Sot, në Rezidencën 17, në kryeqytet është zhvilluar MasterClass-i i radhës me artistë të rinj,në të cilën ligjëroi drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Kjo punëtori, e cila u zhvillua nën udhëheqjen e profesoreshës së artit, Majlinda Kelmendi, është konsideruar si një platformë thelbësore ku artistët e rinj mund t’i ndajnë idetë dhe përvojat e tyre, duke u përqendruar në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të tyre artistike.
Drejtoresha Sibel Halimi, zhvillimin e kësaj punëtorie e ka quajtur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet artistëve dhe komuniteteve të ndryshme.
“Duke nxitur dialogun ndërkulturor dhe zhvillimin e artit bashkëkohor në Kosovë, ne po kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të hapur.
Jam veçanërisht e lumtur që Drejtoria për Kulturë mbështet iniciativa të tilla që shfrytëzojnë artin si një mjet për të arritur komunikimin ndërkulturor. Kjo mbështetje është jetike për të siguruar që artistët tanë të rinj të kenë mundësitë e duhura për të zhvilluar talentin e tyre dhe për të kontribuar në skenën kulturore të kryeqytetit tonë”, ka shkruar drejtoresha Halimi në Facebook./ KultPlus.com