Nëse gratë amerikane do të merrnin një rrogë minimale për punët e shtëpisë dhe përkujdesjen e familjarëve, totali i të ardhurave të tyre do të kapte shifrën 1.5 trilion dollarë në vit. Globalisht këto të ardhura shkojnë në 10.9 trilion.
Në 24 tetor të vitit 1975, 90% e grave në Islandë refuzuan të gatuanin, të pastronin dhe të kujdeseshin për fëmijët e tyre për një ditë. I gjithë kombi u paralizua. Burrat u përpoqën ta kryenin vetë këtë punë duke çuar fëmijët në shkollë dhe duke u ushqyer në restorant.
Puna e papaguar, e cila nga Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik përkufizohet si një periudhë kohore e shpenzuar për punët e shtëpisë, pazaret, përkujdesje për fëmijët, përkujdesje për të tjerë të afërm apo për të moshuarit si edhe për aktivitete të tjera pa pagesë që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë, vazhdon të jetë e padukshme për ekonomistët.
Kjo nuk është pjesë e llogaritjeve të buxhetit të shtetit apo e faktorëve të tjerë të rritjes ekonomike. Është e vështirë për tu vlerësuar sepse sinjalet e kërkesave dhe ofertave të tregut nuk janë funksionale. Besimet tradicionale se kujdesi për fëmijët, për të moshuarit dhe për të sëmurët duhet të jetë falas në familje, errësojnë vlerën e vërtetë ekonomike të kësaj pune.
Megjithatë nëse i referohemi shembullit të Islandës kuptojmë se gratë sigurojnë një subvencion të madh e të panjohur për funksionimin normal të ekonomive tona, të cilat do të merrnin fund nëse gratë do të hiqnin dorë nga këto punë.
Këtë 8 mars, ditën Ndërkombëtare të Gruas kuptuam se nëse gratë do të paguheshin me një rrogë minimale për punët që kryejnë falas, sasia e të ardhurave të tyre vetëm për vitin e kaluar, do të ishte mjaft e madhe.
Sipas analizës së Oxfam vlera e kësaj pune fantazmë shkon në 10.9 trilion dollarë. Një shifër tronditëse e cila tejkalon edhe të ardhurat e kompanive më të mëdha në botë si Walmart, Apple dhe Amazon.
Gjithashtu u krahasua edhe shpërndarja e punës së papaguar tek gjinitë e ndryshme. India rezulton vendi me hendekun më të madh pasi gratë shpenzojnë 6 orë në ditë për të mirëmbajtur shtëpinë ndërsa burrat vetëm 52 minuta. Në shtetet si Suedia, Danimarka dhe Norvegjia kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit kryhet nëpërmjet programeve të ofruara nga sigurimet shoqërore.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gratë shpenzojnë 4 orë në ditë ndërsa burrat 2 orë e gjysmë në ditë. Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 1965 në SHBA ishin pikërisht gratë ato që merreshin me të gjitha punët e shtëpisë.
Në Islandë ka kaluar një vit nga dita e rebelimit të grave e cila u quajt ‘e premtja e gjatë’, kur qeveria mori vendimin e pagave të barabarta për gratë. Sot, gratë islandeze kanë nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së fuqisë punëtore në botë.
Pikëpamja për pjesën tjetër të botës është më negative. Sipas llogaritjeve të studiuesve në Forumin Ekonomik Botëror do të duhet edhe një shekull për të arritur barazinë gjinore në çdo shtet./ New York Times/Përktheu për bitchmagazine.al, Emi Bibolli / KultPlus.com