Ministri Çeku vizitë në Novobërdë ku kanë filluar punimet restauruese në xhaminë e Osman Efendisë

Ministri Çeku bashkë me partnerët nga zyra e BE dhe UNDP ishin në vizitë në Novobërdë, ku kanë filluar punimet restauruese në xhaminë e Osman Efendisë, përcjellë KultPlus.

Këtë vizitë e zhvilluan në muajin që shënohen ditët e trashëgimisë evropiane dhe kur festohet trashëgimia e qëndrueshme, ndërsa takuan studentët e arkitekturës dhe të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e kampit të restaurimit, të cilët po mësojnë teknikat e ruajtjes dhe restaurimit përmes mësimit teorik dhe duke e aplikuar në praktikë.

Ndërhyrjet restauruese po bëhen në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së, ndërsa po zbatohet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij. Në kuadër të këtij programi parashihet restaurimi i dhjetëra aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. / KultPlus.com

Përfundojnë punimet restauruese të mbulesës së Mozaikut të Tiranës

Mozaiku i Tiranës, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Së fundmi në këtë mozaik janë kryer disa ndërhyrje restauruese të mozaikut, të mbulesës, të ullukëve të shkarkimit, si dhe rrethimi anësor me tenda të tejdukshme për mbrojtje gjatë reshjeve të dimrit.

Ministrja e Kulturës, Elva Maragariti shprehet për Mozaikun e Tiranës se, ” i fshehur mes pallatesh të larta, në zonën që njihet si blloku “Partizani”, Mozaiku i Tiranës është një nga ato monumente, që e pasuron edhe më shumë historinë e këtij qyteti, duke e zhvendosur më shumë në kohë datimin e saj, që në shek. I të erës sonë”.

Gjithashtu ky mozaik përveçse është një destinacion interesant kulturor për turistët vendas dhe të huaj ai shërben gjithashtu dhe si një qendër për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore për nxënësit.

“Pavarësisht se ndodhet i tërhequr nga qendra e Tiranës, është një prej destinacioneve të itinerarit kulturor turistik, por edhe qendër për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore për nxënësit e shkollave”, shprehet ministrja.

Maragriti tha se, “së fundmi janë kryer disa ndërhyrje restauruese të mozaikut, të mbulesës, të ullukëve të shkarkimit, si dhe rrethimi anësor me tenda të tejdukshme për mbrojtje gjatë reshjeve të dimrit. Por ndjejmë se ky monument ka nevojë për një projekt që të mund t’i evidentojë edhe më tepër vlerat, si një dëshmitar i lashtësisë së qytetit”. /atsh / KultPlus.com