Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka prezantuar në rrjetet sociale punën e mrekullueshme që bëhet në punishten artizanale të maskave veneciane në Shkodër.
Ministrja ka marrë shkas nga kjo periudhë karnavalesh për të kujtuar edhe një herë afatin e aplikimeve për Fondin e Artizanëve, i cili mbyllet pas pak ditësh.
Ishte DRTK Shkodër, e cila risolli me herët, në vëmendje, një nga punishtet më të rëndësishme të prodhimit në mënyrë artizanale të maskave veneciane. Punishtja e cila gjendet në Shkodër, po trashëgon këtë dijebërje me një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, shumëllojshmëri, dekoresh, temash personazhesh si Arlekino i famshëm, Kolombina, Doktori i Murtajës, e plot modele të tjera të njohura të komedisë së artit.
Karnavalet shijohen me kostume të bukura, por edhe me maska që mund të jenë me tema klasike dhe historike, por edhe krijime moderne, origjinale, duke shënjuar një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jomateriale.
Ato janë një homazh për origjinën e karnavaleve që datojnë prej njëmijë vjetësh. Maska ndihmon fshehjen e identitetit të një njeriu, duke e bërë misterioz.
Në shekujt e kaluar, maska i lejonte njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore të përziheshin me njëri-tjetrin./ atsh / KultPlus.com