.com

Një pullë amerikane nga viti 1943 me imazhin e flamurit shqiptar

Ambasada Amerikane në Tiranë ka postuar në faqen e saj në Facebook në rubrikën “Fotoja e ditës” një pullë amerikane me imazhin e flamurit shqiptar, lëshuar më 1943.

Fotoja e rrallë nuk ishte publikuar më parë. Me sa duket amerikanët e njihnin mirë Shqipërinë edhe në vitet e vështira të luftës./ KultPlus.com

Maqedonia emeton pullën postare me portretin e Skënderbeut

Maqedonia ka nderuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Posta e saj, ka emetuar sot pullën me portretin e heroit kombëtar shqiptar. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori shqiptar në Maqedoni Fatos Reka, përmes një postimi në rrjetin social twitter.

“Posta e Maqedonisë ka emetuar sot pullën postare për të nderuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ka shkruara Reka. / KultPlus.com

Shkupi nderon Faik Konicën me pullë postare, autore një maqedonase

Në prag të Kongresit të Manastirit, Shkupi promovoi pullë postare me figurën e Faik Konicës. 75 vite nga vdekja e këtij personaliteti shqiptar, në tirazh prej 6000 ekzemplarësh dhe me vlerë nominale prej 18 denarësh, do të jetë pulla e re postale.

Promovimi u bë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë. Me këtë rast u hap edhe ekspozita e përhershme me figurat e kombit shqiptar.

Skënder Asani nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve theksoi se është bërë një punë e madhe bashkë me filatelinë, si organ i brendshëm i postave. Sipas tij, kjo duhet të jetë shembull edhe për institucionet tjera shtetërore.

“Është një punë kolosale, që institucionalizon historinë, traditën dhe kulturën shqiptare, në këto treva. Dhe do të jetë shembull për shumë institucione tjera se si duhet vepruar, në pozicion që e merr një opozionar, se si duhet punuar”, tha Asani.

Autore i kësaj pulle postale është Larisa Zhivkovska-Donev nga Byroja e Filatelisë.

Sipas drejtorit të Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi, pullat postale janë ambasadorë të cilët përfaqësojnë historinë dhe kulturën e kombeve nëpër botë, përcjell TeSheshi.com.

“Pullat postale në vetvete ngërthejnë dy komponenta të rëndësishme: e para është me karakter komerical dhe e dyta komponentë jo më pak e rëndësishme, është se përfaqëson medium të llojit të vet, si për operatorin postar, ashtu edhe për shtetin”, u shpreh drejtori i Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi./ KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim një pullë të re postare (FOTO)

Në përkrahje të fushatës “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”, Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim një pullë postare, përcjellë KultPlus.

Përmes kësaj pulle postare u bëhet thirrje të gjitha nënave që t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri që të kemi fëmijë dhe popullatë sa më të shëndetshme.

Pjesë e kësaj fushate janë: Ministria e Shëndetësisë, UNICEF, Komuna e Prishtinës si dhe shumë institucione e organizatat të tjera.

“Ne mbesim të hapur për të ndihmuar të gjitha iniciativat që janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, janë shprehur përfaqësuesit e Postës së Kosovës. / KultPlus.com