Ideja e konceptimit të çështjeve që lidhen me Shqipërinë dhe reprezentimin kulturor e psikik të popullit shqiptar nga një mori sferash e rrafshesh jetësore, është bërë pjesë e kulturës dhe artit shqiptar që në periudhën rilindase me autorë si Sami Frashëri duke u intensifikuar më tutje me autorë si Konica. Duke ndjekur një rend e traditë të tillë, Ismail Kadare, që rëndom si strumbullar lëndor e tematik të krijimtarisë së vet letrare ka selektuar botën kulturore e psikën shqiptare, këtë herë do t’i shtrohet vëzhgimit të kësaj bote prej prizmit të syrit kritik. Në veprën, të cilën në rrafshin teorik e koncepton si sprovë letrare, Kadare artikulon mendimin e vet për botën shqiptare dhe një sërë problemesh e përspektivash të kësaj bote përmes një qasjeje të re të mendimit – shpërfaqjes së pikëpamjeve dhe qëndrimeve nëpërmjet zbërthimit të enigmave, që derivojnë nga kultura dhe letrarësia shqiptare. Kësisoj, “Mosmarrëveshja”, mund të cilësohet si një sprovë letrare, brenda së cilës gërshetohet tradita, identiteti, qytetërimi, gjuha, politika e arti i popullit shqiptar si një rrafsh ne vete dhe në relacion me Ballkanin dhe Evropën më gjerë.
Motivin e kësaj vepre ani pse do ta përforcojë dhe shfaqë brenda veprës si ilustrim të moskuptimit, esenca e këtij motivi e shpalosë vetveten që në titull: mosmarrëveshja, përplasja, dyanësia, gati gjatë gjithë veprës do të artikulohen si binom, ambiguitet i një opozitarizmi, i dy anëve kontrastive të manifestuara si përbërje e Shqipërisë e shqiptarëve. Evokimi i momentumeve infantile në fillim të veprës që lidhet me pullat postare dhe simbolika e kundërt që shpërfaqin ato, ndryshe prej imazhit real të shteteve, bëhet finesa e parë e hipokrizisë, e përballjes dhe funksionalizimi drejt hyrjes për në botën e enigmave. Ky kontrast, përpara së cilës vendoset Kadareja-fëmijë, amplifikohet duke depërtuar nëpër elementet simbolike dhe përmbajtësore të botës shqiptare si entitet i vetëm dhe raportit të saj me Ballkanin e Evropën.
Shqipëria si entitet i vetëm dhe natyra antitetike e shqiptarit
Duke e konceptuar si një entitet të vetëm, Shqipëria që artikulon Kadare i referohet shtrirjes dhe gërshetimit të rrafshit historik e politik. Këto dy rrafshe bëhen korniza brenda të cilave Kadare shtreson figura historike e kontradikta politike. Duke i ikur kronologjisë, Kadare mundëson ndërfutjen e momentumeve sa kritike e sa kruciale që plotësojnë historinë e Shqipërisë që prej origjinës pellazgo-ilire, periudhës së Mesjetës e gjer në modernitetin e vonë dhe bashkëkohësinë, për ta krijuar një hartë panshqiptare, brenda së cilës trajtohen edhe problemet e fati i historisë moderne të Kosovës. Integrohet tërësia historike e luftërave, migrimeve, shkatërrimeve dhe tërësia politike e konferencave e kongreseve ndërkombëtare.
Pavarësisht një portreti të plotë historik të Shqipërisë e shqiptarëve, Kadare, piketimin kyç të problemeve e bart në dy momente kruciale: epoka e Skënderbeut dhe shekulli XX, të interpretuara në mënyrë kontrastive si Moti i Madh (me në qendër figurën e Skënderbeut) dhe Moti i Keq (ku shkrihet konglomerati i propagandave anti-shqiptare dhe rreziku i riorientimit drejt botës turke).
Shestimin e problemeve që lidhen me Shqipërinë, Kadare e fillon që në konceptimin e elementeve emblematike: flamurit e himnit.
Gjatë trajtimit të flamurit, Kadare nuk krijon refleksione kritike, mirëpo nëpërmjet një neutraliteti ruan vlerën sublime të flamurit të trashëguar ndër breza. Por, raporti aksiologjik i Kadaresë intensifikohet kur kalohet te himni.
I fokusuar në vargjet e ndaluara: “Se Zoti vetë e tha me gojë…”, Kadare arrin t’i gjenerojë dy situime thelbësore. Ndërsa situimi i parë, që i referohet promovimit të racizmit karshi shteteve tjera e që e kundërshton Kadare në emër të një kërkese etike e humane, situimi i dytë do të shndërrohet në kuptimin krucial të ekzistencës së Shqipërisë e shqiptarëve. Përmes deshifrimit të kësaj strofe Kadare shpalos kuptimin e enigmës e që e ndërlidhë me jostabilitetin e shqiptarit, vulën e fatin tragjik të Shqipërisë që i vjen pikërisht prej elementit hipokrit shqiptar. Në këtë pjesë Kadare zbulon tragjiken: Shqipëria është tragjike se të tillë e do shqiptari, është enigma e zbuluar, kuptimi i vërtetë i himnit. E si për ta vërtetuar saktësinë e zbulimit të vet, në vepër evokohet periudha rilindase, poezia e Naimit, drama e Fishtës e më vonë formula e Faik Konicës, që si të përbashkëta provojnë të njëjtën ide reale: shqiptarin si faktor të qenies apo mosqenies së Shqipërisë.
Duke depërtuar në psikën e popullit shqiptar, për më tepër të një shqiptari të lirë, vepra ndërton një imazh të trefishtë të shqiptarit që ka për bazë tri veçori kryesore: besnikërinë totale ndaj atdheut, hipokrizinë totale ndaj binomit atdhe-armik dhe servilizmin total ndaj armikut. Midis këtyre tri veçorive, Kadare spikat dy prototipe të shqiptarit: shqiptarin hero që vjen si përfaqësim përmes figurës së Skënderbeut dhe shqiptarin tradhtar që përfaqësohet nëpërmjet Haxhi Qamilit si simbolikë e gjithë konglomeratit të mohësve dhe albanologëve të rinj. Nëpërmjet këtyre dy figurave artikulohet edhe esenca e dy epokave të lartpërmendura: Motit të Madh që për kundërvënie do të ketë Motin e Keq.
Skënderbeida, që përbën dominancën në tekst dhe ndërtohet si simbolika përfaqësuese e Motit të Madh e rilindasve, brenda kësaj vepre kalon nëpër rrafshe, gjendje e raporte: rrafshi i parë është paraqitja prej prizmit të heroit të dyfishtë: shqiptar e evropian, por pikërisht këtu, Kadare, duke analizuar historikun e përmasave të kësaj figure në atdhe e Evropë, ndërton raportin Shqipëri-Skënderbe, prej nga ekzistenca e të parës del e varur prej të dytit, ndërkohë që mbijetesa e Skënderbeut si figurë funksionon edhe si e vetme, madje duke e vënë në krahasim me dy figurat e tjera të fuqishme të kohës kontin Vlad e Janosh Huniadin, Skënderbeu i mbijeton kohës pikërisht për shkak të receptimit si figurë evropiane, që mbron identitetin evropian. Duke proklamuar sidomos figurën e Skënderbeut në kushtet e një transformimi gjer te spanjollizimi total i kësaj figure, paralel me përmasat sublime të lavdisë spanjolle, Kadare ia kundërvë harrimin shqiptar. Edhe këtu, Kadare vë në thumb harresën e Skënderbeut nga populli shqiptar si formë të nëpërkëmbjes së kësaj figure, që do ta marrë formën e lartë nëpërmjet dukurisë së çmitizimit.
Në vepër, Kadare do të ofrojë dy forma të çmitizimit të figurës së Skënderbeut me dy prapavija tërësisht antitetike. Tipi i parë i çmitizimit me prapavijë pseudo-patriotike, ka në thelb reduktimin maksimal të kombëtarizimit të kësaj figure: jo vetëm se pengohet si emërtimi i sheshit të Skënderbeut në Paris, mirëpo vihet në skepticizëm origjina shqiptare e Skënderbeut nëpërmjet tezave sllave për ta përvetësuar këtë si figurë. Në këtë mes, Kadare nuk kursen as faktorin ndërkombëtar të përfaqësuar prej paragjykimesh të zviceranit Oliver Shmit dhe studimit të tij mbi të cilin i bëhet jehonë luftës së Skënderbeut të motivuar nga hakmarrja personale për familjen dhe jo nga motivimi atdhetar, religjioz e evropian.
Përpara një çmitizimi të mohësve, që në thelb ka mohimin e vlerave shqiptare, Kadare praktikon vetë një çmitizim të figurës emblematike. Parashtesat mitike me intencë glorifikuese të Skënderbeut dhe të fakteve historike, eleminohen nëpërmjet një neutralizimi dhe gjykimi racional të Kadaresë. Me argumente krejtësisht logjike, Kadare përpiqet ta relativizojë dhe ta afrojë me realitetin figurën e Skënderbeut duke e parë jo si dëmtim një çmitizim të tillë, mirëpo si një faktor të koekzistencës së përhershme të kësaj figure, ekzistenca e së cilës është parë nga Kadare si mjet shpëtimi i Shqipërisë.
Në kundërpeshë me Skënderbeidën si shpëtim të atdheut, Kadare shpërfaqë faktorin e rrezikimit të qenies shqiptare, të personifikuar në të quajturën Haxhiqamiloida që prej vetë Kadaresë është përceptuar si një nga kujtimet më të turpshme të rrugëtimit historik shqiptar, që ka bartur ne vete të keqen e rrezikun njëkohësisht. Brenda Haxhi Qamilit përmblidhet korpusi i pseudoshqiptarëve, mohësve, albanologëve të rinj veprimtaria e të cilëve në thelb ka tjetërsimin e gjithë asaj që është shqiptare. Për ta konkretizuar rolin dhe natyrën e tyre, Kadare argumenton një varg çmitizimesh që prekin palcën e popullit shqiptar që nga çmitizimi i prejardhjes ilire, i gjuhës shqipe, i rilindasve e i pavarësisë në Shqipëri e Kosovë e gjer në çmitizimin e figurave si Skënderbeu e nëna Terezë. Siç thekson Kadareja, gjithcka që u përket shqiptarëve çmitizohet, sepse propagandohet orientimi drejt orientit – ribashkimit me Turqinë në Shqipëri e me Serbinë në Kosovë.
Si zgjatim i veçantë i veprës, integrohet edhe fryma komuniste si përfaqësim i një historie “moderne” të Shqipërisë edhe në vetë kuptimin e komunizmit si promovuese e një fryme të re. Duke e konceptuar komunizmin si fantazmë të dyfishtë në nismë dhe pas rënies, Kadare konsideron se ka zbuluar enigmën marksiste. Në fakt, përgjatë trajtimit të komunizmit dhe disidentit të rrejshëm – Kasëm Trebeshinës, kritika e Kadaresë arrin kulmin e vet, ngaqë ajo që i bashkon disidentin e komunizmin qëndron në tendencën për të ndërtuar mite të rrejshme, hipokrizi dhe për ta fshehur të vërtetën nëpërmjet komploteve. Për realitetin e zhveshur të tmerrit komunist dhe Kasëm Trebeshinës, Kadare mjaftohet me argumentimin vetëm përmes dy vrasjeve ashtu që liria dhe fryma e re e jetës që premtojnë, s’bëhen tjetër veçse një formë e manipulimit dhe komplotit përmes të cilit krijohen në vazhdimësi viktima
Në vepër ndihet edhe karakterizimi i figurave më dytësore të veprës, të cilat gjithashtu i nënshtrohen një qasjeje binare të Kadaresë: si neutralitet dhe si kritikë e Kadaresë ndaj këtyre figurave. Grupit të parë u përkasin figura e Ismail Qemalit dhe mbretëreshës Geraldinë, ndaj të cilëve hetohet një prirje më subtile dhe emocionale në frymën e pranimit prej autorit e prej popullit; gjersa te Ismail Qemali, Kadare ngre lart durimin, erudicionin e mendjehollësinë, të mbretëresha Geraldinë flet me zërin e popullit dhe interpreton dashurinë e popullit për të – nëpërmjet po kësaj figure, Kadare i bën njëfarë jehone edhe pozitës së femrës, lirinë që e karakterizon në epokën e Skënderbeut.
Paralel me mbretëreshën Geraldinë, figura e mbretit Zog, që siç e thotë Kadare përbaltej e urrehej prej popullit, nuk pëlqehet as prej vetë Kadaresë, madje, duke u motivuar nga gjendja e një situate të tensionuar politike, Kadare vë në kritikë dyshen kontrastive Zog – Nol e bashkë me ta edhe Konicën, këtë të fundit mbi bazën e një hipokrizie politike.
Portreti politik e historik i Shqipërisë përplotësohet edhe me portretin religjioz, i cili, duke iu përshtatur logjikës kontrastive të Kadaresë, manifestohet si virtyt dhe si negacion për kombin. Ngarkesën pozitive në portretin religjioz, Kadare e interpreton nëpërmjet harmonisë fetare, të cilën arrin ta argumentojë përmes multipërkatësisë religjioze të udhëheqësve të shtetit që nga Ismail Qemali e gjer te Ahmet Zogu. Si kontrapunkt të ngarkesës pozitive shenjohet propaganda religjioze e hoxhallarëve që ngrihet jo vetëm ndaj figurave kombëtare – Skënderbeut, mirëpo shndërrohet edhe në katalizatorin kryesor të planeve shoviniste për shpërnguljen e shqiptarëve.
Shqipëria dhe Ballkani
Duke e shtrirë pikëpamjen për Shqipërinë më gjerë, pra në relacion me Ballkanin, Kadare shpërfaq dy tipe të këtij relacioni: relacionin si bashkëpunim hipokrit/i kamufluar dhe relacionin armiqësor. Në mendimin kadarean, në thelb vetë Ballkani ndërtohet nëpërmjet një paradoksaliteti, sepse pavarësisht simbolikës si djep i kulturës dhe civilizimit evropian, elementi karakterizues dhe emërtuesi i përbashkët i gjithë ballkanasve mbetet dhuna, dëshira për dhunë, shkatërrim. Duke karakterizuar si shqiptarin ashtu edhe ballkanasin, konsideron se ajo çka i bashkon këto figura është dëshira për lavdi, ndaj edhe vë pikëpyetje në çështjen e Janosh Huniadit në luftë kundër osmanëve, se vepron i vetëm pikërisht në kërkim të lavdisë.
Kur heton relacionin midis shqiptarëve e ballkanasve, Kadare ngre anën konfliktuoze të këtij rajoni. Shqiptarët, serbët dhe grekët dalin tri nacionalitetet brenda të cilave Kadare paraqet natyrën tensionuese, jo vetëm nëpërmjet Luftës Ballkanike, por edhe përmes programeve shoviniste serbe e greke mbi asgjësimin e shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë, Naçertania serbe, libri i kryeministrit serb Gjorgjeviç, projekti i Vasa Çubrilloviçit dalin si argumentet konkrete përmes të cilave Kadare ilustron gjendjen politike të popullit shqiptar në raport me atë sllav.
Brenda këtij relacioni, nëpërmjet një fryme kritike, Kadare shtron dy probleme tjera që lidhen me Kosovën: miti i Kosovës dhe propaganda manipuluese serbe për ta kthyer luftën ndëraleancore në luftë nacionale serbe e turke – Kadare këtu ndërton një kritikë të dyfishtë, jo vetëm ndaj propagandës serbe, mirëpo edhe ndaj pasivitetit shqiptar në shpërfaqjen e së vërtetës.
Problemi i dytë lidhet me vetë Kosovën, prej nga Kadare, nga një përspektivë subjektive, ndërton tablo të terrorit dhe dhunës. Për ta argumentuar qasjen agresive, të cilën e konsideron si racizëm ndaj shqiptarëve, Kadare citon shkrimtarin kroat Mirosllav Kërlezha, vepra e të cilit bëhet dëshmi e politikave paragjykuese ndaj shqiptarit e mbi të cilat ndërtohet sistemi politik sllav. Për më tepër, më indinjuese për autorin del jo vetëm paragjykimi mbi baza raciste, por mospërfillja dhe pasiviteti evropian ndaj kësaj mendësie.
Triada Shqipëri – Ballkan – Evropë
Vendosja e relacioneve midis Shqipërisë dhe ballkanasve me Evropën, parimisht siç edhe thekson Kadare konceptohet midis një skepticizmi dhe mëdyshjeje reciproke mbi faktin se sa është utilitar dhe simbiotik ndërtimi i këtij relacioni. Megjithatë, nën prizmin kadarean ky relacion shquhet me një kritikë të dyfishtë: kritikë ndaj ballkanasve e kritikë ndaj Evropës.
Aspekti i parë i kritikës që shenjon egërsinë dhe agresionin ballkanas, ka si derivim kërkesën thelbësore të metamorfozës së shteteve ballkanase drejt arritjes së konkordancave dhe harmonisë. Duke kritikuar sidomos Shqipërinë për hipokrizi përmes imazheve të gënjeshtërta rozë, Kadare paraqet çelësin e bashkimit me Evropën, që në themel të vetin ka sinqeritetin, dashurinë e sinqertë atdhetare e promovimin e sinqertë nacional.
Aspekti i dytë i kritikës ka në shënjestër vetë Evropën dhe shfaq indinjatën në raportet e kësaj të fundit ndaj ballkanasve. Brenda kësaj vepre, Kadare ruan portretizimin kapricioz dhe narcist të Evropës dhe midis këtij portretizimi ironizon mospërfilljen e thellë sidomos ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, që si të tillë e argumenton jo vetëm përmes listës së 450 personaliteteve shqiptare (që në thelb është burim skepticizmi evropian), por për më tepër pozita superiore e Evropës arrin gjer në krijimin e paragjykimeve dhe përtrirjen e ideve sllave për primitivizmin shqiptar.
Pavaresisht kapriciozitetit, lidhjen dhe orientimin drejt Evropës, Kadare e sheh si të nevojshëm në katalizimin e përparimit dhe shkëputjes prej propagandave pro-orientale; veç tjerash këtë marrëdhenie Kadare, vënë në kontekstin historik të kohës së Skënderbeut, e interpreton edhe si të drejtë të plotë morale të shqiptarëve.
Mbi një konglomerat formash dhe referencash
Pavarësisht se Kadare e konsideron këtë vepër sprovë letrare, pikëpamjet dhe mendimet e Kadaresë janë të organizuara në formën e esesë letrare. Konkretisht gjithë konglomerati i çështjeve dhe vëzhgimeve mbi botën shqiptare përmblidhet në 13 ese sa ka pjesa e parë, në shënime plotësuese të autorit si elemente të pjesës së dytë dhe një shtojcë e re vëzhgimi politik si pjesë e tretë. Natyra diverse e ngjarjeve dhe dispersiviteti i gjerë historik mbulon një dimension të gjerë kohor, që megjithatë nuk derivon si i gatshëm, por përplotësohet nëpërmjet teknikave narrative. Kjo do të thotë se, ani pse përfill një rend logjik duke ndërlidhur një çështje me një tjetër, Kadare i ikën renditjes kronologjike të historisë shqiptare. Periudha, ngjarje e epoka mbivendosen njëra mbi tjetrën duke vënë në funksion analepsën e prolepsën. Por, pavarësisht këtij çrregullimi kronologjik, rrafshi historik përplotësohet, episode historike përmbushin tërësinë, ashtu që Kadare eviton mungesat. Humbjen e lidhjes kronologjike, Kadare e zëvendëson nëpërmjet përsëritjes dyfunksionëshe, qoftë si rikujtim a si përplotësim të një segmenti paraprak historik.
Tërësisë së problemeve që i përkasin botës shqiptare, Kadare i shton edhe informacione periferike që manifestohen si digresione, në të cilat Kadare evokon episode të jetës së figurave shqiptare (informacione mbi jetën familjare të Ismail Qemalit; episodi i përvojave të Isa Boletinit në Kongresin e Versajës) dhe fakte historike botërore (pushtimi i osmanëve prej Mongolisë).
Ajo që ia shton kompleksitetin veprës është prezenca e referencave dhe intertekstualitetit, çka i japin kësaj vepre një karakter shumë modern. Këto referenca, që variojnë prej atyre publicistike, poetike, historike e politike, shfaqen si gërshetim prej botës shqiptare dhe të huaj në përmbushjen e funksioneve specifike: referencat me origjinë autorët ballkanas e evropianë (Marlou, Louis de Gongora, Oliver Shmit, Jacob Fallmerayer, Kerlezha, Vasa Çubrilloviç, Dobriça Qosiq) ndërfuten si përmbushje e rolit argumentues të informacioneve historike e politike që shfaq Kadare; ndryshe prej tyre, referencat me origjinë autorët shqiptarë (Noli, Konica, Asdreni, Naimi, Fishta, Branko Merxhani, Migjeni) i nënshtrohen një rifunksionalizimi e modifikimi për t’iu përshtatur mendimeve e fenomeneve shqiptare, konkretisht frymës përkatëse të kohës.
Një prani e tillë e referencave, por edhe gjerësia e informacionit doemos do të marrë më shumë se një formë brenda eseve, kështu mendimi i artikuluar kadarean do ta gjejë mbështetjen në format e tilla si ditari, vargje poetike, kronika telegrafike e kujtime, që do të shfaqen duke ruajtur stilin e vet specifik.
Varieteti i tonit kadarean midis faktit dhe fiksionit
Diversiteti dhe koloriti kadarean do të shtrihen përtej rrafshit strukturor, për t’u zgjeruar edhe drejt atij stilistik që përkufizohet në ngjyrimin e zërit kadarean dhe një varieteti figurash stilistike. Natyra thelbësore e veprës si konfrontim kontradiktash e kontrastesh doemos ka përcaktuar dominimin e tonit ironik dhe atij kritik të Kadaresë. Efektet ironike, sidomos, artikulohen përmes epiteteve eufematike dhe ngarkesave negative: Çmitizuesi i vockël, Lubonja, thotë Kadare, duke ironizuar me pozitën e Lubonjës dhe për më tepër me veprimet e tij anti-shqiptare. Ky ton kritik, me raste neutralizohet drejt një toni të rëndomtë – objektiv, të zhveshur plotësisht prej euforisë kombëtare, prej nga Kadare funksionalizon gjykimin racional dhe qetësinë objektive pa u rrëmbyer gati asnjëherë nga një emocionalitet i tërësishëm qoftë ndaj kauzave apo figurave shqiptare. Megjithatë, disa finesa më emocionale dhe melankolike nuk përjashtohen, finesa të tilla ndihen përgjatë paraqitjes së fatit tragjik të Ismail Qemalit; melankolike deri në një masë paraqiten edhe tablot e dhunës serbe mbi popullin e Kosovës.
Krahas këtij ngjyrimi të zërit, në thelb brenda kësaj vepre gërshetohet Kadareja-faktograf e finesat e Kadaresë si shkrimtar, pra në suaza të interaksionit fakt/fiksion. Në vepër këto dy tërësi të mëdha janë të dukshme dhe lehtë të interferueshme. Fakti është i shtrirë thuajse përgjatë tekstit dhe manifestohet si një paraqitje e gjerë e informacioneve e dokumentimeve konkrete të historisë nacionale e ndërkombëtare të shprehur përmes datave, kongreseve, mbledhjeve e viteve të përshkruara në vepër. Konkretë në të shumtën e rasteve, gati përherë janë edhe personazhet që frymëzohen nga historia e letërsia. Megjithatë, ngjizur me historiken, me Kadarenë që saktëson, shpërfaqet Kadareja që krijon fiksion dhe këtë e bën të ditur edhe brenda veprës përmes gërshetimit histori e mit, e konkretisht dimensioni fiksional del më së miri në pjesën ku ndërtohet miti për Kosovën. Episodi i vrasjes së Sulltanit e më vonë edhe episodi i vrasjes së Ramonës brenda sistemit komunist, me mënyrën e ndërtimit narrativ, shkëputen tërësisht nga pjesa faktografike dhe marrin finesat e një proze të mirëfilltë letrare që mban shenjat e një narracioni kadarean. Edhe ato pjesë të veshura me faktografi, nëpërmjet figurave letrare si metaforës, personifikimit të shpeshtë të Shqipërisë dhe epiteteve, e krijojnë një afri me fiktiven duke dëshmuar përfundimisht natyrën e esesë letrare që përdor Kadare.
Enigma e zgjidhur
Përgjithësisht, kjo vepër është një konglomerat faktografik që, i sintetizuar me fiksionalitetin letrar, kapërcen në kohën e hapësirën shqiptare dhe merr një karakter gati të një enciklopedie në miniaturë mbi Shqipërinë, shqiptarin dhe relacionet e tyre me të tjerët.
Përmes kësaj vepre, nëpër sprovat historike, politike, sociale, poetike, Kadare paraqet të dukshmen, ndërkohë që përballë saj zbulon dhe vë të padukshmen, enigmën, për ta shkaktuar mosmarrëveshjen.
Përfundimisht, sintetizimi i të gjitha enigmave në vepër prodhon idenë e fuqishme që lidhet me shqiptarin, ideimin e artikulimin e tij si kontradiktë e brendshme: shqiptari puthadorës e vrasës, servil e besnik sipas mitit të Milloshit dhe verbëria kolektive shqiptare karshi të metave, sipas mitit të vajzës që verbohet e që potencialisht përmes tyre Kadare e argumenton një fat, fakt e fatkeqësi të realitet shqiptar dhe ripohon kredon themelore të kësaj vepre se stisësi e konstruktuesi i fatit dhe i së ardhmes së Shqipërisë mbetet vetë shqiptari.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Rrezartë Morina / KultPlus.com