Alberina Haxhijaj
Sonte në galerinë Monet Art & Books është hapur ekspozita me punime të qeramikës të cilat i kanë realizuar gratë nga Krusha e Madhe, shkruan KultPlus.
Në fillim të këtij muaji Blerta Surroi dhe Veli Blakçori për një javë kanë punuar së bashku me gratë nga Krusha e Madhe në punëtorin e qeramikës të realizuar nga koordinatorja Vala Blakçori. Pjesëmarrëset e kësaj punëtori janë prezantuar për herë të parë me këtë formë arti dhe kanë punuar punime të ndryshme nga qeramika. Këto punime sonte erdhën të ekspozuara pikërisht në Monet për të gjithë të interesuarit që dëshironin t’i blinin ato.
Punimet veçoheshin për ngjyrat të cilat ishin përdorur, ato të vjeshtës me të cilat ishin ngjyrosur pasi që ishin pjekur. Në këto punime mund të gjeni edhe elemente të tjera të kësaj stine që ishte edhe tema e kësaj punëtorie duke përfshirë këtu edhe gjethin, gjurmët e të cilit mund ti gjeni të printuar në anën e jashtme të punimeve.
Zahrije Hoti, arsimtare e gjuhës shqipe e cila ishte pjesë e kësaj punëtori dhe kishte të ekspozuar dy prej punimeve të saj tregoi se më parë nuk kishte punuar asnjëherë me qeramikë. Ajo rastësisht e kishte parë lajmin për të marrë pjesë në këtë punëtori dhe pastaj i kishte pëlqyer shumë kjo punë. Sipas saj përveç që kishte mësuar diçka të re ajo edhe është relaksuar gjatë kohës që ka kaluar në punëtori.
“Jemi ndarë shumë të kënaqur me këtë punëtori. Aty na kanë tregu sesi të punojmë dhe sonte këtu kam dy punime. Gratë që kanë marrë pjesë ishin të moshave të ndryshme duke filluar prej nxënësve në shkollë fillore e deri të ato me të moshuara. Si ide kjo ka qenë shumë e mirë pasi që siç e dini fshati jonë ka nevojë për aktivitete të tilla për fuqizimin e grave. Më ka pëlqyer shume sepse jam fokusuar në punë dhe nuk kam menduar për diçka tjetër, ka qenë shumë relaksuese”, u shpreh ajo për KultPlus.
Blerta Surroi e cila ka punuar së bashku me gratë të cilat ishin pjesëmarrëse në këtë punëtori u shpreh se arti është formë e komunikimit që i lidhë njerëzit, kështu ata si artistë kanë menduar që atë që e bëjnë më së miri vet ta ndajmë edhe me të tjerët.
“Ideja ka qenë që ta bëjmë një punëtori të qeramikës me idenë dhe qëllimin që të krijomë ura komunikimi që përmes artit të bëhemi së bashku dhe të ju mësojmë punën e qeramikës. Ideja ka qenë që kjo ekspozitë me punime nga kjo punëtori të jetë edhe shitëse në mënyrë që fondet që mblidhen të ju shkojnë pikërisht autoreve si një shpërblim për to dhe për punën që kanë bërë”, u shpreh Surroi.
Tutje ajo ka treguar se kanë qenë shumë të gëzuar si organizatorë që pjesëmarrësit kanë qenë të moshave të ndryshme dhe që kanë shprehur
interesim për këtë artizanat. Sipas saj kjo është shumë e rëndësishme pasi që puna me qeramikë është në zhdukje në ditët e sotme dhe hapja e punëtorive të reja është e mirëseardhur, veçanërisht nëse ndodh nga gratë që ishin pjesëmarrëse në punëtori.
Kjo punëtori është financuar nga Culture for Change dhe pjesë e kësaj punëtori kanë qenë: Donjeta Duraku, Zahrije Hoti, Tringa Duraku, Fjolla Zenuni, Malvesa Malsori, Qamile Dellova, Hana Hoti, Zana Hoti, Siena Ramdani, Egzona Krasniqi, Drenusha Dellova dhe Iliriana Ramadani./ KultPlus.com